Tetë vjet më parë, luftën kundër korrupsionit rozë, premtoi ta bëjë dhe vetë Berisha. Çoi male të tërë me dosje në prokurori, e akuzuan dhe për gjueti shtrigash politike, por pothuaj asnjë nga to nuk u noterizua me fajësi nga gjykata. Dhe kjo ishte dhe një nga arsyet në morinë e arsyeve që ndëshkuan qeverisjen blu
Nga Lorenc Vangjeli
Nëse një i huaj do të zbriste të enjten në Rinas dhe do të dëgjonte të përkthyer fjalimet në Kuvend, me siguri do të keqkuptohej me të vërtetën. Do të bindej se pakica e sallës kishte dekada në opozitë si pakicë dhe shumica e saj, kishte po dekada në qeverisje. Dhe do të ishte bindje e pafajshme. Për 30 ditët e pushtetit “purple”, Sali Berisha dhe të tijtë ngritën gishtin kërcënues dhe kërkuan hesap pa hesap. E bënë të gjithë dhe mirë bënë. Fundja kjo është detyra e opozitës. Edhe të ekzagjerojë në kritikat e saj plot helm sepse Doktori, si Doktor që është, e di mirë se shumë nga medikamentet që shërojnë, në fakt, prodhohen nga helmet. Edhe kur kanë efekte anësore. Problemi qëndron tek morali. Problemi qëndron tek kontrasti. Eshtë e vështirë që kostumi i bojaxhiut t’i thotë një këmishe së bardhë piktori me ndonjë njollë aty-këtu: ti je e qelbur! Edhe pse njolla e këmishës bie më shumë në sy se gjithë vuratat e kostumit të punës së bojaxhiut. Edhe pse çfarë ishte një punë e ligë e djeshme, nuk është justifikim për mundësinë e punëve të liga në të sotmen. Grija e mundshme nuk mund të justifikohet se është më e bardhë se e zeza!
Megjithatë, lajmi i vërtetë i seancës maratonë të së enjtes ishte tjetër kund. Ishte tek rikthimi i sfidës që Sali Berisha, mendja, goja dhe krahu i opozitës i bëri maxhorancës së sotme dhe praktikisht edhe maxhorancës së shqiptarëve të 23 qershorit. “…unë i them kryetarit: Çdo fletë, çdo qindarkë që të gjesh keq në administrim, duke nisur nga Sali Berisha e deri tek punonjësi më i thjeshtë, je i ftuar dhe i lutur ta çosh në prokurori me shpejtësi”. Në 23 qershor, shqiptarët besuan në shumicë se Berisha dhe të tijtë ishin, veç të tjerash, edhe të korruptuar. Dhe në atë 24 orësh votimi, shqiptarët mbi 18 vjeç, ishin edhe prokurorë, edhe gjykatës dhe e dhanë vendimin e tyre. Duke ja deleguar qeverisjes së re detyrën për të vënë drejtësi. Pra, për të ndëshkuar të korruptuarit e djeshëm, që pushtetarët e sotëm e kanë bërë si premtim solemn. E bëjnë dot? Ekzekutivi nuk është as organ akuze, as trupë gjyqësore. Por ekzekutivi duhet të ketë vullnetin politik dhe mbi të gjitha guximin dhe këllqet e nevojshme për t’u përballur me paraardhësin e tij. Përballë prokurorit dhe gjykatës. Shumë shqiptarë do të preferonin më mirë një pjatë supë më pak në tryezën e tyre përpara përmbysjes së tryezës së paligjshme të mbushur me menu korrupsioni. Ky do të ishte ngushëllimi i parë, njerëzor, moral dhe politik për varfërinë, për të varfrit e bërë më të varfër dhe për të pasurit e zhytur në borxhe më keq se të varfrit. Dhe kjo është vetëm një anë e çështjes. 21 Janari është tjetër plagë që mund ta shërojë vetëm drejtësia! Natyrisht edhe Gërdeci nuk mund të gjejë qetësi me përfundimin e rindërtimit të shtëpive të shkatërruara dhe ndëshkimin e pak bedelëve, civilë e ushtarakë, të fajit.
Tetë vjet më parë, luftën kundër korrupsionit rozë, premtoi ta bëjë dhe vetë Berisha. Çoi male të tërë me dosje në prokurori, e akuzuan dhe për gjueti shtrigash politike, por pothuaj asnjë nga to nuk u noterizua me fajësi nga gjykata. Dhe kjo ishte dhe një nga arsyet në morinë e arsyeve që ndëshkuan qeverisjen blu. “Purplet” e rinj në pushtet nuk kanë shumë kohë të presin që të mësojnë se e njëjta derë qëndron e hapur sa kohë që akuzat spektakolare në qortimin e qeverisjes së djeshme, nuk kalojnë në dyert e prokurorisë dhe gjykatës. Këtu nuk ka dhe nuk mund të ketë as amnisti dhe as amnezi. Ndryshe, të huajt që do të vejevijnë nga Rinasi, do të vazhdojnë të besojnë se në këtë vend mund të bësh gjithçka dhe të mos ndëshkohesh. Dhe për këtë arsye, mund të na ndëshkojnë kolektivisht me etiketën jo fort të pamerituar se ende si shqiptarë, kemi punonjës shteti që qëllon edhe që qeverisin, por nuk kemi shtet. Të paktën si ai model shteti që ndodhet në Perëndim, këtej e andej Atlantikut.
*Revista JAVA