Rikthimi simbolik i Milosheviqit në Kosovë

26 Tetor 2013, 19:07Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

 

Intenca parësore dhe alfa e omega e politikave kombëtare të “vozhdit” të fundit serb Slobodan Milosheviq ishte mbajtja e Serbisë në Kosovë me çdo çmim.

Dhe kjo ide e vjetër serbe e çoi atë në luftë, e cila përfundoi më 10 qershor 1999, pas sulmeve 78-ditëshe ajore të NATO-s.

Lidershipi aktual serb duket ashiqare se nuk ka ndërruar mendje, me gjithë paralajmërimet e BE-së që nuk do të ketë integrime pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kryeministri serb Ivica Daçiq, në Graçanicë, më 19 tetor e përsëriti këtë slogan: “Votoni që ta mbani Serbinë në Kosovë”.

Dhe kjo fjali, ndonëse kryeministri kosovar Hashim Thaçi nuk e ka kuptuar si të tillë, është fjalia e tërë shekullit të kaluar, që po rizgjohet në dekadën e dytë të shekullit XXI.

Kryeministri kosovar po luan lojëra inatçore, së pari brenda partisë së tij të çarë dhe së dyti me opozitën e përçarë, duke shkuar përtej një marrëveshjeje shtendosëshe mes Kosovës dhe Serbisë, në partneritet partiak me homologun e tij serb dhe partinë e tij SPS!?

Pakti mes Daçiqit dhe Thaçit, serbit i shërben për të marrë lavde dhe pluse në Bruksel, kurse të dytit, kosovarit, i shërben për eliminimin e protagonistëve në shtëpi, fraksionistëve në partinë e tij dhe opozicionistëve në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë partneritet Thaçi e Daçiqi synojnë ta ruajnë pushtetin në staus quo, sepse asnjëri nuk ka as vullnet politik dhe as guxim qytetar që ta ndryshojë  gjendjen e konfliktit të ngrirë në veri.

Dhe ky partneritet është trekahor: Thaçi e ndihmon Daçiqin  t’i “sundojë” serbët, e ky ia kthen duke i ndihmuar Thaçit t’i “sundojë” shqiptarët, e që të dy marrin lëvdata nga baronesha Ashton, duke qenë se të dytë janë nën regjimin e “shkopit dhe karotës”, pra “të sunduar” nga Brukseli!?

Dhe, se kush ia qorton homologun e tij serb Ivica Daçiq, kosovari ndihet i zemëruar, sipas maksimës “armiku i armikut tim është miku im”!?

Madje, kryeministri kosovar fajin ua hodhi gazetarëve që nuk e paskëshin kuptuar “gjuhën e Daçiqit” ose “e paskëshin keqkuptuar”!?

Po cila është e vërteta?

Kryeministri kosovar vepron nga zona gri – sepse është futur tashmë brenda vorbullës ku ndërlidhet krimi i organizuar me institucionet e shtetit – ai thjesht e ka marrë pushtetin me ndihmën e banditëve të shërbimit sekret i cili kombinonte brutalitetin, frikën dhe nivelin ekstrem të korrupsionit dhe fabrikimin industrial të votës.

Pasi që e ka defunksionalizuar Kuvendin e Republikës përmes puçit të bardhë – duke e bojkotuar me partinë e tij në pushtet punën e tij – Thaçi  së fundi po e luan autoritarin edhe në Qeverinë e tij. Përplasjet dolën në shesh, së pari me zëvendësin e tij të parë, Hajredin Kuçi, i cili deklaronte me një siguri të pamatur se liderëve serbë do t’iu ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, e pastaj shefi i tij lavdëroi Daçiqin që erdhi, dhe tha: “Serbia mbetet në Kosovë”.

Pastaj Thaçi me nxitim doli ta demantonte zëvendëskryeministren Edita Tahiri, ngase ajo pati thënë se fjalimi i Daçiqit ishte kundër frymës së marrëveshjes së 19 prillit.

Thaçi pasi shpotiti gazetarët se “e kanë keqkuptuar” Daqiçin, e lavdëroi atë se “po i kthyeka serbët nën institucionet e Kosovës”.

Kësaj retorike po të ishte gjallë vetë Milosheviqi do t’i përgjigjej: “Malo Morgen.”

Ishte viti 1991.

Ishte viti i fundit i Luftës së Ftohtë dhe u shënuan lufta e parë e Gjirit, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërja e përgjakshme e Federatës jugosllave. Në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë së RSFJ-së në Beograd, slloveni Janez Drnovshek deklaroi se Sllovenia edhe formalisht do të nisë procedurën e shkëputjes nga Jugosllavia. Në vërejtjen e maqedonasit Vasil Tupurkovski se “në rast se  del nga Jugosllavia vetëm një nga republikat, federata më nuk ekziston, e Milosheviqi i përgjigjet “malo morgen!”.

Kompozita është ndërtuar nga fjala serbe “malo” (pak) dhe ajo gjermane “morgen” (nesër). Në serbishte ka ekzistuar shprehja “malo sutra”, (pak nesër?), porse duke ia ndajvënë shprehjen gjermane ky mohim fuqizohet në shkallë cinizmi.

Ndërsa shqiptarët kur nuk pajtohen me ndonjë kërkesë të çastit me cinizëm thonë: “Nestra” (idiomë për nesër.)

Por t’i kthehemi tregimit me Serbinë brenda Kosovës.

Së paku në brendësi të Kosovës serbët kishin një temp solid të integrimit në institucionet kosovare.

Mirëpo ndërhyrja e Daçiqit dhe partisë së tij SPS duke krijuar listën “Srbija” (më pas “Srpska”) në Kosovë e dërrmoi këtë solucion, duke ua rizgjuar ndjesitë e të qenit “serbë të Serbisë”.

Kryeministri Thaçi fillimisht pati thënë se regjistrimi i nismës qytetare (surrogatit të SPS-it në Kosovë), me emrin “Srbija” nuk ishte i kundërligjshëm, porse kundër frymës së marrëveshjes së 19 prillit.

Pastaj kur Daçiqi erdhi në Graçanicë dhe inkurajoi serbët të dalin në votime “për ta mbajtur Serbinë në Kosovë”, Thaçi e lavdëroi atë, duke e dëgjuar atë që tha homologu i tij, jo siç e tha, por siç kishte qejf Thaçi të thoshte.

I humbur në përkthim, Thaçi tha: “E falemnderoj kryeministrin Daçiq që u bëri thirrje serbëve kosovarë që të përfshihen në institucionet e Kosovës”!?

Porse, kur Daçiqi pak ditë më parë i çoi selam mediatik se në dialog lehtë mund ta zëvendësojë atë me Edi Ramën, kryeministri kosovar s’u bë i gjallë.

Heshti, sepse s’ka guxim qytetar as politik të flasë.

E më këtë heshtje e mohoi faktin se Republika e Kosovës ka adresë në Prishtinë e jo në Tiranë!?

Këtë mosguxim dhe mungesë të vizionit për kombndërtim të Thaçit e kanë hetuar tashmë edhe serbët kosovarë, që askush nuk i nget nëse nuk i janë luajalë Kosovës.

Madje një serbizëm i ri i valës më të re po depërton edhe në Kosovën tjetër, pos veriut, ku deri tashti serbët me gjysmë goje pranonin kosovarizimin, ndërsa pas ndërhyrjes së Daçiqit, ata po thonë se nuk janë kosovarë, por serbë të Serbisë!

Natyrisht, këto ndjesi etnike tek ata i ka ushqyer “Serbia (e Daçiqit) në Kosovë”.

Tërë klasa politike serbe e mbrujtur nga nacionalizmi egalitar, që nga Dobrica Qosiq (në vitet ’70 dhe ’90)  përmes Zoran Gjingjiqit, Boris Tadiqit e deri tek ish- zëdhënësi i Milosheviqit, Daiçiq, ishin dhe i mbetën besnikë idesë së Serbisë së madhe duke e përfshirë në të edhe një hise nga Kosova.

Kur para tre vjetësh ish-kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, disa herë dërgonte këso haberesh se ai donte të bisedonte me ish- kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, për ndarjen e Kosovës, ish-kryeministri shqiptar u ndie pothuajse Skënderbe, ndërsa edhe disa subjekte politike të spektrit nacionalist në Prishtinë e përkrahnin këtë ide.

Ndërsa tashti kur Berisha është pensionuar, e në vendin e tij është Rama, e hedhin poshtë mundësinë që Rama të bëjë pazare me tokën e Kosovës!?

Konfuzioni identitar, padija dhe politikëbërja me hez e hove është armiku më i madh i shqiptarëve kosovarë.

Vizita e kryeministrit  të Serbisë, Ivica Daçiq, në Kosovë është politike, sepse ai është i pafe – një kriptokomunist i linjës fashiste, kurse shfrytëzimi i kësaj vizite nga ai për t’i inkurajuar serbët që të votojnë “për Serbinë në Kosovë”, jo vetëm që është kundër frymës së Marrëveshjes së 19 prillit me Prishtinën, por thirrje për ndarjen e Kosovës, gjë që është kundër parimeve të panegociueshme të Grupit të Kontaktit, kundër Pakos Ahtisaari dhe mbi të gjitha është në pajtim të plotë me fashizmin e Milosheviqit.

Në këtë “projekt” të tij obskurantist, Thaçi ose ka shti inat me tërë popullin e Kosovës, ose është në lajthitje të plotë, në këtë rast, sepse Daçiqi nuk ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës, e me këtë hov ajo (ndarja pra) e shpërbën vetë idenë e shtetit të Kosovës dhe vërtet kjo çon ujë në mullirin serb të bluarjes së politikave të fqinjëve të saj, ngase palë negociuese nuk do të ishte tutje Prishtina por Tirana!?

E gjendja në terren, në veriun e Kosovës është anarkiste.

Atje po përplasen bosët lokalë të mafisë serbe që ka bashkëpunuar rrastë me atë shqiptare dhe me klerofashizmin serb, në një anë, kundër secilës mundësi për të vënë rend dhe ligj nga kushdo qoftë, në rend të parë me trupat speciale të Beogradit dhe me serbët e moderuar.

Përderisa Aleksandar Vulin në një fjalim të mëhershëm theksonte se në Serbi po forcohet fashizmi, ai vetë vjen ilegalisht në Kosovë, një këmishëzi që mban në mëngë emblemën e Serbisë, inkurajon strukturat ilegale që të jenë të padëgjueshme karshi Prishtinës zyrtare, e pastaj sërish shefi i tij Daçiq ankohet se serbët po i hedhin bomba njëri-tjetrit, për t’i prishur punë kështu Serbisë për “rikthim” në Kosovë.

Tolerimi i gjatë i paligjësisë dhe kaosit në veri të Kosovës e ka bërë të pafuqishëm edhe vetë Beogradin (pushtetin aktual), ngase jo të gjithë serbët e duan Daçiqin dhe ky i fundit, së paku simbolikisht po do të shkëputet nga kjo trashëgimi, që nesër nëse ndodhin tensione të intensitetit më të lartë atje, qoftë përplasje me KFOR-in, policinë e EULEX-it apo atë kosovare, kryeministri serb dhe qeveria e tij të kenë alibi për të ikur nga përgjegjësia.

Prandaj në veri të Kosovës në skenë është terrorizmi i hapur, duket se nga ky rajon i kanë çuar duart edhe strukturat e sigurisë së Kosovës, (Policia, AKI-ja etj.), por edhe vetë MUP-i i Serbisë, për të cilin kanë punuar deri më tashti bombahedhësit.

Së fundi, prania permanente e faktorit Beograd, në këtë fushatë zgjedhore, po e lëkund shtetësinë e Kosovës jo vetëm në veri. Beogradi fillimisht po tenton ta instalojë një entitet serb në Kosovë, që pastaj ta ketë më të lehtë shmangien e dialogut në Bruksel dhe hyrjen në ndonjë rrafsh tjetër negociimi dhe me faktorë të tjerë relavantë botëror, për ndarjen përfundimtare të Kosovës.

Ivica Daçiq u kthye në Beograd, thuajse triumfues, duke lënë shumë pluhur mbrapa.

Beogradi është duke u munduar që me anë të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë ta montojë një etnitet politik serb brenda vendit.

Në rast se Bashkësia e Komunave Serbe do të përfillte ligjet e Kosovës, nuk do të paraqiste përçarje e mosfunksionalitet të shtetit. Mirëpo, atë që po e synon Beogradi është të krijojë një etnitet të ri politik, brenda kufijve potencialë të të cilit Prishtina nuk do të kishte kurrfarë pushteti, duke i mbajtur tensionet dhe frikën në skenë, që më vonë të paraqesin sy bote opsionin e ndarjes.

Pas ndërhyrjes së Daçiqit, zgjedhjet në Kosovë më nuk janë kosovare.

Serbia është lëshuar në një aventurë të re e të kamufluar ekspansioniste në Kosovë, para së cilës bashkësia ndërkombëtare ka marrë rolin e spektatorit.

Përmes Asociacionit të Komunave Serbe, Serbia mësyn minimin e Marrëveshjes së 19 prillit, (për të cilën edhe ashtu pak dihet në Prishtinë).

Presionet e Brukselit mbi Prishtinën zyrtare, me arsyetimin që të mos nxiten tensionet me Beogradin, sipas parimit prijetar të BE-së: zvogëlim dhune në kufijtë gjeografikë të Evropës përditë dhe me çmim sa më të ulët po prodhojnë efektin e kundërt, me vizitat e zyrtarëve serbë, të cilët duan ta marrin mbështetjen e Thaçit për ta mbajtur së paku simbolikisht “Serbinë në Kosovë”.

Dhuna simbolike në të parë është e padëmshme, dhe kështu duket se mendon edhe Thaçi, porse ajo zbeh besnikërinë e shtetasve të tjerë ndaj institucioneve të shtetit duke i dhënë atij gjithnjë e më pak dashuri.

Dhe në këtë detaj fshihet vetë djalli.

Serbia nga agresioni i hapur gjatë viteve ’90 ka kaluar në misione sekrete, duke u krijuar vetë kosovarëve ndenja armiqësore për republikën e tyre, që disa s’e duan sepse e duan Shqipërinë, disa të tjerë s’e duan sepse e duan Serbinë, e të shumtit s’e duan sepse nuk e duan qeverisjen e krimit dhe korrupsionit!

Dhe shtetin e identifikojnë me burimin e së keqes: Qeverinë e Hashim Thaçit!

Prandaj qytetarët me dalje masive në zgjedhje duhet ta nxjerrin në opozitë partinë e tij, PDK, e cila nga ndjenja e fitueses së luftës dhe nga mujshia, duke i trajtuar shumicën e qytetarëve të tjerë të vendit si të mundur në luftë, shi nga padija dhe lakmia, ka përfunduar në zonën e përhimtë, nga e cila vështirë të dalë pa ndërhyrjen e gjykatave.

PDK dhe Thaçi të shpushtetizuar me vullnetin e votës popullore, së pari duhet të mësojnë leksionin e parë të shtetbërjes: kohezion të brendshëm, sundim të ligjit dhe edukim, solidarësi (miqësi qytetare) dhe besnikërinë ndaj atdheut.

*KOHA DITORE

3 komente në “Rikthimi simbolik i Milosheviqit në Kosovë”

  1. PDK dhe AAK, edhe luftes kur i kan hy, kann hy per te marr diqka dhe jo per te dhen diqka, kjo ashte tregu si ne lufte, si pas luftes dhe natyrisht edhe sot jan po keto dy parti qe krimin, vjedhjen e shtetit, haraqin etj. e kann moto… Kosova, per deri sa, kesaj kaste tu jep shanc, kosovaret do te shtohen ne rrefugjat nen urat e Lionit, dhe ne kampet hungareze!

  2. Dardan says:

    Nuk munde te karahasosh deklaratetn e nje miku me deklaraten e nje armiku ooo Halil Matoshi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje