Historia e pabesueshme e një personi që fshehu koleksionin më të madh në botë (FOTO)

13 Nëntor 2013, 11:02Politika TEMA

Nga Guy Walters

Daily Mail

 

Lejtnanti Dwight McKay ishte shumë larg Çikagos. Që të jemi të saktë, ai ishte 4.436 milje larg, në dhomën e një kështjelle në mes të Gjermanisë, i ulur përballë një personi nervoz, që ishte rreth 20 vjet më i madh se ai.

Dukej si një akademik. Në fakt, dr. Hildebrand Gurlitt ishte një nga ekspertët dhe kuratorët më të respektuar të artit në Gjermani, produkt i një familje të respektuar që prodhonte artistë dhe muzikantë prej dekadash.

McKay nuk kishte dhe aq lidhje me artin. Ishte diplomuar për juridik dhe përpara se të niste mirë karrierën, Amerika hyri në luftë dhe atë e plasën në ushtri.

Për shkak të formimit ligjor, McKay ishte caktuar për të hetuar krimet e luftës.

Që prej pushtimit të Normandisë, ekzaktësisht një vit më parë, në qershor të vitit 1944, ai kishte hetuar për ata që kishin marrë pjesë në vrasje.

Megjithatë, kohët e fundit po hetonte për ata që kishin marrë pjesë në grabitjen e artit.

McKay dhe njerëzit e tij ishin informuar në lidhje me Gurlitt si një grabitës i dyshuar. Amerikanët kishin sekuestruar prej tij më shumë se 139 piktura dhe skulptura, çka provonte këtë dyshim.

Edhe pse seanca e marrjes në pyetje zgjati për tre ditë, pasojat kanë vazhduar për dekada.

Vetëm javën e shkuar, u zbulua se Cornelius, djalit 79- vjeçar të Hildebrand Gurlitt, i ishin zbuluar më shumë se 1401 vepra arti në shtëpi, me një vlerë mbi 1 miliard sterlina.

Dje, autoritetet gjermane kanë publikuar listën fillestare prej 25 veprash të koleksionit gjigand, përfshi këtu veprën “Gruaja e ulur” e Matisse dhe “Alegoria” e Chagall.

Që prej këtij zbulimi, ishte menduar se Cornelius kishte kryer vetëvrasje, por këtë javë ai u kthye sërish në qendër të medias, pasi gazetarët francezë e fiksuan në një qendër tregtare në Mynih.

Kur u përball me gazetarët, ai dha një përgjigje kriptike: “Miratimi që vjen nga ana e gabuar është gjëja më e keqe që mund të ndodhë”.

Dje në mëngjes, Gurlitt u pa duke marrë një taksi për në aeroport me një grua të paidentifikuar. Tipike për një të moshuar me sekrete- askush nuk e di se ku po shkonte. Ajo që u tha fotografëve ishte: “Kjo është një poshtërsi e madhe”.

Në fakt, ai kishte të drejtë në njëfarë mënyre për të përshkruar një çështje të tillë, për shkak se kjo është një histori gati e pabesueshme.

Këtë javë, kam mundur të siguroj disa nga dokumentet sekrete të qeverisë amerikane, që na lejojnë të heqim paralele mes kaosit të Gjermanisë post- luftë dhe një bote të çuditshme të një njeriu të çuditshëm, që thuajse gjithë jetën ka arritur të ruajë në sekret të plotë koleksionin më të madh në botë të veprave të artit.

Por më shqetësuese është se historia e koleksionit të Gurlitt nxjerr në pah faktin se si i solli vërdallë ai hetuesit aleatë, që nuk e zbuluan kurrë shkallën e vërtetë të asaj që fshihte ai.

Këta hetues njihen me emrin Burrat e Monumenteve dhe heroizmi i tyre është përshkruar në një film që do dalë së shpejti në kinema ku luajnë George Clooney dhe Hugh Bonneville.

Për të kuptuar historinë, duhet të kthehemi më 15 shtator 1895, ditën kur lindi Hildebrand Gurlitt. Babai i tij ishte një historian i njohur dhe gjyshi një piktor peizazhesh.

Në moshën 30 vjeçare, ai u bë drejtor i galerisë në qytetin Zwickau, në jug të Leipzig. Aty krijoi menjëherë reputacion si një njeri që promovonte artistët modernë si Paul Klee.

Megjithatë, siç pohon ai më vonë për hetuesit amerikanë, shija e tij për këtë ‘art të degjeneruar’ bëri që nazistët ta pushojnë nga detyra.

Kjo nuk e ndaloi atë që të niste të mblidhte vepra arti modern dhe madje t’i ekspozonte ato në një galeri private, që u vizitua edhe nga Samuel Beckett.

Por ndërsa në publik ai paraqitej si një fytyrë liberale, në mënyrë private ai punonte për nazistët duke bërë tregtarin e veprave të artit.

Pasi mori pushtetin, Hitleri, i motivuar edhe nga fakti që dështoi si piktor, nisi që të persekutonte botën e artit modern.

Shumë tregtarë nisën që të shesin veprat e tyre në tregun ndërkombëtarë, mes tyre edhe Gurlitt, që hiqej si anti- nazist.

Por ndërkohë ai vazhdonte që të blinte pikturat me të lirë nga hebrenjtë, të cilëve u premtonte viza dhe mundësi për t’u arratisur nga vendi.

I paskrupullt, ai vazhdonte të bënte këtë punë.

Kështu, në vitin 1939 ai bleu për vetëm 100 dollarë veprën e njohur të ekspresionisit gjerman, Otto Mueller “Dy femra nudo”.

Më vonë ai bleu nga në tjetër familje hebrenje një vepër të Paul Klee.

Megjithatë, ishte pikërisht momenti kur ai u caktua si përfaqësues special i Muzeut të Kulturës, që Hitleri po planifikonte për në qytetin e lindjes, Linz, që i dhuroi pasurinë e pamasë.

Gjatë luftës, ai bëri dhjetë udhëtime në Paris, ku mori 200 piktura për çmime qesharake.

Shumica e tyre bliheshin nga koleksionistë hebrenj.

Gjatë marrjes në pyetje, ai e mohonte vazhdimisht një gjë të tillë.

Kur u arrestua nga amerikanët, atij iu sekuestruan disa kuti me 139 vepra arti, përfshi Picasso, Chagall, Rodin dhe Degas.

Por pas marrjes në pyetje, ai arriti të bindte Burrat e Monumenteve se ishte një akademik i padëmshëm, që kishte arritur të grumbullonte një koleksion të mirë dhe për më tepër, ishte viktimë e nazizmit.

Por ai nuk tregoi se koleksioni i tij ishte shumë më i madh se 139 vepra arti.

Për pesë vite me radhë, ai u dërgonte vazhdimisht letra Burrave të Monumenteve me referenca për pafajësinë e tij dhe për pronësinë mbi veprat e artit.

Burrat e Monumenteve duhet ta kuptonin këtë gënjeshtër, por nuk ia dolën për shkak se në atë kohë shkalla e abuzimeve të nazistëve ishte shumë e madhe. Bëhej fjalë për peshq të mëdhenj, për vepra të Rembrandt dhe Titian. Picasso dhe të tjerë vepra moderne nuk vlerësoheshin si sot.

Taktika funksionoi.

Në janar të vitit 1951, amerikanët ia rikthyen koleksionin me Picasso dhe Chagall.

Se çfarë ndodhi me koleksionin gjigand për 60 vite, është mister.

Gurlitt vdiq në një aksident me makinë në vitin 1956 dhe në janar të vitit 1967, e veja e tij u tha autoriteteve se koleksioni ishte shkatërruar gjatë bombardimit të Dresden-it.

Por ishte një gënjeshtër që i biri, Cornelius, e ruajti për dekada.

Tani shpresohet që autoritetet- dhe ekuivalentët e Burrave të Monumenteve- nuk do e lënë Gurlitt të shpëtojë edhe njëherë./ep

3 komente në “Historia e pabesueshme e një personi që fshehu koleksionin më të madh në botë (FOTO)”

  1. erjon says:

    Gurlitt nuk ka kryer asnje veper te jashteligjeshme,ndersa amatoret e vertete te artit duhet ti ngrene atij nje monument qe ka ruajtur dhe mirembajtur ne menyre te shkelqyer nje koleksion kaq te jashtezakonshem si nga permasat ashtu edhe nga vlerat.

    1. Leon1980 says:

      Je shume qesharak ky babi i keti ishte ne anen e nazistnve, ai duhet tja kthente pikturat faliljev qe baba i tij i kisht marr po thuja me dhune(se ose me jep pikturat ose je i vderur)

      1. i----i says:

        po ti qe je ne anen e PS do mbash pergjegjesi per armet kimike ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje