Kryeministër! Ju keni një aleat të madh- popullin, por dhe kundërshtar të fortë- mafien.
Nëse duhet që ju dhe ne bashkë të zgjedhim, atëherë: Më mirë kosto nga prishja e kontratave të tyre, se sa ekonomia kombëtare të bjerë tërësisht në dorë të Mafia-s.
Duhet të marrë fund kultura e “kopilit t’modh” në zyrat e shtetit e që nënkupton “i zoti për të bërë para duke vjedhur”!!!
Dy muajt e fundit, “Qeveria e Mundur” po dhunon opinion publik për t’i imponuar disa keqkuptime njëherësh:
I pari, ju populli, u gënjyet prej nesh dhe kështu i bëtë padrejtësi një qeverie që vodhi duke ju vrarë e ju vrau për të mbajtur pushtetin.
I dyti, ndodhi sa ndodhi, si “zyrtare” por më shumë e paligjshme, si “administrative” por më shumë e korruptuar, mbaroi; tani nis një faze e re pa keqbërës, por vetëm me opozitarë që janë po ata që ishin, qeveritarët keqbërës.
I treti, angazhimet tona programore janë të dëmshme, do të sjellin fatkeqësi e recesion- po ju thonë, por- po sipas tyre- ne duhet t’i mbajmë ato.
I katërti, ne, Partia Socialiste paskemi qenë në pushtet dhe Partia Demokratike paska qenë 8 vite në opozitë.
Madje ligjërohet edhe për një “skenar grek”. Duke folur për pjesën e “dështimit” dhe, duke harruar pjesën e “ndëshkimit”.
Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Ne kemi qenë për 8 vite në opozitë dhe PD ka qenë në pushtet.
1./Edhe tani që diskutojmë, ne ende nuk kemi hyrë e marrë fuqinë në zyrat e shtetit, Kryeministri i Mundur sapo doli dhe po shkon në zyrë sërish.
Fuqinë vendimmarrëse, ekzekutive dhe administrative.
Për “fuqinë reale” do të duhet edhe pak më shume kohë, për shkak të përballjes me efektet afatgjata të vendimmarrjes së Qeverisë së Mundur, kudo- në shoqëri, drejtësi, ekonomi, shërbime, biznes.
Por mbi të gjitha me: “Shtetin privat”, “Ekonominë për vete”, “Shërbimet e monopolizuara”, “Ekonominë e Zezë”, “Krimin e organizuar”.
Pushteti real në këtë vend është i gjithi këtu. Po i marr me radhë:
Së pari, “SHTETIN PRIVAT” që këta ndërtuan!! Shtetin ku:
-polici bën privatin ndaj çdo shqiptari që gjobit, por dhe keqbërësi që favorizon e nga merr dyfishin e rrogës;
-taksidari bën privatin ndaj çdo sipërmarrësi që gjobit, por dhe evazori që favorizon e nga merr katërfishin e rrogës;
-komisioneri bën privatin ndaj çdo biznesi që skualifikon në tender, por dhe klienti që favorizon e nga merr tetëfishin e rrogës;
-drejtori bën privatin ndaj çdo mjeku e infermieri që nuk punëson, por dhe çdo të ngjashmi që punëson pasi paguan e nga merr dhe ai rrogën e një viti;
-mjeku e infermieri bën privatin ndaj çdo të sëmuri që nuk merr shërbim, por dhe çdo të ngjashmi që merr shërbimin pasi paguan e nga merr, për një shërbim, deri në rrogën e 1 viti;
-drejtori bën privatin ndaj çdo edukatori, mësuesi e pedagogu që nuk punëson, por dhe çdo të ngjashmi që fiton punën pasi paguan duke marrë prej tyre rrogën e 2 viteve.
Është një radhë e gjatë “privatësh” që kthehen në të tille pasi “blejnë” detyrën publike, por do të veçoj edhe një: komisioni i “Kemp”-it bën privatin ndaj çdo invalidi që e lë të vdesë pa përkrahje, duke i hequr një të drejtë kushtetuese apo duke ja refuzuar padrejtësisht atë, por dhe ndaj çdo të shëndetshmi që e merr këtë favor pasi paguan e duke marrë prej tyre dorën e mirë të parave.
Të gjithë bashkë kanë një shembull: Ministri- i pari në radhë, Kryeministri- në nivelin më të lartë, bën privatin ndaj çdo sipërmarrësi vendas e të huaj që pengon, por dhe Familjes, të cilës, i firmos çdo projekt për 3% “tarifë suksesi”!
Ky është korrupsioni si “mënyrë jetese” në Atdheun Privat! Kjo nuk është liberale apo e djathtë, kjo është thjesht e korruptuar. Këtë do të zhbëjmë ne dhe kjo është e para e këtij programi.
Do të ndryshojmë mënyrën tuaj të jetesës, duke shembur këtë “Atdhe të Kryeministrit” e duke ndërtuar “Atdheun Tuaj”, të drejtë, të ndershëm, konkurrues e me mundësi të barabarta për cilindo:
-duke zhbërë korrupsionin si “mënyrë jetese”, punësimi për dikë, marrje shërbimi- në arsim, shëndetësi, prona, tatime, për dikëe tjetër, e duke ndërtuar një sistem të tërë që zgjidh hallet duke shërbyer e jo duke të rrëmbyer;
-duke i dhënë fund kulturës së “kopilit t’modh”, në këtë vend tejet e përhapur aq sa, “kopil t’modh” thërrasin Kryeministrin, Ministrin, zëvendësministrin, drejtorin e pëergjithshëm, kryekomisionerin e tenderave, taksidarin, kryepolicin e policin dhe që nënkupton gjithnjë “të zotin për të bërë para”, pa djersë, pa punë, por me favor e përmes ryshfetit.
Ka një nevojë kombëtare për ta shembur këtë republikë të korruptuar dhe ne do t’i përgjigjemi!
Ka një ulërimë popullore që kërkon “ndëshkim” dhe ne do t’i përgjigjemi.
“Ndëshkim” e “Modernizim”- këtu nis A-ja e ndryshimit.
Së dyti, “EKONOMINË PËR VETE” që u vendos!!
Ekonominë ku përdoren por denatyruan totalisht natyrën e privatizimit, si një nga elementët e ristrukturimit të ekonomisë, përshtatjes së saj me lirinë e tregut dhe konkurrencën, në:
-Transferim të monopoleve natyrore- shtetërore, (CEZ, ARMO, Albpetrol, Albtelecom, Porti i Durrësit, minierat e Kromit e Bakrit, etj)
-Transferim i të drejtave ekskluzive/sovrane të shtetit e më pas, të të drejtave mbi “zhvillimin”(në fakt ishte shfrytëzimin) e burimeve të pasurise natyrore kombëtare, pa shpërblim (6 marrëveshje për naftë e gaz, 190 leje minerare në krom, bakër, ar, argjend, zink, 100 kontrata për shfrytëzimin e burimeve ujore për energji, dhjetëra kontrata për shfrytëzim pyjesh e kullotash- këtu edhe me qëllimin ekskluziv të përdorimit për fabrika çimentoje, shërbimet e detyruara me ligj për qytetarët e bizneset, Lotaria Kombëtare).
-Mungesë thuajse totale të garave, procedurave me konkurrencë reale për “shitjen”, “kalimin e të drejtave”, “koncesionimin” e pasurisë kombëtare, të cilat u dhanë si me emërim.
-Privatizimin e fitimeve dhe shtetëzim e humbjeve (ARMO, Albpetrol, 4 HC, CEZ, Porti i Durrësit, etj).
Pasi privatizimi shërbeu vetëm për të konsoliduar pozitën monopol dhe rritur faturën për ju qytetarët dhe, përfitimet prej tyre për ata, pushtetarët; ndodhi:
-Ruajtja e pozitave të forta monopol në treg (CEZ, ARMO, Albpetrol, SGS, Albtelecom, TIA, Rrjeti Kombëtar i Fibrave Optike, etj).
-Refuzimi i çdo rekomandimi të Autoritetit të Konkurrencës për masa konkrete për të lejuar konkurrencën në tregjet ku ata administrojnë monopolet e ulur çmimet për ju qytetarët (CEZ, Albtelecom, ARMO etj).
-Mosrespektim i kontratave të zhvillimit si pjesë e kontratave të “shitjes” dhe “koncesionimit” (CEZ, ARMO, Bankers, Stream, Visoka, ACR, koncesionarët e HC, koncesionarët e minierave etj).
-Përkeqësim i shërbimit të marrë në administrim dhe ruajtje të nivelit të korrupsionit e abuzimit, pra, si fitim morën dhe pjesën e korrupsionit në shërbimin që trashëguan (CEZ, SGS, ARMO etj).
Kostot i paguat ju, qytetarët e Shqipërisë; Fitimet i moren ata, pushtetarët e Shqipërisë. Ja se si:
-Rritje të kostove të shërbimit- çmime e tarifa, për qytetarin.
-Shkurtim të vendeve të punës (CEZ, ARMO, Albpetrol, Stream, ACR etj).
-Pengimin e zhvillimit të burimeve të pasurive natyrore kombëtare dhe pengim të punësimit për ju qytetarët (kontratat e HC-ve, ARMO, lejet minerare, ACR, Stream, Bankers etj).
-Ulje të të ardhurave për Buxhetin e Shtetit apo dështim në rritjen e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit (CEZ, ARMO, 2 kompanitë e Kasave, Sicpa, Bankers, Stream, ACR etj).
“Ekonomia për vete” pasuroi pakicën, ka përqendruar tek pakica të mira materiale e financiare të mëdha, por dhe ka përjashtuar shumicën nga pjesëmarrja në burimet e ekonomisë kombëtare. E detyroi atë të paguajë shtrenjtë çdo shërbim, duke e varfëruar ditë pas dite.
Edhe kjo nuk është liberale apo e djathtë, kjo është thjesht e korruptuar.
Ka një nevojë kombëtare për çlirim të ekonomisë nga ekskluzivitetet në aksesin mbi burimet natyrore, rritjen e pjesëmarrjes në ekonomi e tregje dhe ne do t’i përgjigjemi.
Liri, mundësi e barabartë ligjore, garë e konkurrencë- do të jenë parimet mbi të cilat do të ndërtojmë “ekonominë e re”, si mundësi për të gjithë.
Së treti, “SHËRBIMET E MONOPOLIZUARA” që u ligjëruan!!
Shërbimet ku:
-çmimi i kontrollit teknik të automjetit, nga 6 mijë lekë arriti në 19600 lekë e për këtë shkak, për 10 vitet që vijnë, shqiptarët do të paguajnë deri në 15 milionë euro çdo vit/150 milionë në total;
-pajisja me pasaportë e dokument identiteti nga 1 janari i 2015 (kanë marrë vendime edhe për ne), do të kushtojnë më shtrenjtë, 90 mijë lekë së bashku e për këtë shkak, për 10 vitet që vijnë, shqiptarët do të paguajnë 40 milionë euro çdo vit/400 milionë në total;
-ngjyrosja e gjurmimi i karburanteve për efekt administrimi, si monopol privat, do t’i bëjë shqiptarët të paguajnë 20- 30 milionë euro çdo vit/200-300 milionë euro në total (për shkak të rritjes së prodhimit por edhe rritjes së konsumit);
-skanimi i konteinerëve, makina të transportit etj, në një devijim skandaloz nga qëllimi, do t’i detyrojë shqiptarët të paguajnë 39 euro për çdo deklaratë doganore ku reflektohet mall me vlerë mbi 1000 euro, 15-17 milionë euro çdo vit/ 225-255 milionë euro në total (për shkak të rritjes së volumit tregtar);
-pullat fiskale për mallrat e akcizës dhe ilaçet, me një rritje nga 5-13% për çdo 1000 pulla, do t’i kushtojnë shqiptarëve 14-16 milionë euro në vit/ 140-160 milionë euro në total.
Pra, vetëm për këto shërbime të monopolizuara, të ligjëruara si të detyrueshme nga Qeveria, shqiptarëve do t’u merren për 10-15 vitet e ardhshme 1 miliardë e 115 milionë deri 1 miliardë e 265 milionë euro!!!
Po dëgjoni të flitet nga Qeveria e Mundur për faturë.
Ja, kjo është superfatura që këta vendosën të paguani ju. Është sot në fuqi!
Edhe kjo, për të tretën herë, nuk është liberale apo e djathtë, thjeshtë e korruptuar.
Ka një nevojë kombëtare për të zhbërë monopolet në shërbime të konsideruara publike, prishur çmimet e tyre të shtrenjta e abuzive dhe ne do t’i përgjigjemi.
Së katërti, “EKONOMINË E ZEZË” që zgjeruan!!
Në fakt është ekonomia në të zezë, ajo që punon pa fatura ose me dy palë fatura, me dy palë regjistra vlerash e sasish, çmimesh, me dy bordero, në fund- me dy bilance, e stimuluar dhe mbrojtur fort nga marrëdhënia klienteliste dhe e korruptuar Qeveri-familjarë-miq, e që u rrit duke marrë shumë nga njerëzit, paguar asfare deri pak për shtetin, përfituar në maksimum për vete.
100 kompani të mëdha funksionojnë kështu dhe bilancet e tyre kishin garancinë e një firme, firmës së “ekspertes kontabile” të Familjes.
Ka një nevojë kombëtare për ligjshmeri në ekonomi, mundësi të barabarta që rrjedhin nga ligji, as nga kryeministri, ministri, zëvendësministri, drejtori, të qënit klient tek ta, dhe ne do t’i përgjigjemi.
Së pesti, “KRIMIN E ORGANIZUAR” që këta e rritën brenda ekonomisë!! Krimin që:
-ka hyrë në ekonomi, në një marrëdhënie të fortë të pastrimit të parave të pista (ardhur nga aktivitete kriminale jashtë apo brenda vendit) në sektorë kyç të saj dhe, përfitimit të më shumë se kaq, disa herë më shumë se paratë e pastruara, prej ekonomisë;
-industria e mineraleve të ngurta; naftës- si vjedhje, përpunim në kioska rafineri dhe tregtim; ndërtimit të veprave energjetike, të vogla e të mesme dhe sistemeve të lidhura me to; ndërtimit, duke nisur nga inertet, çimentoja, betoni, pjesa tërësisht private e saj në infrastruktura banimi apo turistike, por edhe pjesa e kontratave qeveritare është nën agresion dhe thuajse e kriminalizuar;
-segmente të arsimit privat janë nën agresion dhe thuajse të kriminalizuara duke rrezikuar gjithë strukturën administrative të shtetit.
Krimi po nxiton, kërkon me ngulm vendime ekonomike në favor te tij. Pagoi me çdo çmim të hyjë në ekonomi e po rritet, tani po kërkon të ulë dhe kostot e paguara për çdo vendim të pushtetit politik dhe ekzekutiv, po vjen të diktojë vendimmarrjen edhe këtu në Kuvend!!
Ka një nevojë kombëtare për të çliruar ekonominë nga krimi i organizuar dhe ne do t’i përgjigjemi me çdo kosto, pa bërë dallim në të majtë e të djathtë, në politikanë apo biznesmenë, sepse dhe caku që dallon ka rënë tashmë.
Kryeministër!
Ju keni një aleat te madh- popullin; por keni dhe kundërshtarë të fortë- Mafie-n.
Nëse duhet që ju dhe ne bashkë të zgjedhim, atëherë, më mirë kosto nga prishja e kontratave të tyre, se sa ekonomia kombëtare të bjere tërësisht në dorë të Mafia-s.
Kjo është Shqipëria që jemi dhe jemi shume keq!
Në dy muaj, Qeveria e Mundur e teproi edhe më shumë;
Njeri dha miratimin për rishitje të kompanisë unike të rafinimit të naftës në vend, pas dështimit spektakolar, duke garantuar trashëgimin e detyrimeve ligjore apo borxheve financiare nga një dore në tjetrën, pa u përmbushur kurrë gjate 5 viteve.
Më pas, shtyn përpara 9 marrëveshje që i japin fund Albpetrolit si ndërmarrje prodhimi e duke çuar mijëra punëtorë në shtëpi;
Tjetri, lëshon për kompensim terminalin e vetëm të konteinerëve në portin e Durrësit, kontratë të cilën kompania e nxjerr në shitje menjëherë për 100 milionë euro.
Më pas, lëshon edhe terminalin e trageteve, të fundit, të sapondërtuar me një borxh të shtrenjtë që do e paguani ju, madje duke i dhënë fund portit të Durrësit si ndërmarrje publike e duke e kthyer në kompani rentiere.
Janë 100 vendime të tilla në dy muaj, nisin me Qendrën Kombëtare të Traumës ku kati i parë është shërbim publik, kati i dytë shërbim privat dhe rinovohet kontrata edhe për 10 vite të tjerë, kati i tretë është shërbim publik, deri tek trualli i lakmueshëm i Gardës së Republikës.
Zoti ministër i Bujqësisë!
Paraardhësi juaj ka dhënë së fundi me qira 141ha tokë bujqësore mu në mes të Myzeqesë, në sektorin Ferras të komunës Grabian, ndërkohë që aty jetojnë të tjerë bujq që ende nuk janë pajisur me tokë.
Një batërdi e tërë ka ndodhur me tokën publike 6 muajt e fundit dhe kjo meriton një hetim të plotë.
Zoti ministër i Industrisë dhe zoti ministër i Financave!
Kjo që kam në dorë është një praktikë e plotë, mbërriti deri në Qeveri, aty është, gati mbi tavolinat tuaja, përmes së cilës kërkohet zerimi i efekteve të rentës minerare për kompaninë e dyte të naftës në vend; zerim për të, por edhe për pjesën e shtetit nga fitimi i saj.
Dikush, politikan, zyrtar apo përfitues privat i lidhur me ta, pret amnisti! Amnisti nuk duhet të ketë.
Vendi është mundur nga korrupsioni aq sa ligjet kundër korrupsionit nuk kanë më kuptim.
Gjithsa ju dëshmova tregojnë se janë pará e pasuri që mungojnë tek ju sepse janë përfitime që shkojnë tek ata, ish- pushtetarët e Shqipërisë, jo sipas ligjit, jo sipas rregullave, prej korrupsionit.
Ekonomia është mundur nga korrupsioni dhe varfëria po rritet dyfish. Tani e thotë edhe INSTAT-i i çliruar.
Ky është raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror për ekonominë tonë dhe ne jemi në rënie dramatike; jemi më keq në renditje se Greqia, kemi humbur katër vende kur Greqia ka fituar shtatë.
Shkaqet: Korrupsioni i pari me 25.5 pikë përqindje; aksesi në financim i dyti; ineficensa e administratës e treta; rregullat fiskalë e katërta; krimi dhe vjedhjet e pesta.
Ka edhe më, për të drejtat e pronësisë, pagesat e parregullta dhe ryshfetin, pavarësinë e gjyqësorit, krimin e organizuar- renditemi nga vendi i 108 në të 137-tin nga 148 gjithsej.
Kur arrin këtu, nuk duhet të përbëjë asfare shqetësim fati i akteve klienteliste dhe të korruptuara, as fati i zyrtarëve që kanë firmosur në to!
Nuk ka as mllef e as hakmarrje këtu.
Me intereson vetëm fati i sipërmarrjeve të ndershme në fund të vitit, fati i familjeve të lidhura me to, me ekonominë, muaj për muaj.
2./Ka zhgënjim të madh në pakicën e kësaj salle; ajo që ju thanë për dy muaj me radhe nuk ndodhi.
Ne nuk ju gënjyem! Ju thamë në fushatë se:
-do të heqim taksën vendore mbi biznesin e vogël dhe është detyrim këtu;
-do të përgjysmojmë tatimin mbi të ardhurat nga biznesi i vogël dhe është detyrim këtu;
-do të heqim akcizën dhe taksën e qarkullimit për mekanikën bujqësore e peshkimin dhe është detyrim këtu;
-do të përjashtojmë imputet bujqësore nga TVSH dhe është detyrim këtu;
-do të përjashtojmë shëndetësinë e ilaçet nga TVSH dhe është detyrim këtu;
-Shërbimi Kombëtar Shëndetësor do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët dhe është detyrim këtu;
-Legalizimet e banesave pa leje do të mbyllen brenda këtij mandati e pa pagesë dhe është detyrim këtu.
Çdo premtim, një më një është kthyer në detyrim këtu, në këtë program.
Vetëm njëri prej premtimeve të fushatës është i riformuluar në këtë Program, ai i TVSH 6% për faturën e energjisë për të gjithë, por është bërë mirë që është riformuluar.
Ishte e padrejtë që unë që marr një rrogë 1.5 milionë lekë të paguaj TVSH për energjinë njësoj sa një familje që jeton me “ndihmë ekonomike”.
Po dëgjoj se ka një shqetësim: Sa kushton secili prej tyre?!
Ka një llogari për çdonjërin. Mua më intereson që ata që më zgjodhën të dëgjojnë tre:
I pari, përjashtimi nga TVSH i imputeve bujqësore, plehrave, farërave, fidanëve etj. Ju e sollët në Kuvend më 1 Prill, e kam në dorë, 1 muaj më pas e anuluat; edhe sipas jush kushton: 1 miliardë e 300 milionë lekë ose 13 milionë dollarë.
I dyti, heqja e akcizës dhe taksës së qarkullimit për gjithë mekanikën bujqësore dhe peshkimin. Ua kemi llogaritur dhe ua kemi thënë sa herë e kemi propozuar se kushton:
820 milionë lekë ose 8.2 milionë dollarë.
I treti, heqja e TVSH për shëndetësinë dhe ilaçet. Ua kemi llogaritur dhe ua kemi thënë kur ju e vendosët dhe ne e refuzuam: 1 miliardë e 500 milionë lekë ose 15 milionë dollarë.
Të treja bashkë bëjnë rreth 36 milionë dollarë!!
Paratë janë aty, janë më pak se gjysma e parave që ne i marrin nga nafta e ndarë në prodhim por që vidhen pa lënë gjurmë. Ne do ta ndalim atë vjedhje dhe paratë do shkojnë në këto tre zëra.
3./Zoti Kryeministër!
Olsi Kacabumi ishte një student nga Kryekuqi i komunës Remas. U zgjua në mëngjes me dhimbje bajamesh, u detyrua të vizitohet në Lushnjë, e transferuan në Tiranë dhe këtu u shua brenda 4 orëve. Një sëmundje gjaku e pa ditur dhe e pa ekzaminuar e mundi.
Mbi 60 mijë banorë të Myzeqesë, nga Gradishta, Remasi, Divjaka, Tërbufi, Grabiani kanë mes tyre këtë rrezik për jetën.
Por edhe pse kështu, për ta nuk ka një poliklinikë, multifunksionale por edhe të dedikuar për sëmundjet e gjakut që trashëgohen nga njëri brez tek tjetri. Janë kthyer 70 vjet pas dhe humbin jetën!
Fitim Malko është një djalë i ri nga Zharneci, peshkatar në profesion siç burrat e 500 familjeve të tjera nga Bedati, Karavastaja, Muçiasi, Remasi, Kryekuqi, Kamenica, Zharneci, Miza, Xengu, Divjaka, të gjithë të ndaluar të punojnë nga një kontratë menaxhimi e korruptuar që ua ka marrë atyre kënetën dhe ia ka dhënë një njeriu të vetëm.
Agim Sina, Nikolla Kosari, Kadri Shuka, Avni Merzheku, Ali Buzi e Novrus Xheka, janë bujq nga Çerma, Karavastaja, Grabiani. Një pjesë e tyre më herët kanë patur përgjegjësinë e administrimit të rrjetit dhe stacioneve të pompimit për vaditjen e kullimin; i kanë kanalet dhe lumin m’u aty por nuk vaditin më, i pengojnë të paaftët politikë të ish- pushtetit por edhe zotërit e lumit, që i kanë bërë të tille lejet qeveritare për të marrë zhavorre.
Saimir Biti është një tjetër djalë i ri, ka ngritur sipërmarrjen më të madhe në bujqësi, me cikël te mbyllur- nga fidanët tek eksporti, mban e rregullon tregun, mbron në çmime çdo ekonomi familjare në Divjakë, Remas e Tërbuf, vetë, pa asnjë ndihmë nga shteti, kur shteti duhet ta njohë, mbështesë, favorizojë me status, këtë zonë në Myzeqe, si njësinë më të madhe ekonomike bujqësore në vend.
Koli Sako është emri i shkollës që këtë të hënë, shënon 100 vjetorin e shkollës së parë shqipe në Divjakë. Por më lejoni të them se ky 100 vjetor është në kontrast dramatik me faktin se 80% e shkollave nga Çerma e Sipërme në Adriatik janë në gjendje të mjerë, imagjinoni- pa banja për fëmijë e mësues!! Kam qenë vetë në secilën dhe është e tmerrshme. Apo me faktin tjetër se në gjithë këtë hapësirë të madhe të ekonomisë bujqësore, blegtorale, të peshkimit dhe turizmit, nuk ka një shkollë të mesme profesionale.
Zoti Kryeministër!
Kjo është Shqipëria që jemi. Këtë po marrim nën administrim. Fatet personale të secilit prej këtyre burrave që përmenda, përfaqësojnë fatin e komuniteteve ku ata jetojnë!
Duan vetëm një gjë: Mundësi! Ajo u ka munguar e mohuar prej 8 vitesh nga Qeveria që mundën. Na zgjodhën ne! T’u japim atë qe u takon për të ndryshuar jetën e tyre. Shqipëria që duam të ndërtojmë nis nga jeta e tyre.
Ky është nderi ynë dhe na jepet vetëm një herë në jetë!!
*Fjala e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë
ERION BRACE!
JE NJE PASURI E PA CMUAR E POPULLIT SHQIPTAR!!!
PARTIA SOCIALISTE TE KA FLORI E SHKUAR FLORIRIT!!!
LUFTE KRIMIT TE ORGANIZUAR TE Sali Berishes!!
ASNJE PENDIM PER T’I ZHDUKUR DERI NE RRENJE KETO SHUSHUNJA,QE NA KANE PIRE GJAKUN KETO 23 VJET SKETERRE!!!
Bravo! Asgje me shume nuk mund te thuash. Nuk mund te gjejme fjalet e duhura per te te falenderuar per mprehtesine e fjales, perzemersine e shqetesimit, optimizmin e zgjidhjeve qe propozon.
Te lumte pena Brace. Fantastik!
Zoti ju dhente fuqi per te ndryshuar Shqiperine. Zoti ju dhente mend qe te mos dhjameni rruges dhe te mos besoni ato qe thoni.
Shqiperia do te rilinde! Kam besim!.
SHUME I SAKT ERION
Bravo erion brace
Thjesht nje bravo te madhe Erion, shpresoj qe i thua me gjithe zemer!