INTERVISTA/ Braçe: Vërejtja ime për qeverinë lidhet me aspektin e ndëshkueshmërisë

26 Nëntor 2013, 10:48Politika TEMA

Deputeti socialist, Erjon Braçe, analizon punën dy mujore të kabinetit të ri qeveritar. Çfarë nuk u tha për armët kimike dhe pse duhej më shumë komunikim? Si dhe arsyet pse Lulzim Basha është i konsumuar për të drejtuar partinë më të madhe të opozitës.

Nga Rozeta Rapushi

 

Një nga armët më të forta të Partisë Socialiste para ardhjes në pushtet, ishte denoncimi i aferave korruptive të qeverisë së djathtë. Si dhe premtimi se pangopësia e treguar në tetë vite pushtet do të ndëshkohej dhe vendime të tëra do të zhbëheshin. Sot, në qeveri, akuzat mbeten por kur bëhet fjalë për ndëshkime, situata komplikohet. Është e vërtetë që dy muaj qeverisje janë pak. Por jo aq pak, sa kabineti i ri qeveritar të mos reagojë për situatën në të cilën i ka gjetur ministritë, zyrat e shtetit dhe të mos ndëshkojë abuzuesit e ligjit. Të paktën kështu pohohet edhe brenda mureve të Partisë Socialiste për qeverinë e zgjedhur me një mbështetje të madhe popullore në 23 Qershor. Erjon Braçe, në këtë intervistë për revistën Klan, flet për nevojën e shkundjes ndaj të gjithë atyre që me pushtet politik në tetë vitet e fundit në drejtim të vendit, shkelën hapur ligjet. Në këtë aspekt, Braçe zërin e ngre jo vetëm në këtë rrëfim për Klan, por edhe në mbledhjet e grupit socialist pasi ministrat duhet të përveshin mëngët për të çliruar tregun e bllokuar nga klientë të qeverisë së mëparshme. Vlerësues por edhe kritik ndaj ditëve të para të punës së qeverisë së majtë, socialisti shprehet se nuk duhet të kihet asnjë lloj kompleksi kur bëhet fjalë për korrupsion dhe aq më pak kur ish ministrat të korruptuar deri në palcë, këndojnë në Kuvend si gjeli majë plehut. Përkundrazi. Për të, ata duhet të japin llogari, jo për hakmarrje dhe as për ti eliminuar nga tregu politik, por thjesht dhe vetëm në raport me ligjin. Çështja bëhet edhe më e fortë, kur deputeti thotë se prova ka dhe ato janë të mjaftueshme madje. Duke kujtuar se tek e fundit, për këtë edhe të tjera, qeveria u votua.

 

-Zoti Braçe, populli u ngrit në këmbë kundër sjelljes së lëndëve kimike në Shqipëri. Pati organizime të shumta dhe protesta. A mendoni se një gjë e tillë nuk do të ndodhte nëse qeveria do të ishte më transparente?

Ajo që unë mendoj se mungoi në tërë këtë histori, ishte një debat apo një komunikim shumë intensiv i qeverisë me të gjitha palët e përfshira, në interesin e tyre më të gjerë në të gjithë këtë çështje. Ajo që mungoi dhe që u krijua si boshllëk, që u shfrytëzua më pas me një fushatë shumë të madhe dezinformimi që shkoi deri në panik tek qytetarët, ishte pikërisht kjo. Pra komunikimi i drejtpërdrejtë i qeverisë me qytetarët. E kuptoj që ka pasur një vështirësi shumë të madhe dhe kjo duhet të ndahet tani me qytetarët. Ka pasur vështirësi të madhe pasi bisedimet janë zhvilluar në një nivel shumë të lartë, ku ato që thuhen në tavolinë jo të gjitha dalin dhe mbi të gjitha ishte edhe një proces që kërkonte edhe konfidencialitetin brenda normave të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ka qenë një moment për të cilin, natyrisht mund të kritikohet fort qeveria, por edhe duhet mirëkuptuar për shkak të nivelit ku u diskutua çështja edhe për shkak të konfidencialitetit që u kërkua nga aktorët që u përfshinë në këtë proces.

-Ju personalisht ishit pro apo kundër ardhjes së lëndëve kimike të Sirisë në Shqipëri për asgjësim?

Gjatë gjithë këtyre 10 ditëve që është zhvilluar ky debat kësaj pyetjeje i jam përgjigjur me pyetje. Për çfarë pro dhe për çfarë kundër. Në fazën ku arriti procesi dhe ku u shkelën apo nuk ekzistonin më dy kushte të domosdoshme për të cilat edhe u ftua dhe u kontaktua Shqipëria, i pari konsensusi politik që u rrëzua drejtpërdrejtë nga një opozitë e cila nuk mendoi fare për procesin por thjesht u nis nga qëllimi i vetëm për të fituar apo rifituar kuotat e humbura në opinionin publik me idenë për t’u afruar sa më parë në pushtet, dhe pastaj konsensusi publik që u humb për shkak të një kulture që e kultivuam ne në këtë vend. Kulturës së kundërshtimit publik të akteve të qeverisë që nuk e kanë falur atë hapësirë të madhe komunikimi, që duhet ta kishte. Në këto kushte, natyrisht ishte e pamundur të kishte një po për të gjithë procesin. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që edhe unë apo edhe të tjerë në këtë vend duhet të binin pre apo duhet të pranonin pikërisht atë gjë, panikun me të cilin u instrumentalizuan një pjesë e madhe e popullsisë së vendit lidhur me këtë proces. Nuk ishte hera e parë që Shqipëria po hynte apo po merrte pjesë, apo po kryente procese të demontimit të armëve kimike, apo të ezaurimit të lëndëve kimike, shpërbërjes së tyre dhe bërjes së tyre të parrezikshme. Në proces ende është Qafë Molla, ku vetëm pasi u mor vendimi shqiptarëve ju tha se rreziku edhe në Qafë Mollë ishte minimal. Nuk kishte rrezik apo kontaminim të gjithë territorit atje si dhe nuk kishte as ndikim mbi popullsinë. Këto janë dy gjëra që duhen sqaruar. E para dhe mbi të gjitha, nuk bëhet fjalë për armë kimike, por për lëndë kimike. E dyta nuk bëhet fjalë për një proces shumë të madh dhe unik në Shqipëri. Bëhet fjalë për një proces ku do të përfshiheshin edhe të tjerë dhe Shqipëria do të kryente vetëm njërin prej proceseve. Vetëm procesin hidrolitik. Ndërkohë që mbetjet që do të krijoheshin nga ky proces nuk do të mbesnin në Shqipëri, do të largoheshin sërish jashtë vendit. Natyrisht kur thuhen të gjitha këto, edhe ai që i dëgjon fillon dhe arsyeton. Po të ishin thënë mbase do të ishte ndryshe. Por kam përshtypjen se me nivelin e panikut që u përhap tek qytetarët ishte e pamundur që të diskutohej dhe e pamundur që ne t’i hynim atij procesi.

-Ju ishit pjesë edhe të një videoje “të fshehtë” që shkaktoi disa polemika. Sidomos ajo shprehja “sarina lahet me ujë dhe sapun”??

Nuk ishte video e fshehtë. Unë po e shikoja qartazi, që ai person që po fliste me mua po mbante celularin. Duke ecur për në Kuvend, disa djem filluan të flisnin për armët kimike. Unë ndalova, aty u afruan dhe u mblodhën 50 vetë. Zhurma ishte shumë e madhe, ndaj dal edhe në atë video me zë të lartë. Ishin 50 veta që flisnin në të njëjtën kohë. Unë kam qenë shumë i vetëdijshëm se çfarë kam thënë. Ka dokumente për atë që unë thashë. Gjendet gjithçka në material. Gjen sarinën, ujin dhe sapunin. Madje flitet edhe se si mund të përdorësh ujin edhe sapunin në momentin që bie në kontakt me sarinën e lëngshme. Për këtë unë kam folur aty, janë të qarta dhe referencat shkencore. Kjo gjë u rekomandohet qytetarëve amerikanë dhe gjithë botës. Pra e gjithë historia është një banalitet. Por kjo vjen nga që njerëzit, disa prej tyre e kanë të vështirë të lexojnë. I zë kompjuteri. Por më vjen keq për një kategori të atyre njerëzve që u përfshinë në proces, dhe që lexojnë, që janë të iluminuar. Dhe e bënë këtë sepse u prekën shumë nga fakti se unë lexova dhe u tregova të tjerëve se çfarë lexova. Për këtë pjesë thjesht jam i trishtuar. Por për pjesën tjetër, të opozitës, përfshirë Sali Berishën deri tek Erla, as që e vras mendjen fare.

-Është e vërtetë se ka pasur shumë debate në mbledhjen e grupit parlamentar socialist për këtë çështje dhe socialistët u ndanë në pro dhe kundër? Çfarë ndodhi realisht në atë mbledhje?

Mirë është t’i themi disa gjëra, se çështja kaloi dhe u hodh pas krahëve. Kryeministri Edi Rama erdhi në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të hënën dhe raportoi me kërkesë të tij. Vuri në dijeni grupin për çfarë ndodhi. E vuri në dijeni për nivelin e bisedimeve dhe i bëri të qartë se nuk ka asnjë vendimmarrje, madje shprehu qartësisht se vendimmarrja do të ndahet me grupin socialist, me deputetët në Kuvend dhe me qytetarët e vendit. Më pas, shpjegoi fazat e procesit dhe se në çfarë faze është diskutimi. Në rast se do të ketë një vendim po, deri ku do të përfshihet Shqipëria dhe cilat janë garancitë që ka kërkuar ai në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu foli edhe për kërkesat që ai vendosi në këtë proces në lidhje me sigurinë e tij. Deputeti Koço Kokëdhima kërkoi të shprehë opinionet e tij në lidhje me këtë çështje. Kryeministri nga ana tjetër, tha se debati nuk duhet të zhvillohet në atë moment në grupin parlamentar të PS-së, pasi momentalisht nuk kishte asgjë konkrete dhe kërkoi që kjo histori të mos kthehet në një debat banal mediash, që gënjejnë të nesërmen në mëngjes. Unë kërkova që t’i kushtohet kujdes kësaj historie dhe thashë nuk kemi pse të trembemi nga dezinformimi banal që bën media në lidhje me këtë çështje. Mbledhja u mbyll me konsensusin e të gjithëve që do të diskutonim për këtë proces në momentin që do të kishte diçka konkrete. Kaq. Nuk ndodhi asgjë tjetër.

-Megjithatë, socialistët nuk u rezervuan aspak, por njëri pas tjetrit nisën të shprehin pakënaqësi dhe qëndrimin e tyre për këtë çështje…

Kjo është një parti e lirë. Edhe ai grup deputetësh në PS janë jo vetëm me integritet, por edhe me personalitet të fortë. Gjithsecili mendon se duhet të thotë atë që është e domosdoshme për t’u thënë. Edhe kolegët e mi që folën për këtë çështje, janë nisur nga referenca ose mediatike ose që kanë të bëjnë me formimin e tyre. Kam parasysh këtu zotin Bare, që e njeh procesin për shkak të njohurive të tij të thella në këtë fushë. Por në referencë të detajeve konkrete të të gjithë procesit, keq më vjen por nuk ka folur njeri. Unë kam folur për këtë çështje, për shkak të kontaktit lidhur me disa dokumente, por pa qenë në dijeni të debateve konkrete që qeveria po negocionte me faktorët e përfshirë në proces. Të premten kur reagoi edhe kryeministri në mbrëmje, fola pasi u vura në dijeni edhe të detajeve të tjera të rëndësishme. Kërkova që të informohem dhe mora të gjithë informacionin e domosdoshëm dhe përcolla atë që mora dhe shqetësimin që ju thashë. Dy kushtet që ishin të domosdoshme që ky proces të shkonte deri në fund. Në momentin që ato dy kushte u cenuan shumë rëndë ku opozita në Kuvend vendosi që për interesa të saj, tërësisht politike, të lidhura me pushtetin, pa e njohur procesin fare, të ndryshonte qëndrimin, natyrisht që ishte e pamundur të thuhej më po.

-Çfarë do të bëhet me hotspotet, pra pikat e tjera problematike të shpërndara në një pjesë të madhe të vendit me lëndë kimike që u përcollën si shqetësim nga kryeministri?

Ja pra pse çështja e armëve duhet të ishte parë me shumë qetësi larg populizmit dhe larg panikut. Pjesë e asaj marrëveshjeje që e kërkoi kryeministri të ishte pjesë e negociatave, ishte edhe eliminimi i të gjithë hotspoteve. Janë thënë shumë të pavërteta. Pra, ai grup njerëzish të huaj, bashkë me të gjithë organizatën që do i mbikëqyrte, nuk do të lëviznin nga Shqipëria pa eliminuar edhe 31 hotspotet e forta që kanë kontaminuar territore të mëdha aty ku janë depozituar për vite me radhë. Tashmë për to duhet një shifër shumë e madhe për t’i eliminuar dhe Shqipëria e ka jashtë mundësive buxhetore në momentin që flasim.

-Zoti Braçe, si e vlerësoni punën e bërë nga qeveria deri më sot? Pra këto dy muaj.

Janë vetëm 60 ditë, apo diçka më shumë. Vërejtja ime, nëse e kam një vërejtje për qeverinë lidhet drejtpërdrejt me aspektin e ndëshkueshmërisë. Kemi qenë tetë vite në opozitë dhe që nga unë i pari dhe tërë kolegët e mi kemi folur shpesh për afera korruptive për vendimmarrje klienteliste, për koncesione që kanë ardhur si produkt i këtyre vendimeve, që kanë rënduar shumë fort në kurriz të qytetarëve të Shqipërisë, për shkak të kostos shumë të rëndë financiare. Kemi folur për koncesione të tjera që kanë bllokuar zhvillimin në këtë vend, veçanërisht ato që janë dhënë në fushën e menaxhimit të pasurive natyrore, ujore dhe minerare, të cilat kanë frenuar zhvillimin për shkak të mungesës së kapaciteteve të atyre që i kanë marrë në rrugë korruptive nga administrata e shtetit. Në këtë aspekt, natyrisht që unë jam kritik. Jo vetëm tani që po flasim bashkë por edhe në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Aq sa nganjëherë më është dashur të bëj atë që tek unë është edhe natyrale, edhe të bërtas, të ngre tonet e zërit me qëllim që të shkundet gjëja. Të shkundet sepse kam përshtypjen se të ballafaquar me një situatë që as vetë ne nuk e mendonim me zyrat e shtetit, dhe në fakt një pjesë të anëtarëve të qeverisë i ka rrëmbyer vorbulla e asaj që është jashtë çdo parashikimi tonë e gjendur në zyrat e shtetit. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të ecim përpara me çlirimin e tregut. Buxheti i shtetit është shumë i vogël se ekonomia dhe tregu në këtë vend. Ndaj kam kërkuar që ministrat të nxitojnë në çlirimin e tregut dhe të gjitha resurseve natyrore të këtij vendi që janë bllokuar nga njerëz që janë klientë në ish qeverinë e mëparshme dhe që nuk kanë asnjë lloj kapaciteti për të menaxhuar në miniera në naftë, në industri të tjera shumë të rëndësishme apo edhe në të gjithë sektorin e shërbimeve ku shteti ka hyrë dhe është bërë palë me monopole tërësisht të dëmshme që kanë cenuar interesa shumë të rëndësishme në treg por edhe nga ana tjetër kanë dëmtuar rëndë qytetarët shqiptarë. Kjo është pjesa kritike ndaj qeverisë. Aty ku qeveria ka bërë mirë, si në fushën e rendit dhe sigurisë publike, në rikthimin e rendit veçanërisht në rrugë. Aty ku qeveria ka bërë një goditje shumë të fortë informalitetit veçanërisht në sektorët e tregut që janë dhënë apo janë kapur nga krimi i organizuar, siç ishte sektori i lojërave të fatit. Atje ku qeveria ka bërë mirë, si me rikthimin në parametra që janë ende fillestarë të një konkurrence të ndershme që është synuar shumë fort nga dogana, duke përdorur doganat. Të gjitha këto nuk mund të mohohen. Por natyrisht që meriton edhe kritikë. Kritikë që i bën mirë një qeverie për të kapur ritmet dhe për të çliruar ekonominë kombëtare. Njerëzit janë të interesuar për ekonominë, rendin dhe sigurinë. Në momentin që për rendin dhe sigurinë po ecet fort, duhet bërë edhe pjesa tjetër. Dhe në anën tjetër qeveria nuk duhet të ketë asnjë lloj kompleksi kur bëhet fjalë për korrupsion. Nuk mundet që ish ministrat të korruptuar deri në palcë, të vijnë dhe të këndojnë në Kuvend si gjeli majë plehut. Jo. Është një moment ku secili prej tyre duhet të japë llogari. As për hakmarrje dhe as për t’i eliminuar nga tregu politik. Jo. Thjesht dhe vetëm në raport me ligjin. Për gjithsecilin prej tyre që ka prova dhe ka prova të mjaftueshme për çështje konkrete. I referohem vetëm një rasti, Ministrisë së Mbrojtjes. Nga ajo akuza e qartë që kemi bërë, të përgjimit dhe përdorimit të parave publike për aparate për veprimtari që nuk lidhen fare me fushën e kësaj ministrie por për qëllime dhe interesa të mirëfillta politike. Për të vazhduar me trafikun e armëve, keqmenaxhimin e pronave, keqmenaxhimin e burimeve financiare, etj. Pra, në momentin kur ka prova për secilin prej tyre as duhet të ekzistojë mendimi se cila duhet të jetë përgjigjja e këtyre njerëzve kundrejt një qeverie që ka për detyrë dhe është votuar të ndëshkojë korrupsionin që ka gjetur në atë zyrë. Kjo duhet të bëhet sa më parë. Njerëzit kërkojnë drejtësi për korrupsionin dhe ne duhet t’i kthejmë përgjigje sa më parë.

-Sa shqetësues është niveli i borxhit publik të Shqipërisë? Kam parasysh këtu faktin se ministri i Financave foli edhe për borxhe 500-700 milionë euro të fshehura.

Ekonomia kombëtare është më e madhe sesa buxheti i shtetit dhe ky i fundit kthehet në problem për ekonominë në momentin që politikat e tij bien ndesh me konkurrencën, lirinë. Një pjesë e madhe e parave që duhet të shkojnë për të kredituar sipërmarrjen private në vend po merren borxh nga buxheti i shtetit. Sa më i madh borxhi, aq më shumë cenohen shpenzime të tjera të domosdoshme si ato sociale, administrative dhe shërbimet kapitale. Borxhi është kthyer në një problem kaq të madh sepse tashmë është borxh jo vetëm publik i qeverisë por edhe ndaj sipërmarrjes dhe e ka futur sipërmarrjen private në një krizë të thellë që është më e madhja që ka ekonomia kombëtare. Me impakt edhe tek bankat. Nëse ne prisnim vetëm 21 miliardë lek borxhe për kompanitë private, që në fakt një shifër paraprake që mua më është bërë me dije është 24 miliardë lekë. Vetëm në një zë. Në kontratat publike të qeverisë me sipërmarrjet private. Ndërkohë që është tatim fitimi dhe po ashtu shërbime të tjera që nuk janë likuiduar.

-Si e vlerësoni sjelljen e PD-së pas tetë vitesh qeverisje, në opozitë?

Ajo që shoh në Kuvend dhe që i mungon opozitës së sotme është përulësia dhe modestia. Janë një grup njerëzish që drejtohen nga ish qeveritarë, ku shumica dërrmuese janë ata që kanë bërë keq në këtë vend, sigurisht që ka edhe që kanë bërë mirë. Dhe për fat të keq të tyre, zgjodhën në krye një njeri që ka bërë akoma edhe më keq. Lulzim Basha është personi që kudo ku ka qenë, kudo ku ka pasur pushtet ka bërë keq. Ka qenë Ministër i Transportit mbahet mend për shkatërrimin skandaloz në Tiranë, mos zgjidhje të trafikut, dhe për kontratën më të madhe në historinë e Shqipërisë dhe më të vjedhur, si segmenti Rrëshen-Kalimash. Iku andej për të fashitur zhurmën e madhe që bëri dhe përfundoi Ministër i Jashtëm. Bëri keq edhe këtu, sepse i la Shqipërisë në derë një marrëveshje që i kalonte Greqisë një sipërfaqe të detit dhe një sërë pasurish nëntokësore që mund ta bëjnë vërtetë të begatë këtë vend. U bë ministër i Brendshëm, dhe atje bëri keq. Nëse dikush e mburr për liberalizimin e vizave, në anë tjetër angazhimi i tij në 21 janar, kundrejt komandos që vrau 4 protestues e plagosi dhjetëra të tjerë, e varrosi përfundimisht si njeri. Jam i bindur që nuk e bën gjumin e qetë ky njeri, ka makthe natën. Pra PD ka në krye njerëz të tillë të konsumuar dhe të kompleksuar me të drejtë pasi ka përballë një qeveri që ka marrë votën për të bërë drejtësi për çdo akt kriminal, jo politik. Mund të jetë ky, mund të jetë dikush tjetër, të tjerë që janë aty që kanë mbi supe një bazë të rëndë me vendime nga korruptive deri kriminale. Ky kompleks e mban opozitën peng dhe do të vazhdojë ta mbajë. Ne do të donim natyrisht një opozitë të qartë, të fortë dhe profesionale në Kuvend. Për fat të keq nuk është, por është një opozitë që është peng tek aktet kriminale që ka firmosur në tetë vite të ushtrimit të pushtetit.

*Revista KLAN

20 komente në “INTERVISTA/ Braçe: Vërejtja ime për qeverinë lidhet me aspektin e ndëshkueshmërisë”

  1. Dielli mbi KORAB says:

    Erjon Braç flet si politikan dhe jo si qytetar dhe ky eshte nje problem i madh,nje semundje qe i kap te gjithe ato qe marrin pushtetin.
    Erjon ju sapo erdhet ne pushtet miratuat ligjin per ndalimin e importimit te mbetjeve,si do e justifikonit ardhjen e plehrave -lendeve kimike jo te rrezikshme qe nuk i pranon as Gjermania as Franca as Norvegjia as Belgjika,por do i pranonte vendi me i varfer i Europes??
    Erjon,ti ishe dikur nje politikan MISTREC,nje Politikan Spec Djeges,dhe per kete te kan adhuruar shqiptaret,por tani duket se nga larja me SAPUN ti je kthyer ne Politikan -Diplomat.
    Po Gerdecin ore Erjon a e harrove??
    Ata qe protestonin ishin moshataret e Edison Durdes dhe ne ndergjegjen e tyre eshte akoma e fresket shperthimi dhe klithmat e femijve te djegur?
    Shqiptaret ju votuan qe te degjohet zeri i tyre dhe jo ti tregoni sapunin se si te lahen.
    Edi Rama e tregoi veten nje Lider GJENIAL.
    Ai hyri i detyruar ne biseda me Amerikanet,por ja la dopje gjashten OPOZITES Bash-Berishes. dhe ne fund degjoi popullin qe e zgjodhi.
    Do ishte mire te marresh pak kohe dhe te reflektosh ore Erjon.
    Pasojat e ardhjes se armve-lendeve kimike ne nje vend rrupalla si Shqiperia do ishte KATASTROFAL.

    1. bracja says:

      Ti Erjon sec me ngjall nje ndjenje pasigurie ne cdo kohe.Ti ke problem vella me ate qe quhet “personalitet”
      hidhe poshte dhe hiqi syzet kur shikon traun.Shko pak ne baze,se sa ishe ne qarkun tone e nderite.Nuk je minister,por deputet.Beje ti detyren ndaj atyre qe te kane zgjedhur,jo me viza pune,me lajle lule por shko e degjoi sec kane ata pas 23 Qershorit.

    2. andi says:

      Erion Brace eshte njeriu me i paster e politikani me i pershtatshem per luftimin e Korrupsionit. bravo i qofte, ai do marri meriten nga vete populli te cilit i ka dale e po i del per zot per te drejta e mireqenie me te mire. Budigardet te cilesdo ane qofshin, budigarde(zagare) mbesin.

      1. TE Shkarkohet Nishani menjehere. says:

        do filloni te fusin njeri ne burg keta apo do ti falin !!!

  2. Gramoz says:

    QEVERIA E EDI RAMES DUHET TE BEJE DREJTESI DHE TE NDESHKOHEN ISH LIDERET POLITIKE QE KANE BERE KORUPSION DERI TANI NUK KEMI ASNJE GJYQ.PRITESHMERIA E POPULLIT ESHTE E LARTE DHE KERKON DREJTESI ,MJAFT FJALE TANI DUHEN VEPRA.

  3. No Partiak - No Party. says:

    Rama ka marre para korrupsioni per ndertimet ne Tirane. Nuk do te kete kurajo te “burgose” askend per faje qe i ka bere edhe vete. Eshte ceshtje ndergjegje. Nuk mund te vjedhesh dhe te besh ligjin e prerjes se duarve per vjedhesit. Ne se e ben eshte e qarte qe nuk eshte koherent, por mbi te gjitha do te provonte qe nuk eshte ne rregull nga trute.

    1. babec says:

      Ne 8 vjet opozit, doktorresha, nuk i gjeti asnje pisllek! Apo do thuash e la vete me shprese se dhe Rama do ja falte. Por jo e ka pas gabim. Dhent zoti ca pisa nga rreshti I trete dhe i katert ta kalojn vitin e ri mbas hekrave!

      Amin

  4. Billy says:

    Ngrijeni zerin Erjon, sepse askush nuk ka per tu denuar nga hajdutet e vathes berishiste. Hekuri rrihet sa eshte i nxehte thote populli. Mesa duket ju po i lini gjerat te ftohen. Besimi per ndeshkushmerine e akteve kriminale po bie ne popull..
    Dhe kujdes! Cfare po beni me punesimin e mbeshtetesve tuaj. LSI e realizoi dhe po e tejkalon planin. Po ben thirrje qe te shkojne njerez ne zyrat e saj per pune, pasi pune ka, por nuk kane njerez te tjere, se te tyret i rregulluan….

  5. Idriz Gjembi says:

    Kur do te ndeshkohet Krimi dhe Korrupisioni i klanit Mafioz Berisha dhe ish-qeverise qe ai drejtonte ???
    Faktet qe PS denoncoi para zgjedhjve dhe premtimi paraelektoral u harruan…
    Por populli nuk harron.
    Qeveria do te deshtoje nese nuk mban premtimin.

  6. Liridon says:

    Porosite e zonjes Klinton perpara nje viti jane :
    1-Zgjedhje te ballancuara.- Kete e realizoi sovrani me sukses.
    2-Rrisni nivelin e kultures te ndeshkueshmrise.- Detyre e qeverise te cilet sovrani nuk e kupton perse po shohim vetem shfaqe,biles ne ndonje rast edhe vjedhje ne mes te dites te relikeve shume te rendesishme per kulturen e nje kombi.
    3-Lufte korripsionit i cili po e con vendin Tuaj ne kufijte e ekzistences.- Detyre e qeverise te cilen sovrani po sheh qe akoma spo behet asgje.Eh sovrani ka te drejten te formuloje pyetjen :Mos valle qeveritaret tane jane shitur atyreve forcave te cilat do te perfitonin nga mos ekzistenca e kombit shqiptar ?
    Do te doja ti thoja qeveritarve qe pa frike te filloje te zbatoje porosite e miqve tane natyral,pasi qartesisht ata perfaqesojne edhe interesat e kombit tone.Pa frike nga cdo situate qe mund te vije nga kjo lufte.Sovranin e keni me vete,pasi ai mban kusuret e ketij korrupsioni galopant,i cili ka zaptuar te gjithe fushat e jetes.
    Gjyqet te transmetohen ne kohe reale,denimi i shoqeruar me fature financiare,tu hiqet e drejta per dy breza te punojne ne administraen e shtetit.

  7. pelivan says:

    … Pa, eshte thene e sterrthene…
    Sa t’jet sala neper kembe,
    ka vec Nat e s’del me Hene,
    ka vec kuje,ka vec gjeme…

  8. ergi says:

    Keni 8 vite qe beni gam gam kot si ti dhe Taulant Balla.Ja tani e keni pushtetin pse nuk i nxirrni para ligjit ish ministrat te Pd-s por mos harroni dhe te Lsi-se se dhe ato kane vjellur sa kane dashur.

  9. e verteta says:

    Erion Brace eshte thjesht zedhenes i popullit por vepron si i partise.
    Po ta kuptoj kete do eci ndryshe eshte me ore pune si fodullat paraardhes.
    Kur te vleresoj maksimalisht popullin e ti rrespektoje ndoshta mund te degjohet.
    Problemi eshte qe ai quan popullin ijnorant qe nga shpjegimi i sapunit deri te te thenit troc poullit: O injorant.
    Qe ne kete moment nuk ka me proces por ofendim dmth tkurrje.
    Dhe Sali helmi nuk guxoj te ofendoje popullin me ate fjalor.
    Rritu Erijon bashke me qellimet e mira
    Na respekto te respektojme
    Ja hyme ne europe?
    Prape do ofendosh?
    Problem i madh kjo c’eshtja e te qenit politikan kokelulur dhe i matur tek ne Pellazget ky.
    Ndoshta te bibla mund te mesoje si krishti i lau kembet njerezve dhe arriti respekt.

  10. pelivan says:

    O e verteta ! Qe Populli eshte injorant,(Ketu hy dhe une),kete e di dhe vet populli !… Une kam frike, se mos Bracja dhe te tjere si ky, harrojne,qe jane aty, ne saj te kesaj ijnorance… Pastaj,a i ke pare qe shkojne dhe ne kish a xhami,(Me thert mua ne besojne ata…)Por, le t’a provojne,d.m.th. te mos shkojne atje! Se injoranca,po s’i pa aty,s’u jep kokerr vote… Pra, kjo eshte politika!. gjithesesi Bracja eshte me i miri njeri sote per sote,per mua,mbase dhe per shume te tjere…

  11. elinor says:

    Eh, c’t’i besh…keshtu eshte kur je bure i vockel, nuk te pyet kush!

  12. A says:

    Shume probleme dhe ceshtje ERJON BRACE, i ka ngritur shume qarte dhe sakte si kur ishte ne opozite dhe tani ne pozite.
    ERJON BRACE, kaq e ka, sepse thjeshte eshte nje deputet, nuk eshte vendimarres dhe urdherues, thjeshte eshte nje ne grupin parlamentar socialist. Problemet, shqetesimet ai i ngrene nuk i zhduk. Por, ne qoftese kryeministri i qeverise se sotme EDI RAMA, qe eshte edhe kryetar i Partise Socialiste, deri tani vetem ka fole dhe nuk shofim ndonje veprim ose ndonje mase. Megjithate te shohim, ne qoftese mbas date 30 NENTOR 2013, nuk shohim veprime te shpejta, te sakta, te qarta ndaj pozites se djeshme me ne krye nje sharlatan si SALI BERISHA dhe me disa te tjere te tipit RIDVAN BODE, ARBEN IMAMI, JOZEFINA TOPALLI (COBA), LULEZIM BASHA dhe kushdo tjeter qe ka shperdoruar, abuzuar, vjedhur, grabitur shtetin dhe popullin shqiptar me intriga, ngaterresa, korrupsion, me vrasje, kriminalitet dhe me veprime e akte mafioze duhet te arrestohet, ti jepet drejtesise duke kalbur ne burg dhe pasuria e tundeshme dhe e patundeshme qe e ka vendosur ne menyre te padrejte, abuzive duke shkelur ose anashkaluar duhet to konfiskohet.
    Sepse ato qe nuk duan drejtesine, qe nuk duan ligjin, vrasin, presin, vjedhin, grabisin, shperdorojne, qe pranojne ryshfetin per te kryer veprime te paligjeshme po e krijojne “nje mendesi te re” ne popull se ky eshte kapitalizmi dhe ky quhet NJERIU i SHKATHET dhe i ZHDERVJEDHTE.
    Kurse tjetri “i varferi” njeri quhet BUDALLA, HANDIKAPAT.
    Prandaj, ka ardhur koha qe te ngrihemi per te rrezuar kete kaste politikanesh dhe pushtetar te pandergjegjshem dhe te paskrupullt.
    RILINDJA e PROTESTAVE te VERTETA ka FILLUAR me LEVIZJEN kunder DEMONTIMIT te ARMEVE kimike te SIRISE ne SHQIPERI.
    Duam liri te vertete, duam demokraci te vertete, duam zhvillim te vertete, duam mireqenie te vertete, duam te behemi si popujt e zhvilluar, te kultures, te arsimuar dhe me qytetari te vertete.
    Poshte “njeriu i ri tranzicionit” kriptokomunisti SALI BERISHA. Poshte agjentet dhe bashkepunetoret e sigurimit qe vine nga shtresat e persekutuara me pseudonimet si “desinjatorja” JOZEFINA TOPALLI (COBA).
    Jemi ne pritje.

  13. Patrioti says:

    E pergezoj me gjithe shpirt komentuesin “Pelivan”, i cili vetem me 4 vargje i ka thene te gjitha. Respekte.

  14. e verteta says:

    Pelivan paske nenvlefsim per poupullin
    Populli leviz ngadale por sigurte
    Bracja te filloje te hetoje te gjalle e te vdekur
    Qe nga Sala e deri te Koli
    Te gjithe the ndeshkohen dhe konfiskohen
    Pa kufi
    Pa ndjenja
    Sic eshte drejtesia
    Si ka mundesi qe Koli me rrogen modeste te kete keto assete
    Pse s’hapet nje padi ti bej nje skaner dhe ti konfiskoje nqse nuk justifikohen?
    Po Kolat e tjer qe skane rene ne kthese pse nuk i kap radari auditit fiskal?
    Ka ardh koha te denohen te gjithe pushtetaret financiarisht dhe me shume por te fillohet nga e para.
    Vetem keshtu populli do ndihet i respektuar dhe i barabarte
    Ndryshe inferioriteti do vazhdoje dhe do shpertheje me spazma periodike tip 97 ose 21 shi
    Koha per aksion legal kundra gjithe qeveritareve
    Te gjithe asetet ti kalojne popullit
    Pastaj mund te ecim drejt dhe ti shikojme/te na shikojne drejt.

  15. petrit says:

    Eshte kenaqesi permua qe te bej nje koment,mbi figuren e paster te zotit -Brace..Eshte I vetmi perfaqesues I popullit,ne tempuullin e
    shenjte ligjvenes;ku prej 8-vjetesh ka pasur kurajon,dhe guximin e nje shqiptari te vertete,per tju kundervene pa rrezeva,kujtdo,dhe cilit do qofshin, presidenta,kryeministra,ministra,deputete,e deri tek dikasteret,apo drejtori te ndryshme ku potencijalisht kane nxitur lulzimin e korrupsionit, deri ne majat me te larta-te politikes,dhe ekzekutivit..Kam pershtypjen se shum deputete, te maxhorances se sotme,jane te karakterizuar nga nje naivitet,qe mua me duket I semure..
    Pa- Z Brace, grupi parlamentar I PS-es,do te ishte i pergjumur..

  16. shqiptar i ndershëm says:

    Pse ???
    Pse mendon se kalohet thjesht me nje kritike ??
    Pse mendon se kalohet thjesht me nje autokritike ??
    Pse mendon se kalohet thjesht me nje vrejtje te vockel ??

    Bere nje ngritje te intonacionit zanor, dhe hodhem lumin !!
    Bere nje fleterrufe si Regjimi Komunist, dhe hodhem lumin !!

    PANDESHKUESHMERIA ESHTE NJE PROBLEM SHUME I MADH NE SHQIPERI.

    ZBATONI LIGJIN ! OSE : PERGJIGJUNI PERPARA POPULLIT DHE LIGJIT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje