Deloitte do të marrë 85 mijë euro për auditimin e financave publike

2 Nëntor 2013, 18:51Ekonomia TEMA

Nga Ani Ruci

Deutsche Welle

 

Sa janë borxhet që shteti në Shqipëri u ka bizneseve të huaja, apo vendase?

Këtë do ta bëjë të qartë në fund të muajit nëntor të këtij viti kompania Deloitte, e ardhur në Shqipëri në 1998 për zbardhjen e çështjeve financiare të skemave piramidale.

Tani është qeveria Rama, që me një akt normativ të miratuar në parlament dhe të kundërshtuar nga PD në opozitë, risjell Deloitte për të zbardhur situatën e financave publike dhe sidomos të borxhit publik.

Shifrat që qarkullojnë janë të ndryshme, nga 64 % të prodhimit të brendshëm bruto deri në 74%.

Kundërshtitë dhe debatet politike mes maxhorancës së majtë, që po qeveris që prej dy muajsh dhe opozitës së djathtë, që qeverisi nga për 8 vjet, lidhur me nivelin e borxhit publik, mbeten të ashpra dhe pa asnjë shenjë konverguese.

Deloitte shfaqet si një arbitër mes palëve për të mbyllur debatin dhe hapur një kapitull te ri.

“Ky auditim shërben për t’i kthyer bizneset nga problemi numër një i rritjes, në faktor të rritjes. Të fillojë një faqe e re për të krijuar vende të reja pune, për të nxitur investime prodhuese dhe për të realizuar programin qeverisës të rilindjes shqiptare”, tha kryeministri Edi Rama, pas miratimit të aktit normativ të qeverisë nga Parlamenti për angazhimin e Deloitte në zbardhjen e borxhit publik.

Angazhim i Deloitte – vendim politik

Prof. Dr. Adrian Civici, rektor në Universitetin e Tiranës dhe një personalitet i mirënjohur në fushën e ekonomisë, thotë për DW se kryerja e auditit nga Deloitte dhe jo institucionet shtetërore vendase ka një arsye qendrore.

“Në Shqipëri mungon besimi reciprok në sferën politike dhe vendimmarrje lidhur me shifrat kryesore, që kanë të bëjnë me nivelin makroekonomik të vendit, shifrat financiare, apo ato të papunësisë. Kemi qenë dëshmitarë në gjithë këto vite të debateve pozitë-opozitë për vërtetësinë e shifrave të prodhuara nga INSTA-i, apo institucione të tjera të rëndësishme. Marrja e një kompanie të huaj për të bërë auditimin e financave shqiptare në kushtet e borxhit të lartë publik, faturave të papaguara të biznesit dhe detyrimeve të lëna në mes të rrugës, më shumë sesa një kërkesë për shkak të profesionalizmit të munguar në Shqipëri, është një vendim politik për t’i dhënë fund debatit, që gjithçka që bëhet nga institucionet vendase vihet në dyshim nga njëra palë politike. Është e nevojshme që në këtë moment një institucion serioz si Deloitte të japë në mënyrë të besueshme dhe të pranueshme nga të gjitha palët shifrat kryesore të financave publike dhe situatës financiare në Shqipëri”, thotë Prof. Dr. Adrian Civici.

Sybi Hida, ekonomist, me përvoja pune në FMN, ish- deputet i PD, ka të njëjtin mendim.

“Ky është një vendim politik i qeverisë Rama: ai i përgjigjet situatës politike në Shqipëri, kur nuk ka konsensus politik mes palëve për çështje të financave publike. Kryeministri Rama “po blen” kredibilitet, pra që në debatet që do të ketë me opozitën të përdorë kredibilitetin e kësaj kompanie. Punën e Deloitte mund ta bëjnë specialistët e Ministrisë së Financave. Është për të ardhur keq që vazhdon mungesa e konsensusit politik mes palëve, kur ekonomia shqiptare ka nevojë për bashkëpunim, debate të thella teknike dhe jo mospërputhje treguesish dhe shifrash qe janë të kontabilizuara. Mendoj që kryeministri Rama mund të ishte treguar më i guximshëm, pasi shqiptarët ia dhanë kredibilitetin me votën e tyre më 23 qershor dhe ai nuk kishte pse shmangej nga debati politik lidhur me auditimin e financave publike nga institucionet përkatëse vendase”, thotë Sybi Hida.

Kosto financiare për buxhetin modest të Shqipërisë?

Kompania britanike Deloitte do të marrë 85 mijë euro për auditimin e financave publike të Shqipërisë.

“Është një kosto e dyfishtë financiare, institucionet shqiptare mund të bëjnë vlerësimin e financave publike, por në klimën e mosbesimit politik, është e vetmja rrugë për t’i dhënë një lloj legjitimiteti një moment “zero”, ku do të fillohet interpretimi edhe i shumë vendimeve, që do të merren lidhur me financat publike. 85 mijë euro nuk përbëjnë një kosto të madhe në raport me besimin, që do të kenë palët, se këto janë shifrat reale dhe shumë nga vendimet e rëndësishme duhen marrë mbështetur tek këto shifra. Dyshimi për shifrat krijon një kaos në vendimmarrje dhe dobia është shumë e madhe, nëse punohet me shifra të pranueshme nga të gjitha palët dhe të certifikuara. Në Shqipëri mbizotëron zhurma dhe debati politik shpesh herë për çështje të “kuzhinës së brendshme”, sesa për atë që është reale. Deloitte është një kompani auditimi, që ka kompetencat për të bërë auditimin”, thotë Prof. Dr. Civici.

Të njëjtat konsiderata shpreh për Deloitte edhe Sybi Hida.

“Nuk mund të vëmë në dyshim reputacionin e Deloitte, kompani multinacionale me reputacion të lartë”, thotë ai për DW.

Deloitte – përfitime përtej zbardhjes së financave publike.

Nga auditimi i financave publike prej Deloitte, qeveria e Tiranës mund të ketë edhe përfitime të tjera.

“Si një kompani e specializuar në auditime dhe mirëmenaxhimin e treguesve buxhetorë, bilanceve financiare të kompanive, Deloitte mund të japë edhe rekomandime për menaxhimin e buxhetit të shtetit, të borxhit publik, funksionimin e financave publike dhe mund të jetë e dobishme që fenomene negative të mos ndodhin në të ardhmen”, thotë Sybi Hida.

Auditimi nga Deloitte bëhet në një moment të vështirë financiar dhe ekonomik për Shqipërinë, kur parashikohet që rritja ekonomike në vitin 2014 nuk do të jetë më e madhe se 1,5- 2% dhe kur sfida më e madhe mbetet rritja ekonomike, investimet prodhuese, investimet e huaja direkte dhe vënia në eficencë sa më shpejt e sektorëve kyç të ekonomisë.

“Kryefjala e rritjes ekonomike do të jetë rritja e prodhimit vendas, shtimi i eksporteve, hapja e vendeve të reja të punës, futja në eficencë sa më shpejt e minierave, prodhimi i energjisë elektrike, shkurt, gjithçka që lidhet me prodhimin”, thotë Prof. Dr. Adrian Civici.

5 komente në “Deloitte do të marrë 85 mijë euro për auditimin e financave publike”

  1. Ardjani says:

    Zonja CIVICI dhe ju Zonjusha Sybije Hida, ju vodhet u ngopet e tani kerkoni qe ta beni po ju transparencen?! Keshtu i bie?? Ahh ju jeni kriminela, ju flisni per litaret, po ska faj rama kur nuk e mbeshtjell me tela me gjenmba ate Instat e ta ktheje ne burg me te gjitha ato kavjet qe punojne brenda se 8 vite kane mashtruar, o bushtra…o kafshe qe talleni me nje komb, kujt i plas per 85.000 kur e bija e kryeministrit firmoste per miliona euro, kur kurum ben evazion dhe ky i degjeneruari ish deputet elbasani ka dhe fytyre e flet, po stream oil…ore ju do perfundoni copa copa do ju haj ky milet me dhembe po nuk i ngulet vete ne burgje…ju vdekshin te gjthe me kalamaj e fis juve ilace o bura..o bura qe ju shke…ne…nga mbrapa e u thoni me fal se ju kemi kthyer kurrizin…yyyyyyyy pushtaaaaa

  2. armiku i injorances says:

    Merrini nje opinion edhe profesor Pyk Dushkut se eshte me i zoti se Civic Civicovic.

  3. tanimilano says:

    Dhe 1€shtetit Shqiptar i duhet dhe jo me 85 mije euro se jane leke qe paguajne taksa pagusit shqiptare.Po ku Edvini nuk po i pellset shume per leket e shqiptarve!

  4. hape mendjen says:

    O Tani!!! Mendohu para se te flasesh. Mund te gjesh zgjidhjen pa u nxituar dhe lene komente kot.

  5. Liridon says:

    Ministri aktual ftoi ish-kolegun qe te merrte pjese komisionin e kontrollit te financave aktuale te shtetit.Nuk morri pergjigje per ftesen e tij.Me e mira do te ishte qe kete ta bente KLSH.Dyshimi i madh qe kemi per njeri-tjetrin ben qe populli te paguaje para per te huajt,per pune qe mund ti bejme edhe vete.Keshtu do te ndodhe perderisa nuk kemi parasysh porosite e miqve tane per dialog dhe lufte te perbashket kundra korrupsionit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje