Lindja e vështirë djathtas

1 Tetor 2013, 20:53Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Të gjitha ‘vezët’ në një shportë

Me këtë ligj zgjedhor dhe sa kohë opozita identifikohet me një PD që nuk ka më ç’ofron, me qeverinë Rama praktikisht shoqëria i ka vënë të gjitha ‘vezët’ në një shportë. Por ndërsa qytetari uron që qeverisja të shkojë mbarë, ai meriton garancinë e progresit demokratik pavarësisht se kush qeveris më pas. Opozita e PD nuk e ofron këtë garanci dhe demokracia e ‘pasiguruar’, nëse bën vaki që qeveria e ‘bën baltë’, mbetet komplet e ‘zbuluar’. Duke provokuar, në mos kalimin nga ‘shiu në breshër’ (vota 2005), fatalitetin perpetum se ‘ky vend nuk bëhet’ me pasoja që dihen – emigrim, tundimi i ‘çorbës’ së prishur etj të shoqëruara me hamëndjesira urbane të llojit ‘kur s’na mori amerikani apo italiani se u pa kjo punë se ‘çelësat’ për t’i dhënë që për t’i dhënë kemi në BE’.

 

‘Copyright’ i rilindjes

Vënia ‘bast’ e gjithshkaje dhe rotacionet plebishitare nuk janë normalitet demokratik dhe sfida për rilindjen mbetet dalja nga rrethi vicioz i asfiksimit antidemokratik të tranzicionit ku mbarë klasa politike ka lënë gjurma ‘gishtërinjsh’. Por përtej papërgjegjshmërisë së saj, legjislacionit elektoral, medias klienteliste apo sensacionale (p.sh. ende komentet në FB të Berishës përbëjnë kryelajm ndërkohë që risia djathtas marzhinalizohet apo censurohet), dyzimit perëndimor etj, edhe qytetari ka pjesën e tij në këtë amulli. Nga ‘besa’ në votim, degradimi i sloganit ‘drejt Europës’ në obsesion emigrimi, shpirti i mekur i protestës qytetare manipuluar rëndom nga politika cinike e ditës (vetë vota plebishitare e qershorit tregon indirekt vetëcensurim dhe akumulim tensioni të ndrydhur gjatë për standardet e mentalitetit demokratik) etj.

Rilindja e demokracisë nuk është ‘copyright’ i një pale e individi, sado i iluminuar qoftë ai por kauzë e shoqërisë dhe politikës pa dallim. Qytetari meriton si një qeveri ambicioze ashtu dhe një opozitë të atillë, si një të majtë që funksionon ashtu dhe të djathtë që entuziazmon dhe guxon më tej dhe kjo nënkupton ndryshimin e statukuosë politike dhe ngjizjen e një të djathte perëndimore si balancuese reale e së majtës në pushtet.

 

Vakumi perëndimor djathtas

Ndërsa në kampin e etiketuar të majtë, gjërat lëvizin dhe tabu e klishe të së shkuarës bien, e djathta mbetet ende peng. Si prej PD që e degraduar në parti ‘oborri’ mbetet ‘tranvestit’ i së djathtës prej dy dekadash, ashtu dhe ‘ideologjia’ që nuk arrin të ngrihet ende mbi ndjeshmëri të caktuara historike – të persekutuarit, lufta, prona etj (çështje këto që realisht duhet të jenë në axhendën e çdo qeverie pa dallim) ndërkohë që e djathta perëndimore frymëzon në emër të lirisë pa dallim pozicionimit të brezave ndaj historisë.

Sikurse e majta, edhe e djathta nuk mund të monopolizohet nga shtresa të caktuara sociale dhe tek ajo duhet të shohë perspektivë si ish-persekutuari ashtu dhe veterani i luftës dhe familjarët e tyre, si ish-pronari ashtu dhe i papuni, si profesionisti i karrierës ashtu dhe i riu i sapodiplomuar etj. Sesa parti e të pasurve e djathta duhet të jetë parti e shanseve të pasurimit për këdo në respekt të ligjit, sesa partia e të persekutuarve duhet të jetë partia e atyre që besojnë në kauzën për të cilën u përndoqën ata – liria e fjalës, mendimit etj.

E djathta që na mungon duhet të ofrojë shpresë dhe shanse për të gjithë. Vlerat e çmuara konservatore – liria e individit, traditat dhe zakonet identitare, familja dhe kohezioni i saj, sipërmarrja dhe konkurrenca, identiteti kombëtar dhe reciprociteti ndaj të tretëve etj, tejkalojnë interesat dhe prioritetet e shtresave të konsideruara tradicionalisht të djathta. Ato nuk kanë përse të bien ndesh me solidaritetin social me të cilin lidhet dinjiteti i qytetarit duke mbetur ambicie dhe pasuri për të gjithë. Sesa përkatësi sociale, e djathta është frymë gjithëpërfshirëse dhe si e tillë, në analogji me simotrat në perëndim, do të krijonte siguri se pavarësisht performancës të së majtës sot në pushtet, evolucioni demokratik nuk do të cenohet më nga rotacioni politik.

 

Kur sqimatarin demokratik e bën zullumqari antidemokratik

Por ndërsa qeverisja nuk e zgjedh opozitën, shoqëria meriton një të djathtë që identifikon. Gjeneza e të cilës bazohet sa tek hartimi i një ligji zgjedhor që çliron votën nga intimidimi dhe i jep frymëmarrje elitës idealiste të së djathtës brenda dhe jashtë vendit, faktorizimi i zërave progresist brenda PD, gjenerimi i publicitetit në median progresiste të pakapur nga politika etj.

Të djathtën që duam, veç PD nuk e përfaqëson. Një parti kjo e standardit të dyfishtë që përbetohet për pronën por krijon anarki me të, që në qeveri çonte përmbarimin për lirimin e shtëpive të pronarëve ndërkohë që futet tek SHQUPI me pronar, që i bie tam-tameve për ish të përndjekurit por shpërfill dhe intimidon grevat e urisë etj. E djathta reale nuk mund të mbetet peng e retushimit të radhës Berisha-Basha dhe retorikës ‘opozitare’ me të cilën spekulon. Sa rëndësi ka mesazhi opozitar, ka dhe motivimi dhe profili i atyre që e bartin atë dhe kjo dyshe nuk ka as moralin e as CV politike për të promovuar idealin dhe shpresën djathtas e çdo iluzion veç zgjat agoninë djathtas më tej.

 

E djathta lyp misionarë

Në qershor nuk humbi e djathta por surrogati i saj. Humbja reale e së djathtës ndodh nëse djeg sërish, sikurse më 1997, shansin historik të gjetjes së vetvetes. Një sfidë kjo që apelon një tryezë të rrumbullakët dhe kohezion mes të gjithë aktorëve me vokacion të atillë – parti politike (FRD, PLD etj), personalitete dhe emra të spikatur ‘freelance’ të së djathtës brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht në Amerikë, të zhgënjyerit idealistë brenda PD etj. Një tryezë kjo e iniciuar nga individë apo grupe individësh apo politikanë me reputacion në publik që përçojnë konvergim ndaj vlerave konservatore tradicionale dhe moderne dhe që vetvetiu shpie në axhendën e afirmimit të së djathtës moderne dhe një paneli të zgjedhurish që flet në emër të saj.

E majta dhe e djathta e vërtetë nuk antagonizojnë, por plotësojnë në ‘distancë’ reciprokisht njëra-tjetrën në garën demokratike për pushtet. Ku është sistemi dhe jo individi ai që merr gjërat në dorë dhe rotacioni politik nxjerr gjithnjë fitues shoqërinë. E djathta që inspirojmë nuk lutet për dështimin e qeverisë së rilindjes por respekton shansin që meriton ajo duke analizuar me objektivitet performancën e saj. Qeveria e sotme ka shumë punë përpara por para se t’i ketë puna duk, i duhet të mbushë ‘gropat’ e qeverisjes që lamë pas. Për momentin, sikur asgjë të mos bëjë, boll të zhbëjë ‘minat me sahat’ të qeverisjes së PD, ka bërë mjaft. Në të mirë të shoqërisë, vetvetes por dhe të djathtës që aspirojmë. Dhe sa kohë qeverisja dëshmon vullnet, ligjshmëri dhe modesti, ekziston dhe mirëkuptimi se aq sa rëndësi ka zgjidhja, po aq ka dhe koha që duhet për të futur gjërat në rrugën e saj.

Premtimet duhen mbajtur por llogarinë politike për to duhet ta kërkojë një e djathtë që inspiron vetë nga ana e saj. Flamurin e saj nuk mund ta valëvisë më PD e sotme dhe sa kohë mbetet në pikëpyetje fati i së djathtës, mbetet në pikëpyetje fati i demokracisë dhe i vetë rilindjes që qeverisja synon.

6 komente në “Lindja e vështirë djathtas”

  1. kukaa says:

    ik o sali se te njofem qe na viti 1991 dhe ne vitin 1997 si dhe na viti 2005 -2013 ta nxorrem mallin korrupsion dhe vetem korrupsion vrave njerez ne mes te bulevardit, prandaje dhe 1000000vota te shporren na

    qeveria jote krimionale dhe qeveria jote familjare ,large duarte

    nga shqiperia

  2. Sa,i senjefi says:

    Shqiptar te djatht!
    Lypsar te pasur
    Peshngritsa me krah si zog pule
    Rekordmen vrapimi pa kemb
    Kengtar memec
    Qits qorr

  3. ali says:

    Cuditerisht ky njeri me emrin Sali Berisha sa here qe vjen ne pushtet permes hordhive te tij barbare, mbjell
    vetenm sherr, anarki, gjurulldi … Stimulon ,nxit e perhap si metastaze me duf te papare hajduterine, grabi-
    tjen , vrasjet , hakmarrjet kanunore , juliganizmin ,prepotencen dhe arrogancen e qeveritareve ,perbuzjen
    dhe percmimin e popullsise se zonave te ulta dhe gjithfare perversitetesh qe pjellin mendjet e semura te
    nje njeriu me ksrtele mjeksore ! Zoti na ruajt nga keta monstra !!!!!!!

  4. ali says:

    Ish- K/ministri eshte mire te kerkoje qysh tani strehim politik te skimezet e polit te Veriut ,andej nga ardhur !
    Jam i bindur qeskimezet do ta presin mire ne ”igloot ,, e tyre !!!!

  5. kaurri says:

    Po ku behet e djathte me Sali Berishen e perkedhelur nga “dora e ngrohte e partise” dhe me Lul Pashe Zgerdhiqin, nipin biologjik te Enver Hoxhes?
    PD ka dhene shpirt me 23 qershor 2013:

    Jepja o Zot pushimin e pasosun
    e ndritte drita e pambarueme
    pushofte ne paqe

    Ashtu kjofte.

  6. Leone-53 says:

    Nje “shprese” e djathte mund te quhemi ne emmigrantet shperdare ne bote e sidomos ne Itali (mbi 500000), Greqi (ndoshta 500000) Angli, SH.B.A etjere qe duke jetuar per vite e vite ne perndim kemi koncepte me te drejta per PRONEN etj.
    Sado te “premtoj” Rama e te majtet aktual ne Shqiperi ata do sdo jane “te helmuar” sepse kane jetuar ne Shqiperi ku per 23 vjet kane “rrjedhur” gjera qe nuk vijne “ere” DEMOKRACIE por UJQERIE.
    Edi Rama ndoshta e tregoj HIPOKRIXINE e tij karshi ne EMMIGRANTEVE dje ne “konferencen” per shtype nepermjet internetit ku pyetjes se “A keni ndonje plan per emmigrantet” u pergjigj:
    -Do te jemi me prane emmigranteve se qeverite paraardhese!?…
    Nje pergjigje shume e “THATE” per ne kur ne fushate elektorale ne Greqi apo edhe ketu ne Itali (ne periferine veriore te Milanos) nuk pushonte se theni qe emmigrantet DO TE VOTOJNE ne te ardhmen!..
    Eshte detyra jone NR-1 qe te arrijme kete objektiv vete pa i kerkuar doren Rames apo kujdo tjeter. Jemi mbi 30% e popullsise shqiptare dhe eshte e drejta jone kushtetuese! Do ta arijme me forcat tona pa kerkuar “lemosh” nga Tirana zyrtare e cila “ka frike” nga ne. Milano.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje