Gara për cilësi

8 Nëntor 2013, 17:44Blog TEMA

Nga Enver Robelli 

Zgjedhjet lokale treguan se emancipimi politik i qytetarëve të Kosovës ka filluar. Është me rëndësi që ky proces të mos ndalet. Vetëm me presion të madh publik mund të ndëshkohen plaçkitësit dhe t’u jepet shansi politikanëve që sjellin cilësi në qeverisje. – Disa shënime postelektorale mbi të dielën e 3 nëntorit

 

I. GARA PËR PRISHTINËN

Po vërehet shumë nervozë e panevojshme te disa mbështetës të Isa Mustafës. Vetë kryetari aktual i Prishtinës, ndërkaq, kur e pyetën gazetarët se përse nuk fitoi në raundin e parë, pa balotazh, tha hapur: “…sepse kësaj radhe pati konkurrencë”. Kjo konkurrencë e ka emrin Shpend Ahmeti. Fakti që Isa Mustafa e pranon këtë konkurrencë flet për cilësinë e re të politikës në Prishtinë dhe sidomos për cilësinë e kandidatit Shpend Ahmeti. Ku tjetër pos në Prishtinë, në kryeqytet, duhet të nisë projekti i madh për ngritjen e cilësisë në politikë? Në këtë drejtim pritjet janë të mëdha si nga Shpend Ahmeti ashtu edhe nga Isa Mustafa. Në anën tjetër po vërehet njëfarë ksenofobie “metropolitane” kundër Vranjevcit, Llapit, Gollakut etj., që qenkan mbështetës të Isa Mustafës, ndërsa “shtresa e emancipuar” e Prishtinës, e cila tërë vitin e kalon mes “aromës” legjendare të kanalizimit, ankohet se qenkësh e pafuqishme përballë katundarisë. Në vitin 1989 mendimet e qendrës për Vranjevcin ishin të tjera: atëherë shikoheshin me admirim katundarët (“ruralët”) e Vranjevcit duke protestuar kundër milicisë serbe. Në fund të viteve 90-të mijëra njerëz dilnin para Zyrës së atëhershme të ShBA-së në Prishtinë dhe shprehnin solidaritetin me Drenicën. Më vonë, pas çlirimit, ky solidaritet u kthye në ksenofobi të hapur dhe të përgjithësuar kundër tërë rajonit të Drenicës.

Po të kishin Prishtina, Peja, Prizreni, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica qytetari aq të fuqishme, s’do të ishte e mundshme të kishim këto qeveri që i patëm pas lufte në nivel qendror dhe lokal – një turmë shoferësh e karateistësh të etur për të plaçkitur, të cilët vinin nga të gjitha anët e Kosovës. Kështu kemi feudin e Drenicës, feudin e Dukagjinit, feudin e Llapit. Dhe kemi Anamoravën që s’e ka marrë guximin të krijojë feudin e vet, andaj ende shërben si thes për vota dhe lejon të mashtrohet me lehtësi të (pa)durueshme. Beteja mes Shpend Ahmetit dhe Isa Mustafës është rast i mirë që, më në fund, të flitet për alternativa qeverisëse lokale, duke evituar urrejtjen dhe ksenofobinë rajonale. Sa për t’ua freskuar kujtesën atyre që janë ndezur nga atmosfera elektorale qe edhe një fakt: “Në vitin 1945 Kosova ishte kryesisht një shoqëri fshatare. Në vitin 1953 Prishtina kishte vetëm 24.229 banorë, Prizreni 22.007 dhe Peja 21.058. Nuk kishte fare vendbanime me më shumë se 50.000 banorë”. (Nga libri: Kosova – Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike i Oliver Jens Schmitt). Në zgjedhjet lokale në Prishtinë Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë një goditje të rëndë në qytet. Pothuaj në të gjitha lagjet e mëdha LDK-ja ka pësuar debakël mesatar, me përjashtim të Vranjevcit dhe ndonjë lagjeje tjetër. Për këtë kryetarët e degëve përkatëse të LDK-së duhet të japin përgjegjësi. Isa Musafa duhet të kërkojë përgjegjësi prej tyre dhe të nisë procesin e ndërrimit të gjeneratave, të cilin LDK-ja e ka huq qëmoti. Shansin për ndërrimin e gjeneratave e kishte Ibrahim Rugova, por ai pas lufte vazhdoi me stilin e plogët, madje duke fyer publikun derisa emëronte në poste ministrash hajdutë të rëndomtë.

 

II. PASQYRA E KOSOVËS

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka rënie në të gjithë Kosovën, por mbetet të shihet si do të duket rezultati në balotazh. Në shumicën e komunave do të ketë balotazh. Duket se njerëzit nuk i besuan shantazhit të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili kërcënonte me para të shtetit: “Po votuat kandidatin tonë, ne ju japim kaq miliona”. Athua tani a do të marrë ndonjë milion ajo komunë që nuk e përqafoi kandidatin e PDK-së? Befasi e dorës së parë është Peja, ku kandidati i LDK-së ka triumfuar në një ambient, i cili prej vitit 1999 ka kaluar nëpër shumë gjendje të jashtëzakonshme dhe të përgjakshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e paguan çmimin e keqqeverisjes në ato komuna që i mbante nën kontroll dhe mbi të gjitha po e paguan çmimin e vardisjes që Ramush Haradinaj ia bëri Qeverisë së Hashim Thaçit pas daljes nga burgu i Hagës. E vërteta tjetër: LDK-ja e arriti këtë sukses në Pejë me një kandidat që dikur ishte figurë e njohur e partisë ORA. Fundja pas gati 10 vjetësh sundimi nga AAK-ja duket më se normale që në Pejë të ketë ndryshim të pushtetit. Kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxhiri, gjatë fushatës ka qenë ndoshta më i heshturi, por duket edhe ndër më të besueshmit tek elektorati. Me këtë kandidat duhet llogaritur në çdo variant.

Në Gjilan rezultati është i pritshëm, sepse PDK-ja realisht atje u përça. Ambiciet pothuaj jonormale për pushtet të shumë funksionarëve të PDK-së shkaktuan kaos, përçarje mes grupeve, ndarje, luftë për interesa e përfitime. PDK-ja në Gjilan e reduktoi debatin në çështjen se a po fiton “rrafshi” (Qemajl Mustafa) a Gollaku (ata që thirren në emër të “familjes së Kadri Zekës”). Duke qenë e etur për pushtet, LDK-ja në Gjilan duhet të ketë kujdes të mos zërë në thua menjëherë, nëse fiton. Përrallat, këngët dhe kashelashat me emrin e Ibrahim Rugovës nuk janë garant për qeverisje të mirë. LDK-ja duhet të dëshmojë cilësi të reja, ndryshe rrezikon të shndërrohet në një PDK “light”, pa kallash.

Befasi është rezultati i kandidatit të LDK-së në Ferizaj. Muharrem Sfarqa, dikur aktivist i LDK-së në Gjermani, duket se ka sjellë diçka nga kultura politike gjermane në Ferizaj. Ai ka rritur dukshëm numrin e mbështetësve të LDK-së në këtë qytet dhe në raundin e dytë, nëse bën koalicion me AAK-në dhe Vetëvendosjen, mund ta rrezikojë seriozisht kandidatin e PDK-së, Agim Aliu.

Prizreni është qytet për ta vajtuar. Vuan për ndryshim radikal dhe nuk ka kandidatë bindës as nga LDK-ja, as nga PDK-ja. Partitë e tjera nuk janë aq të etabluara në këtë komunë. Kandidati i PDK-së Ramadan Muja është thjesht fyerje e elektoratit: gjendet para gjyqit për keqpërdorim pushteti dhe nuk ka dëshmuar aftësi menaxhimi. Kandidati i LDK-së, Eqrem Kryeziu, edhe nëse fiton do të marrë një mandat përshëndetës me politikën dhe qytetarët mezi do të presin të dalë në pension, që të ketë më shumë kohë për anekdota të padëmshme.

Në Gjakovë do të zhvillohet një garë e ngarkuar me emocione dhe nervozë. Mimoza Kusari-Lila ka gjasa të fitojë përkundër fa(k)tit fatal se është anëtare e një partie që është në zhdukje e sipër dhe e cila skenës politike të Kosovës nuk i ka sjellë asgjë të re, përveç kapitujve të perversitetit politik. Kryetarin e tanishëm të Gjakovës, Pal Lekajn, e kanë dëmtuar sidomos disa skandale për të cilat kanë raportuar mediet muajve të fundit dhe ndaj të cilave ai nuk ka reaguar përherë me takt. Gjithashtu AAK-ja është në krizë edhe në pjesë të tjera të Kosovës, sepse aura e Ramush Haradinajt po zbehet.

Në Suharekë ka një mobilizim të elektoratit të LDK-së. Kjo komunë tradicionalisht ka qenë bastion i LDK-së. Vrasja e kryetarit Ukë Bytyçi nga një militant i PDK-së vetëm ka shtuar aversionin ndaj “partisë së komandantëve”. Ky krim nuk është harruar nga qytetarët e Suharekës. PDK-ja atje për herë të dytë kandidoi Ramë Vatajn, por kjo përpjekje e dëshpëruar s’bëri punë. Imazhin e keq të partisë nuk e përmirësoi dot as Vataj si ekspert i kimisë. Asnjë befasi në Skenderaj. Kandidati në burg fitoi me rezultat sovjetik. Ose koreanoverior. Mitrovica mbetet qytet i pashpresë. Këtij qyteti do t’ia qajmë hallin gjatë. Jo vetëm për shkak të ndarjes. Ashtu si Prizreni edhe ky qytet dikur industrial nuk po arrin të gjejë kandidatë cilësorë për të qeverisur komunën.

Në përgjithësi në zgjedhjet e së dielës kishte shumë vota proteste kundër Thaçit, Qeverisë së tij dhe PDK-së. PDK-ja duket se ka humbur mbi 40 mijë vota dhe kjo nuk është vetëm pasojë e largimit të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Ndëshkimi erdhi nga pothuaj të gjitha anët e Kosovës, parë në shifra totale. Njëkohësisht nuk kishte mbështetje masive për ndryshime, sepse partitë opozitare, me përjashtim të Vetëvendosjes në Prishtinë, ende nuk kanë arritur të zgjojnë nga gjumi atë pjesë të elektoratit që bën ndryshimin. Në rastin e VV, megjithatë, nuk u shpagua një militantizëm nganjëherë havadan. Por, VV ka disa merita dhe mbetet alternativë në tregun politik: VV arriti të mobilizojë një shtresë votuesish të rinj, të cilët ndryshe nuk do të dilnin fare në zgjedhje. Vjedhje masive sa po shihet nuk pati për shkak se sidomos VV ishte flamurtare e mbrojtjes së votës. Aty-këtu edhe LDK. Edhe pse disa persona që u arrestuan në Prishtinë mendohet të jenë të afërt me LDK-në. Një efekt pozitiv në parandalimin e masakrës elektorale pati edhe deklarata kërcënuese e diplomatëve perëndimorë se nëse Kosova dështon të mbajë zgjedhje të pastra nuk do të ketë as dialog për liberalizim të vizave, as integrim në BE, madje do të ketë izolim.

 

III. VERIU

Dështimi i zgjedhjeve në veri mbetet njollë në këtë proces. Serbët në pjesët e tjera të Kosovës duket se janë pajtuar se nuk mund ta kthejnë prapa rrotën e historisë, andaj po aranzhohen hap pas hapi me shtetin e tyre të ri. Dështimi në veri tregon në radhë të parë se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk i qëndroi testit të parë serioz. Për këtë do të duhej të jepte përgjegjësi në radhë të parë kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka negociuar këtë marrëveshje, por edhe Kuvendi, i cili e ka miratuar. U dëshmua se kishin të drejtë kritikët që këtë format të bisedimeve me Serbinë e shihnin si të dëmshëm për Kosovën. Disa gebelës të vegjël të Thaçit muajve të fundit kanë harxhuar shumë energji duke shkuar në darka me diplomatë perëndimorë dhe duke shpifur kundër kritikëve të “marrëveshjes historike” mes Kosovës dhe Serbisë. “Antieuropianë”, “armiq të demokracisë”, “armiq të multietnicitetit”, “urrejtës të serbëve” – këto kanë qenë disa nga shpifjet monstruoze që këta pizevengë janë përpjekur t’i plasojnë për kundërshtarët e bisedimeve me Serbinë. Rezultati i marrëveshjes Ashton, Daçiq, Thaçi u pa, kur një grup kriminelësh kokërruar shkatërroi procesin zgjedhor në veri të vendit. Zonja Ashton mendonte se ky rajon paqësohet duke i toleruar kriminelët, jo duke i futur në burg. Daçiq bënte sikur ishte i gatshëm të zgjidhte problemet derisa mori premtimin se Serbia mund të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Thaçi, ndërkaq, nuk e kishte mendjen te Kosova, por te e ardhmja e tij politike dhe mbijetesa e klanit të tij parapolitik. Qëllimi i pjesëmarrjes në bisedime i dy hileqarëve ballkanikë ishte i qartë: ata synonin ta bënin veten të pashmangshëm dhe të rëndësishëm. Kjo që ndodhi tani në veri duhet t’u shërbejë qytetarëve të Kosovës si leksion i hidhur: për bisedime me Serbinë duhen politikanë që nuk kanë frikë nga shantazhet, politikanë të pakorruptuar dhe liderë që këmbëngulin që problemet të zgjidhen dhe jo të mbulohen me fasadë të bukur.

*KOHA DITORE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje