Mitrovica Veriore pritet që shumë shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ky vendim ka dalë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pas përfundimit të procesit të monitorimit dhe të vlerësimit të ligjshmërisë për seancat inauguruese të mbajtura në Komunën e Leposaviçit, Mitrovicës Veriore, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Në një njoftim nga MAPL thuhet se në seancën inauguruese të së shtunës, kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës Veriore ka dështuar të bëjë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit do të ndërmarrë veprimet ligjore dhe do ta njoftojë Presidenten e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve për shpalljen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore, ashtu siç parashihet me legjislacionin e zbatueshëm të Republikës së Kosovës”, thekson MAPL.
Gjithashtu kjo ministri ka konstatuar se të gjitha Kuvendet e Komunave janë mbajtur në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe që mund të vazhdojnë të realizojnë mandatin e tyre bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i Listës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç tha se zgjedhjet e reja për kryetar të Mitrovicës së Veriut, mund të mbahen brenda 15 ditësh.
Sipas tij, vendimi i Kërstimir Pantiçit për të mos e marrë detyrën e kryetarit të komunës, nuk do të ndikojë në destabilizimin e gjendjes në këtë qytet.
Gjithashtu, Ivanoviç ka thënë se brenda dy ditësh do të vendosë nëse do të rikandidojë për kryetar.
Krstimir Pantiç ka refuzuar ta bëjë betimin, duke humbur postin e kryetarit të Mitrovicës veriore, të cilin e fitoi në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013./ZERI