Lënia e mandatit të deputetit nga ministrat, ende larg

3 Dhjetor 2013, 17:07Politika TEMA

Shkëputja e mandatit të deputetit nga posti ministror, duket një proces ende i largët në kohë, ndonëse kryeministri Edi Rama e premtoi si prioritet në axhendën politike të pas 23 qershorit. Tre muaj pas fillimit të punimeve të kësaj legjislature parlamentare, akoma nuk duken shenja të trajtimit të kësaj çështjeje.

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, pa folur për afate kohore, deklaroi në një prononcim për ATSH-në se “për këtë proces do të ketë një kalendar në varësi edhe të axhendës parlamentare”.

Ndërkohë në kalendarin e punimeve të miratuara për këtë vit, çështja në fjalë nuk është e përfshirë.

Por, sipas Celibashit, “e rëndësishme është që ky proces të mos komprometojë zhvillimin normal të procesit legjislativ në Kuvend dhe të gjejë mbështetjen nga shumica aktuale parlamentare”.

Për projektin e kryeministrit që konsiston në shkëputjen e mandatit të deputetit nga posti ministror, si fillim pati zëra kundër nga radhët e aleatit më të madh të Partisë Socialiste, LSI-së. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, gjatë një komunikimi me mediat, në fazën e përpilimit të kabinetit qeverisës aktual, e cilësoi këtë projekt si “çështje të pa konsultuar mirë në momentin kur është artikuluar” duke theksuar se ky standard nuk është aplikuar nga asnjë vend tjetër europian, me përjashtim Francën.

Por, ky moment duket se është tejkaluar tashmë. Gjatë prononcimit për ATSH-në, ministri Celibashi siguron se “ky është një proces i dakordësuar edhe me aleatët e PS në këtë qeverisje dhe se nuk ekzistojnë qëndrime të ndryshme”.

Përmbushja e premtimit të kryeministrit për ndarjen e mandatit të ligjvënësit nga posti ministror, sjell për rrjedhojë rifreskim të listave të deputetëve të maxhorancës në parlament.

Nga 19 ministrat e kabinetit “Rama”, 17 janë deputetë, të cilët, sipas projektit duhet t’u hapin rrugën për në parlament 17 emrave të rinj nga listat e kandidatëve për deputetë.

4 komente në “Lënia e mandatit të deputetit nga ministrat, ende larg”

  1. Anton Nepravishta says:

    Shkerdhata!

  2. Tana says:

    GENJESHTRA E RRADHES E EDVIN RAMES!

    PS + LSI = PD ne Katror (ne rrang rrenash dhe vjedhje)

  3. arsen says:

    Puna eshte se po na u bene deputete te dytet e listes, kush i mban ministra keta te sotmit 4 vjet?
    Pse kollaj eshte ta shkarkosh Nacon dhe Koken me Haxhinaston?
    Kesaj i thone qe te lidhesh duart e tua pa te thone njeri…O Edi!

  4. Arber says:

    Se mos e ka pas mbajtur ky dhe pararendesit e tij ndonjehere ndonje premtim qe ia vlen. Ky s’i mban premtimet ndaj vetes, kerkuekeni sot t’i mbaj ndaj jush, hahahahah. U preferoj t4e shkoni te vizitoheni ke mjeku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje