Të korruptuar, por heronj

18 Nëntor 2013, 19:36Blog TEMA

Nga Imer Mushkolaj

Për kapadainjtë e kthyer në heronj, njerëzit e fortë që s’pyesin për rregull e ligj, të korruptuarit që shfaqen patriotë. Rrëfimi për rumunin Nicola Matei dhe kosovarët si ai.

 

Nicola Matei është kryetar i qytetit rumun Navodari. Është 46 vjeçar dhe gëzon popullaritet të madh në mesin e 32 mijë banorëve të qytetit të vogël bregdetar. Asgjë e pazakontë, do të thotë dikush. Por, e pazakonta qëndron në faktin se ai ishte i akuzuar dhe i burgosur për korrupsion.

Dhe, në vend që të ndëshkohet nga qytetarët, ai është kthyer në yll, duke fituar zgjedhjet me më se 70 për qind të votave. Gazetari Vlad Odobesku ka sjellë një rrëfim të jashtëzakonshëm për Matein dhe të tjerë si ai, të cilët hetimet, akuzat dhe dënimet ndaj tyre për korrupsion i kanë kthyer në kapital politik. “Këta drejtues kanë shfrytëzuar kontrollin që kishin mbi institucionet vendore – si dhe mosbesimin popullor ndaj atyre qendrore, për t’i kthyer dënimet në favor të vet”, shkruan Odobesku në artikullin e publikuar në BIRN.

Dhe, vërtet, dhjetëra zyrtarë të hetuar e akuzuar për korrupsion, tashmë gëzojnë mbështetje dhe simpati të madhe nga qytetarët. Me rastin e arrestimit të Nicola Mateit, qytetarët kishin protestuar në mbështetje të tij. Si një biznesmen i suksesshëm, ai ka bërë çfarë ka dashur me qytetin e vogël që e udhëheq. Për më tepër, e ka mbushur anembanë me skulptura luanësh – simbole të autoritetit të tij.

Imazhi i njerëzve si Matei iu pëlqen rumunëve dhe atë nuk mund ta zbeh as puna shumë e suksesshme e prokurorëve, të cilët të shtyrë nga Brukseli nuk kanë hezituar të ngrenë shumë aktakuza për korrupsion. Pavarësisht përballjes me drejtësinë, politikanët e akuzuar ia kanë dalë ta paraqesin veten si viktima të një “gjuetie shtrigash”, duke bërë kështu që reputacioni i tyre të rritet fuqishëm.

Odobesku shkruan se nga buxheti i komunës, Matei ua paguan qytetarëve të Navodarit faturat e energjisë dhe i ndihmon me pako ushqimore. Kështu, problemet me ligjin atë nuk e kanë diskredituar- përkundrazi, e kanë kthyer në hero. Ndërkohë, të qenit në burg nuk ishte fare problem për fitoren në zgjedhje të kryetarëve të qyteteve Jilava dhe Magurela. Ata morën besimin e qytetarëve përderisa ishin të arrestuar nën akuza për korrupsion. Të dy kishin dhënë betimin të shoqëruar nga policia, para se të ktheheshin në burg. E qytetarët e Ramniku Valkeas e kishin shpallur kryetarin Mircia Gutau qytetar nderi, pasi ai ishte dënuar për korrupsion.

Po të vinte në Kosovë, gazetari Vlad Odobesku do të mund të mendonte se ende është në Rumani.

Njësoj si në vendin e tij, edhe këtu të dyshuarit për korrupsion shihen si heronj. Ata që dyshohet se kanë vjedhur më shumë, janë heronj më të mëdhenj se të tjerët që ia kanë dalë të vjedhin më pak. Njësoj si në vendin e tij, edhe këtu të akuzuarit për korrupsion votohen për kryetar komune. Të tjerë, nga qelitë e burgut, fitojnë zgjedhjet me shifra spektakolare.

Njësoj si në Rumani, edhe këtu politikanë e zyrtarë tjerë të akuzuar ose nën hetime e paraqesin veten si viktima të një “gjuetie shtrigash” – viktima të qarqeve “të dyshimta që nuk ia duan të mirën Kosvës”. Njësoj si në Rumani, edhe këtu qytetarët nuk iu besojnë shumë institucioneve të drejtësisë, të cilat funksionojnë nën presion politik.

Veçse, ndryshe nga Rumania, këtu prokurorët nuk i gjejnë vetes shumë punë. Kosova është shumë larg Bashkimit Europian dhe presioni nga Brukseli për të luftuar korrupsionin dhe të korruptuarit nuk është i madh. Kështu, kapadainj të kthyer në heronj, njerëz të fortë që s’pyesin për rregull e ligj vazhdojnë të sfidojnë shtetin dhe institucionet. Ndonjëri nga ta mund të ketë edhe ndonjë fetish, si rumuni Matei luanët. Të tjerë i konsiderojnë komunat si prona private, me të cilat mund të bëjnë ç’të duan, pa pasur frikë se do të ndëshkohen. Mund të tjetërsojnë prona publike, mund të zhvatin para nga tenderët dhe mund të marrin vendime që pasurojnë brenda natës individë të caktuar – gjithnjë me arsyetimin se po punojnë në të mirë të qytetarëve. Ata mund të shtrojnë asfalt, bash sikur Matei në Navodari, duke fituar simpatinë e qytetarëve të varfër, për të cilët asfalti don të thotë mirëqenie. Ata munden edhe të shpërndajnë pako ushqimore, sidomos në prag të zgjedhjeve, duke provuar të korruptojnë votën e lirë. Ata mund të bëjnë gjithçka, pa pasur frikë se do të ndëshkohen.

Si Nicola Matei ka shumë në Kosovën e vogël, por që sherrin e kanë të madh. Rasti i qytetit Navodari në Rumani është shembull se jo afrimi me Bashkimin Europian, por madje edhe të qenit pjesë e këtij organizmi nuk është garanci se të korruptuarit do të ndëshkohen ashpër për ato që kanë bërë. Për më tepër, ata mund të kthehen në heronj – “heronj europianë”. Sistemi i ka fajet. Sistemi i krijuar nga po këta. Delli i reagimit qytetarëve iu është ndrydhur e truri iu është tredhur. Viktimat i adhurojnë vrasësit e vet. Mirë se vini në perandorinë e Mateive!

2 komente në “Të korruptuar, por heronj”

  1. Koci says:

    Qenka semundje e pergjitheshme ne vendet ish komuniste.Ne Shqiperi kampionet e korupsionit riciklohen si heronj,Ilir Meta etalon i abuzimit me pshtetin reklamohet si simbol i suksesit dhe sot eshte njeriu i dyte me i rendesishem ne vend qe ka akses ne vendimarjen e larte politike,Nikolin Jaka i denuar per korupsion kur ishte zv.minister sot eshte kryetar i dhomes se tregetise etj.Shoqerite tona reagojne kunder armeve kimike qe amerika do i cmontonte dhe nuk reagojme per moralin tone te njollosur deri ne molekule qe na ka asfiksuar jeten dhe bllokuar progresin

  2. Koci says:

    Me mire titulli i shkrimit do te ishte “te dhjere por krenare”,se keta batakcinj shfrytezojne paditurine dhe varferine ne keto vende.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje