Ekspertët e "Europa Nostra" vizitojnë Amfiteatrin e Durrësit. Në fokus, gjendja dhe mundësitë për investim

8 Tetor 2013, 10:27Kulturë TEMA

Në datat 8 dhe 9 tetor një grup ekspertësh të trashëgimisë kulturore nga ‘Europa Nostra’ dhe përfaqësues të Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim, do të vizitojnë Amfiteatrin e Durrësit, i cili bën pjesë në programin “7 Më të Rrezikuarit” e trashëgimisë kulturore europiane.

Përveç takimeve me ministren e Kulturës, kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, në axhendë janë parashikuar diskutime me grupe ekspertësh për të parë gjendjen dhe mundësitë reale për investim në Amfiteatrin e Durrësit.

Raporti i grupit të ekspertëve europianë është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e këtij monumenti, ndërsa vendimi përfundimtar për të mbështetur financiarisht ndërhyrjet në Amfiteatrin e Durrësit do të merret në 5 dhjetor të këtij viti në Konferencën Europiane për Politikën e Trashëgimisë, që do të mbahet në Bruksel.

Aplikimi për ta përfshirë Amfiteatrin e Durrësit në listën e monumenteve të rrezikuara të Europës u krye nga Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në muajin mars të këtij viti dhe u mbështet nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Përzgjedhja e këtij monumenti u bë duke marrë në konsideratë nevojën emergjente për konservim, ruajtje dhe gërmime të mëtejshme për zbulimin e plotë të këtij objekti me vlera unikale historike, arkitekturore dhe kulturore, si dhe rolin e tij në zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Durrësit, por dhe të turizmit shqiptar.

Programi “7 Më të Rrezikuarit” u lançua në janar 2013 si një formë  ndërgjegjësimi publik, duke inkurajuar anëtarët e Europa Nostra të aplikojnë për objekte/monumente përfaqësuese të trashëgimisë kulturore nga vendet përkatëse, që kanë nevojë për më shumë vëmendje, konservim, ndërhyrje restauruese, si dhe mundësi rijetësimi në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor./A.XH

 

2 komente në “Ekspertët e “Europa Nostra” vizitojnë Amfiteatrin e Durrësit. Në fokus, gjendja dhe mundësitë për investim”

  1. FEDE says:

    SOS TRAZICIONIT TE MALLKU!
    NE KE KOMB,SHTET,VEND TE EUROPES LIHET KESHTU??

  2. bledi says:

    Te merresh me kulture,duhet te jesh i kulturuar.Ne Durres behet festival filmi,kur nuk ka kinema.Nuk ka lulishte,as edhe nje.Biblioteke mizerje,per te qare.Atehere,kush do te interesohet per AMFITEATRIN,te pakulturuarit?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje