Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka ftuar shqiptarët më datë 22 nëntor në nismën “Të pastrojmë Shqipërinë!” Organizatorët shpresojnë në një pjesëmarrje të rreth 100 mijë vullnetarëve në këtë aksion që më shumë se sa pastrim në një ditë, duket një lloj ndërgjegjësimi për të gjithë publikun për të qenë më i vëmendshëm ndaj sfidave të forta mjedisore me të cilat po përballemi.
Është e pamundur që një vend të pastrohet vetëm nga shërbimet publike kur ke kundër popullin i cili e sheh ambientin e përbashkët si diçka të huaj, që s’i përket atij, duke hedhur vend e pa vend çdo lloj mbetje, nga ato më të voglat e në dukje të parëndësishme, deri tek ato me karakter helmues.
Nëse pastrimi i mbetjeve kimike është deri diku problem që duhet ta zgjidhin strukturat shtetërore pasi duan njerëz të kualifikuar, teknologji dhe fonde, kur vjen puna tek mbetjet urbane që i shkaktojnë vetë individët, atëherë kjo mund të menaxhohet nga secili prej nesh nëse ka vullnet dhe dëshirë për të kontribuar për një mjedis më të pastër.
Kushdo që del herët nga shtëpia i sheh rrugët e qytetit të pastra nga punëtorët e pastrimit që dalin që me natë. Por, me kalimin e orëve sheh përreth mbeturina të shumëllojshme të shkaktuara nga një publik që s’ka pikën e kulturës më elementare dhe e hedh pa asnjë lloj problemi që nga lëkurën e bananes, deri te qeset e mbeturinave shtëpiake.
Provoni të hidhni një mbeturinë në rrugë dhe askush s’do ju qortojë. Provoni pak minuta më vonë të shkoni ta merrni për ta hedhur në kosh dhe askush s’do t’ju lëvdojë. Të gjithë të shoqërojnë me indiferencë, si në rastin e parë të dënueshëm, ashtu dhe në rastin e dytë virtytshëm. Askush s’do përkulet ta marrë e ta hedhë në kosh një mbeturinë po qe se aty s’vjen punëtori i pastrimit.
Kur shkova ditët e fundit në Panairin e Librit, ajo çka më bëri përshtypje ishte se ambienti jashtë Pallatit të Kongreseve ishte mbushur me mijëra fletëpalosje, të cilat ishin hedhur përtokë nga ata që dilnin nga Panairi me libra në duar. Po në këtë shembull, ju ka qëlluar që në kryqëzime rrugësh ku të rinj zgjasin dorën për të shpërndarë fletëpalosje reklamuese, shikoni se si njerëzit që i marrin, pasi i hedhin një sy, i flakin tej në rrugë duke krijuar një panoramë të shëmtuar plot me mbetje letrash. Për të mos folur pastaj për paketa dhe bishta cigaresh që janë mbeturinat më të zakonshme që flaken në rrugë si diçka normale. Edhe në plazhe ku, pasi janë konsumuar ushqimet e marra me vete, po aty, janë lënë edhe mbeturinat me idenë se një dorë tjetër do vijë t’i mbledhë. Apo ata që mbeturinat shtëpiake përtojnë t’i çojnë te kazanët e plehrave, por i hedhin rrëzë pemëve apo ku t’ju teket. Këto e shumë të tjera të ngjashme janë anët e vogla të ndotjes urbane, por kur këtë e bëjnë mijëra duar çdo ditë është e kuptueshme përmasa e ndotjes.
Vullnetarizmi, si tabu në Shqipëri
Të jesh vullnetar në Shqipëri nuk shihet si virtyt i atij që e disponon këtë vullnet për të shërbyer pa shpërblim ose me një shpërblim fare modest. Edhe kur përpiqesh të jesh i tillë s’të lënë as disa mediume të cilat, në vend që të ndërgjegjësojnë publikun në këtë drejtim, bëjnë të kundërtën e saj, duke e trysnuar me idenë se të jesh vullnetar është një nismë bolshevike. Ja se çfarë shkuar një gazetë pranë PD-së për nismën e MMSR-së: “Nëpërmjet nismave bolshevike, Edi Rama po u tregon të rinjve dhe ambientalistëve se e kanë vendin veç tek nismat komunale, tek pastrimi komunal, dhe jo tek politikat qeveritare. Pas 22 nëntorit, pritet të vijë 29 nëntori i pastrimit të çlirimit e më pas javët e pastrimit, sipas humorit të Erion Veliajt.” Dhe, si për ironi të kësaj gazete, ditën e shkrimit del në ekranet e televizioneve vetë kryeopozitari Lulzim Basha i cili i bashkohet aksionit të të rinjve vullnetarë bile, në fjalën e vet, thekson se: “Bashkia e Tiranës ka prej dy vitesh bashkëpunim me vullnetarët për pastrimin e kryeqytetit.” Po, në fund të fundit, është më mirë të jesh “bolshevik” si ata të rinjtë suedezë që një vit më parë pastronin vullnetarisht qytetin e Lushnjës, apo të jesh “perëndimor” (sipas konceptit të gazetës 55) ku qytetarët e Lushnjës i ndiqnin me indiferencë “bolshevikët” suedezë tek u pastronin qytetin?!
A mund të pastrohet Shqipëria në një ditë?
Askush nuk mund të pretendojë se do mundemi ta pastrojmë Shqipërinë më 22 nëntor. 23 nëntori do t’i gdhijë qytetet më të pastër, por e përditshmja e gjithsecilit prej nesh ka për të rënë sërish në po atë rutinën ku askujt s’ka për t’i bërë përshtypje ndotja që vjen prej duarve të çdonjërit prej nesh. Rruga përpara shtëpisë, lagjja jonë, qyteti, e gjithë Shqipëria, do të jenë të pastër vetëm kur çdo shtetas i kësaj republike të jetë i aftë të frenojë veten për të mos e ndotur ambientin që e rrethon e në të cilin jeton. Nga ajo që më shohin sytë përditë e kam të vështirë të besoj se një pakicë që e kemi këtë vetëfrenim, të mundim një shumicë që sa vjen e rritet.
E vetmja shpresë është që të investohet shumë në edukimin e brezit të ri, që fillon qysh nga edukimi parashkollor në kopshte, vijon në shkollat fillore e 9 vjeçare, e pastaj ato të arsimit të mesëm. Të paktën të shpresojmë që në të ardhmen do të rritet një brez i edukuar dhe me ndjenjë të lartë qytetare për të ruajtur dhe mbrojtur mjedisin. Sa për brezin e sotëm… kam dyshime të mëdha. E përditshmja ma vërteton në çdo orë të ditës këtë bindje. Fatkeqësisht!
Rd-ja mbetet zeri i erret i salihit me oborrin……..
vullentarizmi nuk eshte bolshevike por njerezore ,civile ,eshte nje ndjenje qe vjen vetvetiu jo vetem per pastrimin por edhe per te ndihmuar kudo ne pune ne shkolle ,ne lufte kunder fatekeqesive te natyres ,ne beteje te vertete ushtarake dhe niset nga qellime te larta njerezore sic eshte solidariteti ndihma per me te dobetin vullentarizmi ka lindur bashke me shoqerine njerezore ne vendet demokratike jepen ne menyre vullnetare ,sende per veshje ,ushqime ,leke apo edhe organizohen pune te ndryshme pa shperblim ne ndihme te komunitetit mos te harrojme se shume njerez shkojne edhe ne luftra te drejta japin edhe jeten per qellime te larta sic eshte liria barazia, drejtesia apo organizimi i manifestimeve protestave per ceshtje te rendesishme si manifestimi i fundit per lendet kimike a nuk ishte nje levizje vullnetare qytetare pse mos te jete edhe per pastrimin si nje ceshtje per momentin shume thelbesore.leku eshte nje istrument ne doren tone por jo gjithecka