Zgjedhjet që dëshmuan se Kosova ka ndryshuar

7 Nëntor 2013, 11:55Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

 

Me përjashtim të dhunës dhe të kaosit në veri të Kosovës, mund të thuhet se zgjedhjet lokale në Kosovë të dielën e 3 nëntorit kanë kaluar testin e zgjedhjeve normale. Ndonëse me shumë mangësi, por në shumicën e rasteve të paqëllimshme, zgjedhjet kësaj radhe, sipas raportimeve të para, nuk u manipuluan. Natyrisht duhet pritur balotazhin për kryetarë komunash në disa komuna dhe konfirmimin e rezultateve për anëtarë të asambleve komunale. Duke pasur krejt këtë parasysh mund të thuhet se edhe bashkësia ndërkombëtare kësaj radhe nuk do të ketë arsye ta qortojë Kosovën dhe të kuptojë se vërejtjet e saj në prag të zgjedhjeve, se nuk do të tolerohen manipulimet, kanë dhënë po ashtu rezultat. Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, kur bashkësia ndërkombëtare, për hir të dialogut me Beogradin, nuk deshi të jetë e qartë në kritikat për manipulime, kësaj radhe ishte ndryshe dhe foli me gjuhën të cilën kosovarët e kuptuan.

Në përgjithësi këto zgjedhje dëshmuan se megjithatë Kosova po ndryshon. Këto zgjedhje bënë të qartë se veriu i Kosovës tashmë është pjesë me status special, ku Prishtina nuk ka shumë qasje. Edhe mediat e Kosovës, me disa përjashtime, për zhvillimet në veri kryesisht raportonin duke u bazuar në mediat e Serbisë. Atje KQZ-ja bazohej në punën dhe informacionet e OSBE-së, ndërsa fushata ishte sikur në Serbi. Gjatë ditës së votimeve Serbia madje tentoi të shfrytëzonte rastin që edhe zyrtarisht të angazhonte në veri të Kosovës, qoftë edhe vetëm përkohësisht, MUP-in e Serbisë, formacion i cili duket se asnjëherë as që ishte larguar nga kjo pjesë e Kosovës. Edhe problemet që dolën me zgjedhjet në veri të Kosovës dëshmuan se marrëveshjet në Bruksel, ndonëse e kanë ndryshuar në një masë situatën në terren, nuk i kanë zgjidhur të gjitha problemet.

Në anën tjetër, në pjesën e Kosovës ku autoritetin e ushtron Qeveria e vendit, zgjedhjet dëshmuan se qytetarët nuk duan të jenë besnikë të verbër ndaj ndonjë partie. Asnjë parti më nuk mund t’i merrte si të garantuara votat në ndonjë pjesë të Kosovës sikur që ishte deri më tash. Dëshmuan edhe një pjekuri më të madhe demokratike dhe kulturë më të zhvilluar të debatit në fushatë. Por dëshmuan ende disa mangësi. Nuk është problem aq shumë pse në lista ka edhe njerëz të vdekur, por problem ka qenë kur edhe të vdekurit kanë votuar. Këto zgjedhje brenda pak ditësh apo dy javësh mund të na tregojnë edhe se si do të formohet shumica e ardhshme qeverisëse.

E angazhimet e liderëve të partive kryesore gjatë fushatës, me përjashtim të Isa Mustafës, i cili edhe vetë ishte kandidat për kryetar komune, qartë ishin të orientuara nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këto zgjedhje i kanë parë si test të popullaritetit të tyre në nivel të Kosovës dhe tash do ta kenë më të qartë se ku qëndrojnë. Këto rezultate, nëse mbesin siç janë edhe në raundin e dytë, humbëse të madhe do ta nxjerrin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në vend të rritjes së madhe për të cilën pretendonte ka shënuar zbritje duke rrezikuar të humbasë madje edhe bastionet si Peja e Gjakova, ndërkohë që në zonat jashtë Dukagjinit mbetet parti e vogël për nga përkrahja. Duket se AAK-së i ka ndodhur diçka e papritur e ajo është dënimi nga elektorati për afrim me PDK-në, edhe pse ka pritur që në zgjedhjet lokale afrimi i tyre me partinë e Hashim Thaçit nuk do të ketë ndikim, por do të ketë vetëm në zgjedhjet parlamentare. PDK-ja ka amortizuar, siç duket, efektin pozitiv që ka mundur ta kishte për popullaritetin e AAK-së lirimi dhe kthimi nga Haga i liderit të tyre Ramush Haradinaj. Por mbështetja që i ka dhënë PDK-së në disa çështje kryesore ka bërë që AAK-ja të pësojë.

PDK-ja do të duhej të reflektonte mirë për rezultatet e këtyre votave. Sipas raporteve të para, ajo duket të ketë humbur disa vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe madje edhe për shkak të arrogancës me të cilën i ishte qasur fushatës dhe për shkak të ndasive që kanë kapluar këtë parti me rebelimin e dy anëtarëve me ndikim të madh, siç janë Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi. Thaçit mund t’i ketë bërë dëm edhe investimi i tepruar që ka bërë për të mbajtur Prizrenin, duke mbështetur kandidatin e atjeshëm me të gjitha mjetet, dhe kjo mund t’i ketë irrituar votuesit në pjesë të tjera të Kosovës.

LDK-ja duket të ketë pasur rritje në nivel të vendit, por edhe këto rezultate duhet të kuptohen si një sinjal për Isa Mustafën se nëse vërtet dëshiron ta marrë qeverinë vitin që vjen pas zgjedhjeve parlamentare, nuk do të duhej të fokusohej aq shumë në Prishtinë, ku po ashtu pushteti i tij në nivel komunal nuk është i sigurt.

Lëvizja “Vetëvendosje” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Prishtinë, por mbetet të shihet rezultati i saj në nivel të shtetit. Sidoqoftë, tashmë është dëshmuar si një subjekt politik i cili nuk mund të anashkalohet gjatë dhe se edhe partitë e tjera duhet të reflektojnë dhe të mos jenë të prera në qëndrimet se në asnjë rrethanë nuk do të hynin në koalicion me “Vetëvendosjen”.

Me përjashtim të Gjakovës dhe të Mitrovicës, rënie të dukshme ka AKR-ja e Behxhet Pacollit, dhe aty ku kandidatët e tyre korrën sukses kjo nuk ndodhi për shkak të popullaritetit të AKR-së, por për shkak të vetë kandidatëve. AKR-ja nuk ka arritur të etablohet si një parti liberale në koalicion me islamikët dhe me Socialdemokratët e që është në koalicion me PDK-në në pushtet.

Fokusi tash duhet të jetë që i tërë procesi të përmbyllet me balotazhin dhe me formimin e asambleve komunale. Duhet pritur edhe epilogu i zgjedhjeve në veri të Kosovës, sepse nga kjo do të determinohet edhe zbatimi i pjesëve të marrëveshjes në Bruksel për krijimin e komunave të reja me shumicë serbe dhe asociacionit të këtyre komunave. Kjo mund të ketë efekt edhe në rrugën drejt integrimeve evropiane të Kosovës.

Tash do të bëhen shumë analiza matematikore se kush çka mund të bëjë me kë në nivel shteti. Që në orët e para pas zgjedhjeve dëgjuam edhe Isa Mustafën, edhe Hashim Thaçin të na thonë se partia e tyre “është e para në nivel vendi“. Por këta matematika mund të dëshmohen si më pak të këndshme për së paku njërin prej tyre. Kur do të bëjnë analiza se kush do të mund të formojë qeverinë e me kë në të ardhmen, kësaj radhe nuk duhet shumë të llogarisin se qeverinë do t’ua bëjnë “ndërkombëtarët“. Prandaj tash pas këtyre zgjedhjeve na presin procese interesante politike në vend, reforma zgjedhore, ndoshta edhe formime të koalicioneve të reja në nivel lokal në disa komuna e së shpejti edhe zgjedhje të reja parlamentare.

*KOHA DITORE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje