INTERVISTA/ Të pastrojmë shtëpinë!

13 Nëntor 2013, 18:21Sociale TEMA

Pse arsimi profesional dhe punësimi i të rinjve janë prioritete të ministrisë që ai drejton. Çfarë do të ndodhë me ata që kanë abuzuar me fondet e aftësisë së kufizuar dhe si do të trajtohen çështjet e barazisë gjinore. Dhe çfarë është nisma e 22 nëntorit “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë”

Nga Rozeta Rapushi*

 

Emërimi i Bardhylka Kospirit, si zëvendësministre e Mirëqenies Sociale, bëri jo pak bujë. Një femër me aftësi të kufizuar në qeveri, u cilësua si thyerje e tabuve shqiptare, ku pavarësisht njohurive dhe punës, njerëz të këtij komuniteti nuk janë parë në poste drejtuese por as në pozicione të tjera. Ndonëse Kodi i Punës e përcakton qartë se një në 24 persona të punësuar, duhet të jetë nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuar. Megjithatë, ashtu si shumë përkufizime ligjore të pazbatuara dhe as të ndëshkuara ndonjëherë, edhe një sanksion i tillë nuk është përmbushur. Madje nga shumë punëdhënës as që nuk njihet. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i pari që theu këtë tabu duke propozuar Kospirin, një aktiviste në Fondacionin Shqiptar për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, si pjesë të kabinetit të tij, premton se një detyrim i tillë do të shtrihet në çdo institucion. Për këtë, ministri shpjegon në një intervistë të dhënë për Revistën Klan, se u ka dërguar një shkresë të gjithë ministrave, duke u kujtuar se duhet të vënë në jetë në institucionet që drejtojnë sanksionet e ligjit. Shkallë-shkallë, procesi synohet të zbresë edhe në institucionet e tjera dhe më pas edhe tek privatët. Për Klan, ministri zbulon edhe projektet për punësimin e të rinjve, ku mbizotëron arsimi profesional si dhe nismën më të re “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë”. Nismë e cila synon mbledhjen e sa më shumë vullnetarëve për t’u angazhuar në ditën e aksionit më 22 nëntor dhe duke bërë hartëzimin e të gjitha pikave të paligjshme të mbeturinave, të cilat do të shndërrohen në objekt pastrimi.

– Zoti Veliaj, këto 23 vjet kanë treguar se “të qeverisësh” nuk mjafton. Çfarë do të bëni ju më shumë se sa “të qeverisni”?

Në të kaluarën, Shqipëria ka pasur gjithmonë qeveri, por rrallë herë është qeverisur. Madje, kaq shumë janë përkeqësuar standardet e qeverisjes këto vite saqë “keqqeverisja” është kthyer në sinonim të qeverisjes në përgjithësi, dhe kjo është për të ardhur keq! Vota e 23 qershorit tregoi se njerëzit ishin të lodhur nga arroganca e pushtetit të kaluar dhe e votuan masivisht ndryshimin. Një milion votat janë një përgjegjësi e madhe, e njëkohësisht forcë motivuese për ne. E kemi të qartë që nuk mund të bëjmë më shumë sesa të qeverisim, por ama do të bëjmë gjithçka për ta çrrënjosur këtë perceptim, për të ndryshuar standardet e qeverisjes në Shqipëri. Shqiptarët votuan kundër përfaqësuesve politikë që quheshin të tillë vetëm e vetëm për shkak të karriges mbi të cilën uleshin; dhe votuan për një qeveri, legjitimiteti i së cilës qëndron tek shërbimet që kryen për qytetarët.

– A keni programe apo projekte konkrete për punësimin e të rinjve? Nëse po, cilat janë ato?

Projekti ynë i madh e afatgjatë për punësimin e të rinjve është dhe do të mbetet arsimi profesional. Paralelisht me këtë reformë të gjerë, që sapo kemi nisur të ndërmarrim, ne synojmë të zbatojmë edhe disa programe më konkrete që përqëndrohen tek rinia. Do të themelojmë Korpusin Kombëtar të të Rinjve, i cili është një program që të rinjve nuk do t’u ofrojë vetëm një vend pune, por edhe një mundësi për t’u angazhuar në zhvillimin e zonave të prapambetura të vendit. Do të ngrihet gjithashtu, edhe Programi Kombëtar i Formimit Profesional në Punë, i cili përmes lehtësirave fiskale do të nxisë kompanitë që të marrin praktikantë të rinj. Nga ana tjetër, ne synojmë të nxisim e mbështesim krijimin e sipërmarrjeve rinore: Programi i Nxitjes së Sipërmarrjeve Rinore do të ofrojë lehtësira fiskale për të rinjtë që duan të fillojnë një biznes, ndërsa Inkubatorët e Biznesit Rinor që do të ndërtojmë do t’u ofrojnë hapësira për zyra e lehtësira të tjera të rinjve që hapin një biznes të ri. Veç këtyre, ne do të përkrahim çdo organizatë rinore e do të nxisim vullnetarizmin si një mjet për angazhimin e sa më shumë të rinjve në komunitet.

– Meqenëse jemi tek vullnetarizmi i të rinjve; para pak ditësh ju dhe eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, promovuat nismën “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë” që do të realizohet në 22 nëntor. Cili është synimi i kësaj nisme?

Nisma “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë” tashmë, ka filluar dhe po shtrihet në të gjitha qytetet e vendit, fillimisht duke u promovuar e duke mbledhur vullnetarë që do të angazhohen në ditën e aksionit më 22 nëntor, por edhe duke bërë hartëzimin e të gjitha pikave të paligjshme të mbeturinave, të cilat do të shndërrohen në objekt pastrimi. Për realizimin e kësaj nisme janë angazhuar katër Ministri.

Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian kemi ende disa gjëra për të bërë; sigurisht, kemi nevojë për ligje apo institucione më të mira, por ama ka diçka për të cilën nuk kemi asnjë justifikim: Të pastrojmë shtëpinë tonë! Arsyeja pse aksioni është propozuar të kryhet në 22 nëntor është nevoja për t’i paraprirë festimeve të 101 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Mënyra më e mirë për të pritur Shekullin e ri të Shqipërisë së Pavarur është duke e pastruar atë. Por, duhet theksuar se jo gjithçka mbaron më 22 nëntor. Kjo nismë synon të kthehet në një traditë. Datën 22 nëntor shiheni si fillimin e pastrimit të Shqipërisë nga mbeturinat.

– Si mendoni të ktheni vëmendjen dhe dëshirën e të rinjve për arsimin profesional?

Ç’është e vërteta, arsimi profesional është nënvlerësuar për shumë kohë, e kjo për dy arsye bazike. Nga njëra anë, është dyndja masive drejt universiteteve për të marrë një diplomë çfarëdo, pavarësisht mundësive që ajo diplomë ofron, e nga ana tjetër, asnjë qeveri nuk ka investuar politikisht e financiarisht tek arsimi profesional, çka ka bërë që kjo alternativë të mos konsiderohet e të gëzojë një imazh jo fort të mirë tek nxënësit dhe prindërit e tyre. Ne kemi vendosur të investojmë tek arsimi profesional duke e kthyer atë në një nga prioritetet tona themelore. Tashmë, është e qartë se një diplomë juridiku nuk garanton gjithnjë punësim dhe se duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje kërkesës së tregut të punës. Prodhuesit shqiptarë po e ndjejnë gjithnjë e më shumë mungesën e teknikëve të mesëm. Në të gjitha bizneset e fokusuara tek industria ushqimore që unë kam pasur rastin të vizitoj në Gjirokastër, punëtorët dhe menaxherët ishin shqiptarë, ndërsa teknikët e mesëm vinin nga Greqia. E njëjta gjë mund të thuhet për industrinë fasone, ku të gjithë punëtorët janë shqiptarë, ndërsa modeluesit vijnë nga Italia. Të rinjtë shqiptarë duhet të kuptojnë se më shumë sesa një diplomë universitare që s’të hyn në punë për asgjë, u duhet një zanat që është njëkohësisht burim dinjiteti e gjenerues të ardhurash.

– Pak kohë më parë bëtë publike se u kërkuat Burimeve Njerëzore të përgatiten për të punësuar edhe përfaqësues të komunitetit rom dhe persona me aftësi të kufizuara. Deklarata të tilla janë bërë edhe më parë, por asgjë s’është bërë. Sa seriozisht e keni ju?

Të mos harrojmë që po flasim për një të drejtë themelore, e cila në rastin e personave me aftësi të kufizuar është sanksionuar edhe në Kodin e Punës. Ligji thotë qartë se në çdo institucion shtetëror apo firmë private 1 në 24 nëpunës duhet të jetë person me aftësi të kufizuar, dhe mua nuk më vjen aspak mirë që ky ligj nuk është zbatuar asnjëherë, madje as nga institucionet që supozohet të mbrojnë të drejtat e kësaj shtrese. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më! Shqipëria e gjeneratës së re do të jetë më solidare. Fillimisht, do të sigurohemi që ligji të zbatohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Vetëm këtë javë u kam dërguar një shkresë kolegëve ministra që të nderojnë ligjin dhe të mundësojnë që 1 në 24 punonjës të jetë nga kategoria e Personave me Aftësi të Kufizuar. Më pas do të kërkojmë që ligji të zbatohet nga të gjitha institucionet e tjera shtetërore, e pastaj do nisim inspektimet tek firmat private për të garantuar respektimin e kësaj të drejte. E njëjta gjë vlen edhe për shtresat e tjera të diskriminuara, si romët.

– Zhvendosja dhe strehimi i familjeve rome ishte një lajm jashtëzakonisht i mirë. Por, të tjerë romë vazhdojnë të jetojnë në kushte mjaft të këqija në vende të tjera, ku të munden. Realisht, çfarë planesh ka për këtë kategori? Si mund të zgjidhet ky problem në të ardhmen?

Romët janë komuniteti që përballen me kushtet më të vështira të jetesës, e sikur kjo të mos mjaftonte, edhe paragjykimi ndaj tyre është në nivele shqetësuese. Ç’është e vërteta, sistemi dhe riintegrimi i këtij komuniteti kërkon një strategji të mirëmenduar e afatgjatë, ndaj sot është e vështirë të flitet për një zgjidhje përfundimtare. Sot mund të them vetëm se ne jemi të vendosur që t’i ndjekim me përpikmëri të gjitha hapat që eventualisht do të sjellin përfshirjen sociale të tyre. Gjithashtu, dua ta garantoj këtë komunitet se do të përfshihen në çdo hap të hartimit dhe zbatimit të kësaj strategjie. Nuk do të merren më vendime për këto shtresa pa u paraprirë nga një proces i gjatë konsultimi. Në Ministri, një grup pune ka filluar përgatitjet për hartimin e një plani dy vjeçar, i cili do të publikohet në janar. Ndërkohë, po punojmë që të sigurohemi që pjesëtarët e këtij komuniteti, e jo vetëm, të kenë akses të plotë në shërbimin e ndihmës ekonomike. Për këtë jemi konsultuar edhe me rekomandimet e Avokatit të Popullit.

– Jeni shprehur se do të vini para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me fondet e shtresave në nevojë. Sa janë dëmet e shkaktuara dhe kur mund të flitet për drejtësi?

Ekipe të Ministrisë dhe Shërbimit Social Shtetëror po vijojnë auditin në njësi të ndryshme të qeverisjes vendore. Ajo çka është vënë re dukshëm në këtë audit është fakti se ka një fryrje të skemës së pagesave. Të gjitha rastet e abuzimeve dhe përfitimeve në kurriz të shtresave më në nevojë të vendit do t’i kalojnë prokurorisë. Ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund këtij procesi.

– Dëshiroj t’ju pyes për diçka për të cilën rrallë ju kanë pyetur, ç’do të bëni për sa u përket çështjeve të barazisë gjinore dhe të drejtave të fëmijëve?

Përsa u përket çështjeve gjinore, mund të them se bashkë me shumë institucione të tjera, “OJF” e organizata ndërkombëtare, po përgatitet një fushatë e gjerë kundër dhunës ndaj grave, e cila do të fillojë në fund të nëntorit. Nën moton “Ditët e Aktivizmit”, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të koordinojë zhvillimin e shumë aktiviteteve, në nivel qendror e lokal. Gjithashtu, ne po punojmë për hartimin e një plani kombëtar që synon përfshirjen e sa më shumë burrave në luftën kundër dhunës ndaj grave. Nga ana tjetër, bashkë me Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Social Shtetëror, do të nisim shumë shpejt një aksion për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge, si edhe marrjen e masave që ata të mos jetojnë e punojnë më në rrugë, por të integrohen në shoqëri.

– Opozita ju akuzon ashpër se si kabinet i ri qeverisës po bëni më shumë show se sa punë…. si përgjigjeni për këto akuza?

E vërteta është se opozita në 8 vjet qeverisje s’ka bërë kurrfarë pune, madje ata as që e njohin konceptin e punës. Dhe tani që po shohin dikë të punojë, s’dinë ç’emër t’i vënë dhe e quajnë show. Unë e kam thënë edhe më parë, nëse prishja e lokaleve që kanë uzurpuar spitalin publik apo mbyllja e lojërave të palicensuara të fatit apo strehimi i familjeve rome – nëse të gjitha këto cilësohen si show- atëherë eja të bëjmë të gjithë show. Të jeni të bindur se kështu do të kishim një shoqëri më të mirë e më solidare!

*REVISTA KLAN

4 komente në “INTERVISTA/ Të pastrojmë shtëpinë!”

  1. shqiptari says:

    fshati digjet Erka krihet

  2. Pastrim nga c'ka says:

    Ta pastrojme te vdesim te paster haha,mos te na mbesi merak se do vijne te huajt pastai, pasi mos te egzistojme ne me eedhe e gjejne te pa paster”

  3. noku says:

    Mire e ke zotrote ta pastorojme qe te na e gjejne armet kimike Shqiperine e paster.

  4. cheap shoes INTERVISTA/ Të pastrojmë shtëpinë! | Gazeta Tema

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje