Pse Ajnishahe Halimi është heroina e ditëve tona dhe përse ajo mund të quhet perla e demokracisë kosovare. A është Zonja Halimi më e rëndësishme se sa Shotë Galica për Drenicën dhe pse ajo në vend të respektit dhe mirënjohjes nga kryeministri kosovar Hashim Thaçi “shpërblehet” me kërcënime nga shpura e tij
Nga Halil Matoshi
Zonja Halimi është dëshmi trishtuese se çfarë është jeta në errësirën e lirisë së Kosovës, njashtu siç dëshmon Svetlana Aleksijeviq për “jetën e lumtur” nën kapitalizmin e Putinit në Rusinë e lirë!?
Për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Skenderajt, sa më shumë që rritej presioni dhe kërcënimet, aq më e dukshme dhe më e bukur dukej demokracia.
Demokracia pas lirisë është ajo për çka e vlen të flijohesh.
Dhe, në zonën e hirtë të demokracisë kosovare, veprimi qytetar apo edhe ai politik ngrihet mbi normalitetin e “Zoon politikon”-it në një shoqëri të lirë, duke marrë përmasat e heroizmit.
Sipas E. Robellit, Svetlana Aleksijeviq raportoi mbi jetën në “laboratorin e eksperimenteve komuniste”, ku para portës së kampit në ishujt Solovki shkruante: “Me grusht të hekurt do t’i bëjmë njerëzit të lumtur”.
“Komunizmi kishte një plan absurd – të rimodelonte njeriun e vjetër, Adamin e lashtë. Dhe ia ka dalë kësaj. Kjo është ndoshta e vetmja e arritur e tij. Gjatë më shumë se 70 vjetëve është krijuar një tip i ri njeriu: homo sovieticus.”
Njëjtë siç mësyu një kastë politike-gangsteriste në Kosovë, për ta modeluar ‘homo-çlirimtarin’ që e ka marrë në duar të veta jo vetëm pushtetin politik, pronësinë mbi Kosovën dhe mbi paranë publike, por edhe lirinë e të qeverisurve, duke mëtuar ta shtypë qytetarin (individin e lirë) në emër të idealeve të larta, si: lufta çlirimtare, atdheu e kombi, pushteti (“i shenjtë:) i çlirimtarëve, pa u menduar asnjëherë se ata po bëhen lirivrasës.
Në një vend që synon normalitet (dhe që nuk do të duhej të kishte fare nevojë për heronj të vetmuar, e shpesh të përqeshur!?) shfaqja e Ajnishahe Halimit nuk do të venerohej. Mirëpo shfaqja e saj, fillimisht si lidere e shoqërisë civile në rajonin e Drenicës, e pastaj edhe si konkurrente në politikë (Zonja Halimi ishte kandidate për kryetare të Skenderajt nga Lëvizja Vetëvendosje) që arriti që ta shkundte “modelin sovjetik” të regjimit atje, duke ia shkoqur mbi 5% të votave, aq sa ia kanë marrë së bashku të gjitha subjektet tjera politike PDK-së së kryeministrit Thaçi në Skenderaj.
Ajnishahe Halimi në vend se të duartrokitet publikisht nga kryeministri i vendit Thaçi dhe t’i jepte një mirënjohje për kauzën e saj demokratike – ajo është kërcënuar nën vringëllimën e armës nga shpura e tij.
Ky incident i rëndë nuk është raportuar në media nisur nga fakti se “nuk lejojnë” specifikat e Drenicës, ato arkaike dhe tradicionale kosovare, familjare etj., por edhe nga fakti se personazhi është një grua në Kosovë, ku fjalën e fundit e thonë burrat e dheut.
Zonja Halimi vjen në politikën kosovare nga shoqëria civile e Skenderajt, ku nuk kishte kursyer mundin dhe sakrificat e përditshme për t’u dhënë zë atyre që nuk kanë!
Pakkush në këta 14 vjet lirie më ka impresionuar, por edhe më ka krijuar ndjesinë e dhembshurisë e njëkohësisht më ka shtuar guximin se sa tre persona për të cilët dua të them disa fjalë në vazhdim.
I pari, është një djalë i ri, drenicak, që sapo kishte hyrë në botën e gazetarisë.
Mendjehapur dhe i guximshëm.
Sipëror ndaj shumë kolegëve të tij edhe më të vjetër që nuk janë nga rajoni i Drenicës.
Duke folur rreth lirisë së shprehjes dhe mendimit, si dhe lirisë së fjalës, ai më ishte drejtuar: “Unë kam frikë të jetoj në një ambient ku 99 për qind e njerëzve mendojnë njësoj!? Dhe nuk dua të jetoj asnjë ditë të vetme në një mes të tillë. Sa lehtë është për ju në Prishtinë, s’e imagjinoni dot”!
Kështu foli kolegu dhe s’e di nëse ka ndërruar mendje apo vetëm i është përforcuar kjo ndjesi!?
Më ka bërë të ndihem mirë që dikush ende paska fuqi të mendojë për ata që nuk guxojnë, por më ka bërë dyzash të ndihem keq për “komoditetin” ku e si mendoj, ku e si shkruaj…
I dyti sërish është një gazetar që vrojton e sogjeston mbi errësirën, diku në Drenicë.
Është fjala për Adem Metën, korrespondent i gazetës “Koha Ditore”.
Kur vitin e kaluar ai mori çmimin për guxim qytetar nga Lëvizja “Fol” – më ra hise t’i thosha disa fjalë për të justifikuar këtë çmim që i jepej atij, në një ambient të shlirshëm, pothuajse metropolitan të Prishtinës, mes librave, kafesë dhe miqve.
Isha zënë ngushtë.
Dhe tekstin të cilin duhej ta lexoja e tfillova me personazhin e parë.
Gazetarin e ri që i druan njëmendësisë.
Kurse personazhi i tretë, që më ka bërë të ndihem i pafuqishëm, paksa i turpëruar, ngase 13 vjet pas konfliktit kjo shoqëri nuk kishte arritur t’i përqafonte vlerat e përbashkëta evropiane, ishte gruaja për të cilën po shkruaj tashti – Ajnishahe Halimi.
Edhe ajo laureate e Çmimit për Guxim Qytetar dy vjet më përpara – sot luftëtarja numër një për demokraci dhe liri në Skenderaj.
Ajo e kishte marrë këtë mirënjohje në kulmin e regjimit sipas modelit sovjetik të PDK-së dhe Sami Lushtakut (siç e vlerëson E.Robelli), atëbotë në zgjedhje kishin dalë 123 për qind të qytetarëve (ndër ta edhe shumë nga të vdekurit tanë!?), kurse PDK-në e kishin votuar rreth 99 për qind e tyre!?
Kjo grua ashiqare është dëshmia më kërcitëse se sa lehtë është të mendosh, të shkruash e të qortosh qeverisjen në Prishtinë, madje edhe të hysh në garë politike për ta rrëzuar nga pushteti Isa Mustafën!?
Përndryshe do të na dukej se përditë po bënim ndonjë farë heroizmi!?
Zonja Halimi është dëshmi e gjallë se sa lehtë e kanë gratë që janë persona publikë në Prishtinë – sa lehtë është për Edita Tahirin të vejë e vijë nëpër Evropë – me e pa qëllim, me e pa sukses; sa të lehtë e ka të garojë për të parën e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, apo edhe Donika Kada-Bujupi në Istog.
Të mos flasim pastaj për lehtësinë e padurueshme të të bërit politikë nga Flora Brovina e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, e cila ndonëse dikur poete dhe humaniste, sot është shndërruar në taban të legjitimimit të gangsterizmit në politikë, të bashkëpunimit të politikës me krimin, të korrupsionit që po e gërryen deri n’asht lirinë e Kosovës – sepse asaj që moti i është kyçur goja – dhe ka zgjedhur heshtjen edhe kur e ka obligim qytetar dhe politik jo të flasë, por të bërtasë!?
Dhe sa e lehtë është për Vjosa Osmanin e LDK-së e kështu me radhë, deri tek gratë e Partisë së Fortë, që shpotisin seriozitetin e hajgaregjinjve të pushtetit, përmes gjuhës sarkastike.
Dhe pikërisht për këtë, për një soj “partie të fortë” ka nevojë sot Skenderaj dhe Drenica përgjithësisht.
T’ua rikthejë njerëzve atje buzëqeshjen – duke u ligjëruar përditë – se hajgaregjinjtë e vërtetë së bashku me shpirtrat e ligj janë në qeverisje e jo në faltore mëkatarësh!?
Dhe për t’i dhënë ligjërimit (gjuhës) seriozitet human dhe jo vetëm onomatope egërsirash.
Për ta çliruar Drenicën nga terrorizmi gjuhësor, nga frika dhe frikësimi, që e dominon atë rajon (dhe jo vetëm atë) tash e 14 vjet.
Atje ku 99 për qind e njerëzve mendojnë njësoj dhe ku mendimi ndryshe, mendimi dhe shprehja e lirë ndiqen, nëse e parafrazojmë Giovani Sartorin, atje ku njerëzit nuk guxojnë ta thonë atë që e mendojnë, njerëzit pushojnë që të mendojnë fare për atë që s’mund ta thonë.
Nëse Shpend Ahmeti nga Lëvizja VV është befasi e këndshme për një demokraci të re në Prishtinë, në Skenderaj Ajnishahe Halimi nuk është befasi, por një heroinë e vërtetë e demokracisë.
Meritat për këtë ngritje të Ahmetit i ka në rend të parë qytetari që e zotëron lirinë, duke e ndryshuar veten dhe politikën, por edhe ambienti politik ku liria e individit ka nisë të konsolidohet, ku s’ke frikë se pas secilës kthesë a skutë fshihet një sy apo çimkë përgjuese.
Në këso situate, përfaqësues të shumtë të demokracive të mëdha në Kosovë, të dhënë pas njeriut të fuqishëm Hashim Thaçi, i cili u duhet për t’i shtyrë përpara negociatat me Serbinë, e të cilit për t’i tejçuar përpara këto synime konfuze të asaj që e cilësojmë si bashkësi ndërkombëtare i duhet edhe Sami Lushtaku “me ia çelë sytë”, atëherë Ajnishahe Halimi i duhet Kosovës.
Demokracisë së saj të brishtë.
Porse ajo, edhe pse është një perlë e demokracisë në Skenderaj, është anonime për demokracitë e mëdha që nuk çajnë kokën për përparimin e demokracisë dhe heqjen e frikës (Liria nga frika) përkatësisht për shtypjen e saj.
Zonja Halimi është fanar demokracie në “Vilajetin e errët”, prandaj e meriton respektin e kosovarëve dhe mbështetjen e drenicarëve.
A ka mbetur kush i ndershëm në kësi regjimi? A mund të mbetet?
A po nisë me folë Drenica?
Dua të besoj se po.
Svetlana Aleksijeviq shkruan: ‘Më pëlqente tezja Olja. Kishte flokë të gjatë dhe zë të bukur. Kur u rrita mësova se tezja Olja e kishte denoncuar vëllanë e saj, i cili ishte vrarë në kamp. Në Kazakistan. Ajo tashmë ishte e moshuar dhe unë e pyeta: ‘Tezja Olja, përse e ke bërë këtë?’ – ‘Po ku ke parë ti në kohën e Stalinit njeri të ndershëm?’ – ‘Të vjen keq për atë që ke bërë?’ – ‘Atëbotë isha e lumtur. Më donin për këtë’. – ‘Duhet të kuptoni, e keqja nuk është kurrë kimikisht e pastër. Të tillë nuk janë vetëm Stalini dhe Beria, e tillë është edhe tezja e bukur Olja.” (Cituar sipas E.Robellit.)
Ajnishahe Halimi për nga guximi qytetar e politik ka nga diçka të Svetlana Aleksijeviqit, por mbi të gjitha është gruaja më e guximshme në Kosovë.
Laudatio për Ajnishahe Halimin.
*KOHA DITORE
SHOTE GALICA eshte NJE HEROINE UNIKE NE BOTE dhe mos ha hiq ose ule kurrrrrre meritat ore injorant per nje personazh tjeter qe jeton ne nje kohe tjeter dhe lufton me tradhetaretne gjirin e popullit te Kosoves por jo me pushtusat SERBO-MALAZEZ ;se kjo te con ne zhdukje si popull ore pseudogazetar! TUNG
Halil ne Drenicaket e njofim Ajnishahe Shalea Halimi e dim e kujt eshte dhe kujt i kan sherby lagjja Bajriqi nga fshati Buroj .
Nuk e kemi tradit ne Drenicaket ti votojm familjet e degjenerume .
Ti Halil nuk ke drejt mu merr me probleme te Shqiptarve ti mund te merresh me probleme te KOQOVARVE .
O Drenicaki. Drenica kur nuk ka jep njerez te zot. Sami Lushtaku po te duket i ndershem? Ka vra ma shum shqiptar se serb, ne fakt serb as nuk ka pa sepse sja ka mbajt. Ata pak te ndershem vet Drenicaki i ka vra ose tradhetu si rasti i baces Adem. Ajnishanja eshte drite ne fund te tunelit sepse ka arrit qe shumices se friksuar nga Lushtaku me kompani tja u kthej shpresen. Prandaj Halil Matoshi te lumt qe po i ndihmon ketij ndriqimi ne fund te tunelit te ndriqoi ma furishem.