Zonjë nursëze kjo Gjirokastra

30 Shtator 2013, 18:04Blog TEMA

Nga Reldar Dedaj

 

Për Gjirokastrën është shkruar e vazhdon të shkruhet. Asnjë qytet tjetër në Shqipëri nuk ka një urbanistikë të dyzuar siç e ka ky qytet, në realitet dhe në letërsi. Shumë udhëtarë që e vizitojnë për të parën herë, ashtu si edhe unë, kanë dëshirë të bëjnë pohimin klishe: “Para se të vija në Gjirokastër, e njihja atë nga librat”, kurse ata që e njohin qytetin, e konsiderojnë këtë pohim një naivitet. Asnjë qytet nuk mund të njihet plotësisht nga librat, e aq më shumë një qytet si Gjirokastra.

Ky qytet guri e hijerëndë me siguri ka parë shpeshherë sa ditë të mira, po aq edhe të vështira. Ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se ka qëndruar atje në ditë të mira e të këqija, dëshmitar e rob i historisë, tregimtar e jotregimtar, i qeshur sa edhe i zymtë, krenar sa edhe qortues, ai ka fituar dalëngadalë peshën e të qenurit simbol.

Si shumë të tjerë edhe unë, me sa dukej, kisha rënë i tëri në grackën e këtij kurthi.

Kam një siklet të madh kur udhëtoj për punë, dua të jem gjithmonë i kujdesshëm me çdo detaj që sytë dhe veshët arrijnë të më kapin.

Ende pa u kthyer nga një darkë e shijshme, bash aty ku disa dekada më parë ngrihej monumenti i Enver Hoxhës, po mendoja se me siguri kjo ishte pika më kulminante e këtij qyteti ku mund të kundroje të tërin si të servirur në tepsi. Gjithashtu mund të shihje nga lart çatitë prej guri të shtëpive qindra vjeçare, duke menduar njëkohësisht rreth faktit se si banorët, që ngjiten e zbresin çdo ditë rrugëve të thepisura, i kanë dhënë, në kuptimin më të plotë të fjalës, gurit jetë.

Ndodhesha plot ankth në këtë qytet.

Isha shtrirë rehatshëm në krevatin e një dhome hoteli që e kisha marrë për një natë në pjesën e re të qytetit, ose e thënë më mirë në pjesën e poshtme, në atë të epërmen nuk kisha asnjë shans, pasi turistët e ardhur nga gjithfarë vendesh mbanin vesh për bëmat dhe legjendat e shumta që ky qytet me shumë zgjuarsi i ka ruajtur dhe krijuar.

Gjirokastritët me siguri janë mjeshtër të shesin vetën, mund të kishte menduar një mik i imi nëqoftëse do të ishte. E megjithatë pak ma ka ënda të flas për Gjirokastrën dhe gjirokastritët. Ky është thjeshtë një përfytyrim i parë që merr teksa kundron sipërfaqshëm nga dritarja e hotelit këtë qytet të gurtë. Nuk mund të mos them se bukuria e këtij qytetit nuk është tërheqës. Por sot dëshiroj të flas për diçka tjetër. Për një lajm që desh përfundoi i kobshëm!

Është një huq i vjetër i imi që sa herë gjendem në marrëdhënie pune jashtë Tiranës, për të njohur sa më mirë vendin ku ndodhem, filloj e trazoj nga pak në mediat lokale për të siguruar një njohje fillestare dhe shume sipërfaqësore, por që nuk mund të them, se nuk mund të jetë ndihmuese në lidhje me punën time. Isha në këtë qytet për një reportazh që më ishte dhënë nga drejtori i revistës që unë punoja.

Kisha ndezur televizorin dhe ashtu i shtrirë po dëgjoja edicionin e fundit informativ. Mbaj mend se veshët më kapën një lajm rreth një tentative për vetëvrasje të një vajze adoleshente. Por mbas kapjes në kohë të familjarëve dhe ndërhyrjeve profesionale të mjekëve, vajza kishte shpëtuar. Nuk mund të mos mendoja; vetëvrasje në Gjirokastër? Ose, tentativë për t’u vetëvrarë?  Ishte diçka që këta banorë nuk e dëgjonin shpesh. Dhe me siguri, ndokush mund të jetë interesuar më gjatë në lidhje me shkaqet ose shkakun e kësaj ngjarje. Por unë, sot, nuk kam aspak ndërmend të merrem me një gjë të tillë. Jo se ndjek një parim kantian, se një shkak më çon tek një shkak tjetër dhe kështu pa fund, por se mendoj se nuk kam aspak këllqe të tilla për t’iu futur një pune të sojllojshme.

Ora dymbëdhjetë e natës kaloi, më kujtohet se ende nuk e kisha fikur televizorin, më duhej të ngrihesha shumë herët. E sotmja, mendova me veten, ende pa u zbardhur do të më gjejë duke u nisur për në qytetin e lashtë të Antigonesë. Edhe pse mendimet rreth punës nuk kishin si të më linin rehat, përsëri vazhdoja të mendoja në lidhje me aktin e vetëvrasjes.

Gjithmonë kam pasur përshtypjen se njeriu është stërvitur kahera qysh prej kohësh të lashta se mendimi mbi vetëvrasjen është i gabuar. Madje të mendosh për t’u vetëvrarë ke bërë një mëkat të madh, që edhe Zoti vetë nuk do të kishte kurajë të të falë. Burrat e legjendave nuk mund ta pranonin vetëvrasjen, se ajo nuk ishte shenjë e burrërisë. Dobësia, brishtësia janë shenja femërore. Aq sa më kujtohet i vetmi rast që rrëfen vetëvrasjen dhe njëkohësisht i jep tagër të drejtë, është ajo që bëhet për t’i shpëtuar pushtuesit, për të ruajtur nderin. Nga mitologjia raste të tilla na vinë nga gratë spartane që hidheshin nga shkëmbi për t’i shpëtuar trojanëve vrasës. Rozafa e brishtë që pranoj të muroset për së gjalli, vetëm që bedanat e kalasë të mos shemben.

Madje vetë gjirokastritët, arritën të krijonin një mit të tillë. Thuhet, se për ta nderuar, i vendosën edhe emrin qytetit. Ata e hyjnizuan mbretëreshën Argjiro që u hodh nga shkëmbi për të mos rënë në duart e pushtuesve. Gratë ngaqë nuk mund të përdornin shpatën, por që kishin krejtësisht në dorë për të ruajtur nderin e familjes, mund të vetëvriteshin për të mos rënë në duart e armikut ku edhe mund të përçudnoheshin. Ndërsa burrat, të ngjeshnin hushtën, shpatën, a pushkën dhe pa ja bërë syri tërr, të shkonin për të vrarë apo për t’u vrarë, për ne shqiptarët ky mit i vjetër është krejt legjitim.

Por, i shtrirë ashtu siç isha, po mendoja se mos ne kemi një defekt në të perceptuarin e historisë. Me pak fjalë, në të menduarin vetë, në mendimin si mendim personal, i pa ndikuar nga aktorë të jashtëm, por mendimi që lidhet me subjektin e vetë qenies si ndërgjegje individuale. E kam fjalën për atë ndjenjë që përbën kuptimin e qenies. Për atë që njeriu e mban kyçur, e ledhaton, pa negociuar me askënd për praninë e saj. Bash për atë e kam fjalën, për atë që vetë psikologu nuk e tregon, për atë që sa më shumë t’i afrohesh njeriut, aq më tepër mendon se është i sëmurë.

Me një fjalë, pasi arrin t’i çosh të gjitha këto ide në gollën e errët të mendimit, nuk mund të mos pranosh idenë e athtë, por strukturore në të ardhmen. Vetëvrasjen si zgjidhje. Fiks këtë. Pak a shumë, të pranojmë pa ndrojtje, idenë e futjes së konceptit të vetëvrasjes në sistemin shkollor. Pa u hepuar aspak, por me guxim të madh, sot, në shekullin e apogjeut të dijes dhe eksperimentit të saj, besoj se është krejtësisht e mjaftueshme të flasim për atë që bota njerëzorë qysh prej kohërash të lashta e deri në ditët e sotme nuk ka guxuar kurrë të flasë për një ide të tillë. Dikush, po pandeh se ky qenka i çmendur krejtësisht dhe nuk ja vlen të merresh me të. E di, mos u lodh të më kuptosh i dashur mik. Edhe nëqoftëse më do, ose më urren.

Jam krejtësisht i vetëdijshëm se nuk është një ide aq e madhe. Por mund të jetë shumë kuruese. Mendimi negativ për vetëvrasjen është një budallallëk. Ndërsa nuk ka si të mos pranojmë si ide të gabuar përpjekjen 2000 vjeçare të krishterimit kundra konceptit të vetëvrasjes. Ndërsa ajo, përkundrazi, është një ide e dobishme. Të dhuron, krejt pa ndrojtje, iluzionin e lirisë. Kjo është diçka e rëndësishme, me një fjalë, Ti; je zoti i vetvetes dhe askush tjetër. Në çfarëdo rrethane, ti e ke krejtësisht jetën tënde në dorë. Mbi të gjitha, bën atë që të pëlqen dhe do.

Le të kthehemi, pak më lart, aty ku ishim më parë. Mitet shqiptare që flasin për vetëvrasjen janë të ndërtuara krejtësisht mbi logjikën e vrasjes së vetes për nder si Argjiroja, për besë si Rozafa, për liri, atdhedashuri si Mic Sokoli, por për jetën, pikërisht për vetë jetën, çfarë miti na duhet të ndërtojmë në të ardhmen. A mos vallë, mund të jetohet shumë mirë me idenë e vetëvrasjes? Mos ka ardhur koha të pranojmë se një ide e tillë e çliron njeriun nga vdekja. A duhet ne të shkruajmë dhe të meditojmë rreth kësaj gjëje. Tu themi fëmijëve tanë një të ardhme se mendimi për të vrarë vetën nuk është edhe aq një ide e keqe sa gjyshi të ka mësuar. Zvetënimi i njeriut i rënë krejtësisht në kthetrat e ankthit, rrënimit moral dhe i pashpresë, mund të çojë drejt aktit të vetëvrasjes, duke e parë këtë të fundit si armë, e shkatërrimit përfundimtar të personit, por ende jo si një mjet që mund të bashkëjetojë shumë mirë me të, madje edhe kur e përdor si lodër gjatë gjithë ditës në duar. Pikërisht këtë duhet t’i mësojmë njeriut të sotëm.

Mendoj se për një popull është një ngritje inteligjente e kapacitetit filozofik të tij që preferon ta konsiderojë rënien  si pjesë të një fillimi të ri. Pasi mendoj dhe me të drejtë, kur je në rënie, vetëdija për vetën është shumë më e theksuar, më e madhe. Çdokush duhet të mësojë të jetojë edhe atëherë kur ai është penguar diku dhe gjunjët e tij janë gjakosur. Duhet të sofistikohet të pranojë jetën edhe kur gjendet thellësisht i përkulur. Ta edukojmë që të pranojë një tragjedi të tillë. Dhe për ne shqiptarët kjo mund të jetë një sfidë. Duhet me patjetër ta përballojmë. Duhen vlerësuar ata njerëz që mësojnë nga rënia. Është shenjë inteligjence. Të jeni të sigurt për këtë. Asnjëherë nuk më ka “pëlqyer” Niçja, (e them modestisht, pa u keqkuptuar) i kam lexuar veprat e tij, të përkthyera në shqip, kam menduar gjithmonë se ai ka krijuar një realitet krejtësisht individual, të ngritur dhe të plotësuar prej të gjithin prej tij, po ende pa futur në të përvojën personale. Ai gjithmonë ka pasur një ide; të fitosh, të fitosh, të fitosh- në thellësinë embrionale të mendimit mund të quhet krejtësisht diçka gjermane. Ndoshta ky mund të jetë edhe gabimi gjerman, se duhet të fitosh, të ndërtosh, duhet të ngresh. Dhe me siguri historia gjermane, për një pjesë të saj, ka rezultuar të jetë një dështim.

U zgjova. Më kishte marrë gjumi pa e kuptuar. Hodha sytë nga dhoma asgjë nuk lëvizte, qetësi. Më në fund nata kishte marrë udhën. Mëngjesi kishte filluar të shtriqej duke u hapur i gjithi mbi shtratin e qulltë të luginës së Drinosit. Atje tutje, në fund të konkretësisë së hirtë të gurit, matanë ndërtesave hijerëndë si gurë të imët të një kurore mbretërore, rrezet e diellit po e shtyjnë drejt hiçit tylin e agut duke zhveshur ngadalë qytetin e gurtë. Qafa e pazarit nuk është më fare asaj ane, po në krahun e kundërt, tamam në atë drejtim ku tani është dielli, mbrapa tij. Hankonatët nuk banojnë më në shtëpinë e tyre të madhe. Kako Pino, Xhexhoja dhe Mane Voco vazhdojnë ende si kahera të trazojnë thashethemet e qytetit. Zekatët, pak metra më poshtë, kanë lënë dyer e dritare hapur që dielli të thajë lagështirën e mjegullës. Shtëpia e vjetër e një miku shkolle nuk është më, e reja është diku tjetër poshtë koracës së gurtë, në ndërtim të vazhdueshëm për t’iu përshtatur kërkesave të reja të kohës: dritare të gjëra duralumini, lule të gjithëfarshme artificiale, dyer që puthiten mirë me dyshemenë, parket druri ngjyrë arre, mure të bardha, banja e zhytur në shkëlqimin e kaltër të pllakave majolike të importit. Të gjitha këto i lashë prapa, teksa po kaloja urën e hekurt të Drinos që rrjedh krejt i qetë për t’u takuar me Vjosën pa i parë Tepelena. Jam nisur për Antigone, bash atje në qytetin që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja.

Dhe në fund, Etualit, të dashurës, miqve të ngushtë të mi, u them pa ndroje; nëse më pëlqeni, jo domosdoshmerisht mund të mendoni si unë…!

6 komente në “Zonjë nursëze kjo Gjirokastra”

  1. Vini, Vidi, Vici says:

    Te fundit jane korbat…kurse peizazhet mbeten te patrazuar ne fusha, lumenj, male, peme dhe gure

  2. Ustai says:

    More binadale,edhe gjirokastrit te ishe,nuk do kishe shkruar kaq bukur. Me pelqen shkrimi,jo se eshte thjesht per Gjirokastren, por se ka nje kendveshtrim kadareian, te mahnitshem.Edhe filozofia qe e mban shkrimin ne linje eshte teper intersante, dhe mbi te gjitha e bukur. Te lumte dhe pergezimet e mia.Di kisha deshire te lexoja akoma nga ju. Faleminderit per kenaqesine.Jam gjirokastrit !

  3. Banija01 says:

    Ustai-gjirokastrit…

    Ku e shehe ti shkrimin per Gjirokastren?

    Gjirokastra eshte nje sfond per shkrimin ,shkrimi eshte per vetvrasjen dhe jo per Gjirokastren.

    Nga mbyllja e shkrimit me pershkrimin qe i ben me duket se e ka pare vetem nga “18 Shtatori” dhe ja ka pershkruar ndonje gjirokastrit.

    Angonatet dhe jo Hankonatet, Kako Pinon ,Xhexhoja e Manja kane vitre qe jane haruar dhe Zekatet nuk jane pak metra me poshte ,po metra me larte.

    Jo se keto kane ndonje rendesi per shkrimin, po per ty Ustai gjirokastrit qe u entusiazmove nga shkrimi .

    Shkrimi do ishte me i pershtatshem ne nje reviste si “shkenca dhe jeta”

  4. Orneli says:

    Hahahahahahaha, nje shkrim shume i bukur, i befasishem dhe shume interesant. Batanija01 mos u be cinik, se edhe kataderaj hankonatet i permend, o batanija 01 mos u be budalla, po ai ka shkruajtur nga fillimi deri tani ne menyre filozofike, sigurisht jo te gjithe gjirokastritet mund te kuptojne filozofine plako. Autori perdor personazhet e kronike ne gure, po shko lexo njehere pastaj be si i zgjuar. OK!

  5. eli says:

    Shkrim shume i bukur.Stili i te shkruarit eshte shume i vecante!

  6. Logosi says:

    Nje shkrim i trajtuar mjaft profesionalisht, ndoshta nje nga shkrimet me te bukura dhe me filozofike qe kam lexuar keto kohe ne media. Kjo do te thote qe gazetaria shqiptare ka INDIVIDUALITETE.Eshte nje shkrim qe kalon kufijte e nje gazetari cilesor, duke menduar se ne te ardhmen do kemi fatin te lexojme nje shkrimtar psikoanalitik. Bravo Reldar djali.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje