Zoti e faltë këtë qeveri, sepse as ai vetë e nuk e shpëton dot nga dështimi!

14 Shtator 2013, 21:38Blog TEMA

Nga Astrit Patozi*

 

Të nderuar kolegë. Zoti bashkëkryeministër, tashmë i zgjedhur, Ilir Meta. Zoti bashkëkryeministër, që pret të votohesh, Edi Rama.

Po ju drejtohem juve, në radhë të parë, meqë sot është dita e votëbesimit të qeverisë me dy koka, dhe kjo nuk është inerci e festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë.

Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale. Ne fakt, ky përcaktim vlen më shumë për bashkëkryeministrin e dytë, se i pari e ka më të qartë çështjen, sidomos për katër vitet e fundit. Nuk është një Shqipëri perfekte, sepse nuk kemi pretenduar asnjëherë që kemi qenë të pagabueshëm në qeverisje, por një vend dinjitoz, anëtar i NATO-s, me shumë probleme ende të pazgjidhura, por me një varg të gjatë arritjesh të jashtëzakonshme.

Një Shqipëri, e cila ka ndryshuar kryekëput me atë që gjetëm në vjeshtën e vitit 2005, kur Partia Demokratike erdhi për herë të dytë në pushtet.

Por sot ndoshta nuk është dita për të bërë një bilanc të plotë tetëvjeçar dhe për të shprehur krenarinë tonë për gjithçka ndërtuam dhe bëmë në këtë vend gjatë këtyre viteve.

Sot po merrni në dorëzim çelësat e një atdheu, ku, jo vetëm thjesht për shkak të heqjes së vizave, shqiptarët janë shumë herë më kryelartë se 8 vite të shkuara.

Unë nuk pres të bëni ndonjë gjë të madhe në këtë drejtim, por të paktën mos e ktheni Shqipërinë si dikur, në delen e zezë të Europës, kur ta lini sërish pushtetin.

Po merrni në dorëzim një vend ende jo të zhvilluar, por me një infrastrukturë moderne thuajse të përfunduar, falë përcaktimit të qartë dhe përkushtimit të dy qeverive të fundit të Sali Berishës. Unë nuk pres kurrsesi që ju të ndërtoni rrugë të reja, por të paktën mos i prishni edhe ato që janë bërë tashmë dhe ua kemi lënë gati.

Po ju dorëzojmë një vend me paga dhe pensione që u rritën nga viti në vit, disa prej të cilave u dyfishuan, të tjerat shkuan edhe më lart. Unë, sigurisht, nuk pres prej jush që ruani këtë trend të fortë zhvillimi, por të paktën mos i ulni pagat dhe pensionet, që gjetët, se do të bëhemi gaz i botës.

Është një Shqipëri që pati një rritje impresionuese ekonomike për vite me radhë dhe që kohët e fundit arriti të mos bjerë në recesion, me gjithë tallazet e mëdha, që shkaktoi pothuajse kudo në rajon dhe më gjerë  kriza globale. Unë nuk pres prej jush që të bëni të njëjtën gjë, por të paktën mos e lini ekonominë e 4 milion shqiptarëve të rrokulliset në humnerë, për shkak të keqqeverisjes.

Po dorëzohet me inventar një Shqipëri e gatshme për të rritur shpejtësinë e integrimit në Bashkimin Europian, dhe kjo aspak për meritë të dy palëve. Unë nuk pres prej jush që keni të njëjtin pasion si ne për ëndrrën europiane, por të paktën mos u bëni ferrë nëpër këmbë e udhëtimit tonë drejt Brukselit. Keni përballë një opozitë, që nuk do të bllokojë asnjë ditë të vetme procesin, siç e bëtë ju paturpësisht për vite me radhë.

Por edhe katër vjet më parë, Shqipëria ishte gjithashtu një vend normal, kryesisht falë arritjeve tona në mandatin e parë. E megjithatë, në shtator të 2009-ës, pothuajse gjysma e kësaj salle ishte bosh. Sepse Shqipëria ishte vend normal, por kishte opozitë një anormale. Dhe për këtë asokohe ishte dakord me ne edhe bashkëkryeministri tashmë i zgjedhur i kësaj qeverie, zoti Meta.

Opozita e Edi Ramës bojkotoi parlamentin për gjashtë muaj, ndonëse nuk kishte asnjë provë për pretendimet e saj se ishin manipuluar zgjedhjet. Opozita e sotme qëndron në këtë sallë në respekt të plotë të zgjedhësve të vet dhe të misionit të saj, ndonëse ka qindra prova për deformim të fortë të rezultatit, në të paktën dy qarqe të vendit, ku u faktua plotësisht se mazhoranca e sotme përdori falangat dhe paratë e krimit për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve.

Ndaj edhe sot në këtë sallë, më shumë se triumfalizmi i qeverisë së Edi Ramës shkëlqen diferenca e madhe mes nesh. Kontrasti i fortë mes atij që njeh vetëm fitoren dhe atyre që respektojnë çdo lloj rezultati. Ne jemi sot këtu më të vendosur se kurrë për të përfaqësuar denjësisht ata që na votuan dhe që të kthehemi sa më shpejt në zërin e fortë të shumicës së shqiptarëve.

Por katër vjet më parë, fitimtarët e sotëm turfullonin rrugëve, sepse kryeministri ende i pazgjedhur nuk e kapërdinte dot humbjen. Ne jemi sot dhe do të jemi gjithmonë në këtë sallë, që është fronti kryesor i betejës sonë politike, sepse për ne Shqipëria është një vend i mirë dhe po kaq i shtrenjtë, jo vetëm kur jemi në pushtet. Ne nuk do ta bëjmë kurrë, që për shkak të xhelozisë për kundërshtarin politik, të hedhim baltë mbi këtë vend, vetëm për shkak se jemi në opozitë.

Katër vjet më parë, shumë prej kolegëve tanë ishin futur në çadrat e turpit para kryeministrisë në atë ashtuquajturën grevë urie, më e shëmtuara dhe më e palavdishmja që është zhvilluar ndonjëherë në këtë botë. Dhe si për ironi të fatit, asnjëri prej Vrana Kontëve, që u ngujuan në ato çadra, nuk është sot i propozuar për kabinetin e ri të Edi Ramës. Ministra janë vetëm ata, që u çonin ushqime dhe u bënin roje natën me fener tek koka, se mos i hante Sali Berisha, teksa flinin. Tani Berisha nuk është më kryeministër, por disa prej tyre janë, në rastin më të mirë, njësoj deputetë si atëherë, disa të tjerë nuk janë më fare në këtë sallë, por ju edhe për këtë mund të thoni se fajin e ka prapë Saliu.

Dëgjova më 9 shtator hapësin socialist të kësaj legjislature që falenderoi popullin shqiptar për faktin se seanca e parë niste pa bojkotin e njërës palë. E tha atë, jo se donte patjetër të nderonte sovranin, por sepse nuk ia bënte zemra t’i thoshte faleminderit Partisë Demokratike dhe opozitës së sotme parlamentare.

Sepse i njëjti popull ishte edhe në vitin 2009, por një pjesë e konsiderueshme e përfaqësimit të tij u mor peng për vite me radhë vjet nga një aventurier politik, i cili ishte gati të digjte të gjithë Shqipërinë për pushtetin e vet. Sot ia ka dalë, më në fund, që të realizojë ëndrrën e vet paranojake dhe është ulur në karrigen e kryeministrit, por ne do të bëjmë gjithçka që ta largojmë një orë e më parë prej andej. Po të kishte pasur një grimë morali, fjalia e parë e Edi Ramës në këtë sallë do të kishte qenë ndjesa e thellë për atë që i shkaktoi këtij vendi në katër vjet, vetëm se nuk e pranonte dot humbjen në një lojë demokratike. Ne jemi krenarë edhe se i dhamë vendit të paktën tre palë rresht zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Katër vjet më parë ne ishim një vend normal me një opozitë anormale. Dhe çdo demokraci dëmtohet, kur çalon njëra prej këmbëve, mbi të cilat ajo mbahet. Por sot ne jemi një vend normal me një qeveri anormale, sepse unë nuk besoj tek mrekullia që pushteti mund ta drejtojë gungën e kurrizos. Që do të thotë se jemi më keq se katër vite të shkuara, sepse atë që të bën qeveria nuk ta bën as Perëndia.

Po në ketë Shqipëri normale, që po dorëzohet me letra të rregullta, por në duar të këqija, a shkon që qeveria të sulmohet që ditën e krijimit? Do të kisha dashur shumë të mos e bëja këtë, sepse mendoj se cdo qeverie i takon një kohë e shkurtër amnistie, për ta pritur të gabojë.

Ndryshe nga dikush apo shumë të tjerë, nuk kam menduar se mbledhjet informale të kabinetit Rama-Meta ishin për t’u qortuar domosdoshmërisht, përvec mediatizimit butaforik të tyre, që është zanat i vjetër i bashkëkryeministrit ende të pazgjedhur. Sepse të shfrytëzosh kohën për të qenë gati që në ditën e parë nuk është për t’u sharë apriori.  Por Edi Rama nuk na e dha mundësinë ta amnistonim, qoftë edhe vetëm një sekondë. Sepse Edi Ramës kurrë nuk i ka pritur puna për ndonjë gjë. Sepse Edi Rama ngutet gjithmonë të zbulohet ai që është.

E gjithë pritshmëria pozitive, që mund të kishte cilido, që e ka votuar mazhorancën e re, u hodh në erë nga e ashtuquajtura konferencë e ekspertëve ndërkombëtarë. Ku një grup i madh klientësh erdhën në Tiranë me çanta në duar për të ndarë në copa Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama. Ende nuk ka prova nëse për këtë projekt superkorrupsioni e ka dhënë dakordësine e vet edhe bashkëkryeministri, tashmë në detyrë, Ilir Meta. Por kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen e afërt dhe të largët.

E rëndësishme është të kuptohet që i gjithë ky nxitim për të zënë kohën nuk ka pasur asnjë moment në thelbin e vet përgjegjësinë për të qeverisur mirë, por ngutin për të zhvatur që ditën e parë, kur të hyjnë nëpër zyra. Dhe kjo është më e rëndë se disa nga premtimet e harruara të Edi Ramës, për të cilat sigurisht që do të merremi çdo orë, çdo javë dhe çdo muaj, duke filluar prej sot.

Më kujtohet një koleg socialist, i cili çuditërisht nuk u dorovit me ndonjë post në qeveri, që tha në një emision televiziv se “ne do të vjedhim me lezet, kur të vijmë në pushtet”. Atij po i del fjala, ende pa u ngjitur në platformë kolegët e vet të shpërblyer. Për 8 vjet me radhë kemi dëgjuar nga solistë të ndryshëm, por edhe nga i gjithë kori i Partisë Socialiste emrin e Damir Fazlliçit, si një biznesmen i huaj që po bënte namin në Shqipëri, se njihte dikë apo disa në qeveri.

Përfytyroni, një bandë të madhe ustallarësh, që vijnë me trasta dhe thasë të mëdhenj në duar për të bërë plaçkë. Do të na duhet shumë kohë për t’i mbajtur mend të gjithë emrat e tyre, por ndoshta kjo nuk është fare e nevojshme. Ata vijnë të gjithë me porosi dhe për llogari të Edi Ramës, me të cilin nuk e kanë për herë të parë. Sepse me të kanë ndarë lekë dhe interesa prej shumë vitesh, në kohërat e arta të lulëzimit të 20-përqindëshit në bashkinë e Tiranës. Vijnë të stërvitur dhe të sprovuar, prandaj edhe janë më të rrezikshëm.

Normalisht, sot do të duhej të diskutonim për programin e qeverisë dhe afrontimin e tij me premtimet elektorale, sepse jemi në kushtet kur ende Edi Rama dhe ministrat e tij nuk kanë firmosur ndonjë akt apo vendim. Por bashkëkryeministri, që pritet të votohet, na e kurseu edhe këtë mundim. Sepse kjo qeveri nuk ka program, por vetëm në hartim të të shkruar nxitimthi, sa për të pasur një referencë mbi tavolinat e parlamentit. Diçka pak më shumë se dosja e famshme bosh e Rexhep Meidanit, që u bë anekdotë. Ndaj unë refuzoj që të komentoj detaje të këtij pamfleti, të paraqitur si program. Por sigurisht unë nuk jam aq naiv dhe kaq pa eksperiencë sa të mendoj se performanca e një qeverie varet vetëm ose kryesisht nga programi i saj. Sepse mund të shkruash një tekst perfekt zotimesh dhe reformash dhe të dështosh pa filluar. Sepse mund të prenotosh program-hartuesit më të zotë të globit dhe të mos ndjekësh asnjë nga tezat e shkruara.

Edi Rama nuk denjoi as formalisht të sillte në parlament një program serioz. Jo se nuk kishte njerëz, madje edhe vetëm po t’i futej, mund ta bënte një projekt të mirë, sepse nuk mund t’i mohohet që e përdor mirë fjalën, sidomos atë të shkruarën.

Edi Rama nuk e mori mundimin, jo thjesht për të injoruar parlamentin, por më shumë se nuk ka ndërmend të bëjë asgjë serioze për shtetin dhe për vendin, sa të jetë në krye të kësaj qeverie. Dhe solli atë sallatë dëshirash, fotografish, përshkrimesh dhe CV-sh, ku mungonin afatet, faturat, mjetet dhe çdo shpjegim tjetër se si do të mbahen disa prej premtimeve elektorale, ndërkohë që shumë prej këtyre të fundit kanë avulluar dhe nuk përmenden më fare.

Por nëse program nuk kishte, Edi Rama ishte fare i qartë dhe eksplicit në një pikë. Ne qasjen armiqësore ndaj opozitës. Nuk humbi asnjë sekondë dhe pikërisht në ditën që duhet t’u tregonte shqiptarëve se çfarë kishte ndërmend të bënte për ta, iu vërsul në shpinë me një tërbim të pashoq Partisë Demokratike dhe opozitës në përgjithësi.

Ne jemi sot këtu edhe për t’i treguar atij se nuk na lëviz fare qerpiku prej kërcënimeve banale të kësaj qeverie dhe se çdo përpjekje për të intimiduar opozitën do të marrë flakë për flakë përgjigjen që i takon.

Të nderuar qytetarë shqiptarë! Pas meje ju shikoni një qeveri me dy kate. Ose më mirë një qeveri me shtesë kati, e cila pret të legalizohet falas, sepse kështu ka premtuar Edi Rama, për të gjitha ndërtimet e paligjshme. As vend për sekretari nuk kanë lënë në sallën e parlamentit.

Në këtë Shqipëri normale, sipas nesh, me arritje dhe suksese të mëdha, por ende vend të varfër, apo në këtë vend të rrënuar ekonomikisht, sipas tyre, na u dashka një kabinet i fryrë me nja pesë ministra më shumë se qeveria që shkoi. Dhe e gjitha kjo pa llogaritur stafet e tyre, që mund të ndërtohen sipas të njëtit model, po me shtesa kati. E sikur të mos mjaftonte kjo, të gjithë ministrat, përvec njërit, pritet të zëvendësohen me nja 20 deputetë, duke e fryrë kësisoj edhe parlamentin dhe duke e bërë atë më të stërmadhin dhe më të kushtueshmin në gjithë këto vite.

Kam përtuar ta marr lapsin dhe të bëj një llogari të saktë, por jam i sigurt se janë disa dhjetëra milion euro më shumë, që do të rëndojnë mi xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Ky është peshqeshi i parë, që i bën paradhënie kryeministri këtij vendi me ekonomi të rrënuar, sipas tij, edhe sikur asnjë prej këtyre zyrtarëve që i shtohen administratës sonë të mos vidhte asnjë qindarkë, madje edhe sikur në asnjërën prej këtyre dikastereve, që shtohen, të mos shfaqeshin fare sekserët e huaj dhe vendas të Edi Ramës. Ata që morën pjesë në atë konferencën famëkeqe, dhe të tjerë që pritet të shfaqen në skenë ditët në vijim. Sigurisht, që ky skenar optimist nuk ka asnjë shans që të ndodhë, ndaj përfytyroni vetë se çfarë mund t’i shkaktojnë arave me grurë retë e shtuara të karkalecëve.

Por atëherë çfarë duhet të presim ne prej kësaj qeverie, kur mjafton një vështrim i përciptë për të kuptuar se ajo ka në përbërje të vet njerëzit më pa eksperiencë në administrimin publik, të cilët të vetmen meritë kanë besnikërinë dhe fanatizmin ndaj Edi Ramës.

Unë nuk dua sot të futem në emra, jo se ia përtoj kësaj pune, por se i qëndroj fjalës së urtë se “peshku qelbet nga koka”, dhe se problemi kryesor i kësaj qeverie është koncepti klientitelist dhe korruptiv i ndërtimit të saj.

Po sot na dhanë një shembull të qartë se këto që unë po them janë tërësisht të vërteta. Asnjëri prej ministrave të qeverisë nuk ka gjë për të thënë. Asnjëri prej tyre nuk do të flasë në këtë parlament. Kjo do të thotë se në qeverinë Rama sot është zyrtarizuar Kodi i Heshtjes. Kurse në Partinë Socialiste ka nisur era e re, që flasin vetëm ata që s’kanë gjë në dorë. Sepse ministrat merren me punë të mëdha, që e kuptoni vetë se çfarë janë.

Të nderuar qytetarë shqiptarë! Jo vetëm mbështetësit e opozitës, por edhe ju që e keni votuar këtë mazhorancë, që sot po zyrtarizohet në pushtet. Shqipëria do të provojë për herë të parë të qeveriset nga një kabinet privat, dhe kjo është një kambanë alarmi që bie mbi të gjithë ata që kanë veshë. Deri tani ne i kemi provuar të gjitha llojet e qeverive, të cilat kanë pasur të mirat dhe defektet e tyre, dhe nuk është dita sot për t’i krahasuar me njëra-tjetrën. Por sado të këqija të kenë qenë, ata kanë përfaqësuar me aq sa kanë mundur një stad të caktuar të zhvillimit të kësaj shoqërie.

Kurse kjo është një qeveri që nuk mbështet tek asnjë kriter politik përfaqësimi, por që e ka të shkruar në ballë se është një ndërmarrje private apo SHPK e Edi Ramës.

Për gjithë këto arsye, kjo qeveri është një kërcënim i madh për vendin, për çdo shtetas të kësaj republike. Si të gjitha gjërat private, për të cilat nuk mund të pretendosh që të kenë ndonjë dimension të fortë publik, sepse janë ndërtuar për të qenë të tilla. Madje ajo është kërcënim edhe për vetë Partinë Socialiste, sepse as atë vetë nuk e përfaqëson.

Kam bindjen e plotë se edhe kriteri i ministrave jodeputetë është shpikur për të përforcuar dimensionin privat të qeverisë, për ta distancuar atë, jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë, që e votuan këtë mazhorancë, por edhe nga vetë deputetët e majtë, që do ta pagëzojnë dhe do ta mbajnë në këmbë këtë qeveri, për aq jetë sa do të ketë.

Dhe pavarësisht se ky kabinet ka lindur si kërcënim i madh kombëtar, kjo është prapëseprapë qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ky vend ka nevojë të zhvillohet më tej, të mirëqeveriset dhe të avancojë arritjet e pamohueshme të këtyre dekadave në liri, sidomos ato të 8 viteve të fundit. Në këtë kuptim, kjo qeveri, as sot dhe, as në ditën apo grahmën e vet të fundit, nuk do të ketë mbi supe mallkimin e opozitës. Pa imituar kurrë modelin e shpifur të baltosjes, atë zakon patologjik të Edi Ramës, ne jemi të vendosur të vigjëlojmë pa mbyllur sytë për asnjë çast çdo lëvizje të dyshimtë ose jo të kësaj qeverie. Do të jemi këtu për të denoncuar çdo skandal, çdo aferë korruptive, madje edhe çdo tentativë për të bërë ndonjë zullum prej saj.

Do të jemi këtu çdo ditë për t’i tundur Edi Ramës dhe çdo përfaqësuesi tjetër të kësaj qeverie të gjitha premtimet e fushatës elektorale, por padyshim që do të jemi, po ashtu, edhe opozita e alternativave.

Për sa më sipër dhe për të tjera që nuk mund të thuhen të gjitha në një fjalim: Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe opozitën e saj!

Për sa më sipër dhe për të tjera që nuk mund të thuhen të gjitha në një fjalim: Zoti e faltë këtë qeveri, sepse as ai vetë e nuk e shpëton dot nga dështimi!

*Fjala e deputetit të Partisë Demokratike në Kuvend

 

15 komente në “Zoti e faltë këtë qeveri, sepse as ai vetë e nuk e shpëton dot nga dështimi!”

  1. homeri says:

    —sa me shume opozita te ngulmoj ne zbatimin e programit te qeverise aq me mire eshte per vendin por edhe per qeverin , kjo opozite eshte shume mekatare dhe keto ligjerime nuk i shkojne punes se saj kur ishte ne qeverisje .—auditimi i punes se qeverise berisha nga institucionet nderkombetare do te bindete me mire popullin per keto ligjerime

    1. aqifi says:

      Po ky k… eshte kunder apo pro Sali Berishes se nuk po merret vesh. Vari trapin dele-desheve te PeDe-se…

    2. tiger says:

      I vetmi fjalim qe mbase qendron politikisht brenda llogjikes se luftes politike.

      Ama te degjoje te tjeret. O Zot, o Zot. Deputeti PD-se se Tropojes, ish-prefektja shkodres etj. MONSTRA injorance komplet!

  2. DREAM says:

    Mendoja se do lexoja falje per tmerret e vuajtjet qe ju i shkaktuat ktij populli .
    Mendoja se diku do lexoja perqindjet e Fazllicit dhe miljet qe i dhate grekut .
    Mendoja se do permendje frazen historike te nje psikopati histerik
    “Shqiptare punoni per familjen time ”
    Mendoja se do permendje shitjet ,vjedhjet qe bete deri dje ,ne momentin e fundit .
    Nqs do vazhdoj te mendohem do humbas kohe teper te vyer me nje vemje .
    Patozi cfaredo qe te bej
    EDWWWWWWWWWWWIN RAMA ,ME MIRE DO BEHET SEPSE ME KEQ SE BERET JU NUK DO BEJ KURRE ASNJE !

  3. leo24 says:

    doli ky iriqi, kishim kohe pa e pare.

  4. feniks says:

    Je nje LETER E DJEGUR sa as per te FSHIRE SUMEN nuk ben,o Patoza!!!
    Shqiperine e kene lene te SHKATERRUAR,TE DJEGUR,TE VJEDHUR,ME BORXHE KOLOSALE,ME PYJE E MINIERA TE SHKASTERRUARA,ME NJE POPULL TE PERCARE,POR TE MBUSHUR ME URREJTJE KUNDER JUSH!!!
    Turpin e keni ngrene me buke,por te gjitha keto i beni se e ndjeni se BURGUN E KENI TEK DERA!!!

    1. ARUSHA says:

      PATOSIN ,JUGUN DHE TERE SHQIPERINE E KENI LENE TE SHKRUMBEZUAR O JU SHKRUMBEZOFTE Fara

  5. pelivan says:

    Te gjithe thane dje se ky menderi ka dhene shenja per tu bere burre,ne dallim nga meshkujt e tjere ne PD.Mirpo mbeti prap mashkull…Edi rama,me keta patozet, bene nga nje cdo mengjez…

  6. votuesi says:

    Ketij traktoristi me siguri fjalimin do ja kete pergatitur Erla qeflija pas mikut,aq e madhe eshte urrejtja ne popull per ju pseudodemokratet sa qe bijte e komunisteve do na qeverisin dhe nja 12 vite rrjesht

  7. valter says:

    Spata kurajo ta lexoja deri ne fund kete plehre qe glorifikon udheheqjen e partise se vampirave 8-vjeçare. Ky e kam mire qe thote se as zoti se shpeton dot kete vend qe e kane çuar ne humner. Do te desha qe zgjedhjet te ishin ne fund te dhjetorit per te pare qe bomba tu plaste ketyre ne dore.

  8. tOnuzi says:

    Fshatar idiot, i ngritur nga Berisha, per interesat e tij.

  9. NjeQytetarOptimist says:

    Eshte e kote te lexosh ty..Jeni akoma larg realitetit..Po gjeni nje Shqiperi normale thote me 3-4 vrasje minimumi ne dite dhe me nje administrate qe muajt e fundit nuk eshte paguar..Borxhi publik u morr posht 40% dhe e keni rritur me 20 pike me shume..Por e dini shume mire c’do te thote ta rrisesh aq sepse nga miljona flet me miljarda..Por keni ate thenien: “Out of sight, out of mind”..Shpresoj qe kjo qeverri te “ngadalsoj” zhvillimin e “terbuar” qe rreklamoni dhe ta ktheje ne “common sense”..Ju ishit si ata puna e zezakeve amerikan..Keni benz te fundit, por mbushni vetem gjysmen e sarburatorit..

  10. Fllad says:

    PIRDH PIRDH O TRAKTORIST

  11. elton says:

    E mbyten Shqiperine me borxhe dhe thone qe nuk patem krize. Plehrat. Kane bere 1 rruge me 1 miliard Euro borxh dhe po thine qe rregulluan infrastrukturen.
    Nuk lane gje pa shit per 2 lek te firmat e veta dhe tani po thojne qe kane dorezuar inventar.

    Ishalla ka Zot te perfundojne ne ferrin e hajduteve…

  12. alban4eva says:

    ..”Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale”…

    qe kur lexova kete fraze ne fillim, nuk e lexova pjesen ne vazhdim. eshte e kote, keta pisa nuk heqin dore nga arroganca dhe fodulleku. vazhdojne ende te pretendojne qe qe Shqiperia eshte vend normal.

    keshtu qe eshte e kote te thartosh trute me keta barinj te veshur me pushtet. !!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje

Blog Tema