Nga FATBARDH RUSTEMI
(Persjatie për librin Ditari i 23 Qershorit, të Alfred Pezës )
Rilindja e socialistëve pati një dukuri të veçantë, ku, faza e garës elektorale, ishte më e lehtë nga ajo e ballafaqimit me premtimet e deklaruara. Në asnjë fushatë të mëparshme, nuk ishte maksimalizuar morali politikë në një shkallë të tillë, ku, tundimi i pushtetit, të konkurrohej prej misionit idealist. Vetëkuptohet, që, e gjitha kjo, nesër, të kthehet në një bumerang, nëse rezulton një farsë. Kështu që, përballja nuk është me kundërshtarin, por, me apostujt e Rilindjes sonë, me të cilët guxuan të mateshin. U shpall kështu modeli, duke u injoruar me përçmim shëmbëlltyra e bajraktarit e të shefit të kuadrit, të dalë boje. Të mos harrojmë se dhe kundërshtari i socialistëve, ka një gazetë me titull: “Rilindja demokratike”.
Pak kush e di, se poeti ynë i madh i Rilindjes, Naimi, ka punuar dhe si doganier në Sarandë. Dhe, i vëllai, Samiu, e lavdëron për ndershmërinë e treguar në detyrë. Luigj Gurakuqit, ish ministri i financave, kur u vra, iu gjetën në xhep, vetëm ca kacidhe. Ky është modeli i afruar prej socialistëve. Ndaj, që nga kryeministri, deputeti dhe, gjer tek zyrtari më i parëndësishëm i një komune, do t’u shihet çdo gjë, krahasuar me pushtetarin famëkeq. Pa reminishencat e hajdutit, injorantit, militantit bobozar, abuzuesin e kapardisur, tahmaqarin, që, e ndan fitoren me njerëzit e vet dhe fisin. Fol sa të duash për programe e buxhete, gjithçka do ta marrë lumi, më keq se kurrë.
Pavarësisht, simpatisë për gazetarin Alfred Peza, kur, mora vesh kandidimin e tij për deputet, u gëzova, pasi politika alla shqiptare shpesh ngurron ose, në rastin më të parë i flak kollajshëm, gjithë ata, që, duan të kontribuojnë me ide, vizion, përkushtim qytetar, të sjellurit i lirë ndaj siglave dhe tutorëve politikë, qoftë dhe me hijen e njeriut pozitiv.
Botimi i librit Ditari i 23 Qershorit më zgjoi kureshtje, jo si i pari i këtij lloji, por, isha kurreshtar të shihja se çfarë ofronte gazetari Fredi për të na dhënë politikanin Peza, kundrejt pritshmërive të shpallura? Nga kjo kërshëri isha shtyrë të ndiqja dhe fushatën e tij në Peqin, me aq sa munda.
S’kish si të mos më tërhiqnin vëmendje këto rreshta: “Kam menduar, gjithnjë, se, profesionalizmi, rritja e vazhueshme nëpërmjet leximeve dhe tejekalimit të vetvetes, moderimi…duhet të ishin armët e mija për një karrierë në ngjitje.“ Nëse ka sot një gjë, krejt e pamatshme në referencën e saj, është lehtësia me të cilën pretendohet drejt hierarkisë apo posteve. Askush nuk i hedh sytë nga vetja, por, se shumëkush, nuk ndalet në tamah. Shqipëria është e mbushur me raste skandaloze, ku vulgu bën karrierë i karfosur. Sokrati thotë: ”Më parë se të ndryshosh botën, ndrysho veten”. Gjë që e pashë të mishëruar tek kredoja e Alfred Pezës. Meqë të gjithë ne, jemi në pritje të një modeli të ri qeverisës, të një modeli të ri përfaqësimi, të një sjellje të re të shtetarit, pasi gjithëfarë faqezinjsh na e kanë ulur kokën me turp, detyrimisht, i kthehemi së shkuarës, pasi, sado e largët që të jetë, e kemi nëpër këmbë. Po citoj diçka, nga kujtimet e Eqerem bej Vlorës i cili ishte nipi i Esat pashë Toptanit. Pashai kishte thirrur në një takim shumë ambasadorë të huaj, ku nipi ia përkthente secilin në gjuhën e vet. Në fund, Esat pasha, i habitur nga dituria e nipit, i thotë: Sikur gjysmat e këtyre që di ti, të dija unë, do isha bërë mbret! Dhe, kur Eqerem bej Vlora, konkurroi për kryetar bashkie në Vlorë, i renditur i pari me një shumicë të madhe votash, Zogu, e mënjanoi duke miratuar të dytin në listë. I kujtojmë gjithë këto, jo si historira të vjetra, por që, i ndeshim për ditë, në gjithfarësoj emrimesh klienteliste, të turpshme. I hapet rruga me kollajllëk atij që na prish punë dhe jo atij që na duhet. E shajmë të keqen e telendisim atë, por, kur vjen puna të zgjedhim, prapë bëhemi me të. Tek rilindasit nuk hyn as Esati, as dhe mbreti Zog. Rilindasit i gjen në të gjitha muzetë, por, jo në pushtet. Flas në Shqipëri, sepse gjetkë kanë bërë karrierë. Kujtoni Pashko Vasën. Me këtë rast, nuk mundet, pa përmendur këtë detaj nga libri: “Çmimi i parë për tufën dhe gjelin më trimosh e merr kapoja i radhës së partisë në pushtet.” Zor se gjen në historinë e këtij vendi një babëzitje të tillë të pushtetit abuzues për të rrëmbyer dhe kapardisjen e gjelit.
Vlera e këtij libri, nuk është te kronikat realiste, as te fitorja e kandidatit, as tek aftësia gazetareske për ta mbajtur gjallë vëmendjen e lexuesit, as te bamirësitë prekëse, as që një qyteti të harruar prej një shekulli i kishte ardhur më në fund shpëtimtari, as tek zgjimi i grave dhe vajzave të penalizuara në disa të drejta të rëndomta, vlera e tij qendron te mesazhi që përcjell: ardhja e një politikani të përgjegjshëm, i cili, më parë se ta ketë portretin e Naim Frashërit te dymijëlekshi, që e fut në xhep, ta ketë brenda vetes. Dhe që të jetë i besueshëm pët kohën: ta luajë misionin e tij, si një idealist pa iluzione. Duhet respektuar përpjekja e Alfred Pezës, që na afron modelin e pritshëm të politikanit të sotëm, premtuar me tamtame të mëdha prej krahut të tij politikë. Ai ka marrë përsipër ndryshimin e vendlindjes, harruar prej të gjithëve, e nënvleftësuar gjer në poshtërim. Si i tillë, ai është i përfshirë në një sfidë dinjitoze, ku fitorja, i dha një mundësi, por kurrësesi garancinë e përmbushjes së misionit. Pa harruar dhe vesin e keq të shqiptarëve, që të suksesshmit i nxijnë jetën dhe dështakun, e ngushullojnë. Pale një atmosferë mbytëse, si kjo, që e gjen në të gjitha ambientet partiake:“Të gjithë flasin keq për njeri-tjetrin. Rrallë gjen një, që të flasë mirë për dikë i cili mungon.”
Shpesh është folur për makinerinë e përbaltjes. Në provincë, s’ka rëndësi Peqin apo Tiranë, edhe pse je lehtësisht i verifikueshëm, në jetën tënde private, edhe pse njihesh mirë prej atyre, që të rrethojnë edhe pse kamerat të mbysin gjithandej, thashethemi, ka marrë një të drejtë qytetarie të tillë, sa mjerë kë zë. Kjo armë e padenjë, quajeni po deshët dhe armë kimike, që ka helmuar mjedisin shqiptar gjithandej, vazhdon të përdoret nga politika me një zell të paparë. Goxha burra të hapin barkun, kur, lëshojnë nga goja gjithfarësoj shpifjesh dhe, të përgërat e tyre, preferohen si ushqim i ditës. Njësoj, sikur bajga e një lope, të ketë më vlerë nga qumështi i saj. Ja çfarë lexojmë në libër:”Pamundësia për t’u përballur ballazi, iu drejtuan të vetmes fushë, ku ndihen zot dhe, nuk i mund dot: Thashethemet dhe intrigatë e vogla provinciale.” Sa të drejtë kishte Tolstoi, kur thoshte: “Çdo injorant për punë intrigash, ia hedh gjithë të mënçurëve.” Një nga arsyet, që, thashethimi, ka dalë pothuajse jashtë kontrollit, është përfshirja e injorantëve, inferiorëve, halabakëve në punët e shteti dhe, shpesh, si të fortë, mbështesin subjektet politike.
Ky libër shoqërohet dhe nga një parathënie e Ben Blushit, aktulisht deputet, gazetar i njohur dhe, shkrimtar potent. Jo, pa qëllim, e vura për në fund, pasi, krahas mirëpritjes dashamirëse, që ai i bën librit, ka dhe një konstatim therës, krejt të sinqertë: “Në një kuptim ai (Alfred Peza) do të vazhdojë të jetojë në kuthin, që i ka ngritur vetes. Por, e ka bërë me ndërgjegjie dhe, si të gjitha vuajtjet, do ta kalojë.” Pesimizmi i deputetit të vjetër është përballë optimizmit të kolegut të ri. Kështu është palajmëruar një garë besimi, e cila e lë të hapur siparin e këtij libri. Protagonizmi i Alfred Pezës është në një provë të madhe, përmasat e së cilës i shtoi ambicja e tij për ta kthyer detyrën në një mision. A do të kthehet laku i karrierës në një gjerdan? Na mbetet të presim. Jo fatin e një njeriu, por kthesën e pritshme të politikës, që ka pranuar të matet me kultin e rilindësve. Ftesën ua ka bërë të gjithëve: “Mirë se rdhët në botën time të re!” Por, kjo botë e re, nuk mund të ngrihet me aq mundim, sa u ngritë shtëpia e re e kalotëve?!
Alfred Peza eshte e ardhmja e Partise Socialiste. Hyrja e tij ne PS ka sjelle shume risi dhe u ka treguar shume te tjereve se si behet nje fushate paqesore dhe se si “luftohet” per voten e qytetareve ne menyren me demokratike te mundshme.
Libri i tij ka pas shume sukses e ka hyre ne librat me te shitur. Eshte ribotuar me sa e kam ndjekur une.
Mund te them pa frike se eshte nje prej botimeve me te mira te politikaneve shqiptare. pergezime Alfred Peza
E mer pez sa lezet te ka pena
gregu ,albani ,shkrimtaru dhe urani jane alfredi
Autori eshte vezhgues i holle, pse kaq i dobet ky artikull?
Sepse eshte bere nga nje karrierist(bardh rustemi) qe gjithe kohen eshte munduar te perfitoje nga politika dhe qe tani mundohet te na shitet si nje i moralshem . Mjafton t’ju them qe eshte nje lsi-st.
Shkrimi eshte ndertuar me shume kujdes dhe profesionalizem.Nepermjet komentit,Z Rustemi veshtron fenomenet e kohes dhe kritikon.Urime Z.Rustemi!