‘Pasqyra’ që nuk i fshihet kush
Nisur nga konteksti social në vend, testi real i lëvizjes LGBT, përtej avancimit të kornizës ligjore, kalkulimeve apo lobimeve politike, mbetet ballafaqimi në publik. Veçanërisht kur politika bën ‘politikë’, teza për avancimin e të drejtave ligjore me referencë martesën ndërkohë që vetë nocioni LGBT mbetet ende ‘alien’, nuk mund të mos provokojë perceptime kontradiktore në publik, nga ato që e shohin si të parakohshme apo spekulim, deri në intimidim.
Çdo gjë, kur me vend, do kohën e saj dhe përtej imponimit nga ‘lart’, rëndësi ka reflektimi ‘poshtë’. Në perëndimin ku duam të integrohemi, identiteti, pranimi dhe integrimi i komunitetit LGBT mori dekada dhe vetë avancimi i të drejtave me legalizimin e partneritetit është lajm i kohëve të fundit që shihet si evoluim i pritshëm për kohën dhe kontekstin social (ndonëse ende kontrovers në mjaft nga këto vende). Të drejtat e një grupimi zënë fill nga njohja dhe pranimi i tij, ndryshe, avancimi dhe imponimi apriori nga lart (lexo: larja e duarve formalisht nga politika) mund të shndërrohet në bumerang për vetë çështjen duke ndikuar shanset për debat racional dhe kohezionin social që presupozon. Përpara se të debatohen martesat gay, duhet mbyllur debati rreth identitetit në fjalë e tabuve që e rrethojnë dhe kjo përmes një shkëmbimi qytetar opinionesh në vijimësi, sado ekstreme qofshin, duke i dhënë publikut dhe kohës shansin të bëjë të vetën. Një debat ‘lart’ e ‘poshtë’ ky ku, se sa zhveshja nga paragjykimi i palëve (nga ‘liberal i degjeneruar’ tek ‘konservator anadollak’), merr rëndësi dëgjimi i tjetrit.
Protagonizëm me ‘maska’
Pavarësisht predispozicionit nga ‘lart’, çdo lëvizje sociale që aspiron të drejta, ka nevojë për protagonistë – emancipimi i femrës, lufta kundër racizmit etj. Përtej promovimeve të sponsorizuara ‘pink’ në mjedise komode me apo pa ambasadorë përbri, xhirove me biçikletë, zërave solo, kodimeve mediatike (psh. episodet transvestite në variete dhe marrja me të qeshur e idesë si dikur në perëndim) që tok me tjera mund të paragjykohen, deri si ‘konspiracion’, sfida e lëvizjes LGBT mbetet deklarimi haptas e angazhimi allatatchellist, pavarësisht ‘kostos’ në opinion, së pari nga individët VIP (në perëndim, emra të njohur në publik i përkasin komunitetit në fjalë). Ndërkohë që homofobia shpallet anormale nga ky komunitet, vetëkompleksimi patetik dhe sjellja prej ‘mize nën kësulë’ tek ‘belbëzojnë’ se nuk guxojnë të deklarohen sepse riskojnë diskriminim, jo vetëm paragjykon një shoqëri të tërë por është dhe tërheqje ndaj argumentit se ‘kjo çështje nuk është as në kohën, as në vendin e duhur’ dhe si debat i ‘pabukë’, veçse devijon vëmendjen nga të tjera çështje jetike në vend.
Debat si europian
Sfida e shoqërisë në këtë rast është shmangja e ‘debatit’ mes ‘shurdhëve’ që degradon në përplasje pasionante (deri agresivitet) mes palëve mbushur me etiketime, spekulime e presione reciproke nga të dyja krahët (sëmundje, anomali, degjenerim, herezi, injorancë, prapambetje, kusht për BE etj). Gjë që bën të domosdoshëm racionalizimin e tij përmes përfshirjes së sociologëve, gjenetistëve, teologëve e profesionistëve të tjerë si një shans më shumë që dilemat apo pikëpamjet deri diametralisht të kundërta nga ai nëse lind apo konvertohesh si i tillë, është anomali, stil jetese apo dukuri e natyrshme, raporti i moralit me martesën e familjen, ‘intervali kritik’ që përkufizon, efektet e deklarimit për inerci të orientimit seksual dhe paragjykimet që në kushtet e paqartësisë, episodeve të interpretueshme, rrethanave specifike etj mund të komprometojnë shanset për familje tradicionale më pas etj, të shpalosen dhe debatohen në tërë dimensionet duke i dhënë publikut shansin e reflektimit objektiv dhe në dinamik pavarësisht perceptimit ‘biem dakord që nuk jemi dakord’.
Me këtë çështje nuk duhet të spekulohet nga asnjëra palë, në radhë të parë nga politika tek dikton apriori. Ajo as nuk ka përse të lidhet me integrimin në BE (bërjen e gjërave formalisht) dhe as të paragjykohet apriori. Sesa rezultati i debatit, rëndësi ka qasja e tij dhe nëse ai është test, sesa për integrim në BE, është për t’u ndjerë perëndimor.
Ndjeshmëria e një simbolike
Martesa dhe familja janë institucione që pavarësisht larmisë së përkufizimit, apriori, tradicionalisht dhe simbolikisht njihen si domein i një lidhjeje heteroseksuale (me bekim teologjik apo jo) me synim rigjenerimin e jetës (ndonëse variacionet shkojnë deri në absurd – martesa me të moshuar, çift që nuk dëshiron fëmijë, i divorcuar me fëmijë të adoptuar etj). Dhe nëse ‘copyright’ i martesës dhe i familjes merret i mirëqenë, rishikimi i kësaj statukuoje dhe i ndjeshmërive që ngërthen, rrjedhimisht debati i të drejtës legale të kujtdo për partneritet dhe familje, nuk mund të mos ndikohet nga debati për spektrin e përkufizimit të vetë martesës e familjes dhe alternativave në emërtim (p.sh. legaliteti i ‘partneritetit civil’ në perëndim).
Familja tradicionale ka qenë dhe mbetet themeli i shoqërisë dhe ruajtja e balancave në formë dhe përmbajtje që nuk provokojnë panevojshmërisht idilizimin e saj, mbetet sfida e progresit social. Veçanërisht në kushtet kur integriteti i saj provokohet gjithnjë e më shumë nga plagë të atilla të shoqërisë moderne si droga, prostitucioni dhe pornografia lehtësisht e arritshme, varfëria, dhuna në familje, industria e basteve, mungesa e ligjit (tundimi për të imituar atë që abuzon dhe ia hedh paq me ligjin), mërgimi kaotik, kriza e besimit fetar (liderët fetarë kanë shumë për të bërë që të frymëzojnë sipas shembullit të Nënë Terezës), autoriteti në rënie i shkollës, obsesioni me famën me çdo kusht dhe imitimi i stilit të jetesës së ‘yjeve’, epidemia e divorceve e shkeljet e kurorës, vakumi apo braktisja e moralit dhe virtyteve që të lënë pa ‘bukë’, zhbërja e traditës së fqinjësisë së mirë, presioni materialist i grupit, kapitalizmi pa rregulla dhe pasiguria në punë e kryefamiljarëve, mungesa e ‘censurës’ pro-familje ndaj fjalorit banal në ekran dhe rrugë, imazhet grafike të dhunës apo seksit në media, industria agresive e lojërave, apelet jo etike marketing etj. Nga ana tjetër, reflektimi duhet të jetë reciprok për të shmangur publicitetin kontrovers sikurse do të ishin paradat e ‘krenarisë’ si në perëndim që ngërthejnë imazhe në vetvete jo dinjitoze që japin material për akuzat për degradim. Jo se publiku nuk është i përgatitur për kësi ‘shfaqjesh’ (kurrë mos qoftë dhe sigurisht që nuk janë test për BE) por se çdokush ka të drejtën e mosintimidimit ndaj vlerave që beson dhe i mëkon familjes së tij.
Gjërat kanë radhë
Ndërkohë që sfida LGBT mbetet mirëkuptimi përtej kornizave ligjore, retorika ‘nuk është koha, nuk është vendi’ degradon në alibi për një shoqëri që i thotë vetes europiane dhe, nëse gjërat nuk mund të përshpejtohen, ato nuk kanë pse të lihen qëllimisht pas ‘dere’.
Por nëse iniciojmë debat për to, kurrsesi duke zvarritur gjëra për të cilat edhe sot është vonë. I ngujuari nga gjakmarrja, skllavja trotuareve të seksit, i pastrehu, i urituri, i sëmuri që nuk i dalim zot në spitalet tona etj motra dhe vëllezër që përjetojnë dramë çdo minutë, janë ‘faqja e zezë’ e jona e përbashkët që shndërron çdo gjë tjetër në ‘luks’. Kushdo ka të drejtë të jetë vetvetja dhe t’i respektohet intimiteti i tij por, nëse gjithçka është e pamundur njëkohësisht, gjërat kanë radhë. Dhe kjo lyp mirëkuptim nga të gjithë.
Mesazhi I duhur per shoqerine shqiptare. Vetem se fjalite jane shume te gjata.
Keni rrjedhur nga trute.Nuk na duhet Evropa me Homo. Neve jemi nga natyra ETER; Homot e kane vendin ne BURG , sepse kane dale jashte ligjeve te Natyres,jashte zotit. Ata jane vetem mjerane.