“Bullgaria gjithmonë ka mbështetur dhe do të mbështesë integrimin e Shqipërisë. Bullgaria në Dhjetor votoi pro marrjes së statusit kandidat për Shqipërinë dhe do të vijojmë të mbështesim edhe në Qershor. Ne t`ju mbështesim në rrugën tuaj të integrimit dhe do të ndajmë me ju përvojat dhe gabimet që kemi bërë ne që rruga juaj drejt integrimit të jetë më efektive”. Kështu u shpreh Presidenti bullgar Rosen Plevneliev. Vizita e tij në Tiranë me ftesë të homologut shqiptar Bujar Nishani realizohet në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dy presidentët ndërsa vlerësuan si të shkëlqyera raportet, vunë theksin në rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok.
Plevneliev
Në konferencën e përbashkët për mediat, Presidenti Plevneliev rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian duke theksuar se Bullgaria do të votojë pro marrjes së statusit në Qershor. Ai deklaroi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bullgarisë do të shtrihet me projekte në energjitikë dhe infrastrukturë. “Dy shtete bashkëpunojnë për projektet energjetike dhe projektet infrastrukturore. Ne vlerësojmë lart projektin e korridorit 8 sepse dimë rëndësinë që ka për rajonin dhe punësimin. Ne inkurajojmë që biznesmenët shqiptarë të punojnë me portet bullgare në Detin e zi. Mund të them se gjatë viteve të fundit janë investuar 700 milionë euro për punimet e Korridorit 8 dhe aktualisht po vazhdojmë punën për linjën hekurudhore. i nderuar zoti president e shtrëngova dorën tuaj dhe ju urova në drejtim të diversifikimit të burimeve energjitike dhe vlerësoj punën që ka bërë Shqipëria për projektin TAP. Ky projekt premton ulje të çmimit të energjisë elektrike, më shumë vende pune”, u shpreh Plevneliev. Në vijim ai u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen mbi miqësinë, partneritetin dhe mirëbesimin. “Të tilla kanë qenë gjatë 100 viteve të fundit dhe ashtu do jenë edhe në 100 vitet e ardhshme. Këto marrëdhënie ekzistojnë në të gjitha nivelet, në nivelin e presidentëve, kryeministrave, kulturës etj. Prandaj ne jemi të detyruar të vazhdojmë të ndërtojmë mbi këtë bazë të shëndoshë që tashmë ekziston që vendet tona të vazhdojnë të jenë kontribuuese për stabilitetin në rajon”, u shpreh Kreu i Shtetit bullgar.
Nishani
Integrimi në Bashkimin Europian është objekti kryesor i Shqipërisë. Integrimi është një proces që duhet të bazohet në meritë dhe si i tillë Shqipërisë duhet t`i jepet statusi në Qershor për arritjet që ka bërë. Kështu u shpreh Presidenti Bujar Nishani në konferencën e përbashkët për mediat me homologun bullgar. Në këtë kuadër ai shprehu besimin se në Qershor do të ketë një vendim pozitiv për Shqipërinë, por ky vendim është vetëm një stacion pasi rruga drejt integrimit ka shumë sfida përpara. Përsa i takon marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, Presidenti Nishani u shpreh se vizita e homologut të tij në Tiranë është shprehje e angazhimit të përbashkët për të intensifikuar më tej bashkëpunimin e mirë. “Vlerësuam së bashku se marrëdhëniet mes vendeve tona bazohen mes marrëdhënieve të ngushta mes popullit shqiptar dhe atij bullgar. Bullgaria mbetet një partner tradicional i Shqipërisë, kurse integrimi mbetet objektivi ynë i madh historik. Shqipëria do vazhdojë reformat duke vazhduar rekomandimet e ndërkombëtarëve. E ardhmja e përbashkët e të dy vendeve është në BE e NATO”, tha Nishani. i pyetur mbi dialogun Kosovë-Serbi, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi se Shqipëria mbështet dialogun e ndërmjetësuar dhe nga baronesha Ashton dhe mbetet i rëndësishëm zbatimi i tyre në terren. Sipas tij, zhvillimi i zgjedhjeve lokale në Kosovës është dhe rezultat i këtyre marrëveshjeve”. i pyetur mbi respektimin të drejtave të pakicave bullgare në Shqipëri, Nishani theksoi se vendi ynë është shteti që është vlerësuar maksimalisht nga organizmat ndërkombëtare në këtë drejtim. “Shqipëria është vlerësuar nga organizmat ndërkombëtar si një vend që respekton pakicat. Para pak kohësh u zhvillua një census ku një ndër pyetjet është që cdo qytetar të deklarojë me vullnet të tij prejardhjen. Shqipëria mbetet e angazhuar në respekt të të drejtave dhe në kuadrin e pakicave”, tha Nishani.
Axhenda
Në vizitën e tij në Tiranë, Presidenti bullgar do të pritet në takime të vecanta nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe nga kreu i opozitës Lulzim Basha.
Të dy presidentët do të marrin pjesë në ekspozitën që do të zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, që do të zhvillohet në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Tek sa shikon kete foto kenaqesh e krenohesh kur shikon dy figurat e vendeve respektive ku njeri respekton institucionet e takimet protokollare e tjetri dallohet pernjehere se kush eshte efendi Bujar Nishani i zhgaravitur,fshatçe kurr karizmatik per ç’ka perfaqson!