Qytetari shqiptar përballë sistemit

22 Tetor 2013, 21:20Blog TEMA

Nga Besnik Gjongecaj

 

Ndaj sistemit që ia ndërtuan të tjerët, qytetari shqiptar ose ka qenë indiferent, ose ka punuar që ai, sistemi, të bëhet edhe më çnjerëzor, edhe më i pashpirt, edhe më i padrejtë. Qytetari shqiptar është sjellë ndaj tij, në thelb, ashtu si njeriu sillet ndaj një gjëje të huaj, që nuk i përket atij, por të tjerëve, dhe në rastin më të keq, si ndaj një pasurie të vjedhur apo të lënë rastësisht në duart e tij nga të tjerë, të panjohur, të largët. Në këtë kontekst, prandaj, ishte sistemi ai që në fund të fundit i ndau shqiptarët të paktën në dy grupe. Në grupin e njerëzve të thjeshtë, të pamundur për t’u ndeshur me të ose të destinuar të mundeshin në rast se ndesheshin; dhe në grupin e horrave, që jo vetëm nuk u shkoi mendja të ndesheshin me sistemin e padrejtë, por përkundrazi, e stimuluan atë, punuan që të bëhej edhe më i padrejtë, edhe më i pashpirt, edhe më çnjerëzor, sepse vetëm kështu, ai, sistemi, mund të vihej në shërbimin e tyre, barbarëve. Është një fakt i pakundërshtueshëm se në këtë të fundit, pra në grupin e barbarëve, horrave, përfshihet një pjesë e madhe e njerëzve të administratës publike të qeverisjes që shkoi. Është një nga rastet unike gjithashtu, se si përballë padrejtësive të panumërta, përballë deformimeve të rënda të sistemit, madje përballë krimeve që autoritetet e tij kryen për të mos humbur pushtetin apo për ta kriminalizuar më shumë atë, nuk u gjet një zë në administratën publike që të dilte kundër, të denonconte, të jepte dorëheqje publike, për të dhënë, në fund të fundit, një shenjë sado të vogël rezistence ndaj së keqes. Ky është ndoshta edhe shkaku më i thellë pse qeverisja e sotme duhet të mos ketë pikë hezitimi në ndërrimin e administratës publike të trashëguar. Njerëzit që kanë punuar në të janë shembulli më i mirë se si nuk duhet të jetë një shërbyes publik (public servant). Është një administratë publike që nuk i shërbeu kurrë publikut, dhe nëse e bëri këtë gjë ndonjëherë, u detyrua nga të tjerë, nga të huaj. Si në trupin e sëmurë nga kanceri, administrata publike e këtij vendi gjatë tetë viteve të shkuara nuk bëri gjë tjetër vetëm se ndihmoi në përhapjen e metastazave të tij. U bë shtrati më i gjerë në përhapjen e korrupsionit, në përhapjen e një harbutërie që e mbyti etikën aq sa asnjë nuk e di nëse ajo, etika e nëpunësit të shtetit, do të mund të rilindë edhe njëherë në këtë vend. Nëpunësi i shtetit u bë simbol i makutërisë, i imoralitetit, varrmihës i të gjitha virtyteve dhe fisnikërisë që shqiptari është munduar t’i ruajë dhe t’i përcjellë në krejt historinë e tij. Nëpunësit e administratës së shkuar u shndërruan në lajmëtarë të sistemit të padrejtë, të një sistemi pa pikën e moralit dhe si të tillë, sepse ndodheshin në pozicionin më të vëzhguar të shoqërisë, kanë bërë dëmin më të madh që mund të bëhej në këtë vend, duke krijuar shembullin e një qytetari të padenjë, që vjen e bëhet gjithmonë e më pak qytetar. Si çdo e keqe tjetër, profili i padenjë i shërbyesit publik të administratës që po ikën u përhap me shpejtësi, duke ndihmuar më shumë se asgjë tjetër në rënien e cilësisë së qytetarisë në këtë vend, në çmontimin e vlerave qytetare të shqiptarëve dhe në fund të fundit, në përgatitjen ende shumë të ulët të këtij vendi për demokraci. Në bërjen e sistemit edhe më të padrejtë, edhe më të pamoralshëm, edhe më çnjerëzor.

Universitetet shqiptare janë universitetet më tipike që demonstrojnë paradoksin se si zbatimi i një standardi demokratik, në vend që të prodhojë zhvillim apo progres, prodhon të kundërtën, rrënimin. Zbatimi i zgjedhjeve të autoriteteve dhe strukturave në universitetet shqiptare e demonstron këtë gjë. Universitetet nuk janë terreni i vetëm institucional ku ndodh kështu. Për shkak të statusit si institucione autonome, universitetet vetëm se e vënë më shumë në dukje këtë paradoks. Kështu ndodh në fakt në fushën e arsimit në përgjithësi, kështu ndodh në fushën e shëndetit publik, kështu ndodh në drejtësi, kështu ndodh veçanërisht në fushën e trajtimit të burimeve njerëzore në administratë. Le të marrim vetëm këtë të fundit. Nuk ka pothuajse asnjë ndryshim thelbësor midis standardeve të vendosura për konkurrim në Shqipëri dhe atyre të vendosura në një vend tjetër. Njerëzit, gjithsesi, ngurrojnë të konkurrojnë nëse nuk kanë një lidhje të veçantë me organizuesit e konkurrimit, nëse nuk kanë krijuar mundësinë për blerjen e vendit të punës, nëse nuk i takojnë politikisht partisë që është në pushtet. Në këtë mënyrë, vendosja e standardit jo vetëm që nuk çon në një zhvillim të burimeve njerëzore të vendit, por kthehet në të kundërtën, në një rrënim të sigurt të tyre. Është një si “rejection”, një shtytje që ky vend u bën standardeve të demokracisë. Është ekzaktësisht si në një transfuzion gjaku, kur një i sëmurë nuk e pranon atë gjak që nuk ka cilësitë e gjakut të tij. Ashtu si i sëmuri, qytetarët e këtij vendi demonstrojnë një mospranim të rregullave apo standardeve të botës perëndimore, duke treguar qartësisht që ka rregulla të tjera me anë të të cilave ata mundohen të rregullojnë jetën e tyre. Zbatimi i standardeve perëndimore është si një “gjak” tjetër që nuk i shkon trupit të sëmurë të shoqërisë shqiptare, që nuk funksionon brenda tij, që “bën reaksion”, që e vdes atë në fund të fundit.

Të fabrikuarit e sistemit autoritarist në Shqipëri, tashmë që po e humbin atë, pra sistemin që i fabrikoi, institucionet që i mbrojtën dhe i kultivuan si të tillë, të paaftë dhe barbarë, po bëhen gati të bëjnë rezistencë dhe pse jo, po bëhen gati për një revansh. Po ikin nga administrata publike dhe po strehohen ku të mundin, për t’u bërë gati për nesër. Tragjikisht kanë sulmuar universitetet. Po tundin gradat e titujt që kanë marrë padrejtësisht për t’u strehuar atje ku i paafti strehohet më lehtë në Shqipëri: tek institucionet e dijes. Produkt të një sistemi të gënjeshtërt dhe shitur si demokratik, të institucioneve që ndërtuan rregulla për të fituar të paaftët, imoralët, të korruptuarit, ata, të fabrikuarit e sistemit autokratik, po bëhen gati për të mos i lënë kurrë të reformohen institucionet e këtij vendi. Për t’i mbajtur ashtu siç janë, streha të barbarisë. Në rrethin e mbyllur dhe që s’mbaron kurrë të së keqes. Ata mendojnë që iu ka ardhur radha. Pjella të një sistemi të keq dhe të gatshëm për të ndërtuar një sistem tjetër, edhe më të keq. Të komanduar nga një ADN tragjike që mbartin në personalitetin e dhuruar nga sistemi ku jetuan.

7 komente në “Qytetari shqiptar përballë sistemit”

  1. Dike Mullai thote- says:

    Ne se Kerkon ANALISTE, me shpesh e me SAKTE i gjen tek Gazeta TEMA! Faleminderit Mero BAZE!

  2. NORA says:

    Faleminderit Z.Gjongecaj per shkrimin .Nuk i heq asnje presje.Pikerisht per kete qe ne mengjez sot u merzita.Çbera tere keto vite vite? E ka fajin sistemi me thone.Do kerkoj serish pune ,po ku ne shtet snjoh njeri,tek privati ? po kam dhjete vjet shko e ik e gjej me keq dhe vete pronaret te çmendur ,dhe kerkojne qe te jesh e durueshme ndaj mbingarkeses si ne pune dhe …jashte orarit.Nuk eshte se e pranoj por duhet te ngrihen te gjithe per te arritur atje ku e kerkon ligji dhe norma.Por a ka rruge tjeter ne Shqiperi JOOOOOOOO.

  3. Bjeshka says:

    Falemnderit Z.Gjongecaj per kete shkrim. Universiteti,kjo strehe e barbarise po i pret krahehapur keto dite , te ikurit apo ne ikje te administrates, doktorantet ne seri, te cilet kane kohe qe e kane bere gati vendin ” per dite te keqe” mu aty , bash ne ate qe duhej te ishte tempulli i dijes, por qe eshte streha e rrugecerve, pseudoprofesoreve te cilet e kane marr peng institucionin me status autonomy te universitetit. uroj qe Zerit Tuaj ti bashkohen shume zera, per tu bere BASHKE ne betejen per clirimin e universiteteve, per betejne ne mbrojtje te DIJES dhe te VLERAVE. Te luftojme te gjithe bashke per ti rikthyer ne qellimin per te cilin keto institucione jane ngritur..le ti clirojme nga Kulet, nga Demkat, nga LLUMI i ndyre qe i ka vene poshte.Ju falemnderit dhe nje here Zoteri!

  4. Fanolist says:

    Flm. Besnik analize e thelluar .
    Administrata, kudo, u zbras e u mbush ashtu si…. dihet.
    Nga kreu deri ne fund kane punuar si te mos kishte shtet e ligje; jo sikur te kishin kapistren nder kembe por pa kapister fare.
    Kta ndiheshin rehat kur abuzimet , padrejtesite e te tjera zullume gjeten shtrirje horizontalisht e vertikalisht.
    Administrata e ketyre tete viteve praktikoi veset me te keqia te adm.turke, te periudhes zogiste, komuniste.
    Grabisnin sikur e kishin me ngut, s’kishin kohe; silleshin e kapardiseshin me njerzit sikur do te rrinin ne poste me shekuj.
    Demet qe bene jane te medha dhe ne shume fusha.
    Ngadalesia ,hezitimi moseveprimi aktiv i mazhorances se re te pas 23 qershorit,qorrolisja me ate statusin- mburoje qe hartuan jezitet per vehte , nuk jane te mira.
    Gjithe kjo e keqe , qe shkruan, ka dhe ndonje te mire:
    -U identifikuan shpirtezinjte qe duhet te flaken.
    -U evidentuan veprime e praktika qe duhen ndaluar e luftuar.
    -Te gjithe ata te diplomuar pas v. ’90 duhet t’u nenshtrohen disa provimeve korekte.
    – Titujte shkencor gjithashtu te rishikohen nga nje organ shkencor kompetent, me te drejten dhe te heqies se tyre.

  5. naim says:

    Urime per shkrimin qe meriton te vleresohet si skaneri me i sofistikuar,e cila diagnostikon keta metastaze qe ka kapur shoqerine e cila veshtire se do te crrenjoset nga mendesia shqiptare,U bene deputet me kostumet e fqinjeve tashme me makina luksoze e kapele te kuqe si aristokraci urshme……………….
    Me ke kujtuar shkrimin kritik ata te dy dhe te tjeret te Koco Kostes,

  6. hydajeti says:

    te pershendes per analizen je bire i nje tropojani te vertete.

  7. Besian says:

    Xhelal Mziu nuk eshte dakort sidomos me paragrafin e fundit !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje