Deputetët kosovarë me të ardhura mujore 4000 euro

23 Tetor 2013, 10:26Rajoni TEMA

Përpos pagës mujore bazë prej mbi 1400 euro, një pjesë e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës marrin edhe mijëra euro të tjera për pjesëmarrje në seancë edhe nëpër komisione parlamentare.

Tre ligjvënësit më të paguar në Kuvendin e Kosovës, pa llogaritur pagën mujore, janë: Deputeti i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli, i cili vetëm gjatë sesionit pranveror ka marrë 3840 euro për pjesëmarrje në seanca dhe për pjesëmarrje në komisione parlamentare, Armend Zemaj nga LDK-ja, i cili për periudhën në fjalë ka marrë 3805 euro, dhe deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje” Albulena Haxhiu, e cila për praninë në seanca dhe në komisione të ndryshme parlamentare, ka marrë ekstra edhe 3726 euro.

Pak më “ligsht” sesa kolegia e tij është paguar deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, i cili, për sesionin pranveror ka marrë mëditje prej 3690 eurosh.

Deputeti tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Demolli, ka marrë mëditje prej 3632 eurosh, duke u bërë kështu ligjvënësi i pestë më i paguar në Kuvendin e Kosovës.

Pas Demollit radhitet deputetja e Aleancës për Kosovë të Re, Sevdije Lama, mëditjet e së cilës gjatë sesionit të kaluar ka arritur shumën e 3499 eurove.

Me vetëm pesë euro më pak sesa deputetja Lama është paguar deputeti i VAKAT-it, Rasim Demiri, i cili ka marrë 3494 euro.

Edhe deputetët serb nuk janë keq në raport me mëditjet.

Anëtari i Partisë Liberale Serbe Goran Marinkoviq, i cili, sikurse kolegët e tij ligjvënës, vetëm mëditje gjatë periudhës janar-gusht 2013 ka marrë 3488 euro.

Ai pasohet nga deputeti i Iniciativës Qytetare të Gorës, Murselj Haljilji, mëditja e të cilit ka arritur në 3444 euro.

Deputetja e tetë më e paguar është anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirie Kajtazi, e cila nga pjesëmarrja në seanca plenare të Kuvendit të Kosovës dhe në komisione parlamentare është shpërblyer me 3420 euro.

Ndërsa ligjvënësja e nëntë për nga pagesa është anëtarja tjetër e partisë Vakat, Duda Balje, të ardhurat e saj vetëm nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare kanë arritur shumën e 3390 eurove.

I fundit në “top-listën” e dhjetë deputetëve më të paguar është deputeti tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ali Sadriu, i cili mëditje ka marrë “vetëm” 3353 euro.

Të gjitha këto të dhëna “Zëri” i ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës, ndërkaq, secili nga këta dhjetë deputetë shumat e majme i ka vetëm si mëditje, pa e llogaritur pagën bazë të secilit, e cila sillet rreth 1300 euro për muaj, ose 10400 për tetë muaj, gjegjësisht për sesionin pranveror./ZERI

2 komente në “Deputetët kosovarë me të ardhura mujore 4000 euro”

  1. Luani says:

    Gënjeshtër e madhe është kjo.

    Vetëm për roje personale paguan secili ministër nga Prishtina më shumë se katërmijë euro në ditë, e le më për shpenzimet tjera brenda e jashtë.

  2. flamuri says:

    paj shihet qe nuk e kan mendjen te populli
    edhe ashtu jan shume te dobet ne aspektin intelektual
    veq ruana zot .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje