Helmi i Sirisë dhe mendjet kimike të Shqipërisë

22 Nëntor 2013, 09:57Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

“Për gabimet e mia fyej të tjerët!” Kjo ishte, për fat të keq, motoja e fjalimit të kryeministrit Edi Rama me rastin e refuzimit të kërkesës së SHBA-së që në Shqipëri të shkatërrohen rreth 1300 tonelata armë kimike të regjimit të diktatorit sirian Bashar al-Asad. Fyerjet nuk kanë të bëjnë asgjë me nder, janë vetëm hipokrizi kryeministrore. Që gjithçka të jetë e qartë në fillim: ish-kryeministri Sali Berisha dhe kamerieri i tij politik, Lulzim Basha, po të ishin në pushtet do t’i kishin pranuar armët kimike të Asadit ashtu siç i pranojnë fëmijët naivë karamelet. Bile çmontimin e armëve Berisha e Basha do ta kishin bërë në bulevardin kryesor të Tiranës – dhe do ta terrorizonin opinionin duke gënjyer se po bënin diçka madhështore “në emër të miqësisë me Amerikën”. Por, këtu është e padobishme të merremi me politikanë të Partisë Demokratike, të cilët populli shqiptar me një shumicë impozante i ndëshkoi më 23 qershor. I ndëshkoi për krimet e tyre. Për Gërdecin dhe 26 të vrarë, për 4 manifestuesit e vrarë më 21 janar 2011, për bizneset me oligarkë serbë e boshnjakë dhe për vjedhjen masive të parasë publike të ndarë për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Ajo Rrugë e Kombit që vetëm në segmentin Morinë-Kalimash brenda 4 vjetësh ua mori jetën mbi 20 vetave për shkak se ka mbetur e papërfunduar – ndonëse për të janë harxhuar mbi një miliard euro. Jo, këtu nuk ia vlen të merremi me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Për ta janë thënë pothuaj të gjitha. Tash do të duhej të fliste drejtësia, por Shqipëria nuk ka drejtësi, andaj gjendja është si është.

 

Një lojë e pandershme

Është e udhës të merremi me Edi Ramën, sepse ai i është imponuar opinionit me fyerje dhe jo me dialog joparagjykues. Ende pa e ngrohur kolltukun kryeministri i Shqipërisë po e krijon një standard bizar të fyerjes së publikut për çdo gabim të tijin. Edhe të premten që shkoi, kur përballë presionit aq të madh publik nuk i mbeti rrugë tjetër përveçse të refuzojë pranimin dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, Rama e pa të udhës t’i fyejë kritikët. Fjala më e butë që përdori ishte “të painformuar”, më e rënda ishte krahasimi i protestuesve dhe kritikëve me kafshë (“derra”). Po, edhe “të poshtër” dhe “të ulët” u quajtën kritikët nga ana e Ramës. Këto fyerje përplasen e bien mbi vetë Edi Ramën. Ndërsa sa i përket akuzës së tij se kritikët ishin “të painformuar”, duhet thënë qartë: ishte detyrë e tij që si kryeministër të informojë publikun dhe jo të fshihet pas “bisedave konfidenciale”, ishte detyrë e tij që së pari të marrë mendimin e opinionit shqiptar dhe jo të thotë “po” prapa perdeve me bindjen se mandati i 23 qershorit i është dhënë edhe për të sjellë nja 1300 tonelata helm kimik nga Siria. Fyerja që Edi Rama u bëri njerëzve që në Tiranë kishin ardhur për të protestuar prej ditësh nga shumë vise të Shqipërisë, nga Kosova e diaspora, fyerja që u bënte edhe artistëve, intelektualëve, publicistëve fliste shumë për nivelin e politikës ndër viset tona shqiptare. Nuk ishte e ndershme që idenë e pranimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, Rama ta arsyetonte edhe me ndihmën e madhe amerikane për çlirimin e Kosovës.

Njëjtë, me fyerje, Rama u përgjigj kur së fundi u kritikua pse vajti në Kosovë për të takuar homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan në një aktivitet elektoral të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Fjala më e butë që Rama përdori ndaj kritikëve ishte “idiotë” që, sipas tij, nuk e kuptojnë gjeostrategjinë dhe gjeopolitikën. Pothuaj pa asnjë sens për ndjeshmërinë e ndikimeve ndërshqiptare Rama paralajmëroi se më 16 nëntor do të vinte në Prizren me ministrat e tij për të mbajtur mbledhjen e parë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës. Këtë vizitë ai e paralajmëroi duke e ditur mirë se në Prizren po zhvillohet një betejë e ashpër dhe e ndyrë për postin e kryetarit të qytetit – ku partia e Thaçit ka rikandiduar një plak që akuzohet për vjedhje dhe ndiqet nga drejtësia dhe ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxjerrë në mejdan një plak të talentuar për të rrëfyer anekdota te oxhaku. Në çdo variant Rama do të keqpërdorej për fushatë elektorale, siç u keqpërdor tok me Erdoganin. Pas protestave të opozitës nga Prishtina mbledhja e përbashkët e dy qeverive u shty për muajin dhjetor. Kjo përvojë ndoshta do t’i ndihmojë Edi Ramës të kuptojë se përtej PDK-së ekziston një Kosovë tjetër, ajo është shumica. Prej dy milionë shqiptarëve të Kosovës ndoshta vetëm 10 për qind kanë votuar për PDK-në. E mbase nja 9 për qind për LDK-në. Edi Rama dhe çdo kryeministër i Shqipërisë shqiptarët e Kosovës në të ardhmen duhet t’i shohë pa dallime elektorale. Dhe, po, shqiptarët e Shqipërisë kanë të drejtë të kërkojnë prej shqiptarëve të Kosovës që Shqipërinë të mos e shohin me syze partiake dhe ideologjike. Dhe, po, qytetarët e Shqipërisë kanë të drejtë të protestojnë kur dallaveraxhinj politikë të Kosovës shkojnë në Tiranë për të “votuar për demokratët”.

 

Një agoni mes bërllokut

Fyerja tjetër që Edi Rama ia bëri publikut kritik ishte kur ende pa e marrë postin e kryeministrit shkroi në “Twitter” se mezi priste ta përqafonte në liri – Sami Lushtakun. Kur Rama e shkroi këtë, i përkëdheluri i tij S.L. sapo ishte arrestuar me akuza të rënda për krime lufte. Sipas njoftimeve të fundit, S.L. po akuzohet për vrasje. Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, për keqtrajtim të dy femrave. Nuk mund të thuhet se nuk ka informata Edi Rama për zhvillimet në Kosovë. Shkëmbimi i informatave mes trevave shqiptare në Ballkan nuk ka qenë kurrë më intensiv se sot. Kurrë nuk ka qenë më lehtë që informata nga Saranda të mbërrijë në Prishtinë dhe anasjelltas.

Nga e gjithë kjo agoni kimiko-luftarake që u shkaktua nga papërgjegjësia e pakufishme e politikanëve shqiptarë duhet të nxirren sërish mësime. Nuk gëzon askund respekt po nuk e respektove veten. Nuk mund të anulosh ligjin e tmerrshëm të Sali Berishës për të importuar bërllok nga Italia, siç bëri Edi Rama me të drejtë, e pastaj të futesh aventurave të pranimit të lëndëve luftarake kimike nga Siria. Tani do të ishte e tmerrshme që refuzimi për pranimin e këtyre armëve famëkeqe të shndërrohet në debat mbi një antiamerikanizëm imagjinar të shqiptarëve. Është e saktë që, siç tha Rama në fjalimin e tij, se SHBA-ja nuk do të dojë të helmojë popullin shqiptar me këto armë, por rreziku i helmimit na vinte nga vetë shteti shqiptar dhe institucionet e tij të brishta, të kalbura nga regjimet e bixhozçiut Fatos Nano, populistit të korruptuar Sali Berisha dhe oktapodit plaçkitës Ilir Meta. Institucionet që kanë ndërtuar këta janë bomba me sahat. Janë versioni burokratik i Gërdecit.

Për këtë kryedëshmitar e kemi ambasadorin e mëparshëm amerikan në Tiranë, John Withers, i cili para gati dy vjetësh, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, thoshte: “Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria, e cila po merr masa shtypëse ndaj medies, apo në drejtimin e Ukrainës që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, gjë që ne presim t’i ketë një demokraci e zhvilluar”. Kjo është edhe një përgjigje për Edi Ramën, që u mundua t’i fusë kritikët e tij në “taborin antiamerikan”. Ishte një përpjekje e dëshpëruar derisa zëra të tjerë nga Evropa po u binin kambanave të alarmit. “Politikisht, teknikisht e shkencërisht, s’ka asnjë arsye të zgjidhet Shqipëria”, tha një deputet gjerman në lidhje me përmendjen e Shqipërisë si vend për asgjësimin e armëve kimike siriane. “Armët kimike në Shqipëri? Nuk ka shpjegim veçse ndonjë korrupsion i madh”, tha një deputet kroat i Parlamentit Evropian. (Para disa vjetësh Kroacia ishte ankuar se bërlloku i Shqipërisë përmes detit kishte arritur para Dubrovnikut, perlës së Adriatikut).

 

Një aleate besnike

Shqipëria është aleate besnike, por nuk do të duhej të ishte kurrë (bashkë)pjesëmarrëse në helmimin e popullit të vet. Pak orë para se të merrej vendimi nga ana e Ramës, ambasadori aktual amerikan në Tiranë, duke shtuar presionin, tha: “Vendet e përgjegjshme ndihmojnë”. E vërteta është: Shqipëria ka dëshmuar besnikëri të pafundme dhe përgjegjshmëri ndaj aleatëve perëndimorë dhe sidomos ndaj SHBA-së. Sikur politikanët shqiptarë të ishin aq besnikë edhe ndaj qytetarëve të tyre, Shqipëria do të ishte sot vend më i mirë për të jetuar. Me takatin e saj Shqipëria ka dërguar njësi në Irak dhe Afganistan dhe ka qenë aktive në të ashtuquajturën “luftë kundër terrorit”. Shqipëria ka pranuar 5 uigurë (pjesëtarë të pakicës myslimane në Kinë), të cilët SHBA-ja i kishte mbajtur të pafajshëm në burgun famëkeq të Guantanamos dhe kur nuk dinin ku t’i dorëzonin dhe pasi rreth 100 shtete refuzuan, Shqipëria u tregua zemërgjerë. Njëri nga këta uigurë sot ka një pizzeri në Tiranë dhe ka arritur të integrohet mirë në shoqërinë shqiptare. Shqipëria ka pranuar edhe 6 ish-të burgosur të tjerë të Guantanamos dhe 210 muxhahedinë iranianë, të cilët mbetën në Bagdad dhe forcat amerikane lutën disa shtete perëndimore që t’u ofrojnë strehë. Shqipëria (dhe Kosova) duke shkelur rregulla jo vetëm të tregut të lirë i dhanë dy tenderë kompanisë amerikane “Bechtel” për të shtruar autostradën që lidh Durrësin me Prishtinën. Po flitet se edhe tenderi i tretë (për autostradën Prishtinë-Shkup) do t’i jepet “Bechtelit”. Nën presionin amerikan në Kosovë e kemi pranuar presidente edhe një oficere policie që na bën të skuqemi sa herë ajo nis të lexojë diçka nga fleta. Të gjitha këto i kemi pranuar, në Tiranë e në Prishtinë, sidomos për shkak të rolit prijës amerikan në çlirimin e Kosovës. Por 1300 tonelata helm luftarak sirian janë tepër! Boll e kemi helmuar vetë ne Shqipërinë dhe Kosovën. Në Prishtinë ndotja është 70-herë më e lartë se normat e BE-së. Në Tiranë e gjetiu në Shqipëri ndotja mbetet problem numër një. Në pyetje është shëndeti publik. E përsëris: jo pse Amerika e ka ndërmend të helmojë ndokënd, por sepse Shqipëria nuk ka institucione që garantojnë një operacion aq të madh të asgjësimit të armëve kimike. Gazetari shqiptar Besar Likmeta bëri të ditur këto ditë se disa stoqe gazi kimik, që Tirana zyrtare kishte thënë se i kishte asgjësuar në vitin 2007, vetëm janë hedhur në kontejnerë dhe ruhen në një depo ushtarake afër kryeqytetit. Po të ishte aq i lehtë asgjësimi i armëve kimike, këtë do ta bënte edhe SHBA-ja me shpejtësi. Në fund të prillit të vitit të kaluar skadoi afati për SHBA-në, Rusinë dhe Libinë që të shkatërrojnë këto armë të rrezikshme. Rusia ka premtuar se do t’i shkatërrojë armët e saj kimike deri në vitin 2016, SHBA-ja jo para vitit 2023. Arsye për këtë, sipas Washingtonit, janë problemet teknike dhe dispozitat ekologjike. Kur Amerika ka probleme të tilla, mund të imagjinohet se ç’vështirësi do të kishte Shqipëria. Jo, gazi sarin nuk është pije salepi, siç përpiqen të na mbushin mendjen disa provokatorë. Hapi i ardhshëm i tyre mund të jetë ky konstatim absurd: “Nxënësit në Kosovë qenë shtirur kur në fillim të viteve ‘90 Serbia përdori doza të vogla të gazit sarin ndaj tyre”. Pas SHBA-së dhe Rusisë, Siria është vendi me stoqet më të mëdha të armëve kimike në mbarë botën, shkruan gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”. Siria ka në dispozicion gaz mustardë, me gaz nervor sarin dhe me gaz VX, një helm tepër i rrezikshëm, i cili është vdekjeprurës edhe me një dozë prej një miligrami.

 

Një rrenë me brirë

Këto ditë nëpër medie të Tiranës qarkulloi “lajmi” se nëse do të pranoheshin armët kimike SHBA-ja do t’i ndihmonte Shqipërisë të anëtarësohej në BE brenda mandatit të parë të qeverisë Rama. Së pari një gjë e tillë mund të jetë më së paku rrenë me brirë, sepse është BE-ja, janë 28 vendet e saj, që vendosin se kush futet në klub dhe me cilat kushte. Është iluzion planetar të mendohet se Shqipëria hyn në BE nëse vetëm asgjëson 1300 tonelata armë kimike. Së dyti, ambasadori i Holandës në Tiranë tha se “në vendin tim imazhi i Shqipërisë ka shumë punë për të përmirësuar”. Përkthyer në shqip: Holanda si vend anëtar i BE-së mund të vendosë veton për statusin e kandidatit të Shqipërisë në dhjetor. Këtë e nënvizuan gazetat holandeze.

Vendimi për të mos pranuar 1300 tonelata helm luftarak është i mirë. Protestat e mijëra shqiptarëve treguan se ka nisur një emancipim i ngadalshëm i shoqërisë shqiptare. Ky emancipim i qytetarëve shqiptarë duhet të vazhdojë. Në të ardhmen në rrugë duhet të dalin shumëfish më tepër njerëz në protesta kundër korrupsionit dhe papërgjegjësisë së politikës. Kryeministri Edi Rama duhet të mësojë se asnjë vendim nuk mund ta mbrojë duke e fyer opinionin kritik. (Sali Berisha s’mëson më asgjë, ai është rast i pashpresë). Edi Rama ka një arsye të gëzohet: kjo ishte fitore edhe e mikut të tij, të ndjerit Ardian Klosi, i cili me vite të tëra ka alarmuar opinionin shqiptar mbi shkatërrimin e ambientit. Përpara tani na dalin pamjet e Ardian Klosit me megafon, duke protestuar kundër importimit të bërllokut nga Italia në Shqipëri, kundër shkatërrimit të natyrës në emër të “rrugëve që lidhin kombin”, kundër guroreve që po e gërryejnë Krujën e Skënderbeut, kundër fabrikave të çimentos. Këtë trashëgimi të çmuar të Ardian Klosit në mbrojtje të ambientit duhet vazhduar gjeneratat e reja.

17 komente në “Helmi i Sirisë dhe mendjet kimike të Shqipërisë”

  1. fatmir mehmeti says:

    te lutem na informoni ju qe dini ca gjona me shume, si do behej ky helmimi i programuar i popullit. pra ata do jepnin miliarda dollar, do kryenin nje operacion qe do kontrollohej nga syte e gjithe botes pro dhe anti amerikane, dhe keta amerikanet do te vadisnin me helme gjithe shqiprine. do kishe ne cdo shtepi nga nje amerikan qe sapo te ngriheshe ne mengjes do te te fuste nje luge mustarde ne kafe, dhe keshtu do te vazhdohej per nja 10 vjet. meqe ti zoti robeli i ditke keto gjera na i trego pak dhe neve.

    1. loni says:

      ik ne janine ti o fatmir,,nuk ke pune me shqiperine ti cam i ndyre,,pyet greket pse ju masakruan cam i pabese,,ai po shkruan per token shqiptare qe nuk duhet te pranojme helmet kimike,,ne nuk jemi uturaki i amerikes per cdo gje,,dhe shum bukur e ka shpjeguar,,ti fatmir cami nuk te duhet gje me token shqiptare,,ti je nga janina dhe ik andej nga ke origjinen..legena

      1. fatmir mehmeti says:

        zoti loni, argumentet e tua nuk me bindin. do te preferoja qe pasi te perfundoni te sharat te me thonit ndonje argument, qe te me bente te vija ne dyshim idet e mia. nese une jam cam apo gey apo komunist, apo i semure me sida, kjo nuk ndryshon asgje. ky diskutim nuk behet per mua, ky artikulli eshte shkruar per nje teme qe eshte shum me e rendesishme se vendlindja ime. une do te doja vetem dicka, qe dikush te me thote ndonje fakt. dua te di se ku e bazoni gjith kete histeri. nese dikush merr mundin te me informoje, do ja di per faleminderit. nese largimi im drejt janines, do bente shqiperine nje vend te paster, te zhvilluar, pa analfabetizem, dhe te qytetruar. une nuk do mendoja fare, do nisesha qe sonte per ne janin.

  2. Mire says:

    Hera e pAre qe s’i heq a shtoj nji presje nje analize te Robellit, urime & flm Robelli.
    Sa per cjepet e zgjebur ne tru a ne lekure( lekureshitur me mision mafioz antishaiptar) u uroj t’u bjere naj gjo ne mes te shpise qe te ndreqen! Jau tha edhe Bare: thesari nga Helmet si thesaret ke ShkomiKavajes, hahaha, xhahilet do ngordhin kellira. E sigurt, se arritem ne Eren e Zgjimit akut, keta helmucer nuk helmojne dot vec sa nji kowe pordhe… Sado s’reshtin se ldhuri hijdnucet ne iso me Derrat e Kenaqur!

    Nje perqafim gjithe ‘çlirimtareve’ & fundjave te mbare!

  3. Alb says:

    S’keni tematika te tjera????

    Kush i fryn ketij thengjilli te shuar???

    S’ka zjarr, ngrohuni ne diell zotni!!!

  4. viktor hoti says:

    Sipas arsyetimit te Zotit Robelli del se nje personi qe eshte i poshter e kriminel nuk duhet emertuar si i tille por “hero”e “engjell “! ose “shaje me mendje e levdoje me goje” viktor hoti

  5. Ben Dibrani says:

    Vazhdojne keta intelektualet snobe te kritikojne pa thene asgje.
    Ne 23 Qershor te ketij viti populli Shqiptar e dha voten e tij dhe qeveria aktuale vetem dy muaj pasi mori pushtetin (pa ngrohur karriken – thote Robelli) u vu para nje prove te rende te zgjidhte mes dy ultimatumesh, atij Amerikan i cili dikton gjithe boten, te cben nese i del kundra dhe ndaj te cileve Shqiperia (me shume per shkak te Shqiptareve te Kosoves) ndjen nje detyrim absolut t’ja plotesoje cdo kerkese dhe nga ana tjeter nje turme te verber te zene ne makth nga injoranca e vet me rrezikshmeri te larte qe me dhune deshironte te diktonte qeverise nje vendim ende te pa marre.Ju kujtoj qe ishte ky popull qe nuk levizi as gishtin kur territori i atdheut falej dhe kur qeveria e saliut vendosi ligjin per importimin e plehrave te botes perjetesisht – jo 1300 ton por miliona te tille.
    – Te vene prift dhe te rruajne mjekren – i thone kesaj.
    Duhet te jesh nje profan ne politike dhe sidomos ne boten e sotme qe te mos kuptosh se 1300 ton helme qe ishin bere nje problem boteror do te shkaterroheshin ketu kundrejt asgjeje materiale por edhe sikur ky te ishte nje kontribut vullnetar Shqiperia me siguri do te shnderrohej automatikisht ne nje faktor me kontribut te posacem. Kjo, mendoj se
    eshte atuja qe Amerikanet deshironin ta perdornin si karte per te na dhene nje rol ne skakieren boterore, sigurisht ne perfitim te tyre por ku edhe me e sigurte eshte perfitimi i Shqiptareve. Tashme gjerat kane mbaruar dhe u be ashtu si i leverdiste Grekeve, Serbeve dhe opozites por jo Shqiptareve.
    Mire kjo, por s’te lene as artikullshkrues te tille qe s’te len as te qash ate qe humbe ne interes te publikut por vazhdojne kritikat e pavlera e jo thelbesore. Cfare te besh, ky eshte modeli i intelektualit shqiptar pak rendesi ka thelbi, pak rendesi largpamesia mjafton pak egzibicionizem per t’i pelqyer turmes (trendit) te kohes.

  6. tomsojeri says:

    Sido qe tju flasesh ,cfardo perpjekje qe te thuash te vertea e te hedhesh drit mbi ate qe luhet ne kuriz te ktij populli ,esht e pa mundur te mos ja gjejm “ilacin” e kundert ! Ne kte artikull nuk shoh asgje te keqe vec te vertetes te then aq ckoqur e aq thjesht! Nuk ka asnje presje per korigjim ! Ky popull qe ka 23 vjet qe genjehet ,mashtrohet,vidhet ,vritet dhe nuk po di si te mar vehten nga ushujezat e politikes qe ja kan shk…….edhe enderen e po lufton te mbijetoj ,u dashka te ket edhe mendje te kthjellet te kuptoj dredhit e tradhetis e te ngrihet te permbys vendime te poshtra ne kuriz te tij….Vall 23 qershori,qoft edhe me vones nuk ju thot gje ? Nese shpetuan marveshjen e Jonit vall nuk ish dikush qe na hapi syt ? Cfar nuk shkon ne kte shkrim ??? !!!
    z Robelli je i qart dhe pergezime ! Te tilla shkrime na nevojiten se kohrat kan ndryshar e nuk besoj te jetojm ate 23 vjecar te hidhur ku mbyllja e tij katastrofale do koh te “sherohet”…..

  7. mali says:

    Hajt hajt se bahet mire, neve shqipetarve gjithmon do na ngelet n´bire!

  8. ermal says:

    oooooooooooooo enver, rama zgjodhi statusin e vendit kandidat kete radhe, Fule erdhi per ti dhene garancine e marrjes se statusit nderkohe qe me pranimin e armeve kimike(te cilat te jesh i sigurte se do hyne perseri), Rama humbte statusin sepse Evropa nuk do helm afer saj, dhe humbte edhe postin e kryeministrit, por me ate situate padurimi qe krijoi ne opinion dhe me ate fjalim qe mbajti ai ne te kundert bindi amerikanet dhe nxorri lakuriq gjithe shpuren antiamerikane te korridoreve te utorakut shqiptar, dhe shpejt do kercasin prangat vlla…..:)

  9. ILIRET says:

    O Robell. Perse qenka ofendim ti thuash idiotit, idiot dhe injorantit, injorant? Eshte sikur ty te te therrasesh Enver dhe ti te fyhesh.
    Dhe u thuaj shqiptareve te dalin te protestojne kunder udhetimit me makina, sepse ato po rrezikojne jeten e tyre. Ja Olldashi shkrete, protestoi kunder armeve kimike, por nuk vdiq prej tyre. Vdiq nga makina.
    Pra ne bote sot vdesin me shume nga aksidentet automobilistike, se sa nga armet kimike.
    Impiante te prodhimit te armeve kimike ka ne SHBA, Rusi, Kine, France, Angli, Itali, Serbi, Indi, Pakistan, Afrike e Jugut, Turqi, Izrael, Brazil, Venezuele, etj. dhe deri tani asnje incident nuk ka ndodhur, ne keto njeqind e ca vjet qe ato prodhohen. N.q.s. eshte e sigurte se dy plus dy, bejne kater, nuk ka pse te mos jete kaq e sigurte qe kater minus dy, bejne dy. Mbledhja eshte reaksioni kimik i prodhimit te lendeve kimike, zbritja, eshte reaksioni i shperberjes te ketyre lendeve.

    1. Suzana (Kosove) says:

      @ILIRET…Ndoshta ne Shqiperi nuk eshte Ofendim, por ne asnje vend demokratik europian nuk ndodhe kurre qe Kryeministri ti quaj te tjeret (opoziten, personat privat, idiotet e vertete….)IDIOT, nese ke degjuar ndonjerin ta kete bere kete gje, na jep ndonje prove. Fyerja e njerezve, cilet do cofshin ata duke i quajtur Idiot, tregon nje nivel jashtezakonisht te ulet edukimi, e kur kjo behet nga nje KM vendi…ateher ruana Zot, nuk ka ku te veje me keq.

  10. Lisi says:

    Enver robeli esht koka me e ndriture qe ka kombi shqiptar sote pa pike dyshimi enveri esht gazetari analisti me i mire qe ka kombi shqiptare sote ky te ben te krenohesh kur e lexon edhe pse mua shpeshe nuk me pelqejn qendrimet e tija ndersa ane adriatiku me trauon barkun nga injoranca

  11. Zapbone says:

    Shkrimi me pelqeu shume, plot nerv dhe fakte te pa kundershtueshme. Qe ne nuk kemi jetuar ne rregull po vetem ne nje kaos te shemtuar kjo dihet, ashtu si dihet qe ne zgjodhem te keqen ( mallkuar) me te vogel. Zgjodhem “rilindjen“ Rregulli eshte gjysma e jetes thone te urtet. Dhe, ne kaos vetem qeverite e keqia udheheqin e mbizoterojne. Dhe njerzit duhet ta kuptojne qe celsi i se vertetes eshte te administrojne kaosin dhe te vendosin rregullin ne rradhe te pare te vetja dhe tja fusin kembet ne nje kepuce qeveritareve duke i kerkuar llogari e transparence. Rregull do te thote qe gjerat te jene ne vendin e vet. Dhe qe gjerat te jene ne vendin e vet fajtoret politike duhet te pergjigjen para gjygjit per shkeljet dhe krimet e tyre.(ato qe kane bere dhe nuk jane pak) Rregulli ne kete qeveri mashtruese qendron te populizmi qe krijon efekte te njerzit, qe nga kostumet firmato, te arredimi i ambjenteve te kryeministrise duke permbysur cdogje duke e kthyer ne indititet po vetem basorelivin kanibalesk komunist te tates se vet Kristaqit nuk ecmonton(!) e deri te shembja efektuoze e ndertesave apo fotot me cigojne duke afruar makinen shteterore. Kete ato( me del nga shpirti e larget pa afinitet shpirteror) jane ne rregull, dhe kujtojne se po vene rregull dhe i japin vetes status hyjnor dhe me kreativitetin e tyre plot ngjyra rregullojne e kalkulojne kaosin ne popull vetem per te sunduar. Nuk ka qelize te jetes ku nuk ka kaos ne jeten e shqiptareve dhe i kushton jeten sikur te ishin ne lufte. dhe cinizmi i shpifur e kriminal i kryeministrit shkon der atje qe thote: po te kishim pranuar mbetjet kimike do te kishim shpetuar njehere e mire.

  12. Illo says:

    Nje shkrim i pa pergjshem dhe arrogant . Armet kimike do te rrinin te mbyllura apsolutisht .Je nxenes I dobet , madje jo vetem ne kimi . I. Foto

  13. zyber says:

    Cdo dite behet me e qarte madje edhe nga keto shkrime se sa keq eshte kuptuar dhe interpretuar ceshtja e armeve kimike;”kepuctari nuk qendroj tek kepuca; ekonomisti nuk qendroj tek ekonomia; edhe me shume madje edhe me keq se kaq ; politikani nuk qendroj tek politika. Vetem eksperti nuk foli. Lutemi bejani vete analizen kesaj ceshtje.

  14. Alias says:

    Enver shkruaj nje arzikull(servil)siq e ke zagon te Tages Anzeiger duke share dhe shpifur per shqiptaret dhe ne pergjithsi ballkanin,mos u merr me kryemistrin e shqiperise , ai degjoi vullnetin e sovranit,dhe per kete duhet edhe ti te ndjehesh krenar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje