Irlanda mbështet statusin e Shqipërisë në BE

9 Janar 2014, 18:54Politika TEMA

Irlanda mbështet Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo është konfirmuar nga ministri irlandez për Çështjet Evropiane Pascal Donohoe, në vizitën zyrtare të zhvilluar në Tiranë. Donohoe u prit në takime të vecanta nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Integrimit Klajda Gjosha. Në një postim në rrjetin social Facebook, pas takimit me ministrin irlandez për Cështjet Europiane, Kryeministri Rama shprehet se Donohoe vlerëson lart përpjekjet e Qeverisë së re dhe garanton se Irlanda do ta mbështesë fuqimisht Shqipërinë për statusin e merituar të vendit kandidat. Mesazhi i mbështetjes ndaj Shqipërisë nga Irlanda iu përcoll edhe Kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili në takimin me ministrin irlandez u shpreh se reformat që po ndërmerren janë në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Meta theksoi se Parlamenti ka në fokus klimën e bashkëpunimit konstruktiv. Nga ana e tij, ministri irlandez theksoi se rikonfirmoi përkrahjen e fuqishme të Irlandës në avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë.  Ai theksoi më tej se Shqipëria duhet të vazhdojë me trendin pozitiv të reformave të nisura ndërsa vlerësoi edhe klimën gjithëpërfshirëse dhe konstruktive në Parlament. Gjithashtu Donohoe kërkoi edhe forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Irlandës ndërsa vlerësoi edhe rolin e komunitetit shqiptar në Irlandë si një urë bashkëpunimi dhe miqësie mes dy vendeve.

Në takimin me ministrin e Çështjeve Evropiane të Irlandës Paschal Donohoe, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke falënderuar në këtë kontekst nënshkrimin nga homologu irlandez Gilmore, të letrës së 8 ministrave të Jashtëm në mbështetje të dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë në dhjetor të vitit të kaluar. Gjithashtu, Bushati theksoi se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë mbetet prioriteti kyç i Qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër e siguroi Ministrin Donohoe për angazhimin maksimal në vijimin e zbatimit të reformave, duke shprehur besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor. Ministri irlandez Donohoe vlerësoi ecurinë pozitive të reformave në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sikurse shprehu edhe njëherë mbështetjen e Irlandës për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit shprehën vlerësime për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit u ra dakord për gjetjen e rrugëve për dhënien e asistencës teknike të Irlandës, lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.  Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rajonin dhe në këtë kuadër u vlerësua politika konstruktive e Shqipërisë.

2 komente në “Irlanda mbështet statusin e Shqipërisë në BE”

  1. Arif Gjongjini says:

    Kthimi herëpashere apo përmendja përditë e punës së statusit po bëhet e neveritshme. Sapo dikush thotë se iu mbështesim, menjëherë buçisin mediet për ta përhapur sihariqin e madh. Jemi djegur aq shumë me premtime të tilla, që më shumë ngjajnë me rrahjet lëvduese të shpatullave që u bëjnë të rriturit kalamajve me qëllim që ata ta marrin me qejf ndonjë punë që do t’u ngarkohet, e pikërisht prej kësaj tani lajme të tilla duken fyese e të dyshimta. Të gjitha këto raste, pasi janë zhbiruar qëllimet e vërtata të vizitave, ato të prapaskenës, të pathënat apo të pashpallurat, ka rezultuar se qëllimi i vetëm kanë qenë interesat e tyre vetjake, jo rrallë edhe kundër interesave të Shqipërisë e shqiptarëve. S’ka nevojë të përmend fakte, sepse i dinë të gjithë. Do t’u lutesha gazetarëve të mos vihen në shërbim të të keqes duke dhënë vetëm fasadën e ngjarjeve, por të informojnë për atë pjesën tjetër që kërkon hetim. Nga ana tjetër qeveria do ishte mirë të mos u gëzohej përkëdheljeve të tilla boshe po t’u përvishet punëve për të përmirësuar eokonominë, siç edhe kanë premtuar që do ta krijojnë Evropën këtu, duke rritur mirëqenien e shqiptarëve. Nëse ka lajmë të tilla do ishte kënaqësi.

  2. Kur do ta na hyje rroga se statusin e morem vesh o pallosh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje