E dielë kryesuesi për Juventusin. Bardhezinjtë marrin përkohësisht vendin e parë në renditje, pas një fitoreje bindëse në transfetën e Livornos, ku regjistrojnë suksesin e pestë radhazi në kampionat, ndaj një kundërshtari që shfaqi shumë dëshirë por pak potencial. Për të besuarit e Contes, vendosën dy blerjet e verës, Fernando Llorente dhe Carlos Tevez, që po shndërrohen gjithmonë e më shumë në njerëzit lider të këtij formacioni, gjithmonë në gjendje të dërgojnë topin në fundin e rrjetës në momentin e duhur. Pas një dominimi asfiksues për 63 minuta, por të pafinalizuar, ishte sulmuesi bask, që pas një harkimi të Pogbas devijoi në mënyrë madhështore topin për në fundin e rrjetës duke i dhënë bardhezinjve avantazhin e merituar. Megjithatë për të qetësuar përfundimisht trajnerin e tij, e për të vendosur në kasafortë tre pikët mendoi Carlos Tevez, që shënoi dhe të dytin në minutën e 73-të.
Në avantazh të dyfishtë kontrolli i takimit ishte një formalitet për kampionët në fuqi, që me vërshëllimën e Masës zyrtarizuan dhe vendin e parë në renditje, të paktën për një mbrëmje, në pritje të përballjes së Romës me Cagliarin. Lorik Cana i dha një pikë me vlera Lacios në transfertën me Sampdorian. Goli i kapitenit të Shqipërisë në minutën e 94-tërt, shpëtoi nga humbja bardhëkaltërit, që ishin në superioritet numerik që prej minutës së 47-të. Vendasit shënuan të parët me Sorianon në minutën e 67-të, përpara se Loriku të vendoste barazpeshën me një goditje të saktë brenda në zonë. Fiorentina mori një goditje të rëndë në ambiciet e saj për Champions, pasi u mund 1-0 në Friuli nga Udinese. Ekipi i Guidolin mori tre pikët falë një realizimi të Hertaux që në minutën e 33-të.