“Holokausti i librave”

16 Nëntor 2013, 19:36Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

 

Sekuestrimi i librave shkollorë në gjuhën shqipe nga autoritetet serbe në Luginë të Preshevës është i motivuar kryekreje nga urrejtja fashiste për gjuhën shqipe si strumbullar i kombkrijimit shqiptar, porse duke e justifikuar aktin si “kontrabandë mallrash”, madje nga të njëjtët inspektorë librat shqip u cilësuan si “broshura propagandistike të Prishtinës!?

Libri është një publikim i shtypur dhe “me kore” i kufizuar nga më së paku 49 faqe (sipas definicionit të UNESCO-s), përkatësisht libri është koleksion letre të shtypur. Publikimet e shtypura, me kopertina që kanë më pak se 49 faqe, sipas të njëjtit definicion quhen broshura.

Definimi i librit nga UNESCO-ja dëshmon se libri është trashëgimi botërore kulturore dhe për fatin e mirë regjimet represive ende nuk kanë shpikur ndonjë armë kundër forcës së shpirtit.

Inspektorët serbë në Raincë të Preshevës, sekuestruan rreth 6 mijë libra për filloristët e klasave I-IV, donacion i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, që mbaheshin në shkollën “Zenel Hajdini”.

Vetë zyrtarët serbë kanë pranuar se Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka të drejtë të bëjë kërkesë për sjellje legale librash nga Prishtina, e në anën tjetër ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, ka thënë se librat janë sjellë në Preshevë sipas procedurave të rregullta.

Mirëpo, Serbia edhe më 2010-n ka konfiskuar libra shqip, e të cilat s’dihet nëse janë djegur apo mbahen ende “nën arrest.”

Librat shqip u sekuestruan sipas motiveve konfuze: Si “kontrabandim”, e prapa këtij termi maskohet dhe fshihet fakti se librat janë hartuar sipas planprogrameve kosovare e jo sipas atyre serbe, por që të dyja këto motive janë vetëm pretekste të rreme, sepse mësymja e vërtetë e Serbisë është që të iniciohet një sherr i madh mes Serbisë dhe Kosovës, kur dihet se bashkësia ndërkombëtare po bën presion të madh ndaj Beogradit zyrtar për të zbatuar Marrëveshjen e 19 prillit, e cila duhej të shpinte tek një Traktat paqeje mes dyja shteteve dhe për pasojë njohjen e Kosovës së pavarur edhe nga shteti, deri tash armiqësor.

Deklarata Universale e të Drejtave të Fëmijëve, neni 30 thotë: “Në shtetet ku ekzistojnë pakica etnike, fetare apo gjuhësore, ose persona me origjinë autoktone, një fëmije që i përket një minoriteti të tillë ose është autokton, nuk duhet t’i mohohet e drejta për të pasur kulturën e vet, të ushtrojë dhe praktikojë fenë e vet, ose të përdorë gjuhën e vet së bashku me anëtarët e tjerë të grupit të tij.

Po qysh do ta justifikojë këtë veprim Qeveria e Serbisë?

Natyrisht, Serbia do ta ulë çështjen nga politika represive tek preteksti kinse i parregullsive “ekonomike” dhe “tregtare.”

Serbia aktuale po përpëlitet mes fashizmit dhe demokracisë.

Zyrtarët serbë, që janë kryesisht mbeturina “të shpëlara” të fashizmit milosheviqian po luan me dy letra, e para properëndimore e rrejshme dhe e dyta, fashiste, e vërtetë.

Sekuestrimi i librave në Raincë të Preshevës e rikthen politikën serbe në vitet ’90, atë të vërtetën që përshkruan konstitucionin shpirtëror gjithëserb, atje nga ku nisi fashizmi konsensual nën drejtimin e kriminelit të luftës, Slobodan Milosheviq.

Zyrtarët serbë nuk janë aq naivë sa të mos e dinë se librat e shkollave kosovare në gjuhën serbe janë të gjitha sipas planprogrameve të Serbisë, të gjitha të hartuara e të shtypura në Serbi dhe të distribuuara ilegalisht në Kosovë. Prandaj pret akte reciproke. Që Prishtina të luajë me të njëjtën letër, për ta degraduar stabilitetin e shtetit të ri. Mësymja e Serbisë shkon përtej racionales, ajo mëton që të nxisë konflikte ndëretnike në jugun e saj (Luginë të Preshevës) dhe në veri të Kosovës (rreth procesit zgjedhor), pastaj për ta ngadalësuar zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit dhe përfundimisht, për ta bërë fajtore sy bote Prishtinën zyrtare, si inkuizitore.

Dhe zyrtarët serbë do të thonë, librat e Serbisë për serbët kosovarë janë legalë, pasi që Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të vet, sipas Kushtetutës së saj.

Ndërsa, librat e Prishtinës në Preshevë trajtohen si armiqësorë!?

Ndërkohë prindërit e nxënësve kanë thënë se do t’i ndalin fëmijët nga shkolla pas provokimeve të vazhdueshme të forcave serbe.

Jo, ata duhet te shkojnë në shkollë, nëse nuk kanë libra le t’i këndojnë lirisë!?

Ministri Hoxhaj ka paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjen shtetit serb dhe se këtë çështje do ta ngrenë edhe në Bruksel dhe te ndërkombëtarët.

Por ai nuk ka sqaruar se çka mendon me kundërpërgjigje!?

Veprim me reciprocitet!?

Jo, do të ishte rënie në kurthin serb.

Por Qeverisë “me uniformë të zezë” të Serbisë duhet rikujtuar shumëçka nga historia e largët dhe e afërt. Sepse, ashiqare ky shtet mësyn të mbetet brenda historisë së dhunshme.

Turrat e druve në të cilat ishin djegur librat e autorëve “armiqësorë” është thadruar në vetëdijen e brezave pas Luftës së Dytë Botërore në tërë botën, si akti më kulmor i nazizmit hitlerian. Atëbotë në më shumë se 200 qytete gjermane u dogjën librat e autorëve si Heinrich Mann, Bertold Brecht, Franz Kafka, Karl Marx, Kurt Tucholsky, Zigmund Freud dhe të shumë mendimtarëve, idetë e të cilëve i kishin dhënë vulën mendimit të përbotshëm të shekullit të 20-të.

Në Gjermani këto ditë evokohet për 75-vjetorin e djegies së librave autorialë, për të cilët nazistët, jo shumë kohë pas ardhjes në pushtet (1933) besonin se rrezikojnë pastërtinë e shpirtit arian dhe se po e prishin popullin gjerman.

Më 10 maj 1933, u dogjën me dhjetëra e mijëra libra në Gjermani.

Ishin studentët dhe një pjesë e profesorëve ata të cilët po përpiqeshin të “spastronin shpirtin gjerman”.

Joseph Goebbels, ministër i Propagandës i asaj kohe, thoshte me besim: “Shteti është pushtuar, por ende jo edhe shkollat e larta! Pastrimi shpirtëror po afron, ngrini flamurin!” Librat digjeshin duke brohoritur parulla “Kundër dekadencës dhe uljes morale. Për një familje dhe shtet më të shëndoshë”. Me këso fjalësh hidheshin në zjarr veprat e autorëve si Heinrich Mann, Ernst Glaeser, Erich Kästner apo dhe Albert Einsteinit.

Bota tjetër mbushej mllef, tmerrohej me këtë akt. Revista amerikane “Newsweek” e quajti djegien e librave si “Holocaust of books”, (“Holokausti i librave.”)

Shkrimtari Heinrich Heine ka shkruar që në vitin 1821: “Atje ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit”.

Fjalët e Heines u dëshmuan më vonë në formën më të tmerrshme, gjatë holokaustit të njëmendët, kur në furra u çuan jo librat por njerëzit.

Dikujt i kujtohet mbase, kur pak muaj para rënies dhe përfundimit të palavdishëm, Securitatea e Nikolae Çausheskut sekuestronte makinat e shkrimit nga qytetarët, sepse makinat nuk ishin vetvetiu të rrezikshme por rreziku vinte nga shkrimi.

Po ashtu dikujt i kujtohet moti 1986 në Ferizaj, kur sapo doli në dritë libri poetik me titull “Katërmbëdhjetë autorë”. Libri u dogj me vendim të Gjyqit Komunal të Ferizajt.

Por ata që dogjën këtë libër janë të humburit e historisë së Kosovës.

Sepse idetë, shkrimi dhe librat jetojnë përtej regjimeve.

Kjo është dëshmi se nuk ka armë kundër forcës së shpirtit.

Ajo i mbijeton secilit zjarr e hekur.

Ishte viti 1990. Drejtori i Bibliotekës Universitare të Kosovës, Slobodan Kostiq, ishte mozomakeq, poet, para se të shndërrohej në ndjekës të shqiptarëve dhe ndezës librash.

Ai kishte dhënë urdhër që shumë libra në gjuhën shqipe të kësaj biblioteke të digjeshin.

Imazhet e djegies së librave si simbole të jotolerancës ndaj të gjithëve që nuk janë si ne, që nuk flasin si ne dhe mendojnë ndryshe, janë të hershme dhe shtrihen që në antikitet.

Pra, djegia e librave nuk është vetëm një akt i vonshëm nazist i para 75 vjetësh.

Kjo është metoda më brutale represive ndaj një etnie, një gjuhe dhe një populli që shfrytëzohet nga tiranë e totalitaristë autoritarë në tërë botën dhe në të gjitha kohërat, që nga djegia e Bibliotekës së Aleksandrisë.

Të djegësh libra dhe të ngresh barrikada, kjo është puna e rëndomtë e fashistëve.

Shkatërrimi i qëllimshëm i bibliotekave gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, nga ushtria serbe, ishte pjesë e strategjisë së luftës, njashtu sikur toka e djegur dhe dhunimet seksuale, si armë lufte.

Sulmi i parë pra, mbi librin kishte ndodhur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, ishte Biblioteka e Sarajevës ajo që u godit. Radovan Karaxhiqi që ka qejf ta cilësojë veten më shumë poet se sa kriminel lufte, kishte urdhëruar që ndërtesën e Bibliotekës nacionale në Sarajevë ta digjte me bomba fosforike.

Sërish duhet qartësuar veten dhe tjerët: Nuk ka armë kundër forcës së shpirtit.

Prandaj, mos u bëni si ata!

Ata këtë duan.

Për të pasur shkas për rikthimin e dhunës.

Prandaj Qeveria e Kosovës duhet që të kërkojë sqarime në Bruksel për konfiskimin e librave shqip nga një vend që duan ta integrojnë në bllok, duke mos rrëshqitur në hakmarrje, ose siç po trumbetohet shumë shpesh, në reciprocitet…

Sepse e drejta e serbëve kosovarë, që të përdorin librat sipas planprogrameve të Serbisë, është një e drejtë tashmë e arrirë një herë dhe e pakthyeshme, por edhe e drejtë universale. Fundja është krejt e natyrshme që nxënësit kosovarë të komunitetit serb mësojnë në gjuhën e tyre dhe nga planprogramet e shkollës së Serbisë, porse brengosës është fakti se ata mësojnë përmbajtje që përmbajnë gjuhën e urrejtjes dhe që përkufizohet me fashizmin.

Kosova është një vend i lirë dhe demokratik, prandaj s’ka hileqar që mund ta nxisë të sekuestrojë libra dhe as makina shkrimi!

Kosova gjatë ka hequr vetë të zitë e ullirit në lëngatën e shtypjes diktatoriale të Milosheviqit, duke parë konfiskime librash shqip, ngritje aktakuzash për “libra armiqësorë” dhe ka parë shumë gjatë flakët e librave që i digjeshin.

Dhe me të dalë e lirë – Kosova trishtohet vetëm nga të menduarit se dikush mund të djegë libra.

Këtë e bëjnë vetëm ata që kanë djegur njerëz për së gjalli.

Gjithandej.

*KOHA DITORE

1 komente në ““Holokausti i librave””

  1. nina says:

    Turp i madh por durim derisa Kosova te njihet, po njekohesisht edhe te njoftohen organizmat nderkombetare. vogelushet preshevas duhet te mesojne edhe pa libra, me shenime nga mesuesit e tyre dhe nga familjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje