Hetoni Berishën, se vetë e kërkoi!

25 Tetor 2013, 20:26Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Nuk di që Sali Berisha të jetë treguar kaq i hapur për t’u hetuar për çdo keqadministrim fondesh publike se sa në seancën e fundit plenare të Kuvendit ku diskutohej ndryshimi i buxhetit të vitit 2013. Ndoshta e ka pas bërë në pozitat e të plotfuqishmit, kur kishte edhe gurin edhe arrën në dorë. Por, në pozita të dobësuara, ku s’ka më asnjë lloj pushteti politik që të diktojë mbi pushtetet e tjera, unë s’mban mend që ai të ketë treguar këtë gatishmëri.

Duke diskutuar mbarë e prapë, siç di vetëm Berisha të diskutojë, me akuza për vjedhje nga qeveritarët e sotëm 40 ditorë, që në fakt të përforcojnë bindjen se ishte duke shprehur pikërisht gjithë metodologjinë e ndjekur për 8 vite me radhë në fushën e vjedhjes dhe tjetërsimit të të mirave dhe pasurive publike në duart e një grupi klientësh afër e brenda Familjes, ish kryeministri Berisha tha: “…Keni marrë një fushatë të egër kundër bizneseve, sulmesh, dhe zotërinj i them kryetarit tuaj se çdo qindarkë që do të gjesh si keqadministrim, filloje nga Sali Berisha deri tek zyrtari më i thjeshtë dhe dërgoje në Prokurori…”

Dihet se në këtë vend, ashtu siç jemi gatuar për këto 23 vjet demokraci, ku secili pushtetar ka bërë çka dashur dhe në fund ka shpëtuar pa u lagur, të nisësh një hetim për një politikan të rangut të lartë që deri dje ka qenë në krye të ekzekutivit dhe të opozitës, krijon atë pështjellimin e pakuptimtë që vjen prej një lloj kompleksiteti se mos ndërmarrja e një hapi të tillë e kthen të akuzuarin në hero.

Kemi një precedent negativ të së kaluarës me rastin Nano, por qe pikërisht Berisha ai që me burgosjen e tij krijoi perceptimin e gabuar se po nise një hetim me përfundim çuarjen pas hekurave të një politikani të këtij rangu, është patjetër një lloj hakmarrje ndaj kundërshtarit politik.

Pikërisht nga të qenurit i kompleksuar, edhe vetë Nano, pas trazirave të vitit të mbrapshtë ’97, që çuan në rrënimin e plotë të shtetit, e toleroi hetimin dhe gjykimin e Berishës si personi përgjegjës për atë katrahurë. “Nuk dua që Berisha të dënohet, sepse s’dua që ai të kthehet në hero”, ishte argumenti i përdorur.

Por, kur flasim për hetim, gjykim dhe dënim, kemi parasysh që gjithçka të jetë brenda kuadrit ligjor, e bazuar në prova dhe fakte të pakundërshtueshme. Në këtë rast, hero nuk është i akuzuari, por ai që dërgon pranë organeve ligjore dosjen me shkeljet e personit abuzues.

Çfarë ndodh kur për hir të mos kthimit në “hero” të një shkaktari të një gjëme kombëtare, ai tolerohet dhe lihet në heshtje? Ndodh ajo që pas një periudhe të caktuar, qoftë kjo edhe 8- vjeçare, ai të pësojë një rehabilitim vetiu dhe të rikthehet si triumfator në pushtet, bile duke patur si kauzë “Duart e Pastra”, ndonëse vite më parë ka pas qenë kampion i “Duarve të Pista”.

Nuk mund ta paragjykoj tanipërtani kryeministrin Rama nëse ka ndërmend të hulumtojë në të kaluarën 8 vjeçare të paraardhësit për të gjetur shkelje e për t’ia dërguar organit të Prokurorisë. Është ende herët për të gjykuar, pasi mbledhja dhe përpunimi i dokumenteve dhe plotësimi i një dosje me fakte e argumente, do kohën e saj me qëllim që të mos jetë e interpretueshme nga pala tjetër.

Megjithatë, edhe nëse s’e ka pasur në plan ta bëjë, duhet thënë se pas deklaratës së Berishës, kryeministri Rama dhe qeveria e tij i kanë të gjitha mundësitë për t’ia nisur punës në këtë drejtim, pa u paragjykuar se kjo po bëhet për qëllime politike. Deklarata e Berishës nuk lë asnjë mëdyshje përsa kohë ai vetëkërkon që të çohet në Prokurori po iu gjetën qindarka të keqmenaxhuara. Do mjaftonte kjo sekuencë televizive ku Berisha tregon zell për t’u hetuar personalisht deri tek më i thjeshti zyrtar, për t’ia mbyllur gojën çdo lloj akuze, nga brenda e jashtë vendit, në drejtim të qeverisë.

Çdo tolerim për së dyti, për hir të kushedi çfarëdolloj “heroi” imagjinar, s’do bëjë gjë tjetër po atë që Berishën me gjithë kastën e tij të rrëzuar më 23 qershor, t’i kemi përsëri në krye të kauzës “me duar të pastra”. Dhe, në iu dhëntë sërish mundësia për të qeverisur, s’kanë për t’u treguar të dhimbsur me asnjë lloj politikani të sotëm, edhe sikur ata të kenë shpërdoruar të gjithë bashkë, për 8 vjet, qoftë edhe një qindarkë të vetme.

4 komente në “Hetoni Berishën, se vetë e kërkoi!”

  1. antonio says:

    Po pse leje duhet t’i merret Berishes per ta HETUAR???

  2. tironsirefugjat says:

    Ky qendrim dhe ky propozim qe nga tribun e parlamentit hedh dorezen ky kriminel i pandreqshem ,i pandergjegjshem per cka i ka ber ktij vendi,tregon ose doli plotesisht nga faza ose diku e ka lidhur gomarin dhe po sfidon ,e provokon te na tregoj qe nuk e rruan fare per forcen e sovranit qe e hodhi ne plera !Vazhdon se edhe kur ka ber edhe me keq perseri ka dal lugat e esht tallur me ne! Nxitohet dhe luan sepse akoma miqt e tij te brendshem (nuk po dua te di per ata jasht qe Gjergji ne komentet e tij na sqaron boll) me ne krye ish kapterin dhe me ish servilet e bler ne drejtesi ,mendon se do ja hedh bythes e te mbyllet ceshtja SRB e ngarkuar me shum gjynahe ! Jo or dinak kriminel ,pa u crrenjosur fara yte e keqe qe mbylli syt kto 23 vjet nuk po nxitohet kush te te coj per gjykim te “kadiu” !Meqe e kerkove vet shum mir se nuk do lem pa ja kujtuar e kerkuar Edi Rames se ky esht guri proves per ate cka i dhan voten 1 milion shqiptar! Prit se mezi e presim ate dit, por kur pritem 23 vjet do presim dhe ca ….se ky vend ska per te par hajer sa koh nuk ka ndeshkim…..

  3. Be-X says:

    nuk eshte e lehte Z.mero, pershkak se eshte veriu i shqiperise dhe nje pjese e jugut qe jane pasuruar keto 8 vite dhe do perpiqeshin qe heroin SALEH ta benin edhe legjende.prandaj le te merren me kembet e tavolines, sepse tavolina pa kembe nuk i ngelet gje tjeter vecse te vetvarroset.

  4. Lori says:

    Jam kurioz te dij nese e disponon akoma “BLACBERRY” e dhuruar nga miqte Kineze per punet e pista te kryera ,apo e ka dorezuar ne qender!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje