Olldashi dhe një problem lidershipi

14 Nëntor 2013, 20:15Blog TEMA

Nga Skender Minxhozi*

Përtej qëndrimit për problemin e moscënimit të votës, fjala e Olldashit në parlament duket si një shuplakë publike ndaj kursit zyrtar që PD ka mbajtur në muajt e fundit, pas kalimit në opozitë

 

Të enjten Sokol Olldashi bëri një gjest që e gjithë opozita e djathtë nuk ka qenë në gjendje ta bëjë, qysh ditën kur humbi pushtetin. Muaj të tërë kaluan me tranzicionin e pushtetit, zgjedhjet e brendshme në parti dhe veprime të tjera anësore, por asnjëherë demokratët nuk mundën të flasin në “numrin shumës”, por u kufizuan vetëm tek kritika e kundërshtarëve të tyre. Madje, edhe kur këta të fundit nuk ishin ngjitur ende në qeverisje.

Fjala e kandidatit për kryetar të PD në parlament tre ditë më parë, ishte e ashpër dhe akuzuese. Krejt normale për kostumin opozitar të ish-ministrit dhe ish-gazetarit Olldashi. Por qëndrimi i tij ishte njëherësh kritik për qeverinë, po aq sa edhe për sistemin politik në përgjithësi, që ka toleruar ndër vite blerjen, devijimin dhe sugjestionimin e votës. Një pozicion që tingëllon realist dhe objektiv, nëse merret parasysh lista kilometrike e shkeljeve e dhunimeve që i janë bërë votës në këtë vend në dy dekadat e fundit. Dhe ku partia e Berishës, Bashës, Olldashit e Topallit, mban një “rekord” të patrazuar manipulimesh.

Përtej qëndrimit për problemin e moscënimit të votës, fjala e Olldashit në parlament duket si një shuplakë publike ndaj kursit zyrtar që PD ka mbajtur në muajt e fundit, pas kalimit në opozitë. Që nga korriku, kur Lulzim Basha mori në dorë frenat e partisë, tipari dallues i mandatit të ti të deritanishëm ka qenë fryma korporative e drejtimit, besnikëria e panegociueshme ndaj Berishës dhe zbehtësia në drejtimin e PD. Sa më shumë kalon koha, Basha po e zbulon veten krejt të ndryshëm dhe të largët nga formati i rivalit të tij Olldashi. Dhe fjalimi i fundit në Kuvend, është vetëm prova e radhës se mes të dyve ka një diferencë thelbësore në mënyrën sesi e konceptojnë politikën dhe opozitarizmin. Sokol Olldashi qe në gjendje, qoftë edhe për një çast, që të tregojë me gisht të gjithë klasën politike, e ky është një gjest për t’u përshëndetur. Në ndryshim nga ai, kryetari formal i PD Lulzim Basha është ulur në poltronin që dikur ishte i Berishës, vetëm me shqetësimin që të mos trazojë humorin ditor të paraardhësit të tij. Çka Olldashi e ka dëshmuar prej se nuk ka në axhendën e tij politike. Dalja e fundit e tij në parlament, është një këmbanë alarmi për kursin zyrtar apatik dhe të paaftë për PD, në të cilin mohohet me kokëfortësi njohja e situatës reale, së bashku me përgjegjësitë respektive. Dhe siç na tregon e shkuara e afërt e politikës shqiptare, kjo është një rrugë që të le për një kohë të gjatë në opozitë.

*Revista JAVA

2 komente në “Olldashi dhe një problem lidershipi”

  1. Sokol Bizhga says:

    Ik o Sokol
    futi ndonje vize!
    http://goo.gl/B4RB3I

    1. Bern says:

      O Sokol z.Ngjela e Bamir Topi para teje e kanë provuar po ku janë Sot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje