Ditë pas dite qeveria po kompleton nivelet drejtuese të institucioneve të rëndësishme të shtetit. Rokada që po bëhet në pjesën politike të saj është mëse e justifikuar, sepse garda e vjetër ishte pjesë e dështimit të keq-qeverisjes 8 vjeçare që iku. Koalicioni i majtë mori përgjegjësi maksimale nga shqiptarët që të bëjë ndryshimin e madh nën sloganin “Rilindje”. Pra, nëse do të priten frytet e ndryshimit, kjo s’mund të vijë vetëm nga ministrat, por edhe nga stafet në rang drejtorësh me të cilët ata do drejtojnë. Kështu s’do të kenë asnjë lloj justifikimi për t’iu shmangur përgjegjësive.
Dyshja PS- LSI duket se do jetë motori i vetëm që do tërheqë trenin e gjatë qeverisës, duke mos përjashtuar këtu edhe aleatët, ndonëse me pjesëmarrje të reduktuar.
Opozita nuk ka shumë që ka ikur nga pushteti dhe si e tillë kujtesa për bëmat e saj është e freskët. Megjithatë ditët kalojnë dhe njerëzit presin se çfarë do të bëjnë pushtetarët aktualë. Nga njëra anë qytetarët presin proces transparence për periudhën e shkuar, po njëkohësisht këtë e presin edhe për periudhën në vijim.
Ndërkohë, shumë prej emërimeve të reja që po bëhen nëpër institucione në nivel drejtuesish po komentohen herë pozitivisht e herë negativisht. Publiku ka ndjeshmëri dhe reagon si emocionalisht ashtu dhe objektivisht, sipas këndvështrimeve personale apo dhe njohjeve qoftë dhe rastësore.
Shqipëria është vend i vogël dhe askush s’mund të shmanget nga e kaluara e deridjeshme ku mund të ketë qenë një qytetar i thjeshtë. Pra, çdokush vlerësohet për atë që ka dhënë në të shkuarën e largët apo të afërt. Për njërin thonë se është djalë i mirë, i zoti e punëtor, tjetri është i keq e hajdut; njëra është vajzë e zgjuar, e zonja dhe trime, tjera është e paaftë, arrogante dhe padenjë për detyrën. “Mendje- mendje kjo dynja, mendja- mendjes nuk i ngja” – thotë një fjalë popullore.
Tashmë këta zyrtarë janë të gjithë në një fillim të ri, me një besim të dhënë për ta treguar veten se cilët janë dhe ç’dinë të bëjnë, sa rezultativë dhe produktivë do të jenë në punë. Kjo është një gjë e mirë, sepse të gjithë futen si të barabartë dhe kanë një provim të vështirë për të dhënë.
Nuk di të them nëse kjo piramidë e re qeverisëse do të preken apo jo nga korrupsioni. Korrupsioni është virus që s’ka ilaç që të bën imun, veç ndërgjegjes së lartë për t’ia mbyllur derën nga njëra anë, dhe frikës së ndëshkimit ligjor nga ana tjetër. Por askush ndër ne nuk duhet të ndjehet i qetë se çdo gjë mbaroi me një angazhim të marrë solemnisht përpara medias. Jo vetëm publiku, por edhe opozita është aty, vigjilente. Kjo e fundit ca më shumë, pasi mezi po pret rastin për të baraspeshuar situatën. Ajo iku nga pushteti e bërë pis prej korrupsionit dhe do bëjë çmos që të vërë në dukje se edhe ata që po na qeverisin janë po njësoj.
Deri dje kishte sa e sa denoncime mediatike për raste konkrete korrupsioni dhe askush nga strukturat shtetërore s’ndërmerrte masa ndëshkimi për fajtorët. Jo thjesht për t’i çuar për ndjekje penale, por s’bënë as largimin nga detyra. Dhe, në mungesë të këtij reagimi, të korruptuarit vegjetonin në korrupsion, bile ngrinin edhe shkallët e karrierës politike, kurse publiku e humbi besimin dhe u bë edhe vetë pjesë e skemës korruptive duke dhënë ryshfet kudo e për çdo gjë.
Tashmë diferenca mes të djeshmes dhe të sotmes duhet bërë jo në aspektin se a do të ketë të korruptuar, por se sa e zonja do të jetë qeveria për ta goditur fenomenin. Këtu duhet parë ndryshimi që do bëhet midis palëve. Të korruptuar ka e do të ketë në çdo kohë, vullnet për ta goditur atë, pavarësisht emrit të individit, është ajo që shqiptarët presin dhe për të cilën votuan aq masivisht më 23 qershor. Këtu fillon rilindja dhe merr jetë edhe slogani i mazhorancës së sotme. E nesërmja s’dihet, por koha është ajo që do na e vërtetojë.
Per te pare se si do te jete e nesermja duhet pare sa te koruptuar si bie fjala zv/ministri i jashtem, i brendshem, etj nga LSI do te marrin pushtet ne kete qeverri. Meqenese z. Dervishi e “sistemoje” problemin e Albpetrolit tani duhet edhe ta shperndaj neper bote eksperiencen e shitjes 850 milionshe. Ta gezosh o Z. Rama se ka per te te4 zbardhur faqen.