Është e natyrshme dëshira për ta njohur, për ta prekur të bukurën, për ta ndier atë; por cila është e bukur? Ku gjendet? Në ç’hone është strukur, apo ndodhet vërtetë përpara nesh e ne së shquajmë dot.
Ndodh shpesh që e ashtuquajtura e bukur të vihet në diskutim e kjo ndodh kur e bukura është e zakonshme apo edhe kur e bukura është krejt e veçantë. Polemikat më të mëdha i vijnë për shtat rastit të dytë. Duke u ndier e veçantë kjo e bukur vihet përballë diskutimeve ku e vënë në një trysni të përhershme e cila pret e përcjellë mijëra opinione e pikëpyetje mbi të, është apo jo e bukur? Dalëngadalë këto mëdyshje i vënë asaj tulla të qëndrueshme bukurie. Ajo fiton kështu statusin e së bukurës pikërisht nëpërmjet pikëpyetjeve të veta.
Ndonjë lexues i imi, nëqoftëse e kam një të tillë, tashmë është mësuar të lexojë nga unë tema që nuk lidhen kryekëput me realitetin, por që e kapërcejnë deri-diku mbingarkesën e furishme të imponimit të tyre. Dhe e gjithë kjo ndodh, për disa arsye, të cilat me siguri ju i kuptoni mjaft mirë. Megjithatë, sot, kam ndërmend të flas mbi konceptin e të bukurës mbi një vepër që rri goxha bukur kundruall memories së saj, realitetit që ajo na shpërfaq dhe mbi të gjitha; ironisë fshikulluese mbi vetë jetën e sotme të shqiptarit.
Jam gjendur në disa situata të ndryshme, që këtë vepër, e konsideronin thjesht si diçka mediokre, pa fantazi, bjerrakohëse, me një fjalë: thjeshtë ka zënë vendin kot. Për mua, diku në thellësi të eshtrave të mia, ajo seç kishte një fuqi trazuese, sa më dukej sikur e gjithë ngrehina e qenies sime, po trandej nga një luhatje sizmike që kush e di sesa ballë do ishte. Anipse nuk isha në gjendje për ta kuptuar se çfarë ngacmonte në mua, por një gjë e kuptova me siguri, se ky memorial që quhet, “postbllok” tashmë ishte bërë dua apo s’dua unë, pjesë e imja.
Cilido qoftë autori i saj, ai që e ka kompozuar këtë instalacion natyror, është vënë në shënjestër. Për arsye se kjo vepër si subjekt të saj ka një tragjedi, akte që s’kanë të bëjnë aspak me të bukurën, por me të keqen e shëmtuar. Kjo vepër ngre mbi të shëmtuarën, të bukurën mahnitëse dhe këtu nis befasia. Ç’kombinim i çuditshëm! Ç’pakt interesant! E shëmtuara tkurret brenda memorialit të bukur e njëkohësisht shfaqet nëpërmjet tij. Polemika vazhdon, por vepra nuk shqetësohet aspak, madje është e bindur se këto nuk mund t’i bëjnë kurrë keq. Arti ka thyer gjithmonë rregullat, pasi vetë e bukura nuk ka rregulla, por ka gjithmonë ndryshime deri dhe radikale. Pikërisht kjo e bën një artist të besojë në veçantinë e saj, në dëshirën dhe nevojën për të ndërtuar ngjarje, shije, ide dhe njëkohësisht edhe për t’i thyer ato.
Ndoshta, në thellësi të tij, ky memorial e përjashton idenë se ne shikuesit e jashtëm duhet me doemos të ndjejmë atë që vetë artisti mendon. Meqenëse një vepër arti ka të bëjë rrënjësisht me kulturën, shijen, syrin, kënaqësinë dhe pavarësisht kësaj, ajo e bukur do të përplaset detyrimisht mbi shijen tonë dhe do të mbetet aty.
Kësisoj, pavarësisht çfarë thashë më lart, unë jam i bindur se përsosmëria lëkundet tek të gjithë, qofshin këta piktorë, shkrimtarë, apo ndoshta edhe muzikantë. Jo gjithçka që prekin është e jashtëzakonshme, e bukur, por është njai që ka realizuar këtë vepër apo atë tjetrën dhe puna e tij unifikohet me vetë autorin. Ne jemi gjithmonë në përballje me të bukurën të cilën mund ta pushtosh, mund të të pushtojë, mund ta paragjykosh apo edhe mund ta pranosh si të pashmangshme. Kjo në vetvete mund të ngjajë me një nderim të mirëfilltë që në fakt është mëse i pranueshëm dhe i vërtetë pasi jemi gjithmonë në kërkim të së bukurës dhe, pse jo gjithmonë e ndeshim atë, përsëri nuk e ndalim hovin drejt saj.
Ka vepra që i quajnë artistike dhe mund të konsiderohen memece nga shumëkush, që nuk mund të flasin ose i kanë realizuar të tilla. Ka edhe nga ato syresh që jo vetëm nuk heshtin, por çirren duke klithur për realitetin e tyre. Dhe kjo është magjia e artit. Ai ka nevoje të dialogojë me njeriun. Me çdo kusht. Andaj, kjo vepër e hedh njeriun në një strukturë dijesh që vazhdimisht jep një tip pushteti. Pikërisht ajo qëndron aty stoike për të treguar, komunikuar një pjesë të historisë së Shqipërisë që shumë kohë më parë, shfrytëzoi barbarisht idealizmin e të rinjve njëzetepesëvjeçar që vendosen regjimin stalinist gjakatar në vendin tonë. Ata punuan kudo, thanë këneta, ndërtuan fabrika, hapen kanale, shtruan rrugë, por më pas ndoshta pasi u lodhën filluan të ndërtonin gjyqe të hapura, burgosën qindra e qindra të pafajshëm, internuan mijëra të tjerë, krijuan burgje, e izoluan atë dhe në fund për ta mbrojtur ndërtuan edhe bunker anë e kënd vendit me moton: “Shqipëria shkëmb graniti i Evropës”.
Mjaftoi pothuajse gjysmë shekulli që të ishte po ajo rini që me idealizmin, heroizmin u hodh për ta shembur njëherë e përfundimisht kuçedrën më të egër politike që kishte sunduar me vite e vite me radhë në vendin e tyre. Siç dihet, çdo kuçedër ka disa koka, njerëzit ia prenë të gjitha dhe më në fund e rrëzuan, por legjenda na thotë se asaj i dalin përsëri të tjerat dhe lufta vështirë të mbarojë. Autoritarizmit i duhet vrarë shpirti. Ndoshta ne ndryshuam sistemin, emrat, fytyrat, por ende jo idetë.
Ky memorial na fton për ta vizituar, na tregon një bunker që na përqesh, një mur si shenjë e izolimit dhe në fund, një skilet ferri që ende nuk e di se kush e mori hua nga Dante. Sot, bashkë me to në çdo hap që hedhim përpara, në çdo rrugë që zgjedhim, ne jo vetëm që zbulojmë shpresa, ankthe dhe frikëra të pazgjidhshme, por edhe bindemi se të gjitha ato zgjidhje që kemi marrë mbi vete dhe që mbështetëshim fort si një truall i sigurt, të gjitha këto gjëra, në të vërtetë janë të pasigurta, nëse një ditë nuk reagojmë mbi të keqen.
Është padyshim e bukura që rri e mbledh vazhdimisht rreth vetes ithtarët e saj, është ajo që vërvit mendjet e dehura nga vetë ajo, është ajo që sjell shpërthime, reagime, nënshtrime dhe së fundi adhurimin prej saj. Gjithçka duket sikur po jeton për të duke e lartësuar deri në përjetësi.
Reldar gjithmone interesant. te pergezoj.