Boshnjak, serb, kroat, eskimez

15 Nëntor 2013, 18:41Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Pas 22 vjetësh në Bosnjë-Hercegovinë është numëruar popullsia. Si pasojë e luftës dhe mungesës së perspektivës ekonomike numri i banorëve të këtij vendi ka rënë nga 4,4 milionë në 3,8 milionë. Rezultatet e detajuara, që do të publikohen në janar, do të japin një pasqyrë më të qartë të shprishjes etnike

 

Deri para disa javësh Bosnjë-Hercegovina ishte në shoqëri me Somalinë. Në këtë vend afrikan popullsia është numëruar për herë të fundit më 1987, andaj askush nuk mund të thotë me siguri se sa banorë ka Somalia. Në Bosnjë-Hercegovinë popullsia ishte numëruar për herë të fundit më 1991, para se të shpërthente lufta më e përgjakshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të konfliktit me Marrëveshjen e Daytonit politikanët e tri grupeve më të mëdha etnike kishin diskutuar me vite mbi domosdoshmërinë e një numërimi të ri të banorëve, në mënyrë që autoritetet të kenë një pasqyrë aktuale demografike dhe rrjedhimisht të mund të planifikojnë më mirë. Por Bosnjë-Hercegovina është vend i çuditshëm me një qeveri qendrore me kompetenca shumë të kufizuara, pastaj me dy qeveri që kontrollojnë dy pjesët e shtetit: republikën e serbëve (“Republika Srpska”) dhe federatën boshnjako-kroate, e cila ka dhjetë kantone, të cilat po ashtu kanë qeveritë e tyre. Thuhet se Bosnja ka rreth 200 ministra në të gjitha nivelet. Deri në fillim të këtij viti politikanët nuk arritën të merreshin vesh për modalitetet e regjistrimit të popullsisë. Si në shumë çështje të tjera, edhe sa i përket numërimit të popullsisë, u desh të ndërhyjë Bashkimi Evropian për të arritur një kompromis: Brukseli përdori metodën e njohur të shkopit dhe karotës, duke paralajmëruar se nëse grindavecët politikë vazhdojnë lojërat e tyre, atëherë do të bllokoheshin fondet e BE-së për Bosnjën, ndërsa në rast se do të pajtoheshin, BE-ja do të mbulonte një të tretën e shpenzimeve të regjistrimit të popullsisë (gjithsej rreth 24 milionë euro).

 

Një shtet pa shtetas

Muajin e kaluar, më në fund, Bosnjë-Hercegovina u largua nga “lista me Somalinë” dhe mijëra regjistrues numëruan anekënd vendit njerëzit. Edhe ky proces ishte mjaft i politizuar. Në vendbanimet boshnjake (myslimane) liderët fetarë bënë apel që njerëzit të deklarohen si boshnjakë (në kuptimin nacional), të shënojnë se flasin gjuhën boshnjake dhe se janë shtetas të Bosnjë-Hercegovinës. Në Jugosllavinë e Titos myslimanët e Bosnjës deklaroheshin si Myslimanë (me M të madhe dhe kjo nënkuptonte përcaktimin e tyre etnik). Në republikën e serbëve të Bosnjës, e cila në disa aspekte është më e pavarur madje edhe se Kosova, po ashtu propaganda ishte aktive. Në posterë të vendosur buzë rruge tregohej qartë se si duhej të deklaroheshin banorët e këtij entiteti: “Shtetësia ime është Republika Srpska. Nacionaliteti im është serb. Unë kuptoj serbisht. Unë e dua ortodoksizmin”. Pas këtyre porosive të politikanëve dhe popëve serbët e Bosnjës e kishin të qartë se çdokush që di të lexojë do të deklarohet pagabueshëm sa i përket etnisë. Në këto rrethana edhe kroatët qenë aktivë. Krerët fetarë si ipeshkvi i Sarajevës, Vinko Puliq, deklaruan se është “e drejtë morale” e secilit besimtar katolik që të deklarohet si kroat. Edhe disa imamë kishin thënë se myslimanët duhet të deklarohen se janë boshnjakë. Kjo kakofoni dëshmon se të tri palët ishin të interesuara që të kenë sa më shumë bashkëkombës në kuadër të Bosnjës dhe mundësisht asnjë “bosanac”. Kush deklarohet si “bosanac” e lë anash përcaktimin etnik (serb, kroat, boshnjak) dhe e sheh veten si shtetas.

Arsyeja pse politikanët në Bosnjë nuk janë të interesuar që të kenë banorë që identifikohen me shtetin e përbashkët është e dukshme: sipas Marrëveshjes së Daytonit pothuaj të gjitha postet në administratën publike duhet të ndahen në mënyrë proporcionale. Përparësi ka përkatësia etnike dhe jo aftësia për të kryer një punë. Mund të jesh shumë i kualifikuar për një punë në Bosnjë, por nëse kuota etnike e grupit tënd të popullsisë është përmbushur, atëherë vendin e punës do ta marrë ndonjë i paaftë, por me përkatësi “të duhur” etnike. Shumë përpjekje janë bërë nga bashkësia ndërkombëtare që t’i jepet fund përqendrimit vetëm në etni. Situata absurde mund të ilustrohet me shembullin e Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës: vendi nuk ka një president, por tre anëtarë të Kryesisë (Presidencës) – një boshnjak, një serb, një kroat. Hebrenjtë, romët, shqiptarët janë automatikisht të përjashtuar me Kushtetutë dhe nuk mund të kandidojnë fare për të qenë anëtarë të Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës.

 

100 mijë viktima

Tani politikanët e Bosnjës, pa marrë parasysh se cilës etni i takojnë, po presin me padurim rezultatet e detajuara të regjistrimit të popullsisë, që do të bëhen publike në janar. Atëherë do të dihet sa boshnjakë, sa serbë, sa kroatë dhe sa “të tjerë” jetojnë në këtë shtet. Regjistrimi i vitit 1991 kishte treguar se në Bosnjë jetojnë 4,4 milionë banorë. Prej tyre 43,7 për qind ishin deklaruar si boshnjakë (myslimanë), 31,2 për qind serbë dhe 17,4 për qind kroatë. Në regjistrimin e vitit 1991 disa njerëz në Bosnjë, duke parë dalldinë nacionaliste, në mënyrë demonstrative ishin deklaruar si eskimezë apo njerëz të planetit mars. Për shkak të luftës treva demografike ka ndryshuar, po ashtu edhe ndarja etnike në shumë pjesë është çimentuar. Madje as Sarajeva nuk është më qytet shumetnik në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por rajoni më i “spastruar” është Bosnja lindore: në luginën e Drinës përgjatë kufirit me Serbinë forcat serbe të dirigjuara nga gjenerali Ratko Mladiq dhe nga Beogradi kishin kryer masakrat më të mëdha. Kjo fushatë kulmoi me gjenocidin në Srebrenicë në korrik 1995. “Spastrimi etnik” i Bosnjës lindore kishte për qëllim zgjerimin e kufijve të Serbisë së Madhe, e cila ishte planifikuar nga qarqet nacionaliste në Beograd, Knin (Kroaci) dhe Pale (selia e udhëheqjes së serbëve të Bosnjës). Sipas studimeve të fundit, gjatë luftës në Bosnjë janë vrarë rreth 100 mijë njerëz. Viktimat kryesore të luftës gati 4-vjeçare janë boshnjakët (myslimanët), pas tyre pasojnë serbët dhe kroatët. Gjithsej 2,2 milionë njerëz braktisën shtëpitë e tyre gjatë luftës. Për shembull sot në Sarajevë dhe qytete të tjera të mëdha me popullsi myslimane jetojnë shumë refugjatë nga Bosnja lindore. Në Srebrenicë, ndërkaq, janë vendosur qindra serbë nga Sarajeva dhe rrethina.

Për të shmangur manipulimet Enti i Statistikave i Bosnjë-Hercegovinës javën që shkoi publikoi numrin e përgjithshëm të popullsisë. Në krahasim me vitin 1991, Bosnja sot ka 600 mijë banorë më pak. 100 mijë të vdekurit në luftë u përmendën tashmë, pjesa tjetër është shpërndarë nëpër botë. Më së largu në janar opinioni do të mësojë se sa eskimezë kanë mbetur në Bosnjë.

*KOHA DITORE

2 komente në “Boshnjak, serb, kroat, eskimez”

  1. I L L Y R I C U M says:

    I vetmi komb ne Europe qe per identitet kan religjionin. Ne te vertete keta jane vetem Serbet apo Kroatet te religjionit islamik. Ja pera sa e rrezikeshme eshte percarja fetare. Jane te rrezikshem ata lider qe perdorin religjionin per ceshtje zgjellore.

  2. Kastriot says:

    Ky shtet mbahet gabimisht si i tërë. Është një krijesë e sajuar dhe e pavlerë.
    Askush prej tyre nuk e don shtetësinë boshnjake.
    Të gjithë urrejnë të gjithë. Përse duhet një shtet artificial i përbashkët?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje