Prapa vetes kaos, përballë dashuri e vrer, përkedheli e helm, mall e lot. Ç’ndjen Oresti vallë, ç’përjeton ndjenja e tij e zhytur në llumin e ndërtuar hap pas hapi nga nënë e babë. Po Klitemnestra ç’sheh përballë, një fëmijë të tulatur apo një hero homerik. Aq sa sheh njëri sheh dhe tjetri. A po binden se janë nënë e birë apo thellojnë humnerën që i ndanë. Ç’shohin në sytë e njëri-tjetrit. Oresti sheh betejën vrastare të prindërve, Klitemnestra mos vallë sheh dritën që solli në jetë të birin, a buzëqeshi ndonjëherë ajo, a qau ai?
A është kjo krijesa e mrekullueshme përballë së cilës mbetëmi gjithmonë fëmijë, apo është një qenie e veshur mistikisht me të pashpjegueshmen plot intrigë, ajo ndaj të cilës duhet të ç’prangosem – mendon ai.
Klitemnestra sheh Orestin ia nuhat pavendosmërinë dhe i duhet të kujtohet se ishte një herë nënë. S’duhet t’i ketë humbur akoma instinktet prandaj lufton me instinktet shtazarake për të nxjerrë në jetë ato të butat, të ëmblat, të pazëvendësueshmet fjalë të nënës ku s’dihet se në ç’hon të qenies i kishte harruar. Ajo e dinte shijen e hakmarrjes, e dinte se ç’do të thotë të vdesësh, por ende nuk e dinte ç’do të thotë të vdesësh pas një ballafaqimi. Ajo se njihte këtë, ajo njihte pabesinë.
E drejta tashmë i ka humbur, ajo i takon Agamemnonit, e aij ia ka lënë në dorë të birit paqen e tij. Oresti është i ndërgjegjshëm se ç’detyrë i kanë vënë përsipër, ajo po i merr frymën, por duhet të mbahet. A mund të jetë nënë një qenie e tillë me këtë logjikë të ftohtë, me këtë ambicie krenare, e cila vrau dhe vulosi fillimin e fatkeqësisë së saj.
A s’është ajo nënë që hapi portën e fatkeqësisë për të mos u mbyllur më, në të cilën janë ngujuar përjetësisht, jehona e të cilës po drithëron shekujt. A s’është Oresti im bir, djali i butë, i cili kurrsesi s’mund të transformohet, -mendon se i ka dhënë jetën Orestit e ai duhet veç ta përsosë atë, është ajo që i ka dhënë frymën, e ai duhet veç ajrin të thithë. Ajo s’mendon se ajri është helmi i ekzistencës së tij, fryma është dëshmia se ai po vuan akoma. Harron se metamorfoza mund të prekë dhe Orestin, madje shndërrimi mund të jetë fatal, në gjarpër.
Oresti luhatet si anija në një det me stuhi, orvatet të shohë bregun, por është shumë larg e tentativa për të dalë atje mund të jetë një katastrofë, i hedh sytë prapë nga humnera ku mund të bjerë, secila rrugë është fundosëse për të. Por le të fundoset, ajo që duhet të ndodhë është parathënë. Oresti zgjohet si nga gjumi letargjik dhe i kujtohet se ka një detyrë. Ngjarjet e kaluara i përplasen në sy. Kjo nënë se meriton të jetojë, qoftë edhe për më të voglin gabim, për qetësinë me të cilën e kishte jetuar jetën deri tani. Ai bëhet një mëmëvrasës tejet i dërrmuar.
Por ç’ishte ky imazh që m’u derdh në deje krejt rastësisht pa pritur dhe pa kujtuar, teksa lexoja pikën kulminante të tragjedisë Orestia të Eskilit, ballafaqimin ndërmjet Orestit dhe Klitemnestrës. Pikërisht në këtë fillim nëntori. E theksoj jo se këto ditë kanë ndonjë domethënie të veçantë, por rastësisht tërhoqa një nga tragjeditë e plota që ka udhëtuar në shekuj deri në ditët e sotme. Pasi nuk mund të mos mendoja ndryshe se vepra artistike ka ende diçka të përbashkët me magjinë, të merr mendtë, diçka që ka të bëjë edhe me qëndrimin brendapërbrenda një territori të mbyllur. Me një fjalë, aty brenda qeverisin ligje krejt të veçanta.
Por ajo që duhet të më bëjë përshtypje është ideja se si ka mundësi që fëmija ikën, në një farë mënyre, nga kompleksi i Edipit, pa marr për bazë mesazhet e përhershme që ai i dërgon përgjatë gjithë jetës së vet. Ndoshta edhe Eskili kishte rënë pre e luftës mijëvjeçare të matriarkatit që po humbte dhe patriarkatit që po fitonte. Por pak rëndësi ka kjo.
Gjatë leximit të saj dhe ndaljes ballëpërballë mes Orestit e Klitemnestrës u ndez në mua një flakë dyshimi që filloi të shqetësojë bukur si boll fantazinë e çalë të atëbotshme. Po mendoja se diku nën flakën e qirinjve Eskili e kishte përfytyruar pallatin e Atridëve, jo vetëm si një skenë krimi. Por krejt thellë, ndoshta nën kamaret e tij, apo diku në një korridor të gjatë dhe gjysmë të errët, ai kishte krijuar një nga vrasjet më të mëdha të kohës, më të paimagjinueshmen, më të frikshmen, krejt tinëzisht pa folur me askënd deri në çastin përfundimtar të saj, e kë tjetër; përveçse vrasjen e perëndisë.
Me siguri, Eskili ashtu i kërrusur pasi e kishte kryer këtë vrasje, diku nën hijen e ullinjve kishte thirrur se drejtësia pjell veçse vrasje asgjë më tepër. Disa athinas të gjendur rastësisht aty kishin lëvizur kokën në shenjë miratimi. Kaq i ishte dashur atij, më në fund e kishte kuptuar se vrasjen e kishte mbuluar mjaft mirë dhe zor të gjendej në atë jetë. Më pas historia le të shpallte mendimin e saj si të dojë.
Eskili e kishte pasur një qëllim, të shkatërrojë rendin e qenies, i cili shfaqet si i mangët dhe i padrejtë, dhe duhet që ta zëvendësojë atë me një rend më të përsosur e më të drejtë që buron nga fuqia krijuese e njeriut. Tani, sido që të jetë kuptuar rendi i njeriut, ai tek sëpata e përgjakur e Klitemnestrës dhe tek shpata e Orestit ka fshehur tash e tutje botën e re të mendimit. Në atë përgjakje prindërore Eskili fshehu varrosjen e perëndive të vjetra.
Një mendimtar i antikitetit po aq sa ai i njohur, Sokrat e quanin, e dënuan me vdekje për arsye se e akuzuan për prishje të rinisë. Çfarë akuze?! Si mund të ç’edukojë një filozof rininë. Je i dënuar me vdekje se ti Sokrat bastardi po shthur rininë athinase dhe po e bën atë që të mos dëgjojë më prindërit e tij, të mos besojë në zotat tanë të shenjtë, ne rendin tonë politik. Kush je ti Sokrat që e bën këtë. Kush je ti po të them. Kush je tiiiiii…? Duhet të jetë çjerrur nga zëri gjykatësi. Por le të largohemi pak nga ky humus i antikitetit, për t’u hedhur në atë të realitetit tonë të përditshëm.
Psikoanaliza diku në thellësi të saj na tregon se njeriut i ngjallën remenishencat e së kaluarës për shkak të hasjes së vështirësive, apo problemeve që i dalin përpara. Ndoshta ky konstrukt i të menduarit më bëri që të fluturoj pak në drejtim të qiellit pa shkëputur lidhjen me tokën. Nuk jam aspak dakord me ata që ofendojnë rininë shqiptare si të shthurur, të paedukatë. Përkundrazi, nuk ka rini në botë që të jetë në të njëjtën gjatësi vale me atë të prindërve të tyre. Problemi i sotëm i yni duhet të jetë tentativa e paepur e shthurjes së rinisë shqiptare, me të gjithë forcën që ekziston.
Sot, në këtë vend është bërë kulturë ideja e përngjitjes me të gjithë ata servila apo puthadorë që i shkojnë pas të fortit. Kulturë mund të konsiderohet edhe kjo se për t’u ngjitur dalëngadalë duhet të bësh fresk çdo ditë po ngadalë. Duhet të përkulesh, të mos bëzash, të shash kur të thonë për të sharë, të lavdërosh kur të thonë të lavdërosh. Të jesh një urë e lakuar që shefi të kalojë sa herë të ketë nevojë. Mjafton që të mos jesh vetvetja. Dhe kjo është kultura që mbizotëron në familjet tona.
Ky lexim më solli ndërmend atë që të rinjtë, pavarësisht gjithçkaje, nuk kanë fare turp të pasurohen në rrugë të pista dhe këtë jo se nuk arrij ta kuptoj. Në të njëjtën kohë më solli ndërmend atë që gjithkush mund të pyesë se pse duhet ndjekur ende një jetë me punë të ndershme; pse një i ri të dojë të ndjekë studime të gjata, kur më mirë bëhet trafikant, hajdut, servil dhe tak-fak përballë i shfaqet parajsa ekonomike. Dhe të gjendur në këtë mjedis të tillë moral si t’ia bësh që të përcjellësh dijet, idealet, si të mbash një minimum indi shoqëror që të mund të mbijetojnë ato gjëra aq thelbësore që e kanë emrin dinjitet, respekt, nder dhe lumturi.
Nuk ka shpëtim tjetër, përveçse të vrasësh nënën, atë qenie të brishtë që të edukon përgjatë gjithë viteve të tua të jetës. Gjithsecili nga ne duhet të ketë guximin të përdorë një shpatë të tillë si të Orestit, dhe t’ia ngulë tejpërtej trupit të nënës për ta therur pa ndrojtje atë trashëgimi të mëparshme të rendit dhe të ideve që kanë stërvitur qenien njerëzore për shekuj e shekuj me radhë. Atëherë mund të thërrasim perëndia vdiq. Rroftë liria. Vetëm kështu mund të shpëtojmë. Le të ç’edukohemi të gjithë, ndoshta edhe pse në mënyrë barbare. A ka Orestë ky vend? Mund të thërrasë ndonjë. Po -i them unë krejt i ndrojtur. Mjafton veçse t’i edukojmë.
Oresti është një hero aspak heroik, është një qenie e brishtë ku përplasen fajet e të gjithëve, e ku ai duhet të bëjë një zgjedhje, por supet e tij s’janë bërë për të mbajtur një peshë aq të rëndë. E nëse Klitemnestra e mbylli portën e fatkeqësisë së saj, Oresti hapi të vetën.
Besoj se shkrimi nuk eshte per studentat e Korces. Shkrim i bukur. E them sinqerisht.
Komplimente Reldar. Je nje filozof i ri, por me kalimin e viteve do te shtosh njohurite e tua ne kete shkence te mendimit dhe do te kuptosh me shume…vetem pasi te kaloje nje perplasje te madhe shume te dhimbshme dhe ta duroje ate , vetem ateher ky vendi yne mund te gjeje qetesi, ashtu si popuj te tjre pas luftrash te gjata e te dhimbshme, kur zarfi i vdekjes i vinte nenes ne dore dhe pasi merte vesh se i biri ishte goditur ne balle ajo qetesohej menjehere, deri ne kete shkalle u durua dhimbja, sa liria ishte nje enderr e bukur dhe sot ata popuj nuk abuzojne me lirine. Ndersa popully yne nuk ka njohur kurre ne historine e tij luftra te tilla me muaj te tere ne llogore….prandaj nuk e dine ç’eshte liria, prandaj nuk e dine ç’eshte dashuria. Ne kete vend ka veç helm e prej helmit po vdesin masivisht….nenat ua mekojne femijve helmin me gjirin qe i ushqejne fatkeqesisht.
Edukimi behet dite pas dite, ndersa kur plas e keqja bie si bombe ne familje, mendojne se dikush nga jashte ua ka shkaktuar, por nuk shohin nga brenda vetes, ku kane gabuar??
Prinderit shqiptare jane prinder te bute, prandaj kemi edhe shtet te bute sepse ashtu rritemi ne familje.
Amerikanet kane nje shprehje per kete: “should be cruel to be kind”
Nuk ka ne vendin tone “prinder mizor” ata jane fare te paket dhe keshtu ne jemi te destinuar te vuajme e te keqtrajtohemi nga shumica “e bute”
Te faleminderit bir, qe me fale disa minuta mendim..
O Reldar!
Po pse je munduar kaq shume,o shoku per te thene ca fjale,qe i ke vendosur ne fund???
Po ku kane kohe te rinjte sot te vrasin mendjen kaq shume,sa ta fillojne nga greket e lashte e te mbarojne tek VICIDOLASIT e sotem???
Bjeri shkurt:
RINIA E SOTME ESTE E SHKATERRUAR MORALISHT,ARSIM-isht,KULTUR-alisht,ekonomikisht dhe shpresa per te ardhmen e saj KA VDEKUR!!!
Mbaruan se lulezuari PIRAMIDAT FINANCIARE,VRAME NJERI TJETRIN,tani vazhdojne ca PIRAMIDA TE TJERA KRIMINALE:UNIVERSITETET PRIVATE!!!
Shojne rinia 3-5 vjet plus 2 vjet master gjithsejt 7 VJET SHKOLLE e LARTE dhe pertfundon KAMARIER!!!!
Po ku ka pune per 10 mije te dipllomuar ne vit ne Shqiperi???
Te tere AGALLARE do behemi???
A nuk ka nevoje per USTALLARE ky vend???
Ja ne kete DEREXHE e solli rinine Sali Berisha:I genjeu me nje cope dipllome dhe u tha :VRAFSHI VETEN ME VONE!!!
Na ngaterrove mor djale..
Mos e kishe per nenen Shqiperi kete shkrim.
Reldar, komplimente! Mos u dekurajo sepse antishqiptaret nuk e durojne dot dashurine mes nesh. Vazhdo shkruaj, sepse te gjithe te lexojne edhe pse i pickon nga pak.