“Motra” e Erdoganit!

1 Tetor 2013, 20:12Blog TEMA

Nga Arbana Xharra

 

Investimeve strategjike të Ankarasë, të cilat kanë synim rritjen e prezencës ekonomike me qëllim të fuqizimit të influencës politike në Kosovë, tashmë u janë hapur dyert.

Ndikimi i frymës erdogane po shtrihet pa ndalur në Kosovë, me ndihmën e pushtetarëve “vëllezërve” të tij. Fillimisht duke e ditur terrenin e përshtatshëm, situatën e ndjeshme politike, dhe stagnimin në masë të madhe ekonomik, ata kanë zgjedhur format më efikase të shtrirjes së tyre në Kosovë.

E nga ana tjetër, Qeverisë së Kosovës nuk i mjaftoi t’i japë asetet kryesore: Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) dhe Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) kompanisë “Limak”, dhëndrit të kryeministrit turk, Erdogan, por tashmë po i jep edhe tregun e Kosovës.

Ministrja në largim, Mimoza Kusari-Lila, nënshkroi Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë, e cila liron mallrat e të dyja shteteve nga doganat, duke u lavdëruar se edhe “Kosova do të përfitojë” nga kjo marrëveshje.

Por, për ata që nuk e dinë, brenda vitit Turqia deri më tash ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej 200 milionë euro, kurse Kosova ka shitur në tregun e Turqisë vetëm 8 milionë euro. Për të mos harruar se një nga eksportuesit kryesorë të Kosovës në Turqi është ndërmarrja “Ballkan” nga Suhareka e privatizuar po ashtu nga biznesmeni turk.

Kështu që le të bëhen gati prodhuesit vendorë për një “termet” që i pret me vërshimin e mallrave nga Turqia, të cilat do t’u bëjnë konkurrencë marramendëse me çmime tashmë të liruara nga çdo ngarkesë doganore. E për detajet e pasojave që do t’i kenë bizneset vendore, s’ka nevojë për analizë kushedi se çfarë ekonomike.

Është matematikë e thjeshtë, e cila të sqaron se prezenca e një fuqie ekonomike botërore si Turqia në ambientin ku prodhuesit vendorë me mezi mbijetojnë, ata do të dalin nga tregu brenda natës pa fije problemi.

Prodhuesit vendorë nuk do ta kenë të lehtë të përballen me konkurrencën e produkteve turke, ato të tekstilit, ushqimit dhe të ndërtimit, pasi që Turqia është ekonomia e 17-të më e madhe në botë, ndërsa ekonomia e Kosovës është në fund të pusit.

Ky është veprimi i fundit më i dëmshmi ekonomik, që u është bërë prodhuesve vendorë, duke i “sakatuar” në palcë nga vetë Qeveria e Kosovës, e cila po thirret në kritere të barabarta për të dyja shtetet nga kjo marrëveshje. Por një pyetje duhet shtruar: Çfarë ka Kosova për të eksportuar në Turqi?

Degradimi i ekonomisë edhe ashtu të brishtë vendore padyshim se ka një prapavijë të fuqishme politike. Kjo garniturë politike na e ka dëshmuar se është në gjendje të bëjë gjithçka për vëllezërit e tyre turq, ndërsa kësaj radhe pa mëshirë po i vë lakun në fyt edhe prodhuesve vendorë.

Disa vjet më parë Rexhep Taip Erdogan kur u takua me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti vëlla, tash ka edhe një arsye të fortë ta bëjë motër ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila.

19 komente në ““Motra” e Erdoganit!”

  1. Vladimir says:

    Urime Arbana, shkrim i sakte e qortim mbi te cilin duhet reflektuar. Vende te prapambetura si Shqiperia dhe Kosova kane nevoje te domosdoshme per aksisa dhe dogana qe te mbrojne prodhimin vendas. Ca me teper kjo sjellje me Turqine ve ne pikpyetje edhe vet orientimin perendimor te Kosoves. Pa çka se edhe BE duke detyruar heqjen e doganave per prodhimet e veta me Shqiperine, ka demtuar prodhimin vendas i cili siç shihet edhe sot nuk po mund te rimekembet.

  2. kunji says:

    shkrim me shume vend. uroj mos te jete e vertete prognoza e ketij shkrimi per biznesin kosovar.

    1. N Shabani says:

      Shkrim shume i sakte, turp per qeverine e Kosoves qe e le vendin te shfrytezohet nga te tjeret duke demtuar ekonomine e popullit te vet.

  3. sabi says:

    Keta nuk pyesin per kosove e shqiperi,por vetem per xhepat e tyre.Me vjen keq per kete popull te mjere qe se kuptoj kurre se c eshte e mira e c eshte e keqja.Keta jane vellezrit tuaj o popull injorant.Bota eshte e ndare minimalisht ne 2 pjese:Ne ate lindore te prapambetur e xhakatare dhe ne ate perendimore te zhvilluar e qe sheh per te ardhmen,besoj se ka ardhur koha te zgjedhim njehere e mire e ta largojme pushtuesin 600 vjecar nga shqiptaria(Kosove apo Shqiperi).

  4. Nik/Vlore says:

    Prandaj duhet bere bashkimi sa me pare,qe te pakten luftojme vetem nje qeveri,jo dy.Dhe zeri I popullit do te jete me I fuqishem kur eshte popull me I madh..

  5. enea says:

    Integrimi europian ka si parakusht bashkepunimin rajonal dhe tregtin e lire me vendet e rajonit,Izolimi nuk eshte alternative.Autorja para se te shkruaj te lexo pak mbi rrugetimin e nje vendi per ne BE,Ajo duhet te kerkoj rritjen e konkurueshmerise nga ekonomia Kosoves po kursesi izolimin me ironine me “motren” e Erdoganit.Ekonomia me folklorizem nuk mund me shkue per Europe.

    1. Eri says:

      Po eshte e vertete qe bashkepunimi rajonal eshte i rendesishem, por ti ke Shqiperine, Maqedonine, Malin e Zi dhe te tjera vende fqinje qe mund te besh tregti te lire dhe jane vende me ekonomi pak a shume te njejte dhe mund te kete perfitim te ndersjellte. Si mund ti hapesh portat Turqise ne kete menyre kur ajo te prodhon çdo gje, me çmime shume te lira dhe ti thuajse asgje. Kjo eshte e demshme edhe per Shqiperine sepse ato mallra qe mund te bliheshin nga Shqiperia tani futen pa dogane nga Turqia. Ne pergjithesi shtetet e fuqishme dhe me ekonomi si Turqia u japin disa privilegje shteteve te vogla dhe jo shume te zhvilluara duke i hequr disa barierra doganore per te eksportuar me shume, ndersa me kete mareveshje ndodhi e kunderta ku perfituesja e vetme eshte Turqia. Per fat te keq, pushtetaret ksosovare jane te kapur komplet nga turku dhe arabi. Pas historise qe duan te ndryshojne, tani do turqizojne komplet edhe Kosoven sepse 500 vjet nuk ishte e mjaftushme.

    2. sync says:

      E ke gabim enea ,me pashkaqenin nuk behet tregti ,se eshte i pangopur dhe ha cdo gje qe i del para syve ,si shqiperia dhe ne kete rast kosova jane tregje te vogla dhe superbizneset jane shume pak .Mu kujtua para disa vitesh, vizita e ministrit te ekonomise italian i cili ju drejtua kines per import domatesh ,sepse prodhimi ne vend nuk plotesonte kerkesen per shkak te tkurrjes se bujqesise italiane .Pergjigja e ministrit kinez ishte “domate me cilesi te larte nuk kam ,por jam ne gjendje te furnizoj te gjitha tregjet italiane me 5 milion kokrra molle simbas kerkeses.Por propozimi kinez u refuzua ,thjesht per te mbajtur gjalle biznesin vendas

  6. Wendy-B says:

    I duhet treg” motres se madhe ” Turqise, te shesi ferexhete ne stok. Motra e vogel, Kosova i ka hap dyret , zemrat dhe femrat.
    Tregeti te mbare!

  7. tirana says:

    Le te largohen turqit e te vijne te tjeret atehere. Edhe nuk keni takat per te qene te forte, edhe beni pordh.. . Njehere ankohen se po e marrin serbet tregtine, e njehere turqit, epo pse nuk vijne evropinet atehere, bujrum se dera eshte e hapur, apo ueleksi eshte turk apo serb. Brockulla.

  8. kaurri says:

    Edhe mbas 100 vjetesh gjysem-pavaresi prej Turqije, “politikanet” shqiptare neper Ballkan ulen permbys para vezirit turk.
    Po ku ka pase Turqija ndonjehere mall cilesor e te mire, vetem mall te dores se dyte e asaj te trete prodhon. Vazhdon eksporti i plehrave “lindore”, zoti Thaçi?

  9. sync says:

    Po ne fakt eshte nje nga motivet, qe europa nuk i jep vize jeshile turqise si kandidat per ne BE ,vendet europiane jane akoma ne gjunje nga vershimi i mallrave kineze ,imagjinoni te gjitha tregjet me mallra turke ,do te thote fundi per tregetarin dhe biznesin vendas

  10. visar gjenevë says:

    kësaj xharrahkes me ia marrë temën e turqve e të Turqisê, mbete si peshku në zall… idiote, krejt e zbrazët nga njohuritë e plot urrejtje.

  11. Liburni says:

    Po pse o Visari Turk nga “Geneva”, a te shau vllaznit a….!!

  12. denis says:

    Me Turqine vjen edhe islami, me islamin vjen edhe parazitlleku, mendesia barbaro-mesjetare, arabizimi, shtypja e femres, botekuptimi mesjetar, shoqeria e mbyllur, demokracia zhduket, se fjala e Allahut nuk hidhet ne vote; vjen anafalbetizmi qe ne vendet islame eshte ne shkalla shume te larta, niveli i shkollimit shume te ulet, vjen produktiviteti i ulet i krahut te punes, vjen shoqeria e prapambetur dhe si rrjedhoje investime te ulta dhe mjerim e regres ekonomik.

    Vjen rrenimi i kombit dhe i te ardhmes europiane.

  13. Liridon says:

    Me mire mallra turke apo serbe ?Merita e qeverise Kosovare eshte qe ne bashkepunim me biznesmenet turq te ndertojne fabrika per prodhimin e tyre ne Kosove.Erdogani eshte i gatshem per kete hap.Pyetja eshte a eshte i gatshem Thaci ?

    1. dritani says:

      Serbe pa diskutim. Jane me cilesore.
      Ku eshte problemi?

  14. S H K O D R A N I says:

    Keta qe po I bejne Turqit vellezer te pergjigjen ne pyetje perse Sllovenia dhe Kroacia jane antare te BE dhe jane shtete tash 20 vite, kurese Shqiperia eshte shtet tash 100 vite dhe se bashku me Kosoven, jane shtetet me te prapametura ne Ballkan

  15. Bardhi RKS says:

    ja paska fut kot kjo “motra” e Remzi Ejupit !!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje