Rudina Xhunga, një rrëfim për shkrimtarët e shekullit, takimet me ta dhe dhe bisedat pas kameras

19 Janar 2014, 13:09Kulturë TEMA

“Të shkosh të njohësh një shkrimtar, pasi i ke lexuar dhe dashur çdo frazë që ai ka shkruar, është ankth më vete. Mos të zhgënjen…Mos nuk i ngjan atij që të ka bërë të lumtur, tek i lexoje “Një rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën”… Pastaj ai i hapi derën. Ishte më i shkurtër nga ç’e kishte menduar, më i qeshur se ç’do shpresonte. Ai ishte shkrimtari i njohur, Amos Oz. Atë ditë që gazetarja Rudina Xhunga shkoi ta takonte, Akademia Suedeze do të shpallte fituesin e “Nobelit” në letërsi, Amos Oz kish qenë një nga kandidaturat, por fatkeqësisht jo fitues. Intervista me shkrimtarin izraelit është një prej 31 intervistave që gazetarja Rudina Xhunga ka realizuar për 5 vjet në studion e emisionit “Shqip” në Top Channel”. Së fundmi Xhunga ka vendosur t’i nxjerrë jashtë studios së emisionit shkrimtarët që ajo ka patur fatin t’i intervistojë për t’i bërë bashkë në një libër të titulluar “Shkrimtarët e Shekullit. 31 intervista në bibliotekën e botës”. Një libër për të cilin, Edi Rama për Rudina Xhungën dhe kryeministri i vendit për lexuesit, është ulur për të shkruar parathënien.

Rudina Xhunga me një libër të ri, ku bën bashkë shkrimtarët më të rëndësishëm të këtij shekulli. Kjo ka ndodhur sepse libra të tillë tashmë janë trend i momentit, apo sepse ju mendoni se këto intervista dhe ato çfarë kanë rrëfyer për ju këta shkrimtarë duhet të jenë të shkruara e zeza në të bardhë?

Një arsye është që të jenë bashkë, në letër. Televizioni ikën, zhduket. E shkruara mbetet. Intervistat harrohen. Por jo, kur i ke në një libër, që mund t’i referohesh përditë, që të kthen përgjigje për shumë pyetje, kur të duash dhe sa herë të duash. Që e mban në dorë, qoftë edhe thjesht për ta shfletuar, kur ke nevojë ta nisësh ditën bukur. Kjo ka qenë më tepër arsyeja që i bëra bashkë shkrimtarët që kam intervistuar, sesa fakti që gazetarë të njohur në botë e kanë bërë këtë gjë.

Përse shkrimtarët dhe jo politikanët?

Sepse shkrimtar është shumë më tepër. Shkrimtar është më shumë se shumë. Politikanët janë të vdekshëm, shkrimtarët janë të pavdekshëm. Shkrimtarët flasin dhe të ndryshojnë jetën. Unë jam e sigurt se atyre që do të lexojnë këtë libër do t’u ndryshohet, në mos jeta, të paktën, dita. Në mos dita, të paktën ora. Të tilla intervista të ndryshojnë, të bëjnë të kesh ëndrra, të bëjnë të kesh guxim. Unë hyj tek njerëzit që vazhdoj të besoj te libri, te shkrimtarët. Intervistat e këtyre shkrimtarëve janë të mrekullueshme. Ata e ndryshuan jetën time.

Në intervistat tuaja nuk jeni mjaftuar vetëm me shkrimtarin, keni kërkuar dhe njeriun tek shkrimtari. E patët të vështirë?

Kanë qenë intervista, ku ti e zbërthen një njeri, e shikon përtej punës krijuese, e shikon në jetën familjare, në dëshirat, në ëndrrat dhe pamundësitë. Kanë qenë intervista për të njohur njerëz të mëdhenj të epokës sonë. Këta shkrimtarë janë ata që i kanë dhënë emrin këtij shekulli. Janë shkrimtarët e Shekullit. Janë shkrimtarë që kanë marrë “Nobel”-in, apo që e kanë pretenduar atë. Të vështirë janë të gjithë kur intervistohen. Në përgjithësi shkrimtarët kanë interes të flasin kur janë duke botuar një libër. E bëjnë këtë për publicitet, por kjo nuk do të thotë se ata në periudhën e publicitetit befas bëhen të dashur, kështu që nuk di të them kush qe më i vështiri, por di të them kush më shijoi më shumë.

Dhe kush të shijoi?

Ai ishte Amos Oz. Më ka shijuar shumë, më ka bekuar këtë libër duke qenë se është dhe shkrimtari i parë që hap librin. Më ka bekuar intervistat me dashurinë, me dëshirën e tij për të ndarë veten me mua dhe publikun shqiptar. Më ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme, dhe jo vetëm mua. Më kujtohet momenti kur ai po fliste për prindërit e tij, të cilët nuk jetonin më, dhe sesi i ftonte herë pas here për një kafe në shtëpinë e tij. Unë nuk e kuptoja se çfarë po thoshte, sepse ai po fliste në gjuhën hebreje. I vetmi njeri që po kuptonte çfarë ai po thoshte ishte përkthyesja. Por Amos Oz po fliste në atë mënyrë sa unë fillova të qaja edhe pse nuk kuptoja fjalët. Kthej kokën nga përkthyesja për t’i thënë; të lutem më përkthe – dhe pashë që edhe ajo po qante. Unë po qaja për zërin dhe gjestet e tij, ajo po qante prej fjalëve të tij. Të gjithë në atë dhomë po qanim, prej mënyrës sesi ai po e tregonte. Amos Oz dinte të të prekte edhe pa e kuptuar gjuhën. Pastaj kishte atë përkushtimin ndaj teje sikur donte të të thoshte; keni bërë gjithë këtë rrugë, keni ardhur deri në shkretëtirë për mua. Çfarë mund të bëj për ju? Kujtoj gjithashtu kur u ngrit të më tregonte shkretëtirën dhe në një moment ndalet dhe më thotë: Unë e bëj përherë këtë rrugë. E bëj sepse dua të ridimensionoj veten dhe të kuptoj sa vlerë ka jeta ime. Duhet bërë, në mos përditë një herë në vit, rruga për në shkretëtirë, për të kuptuar sa të mirë e ke jetën, prandaj zgjidh të jetosh. Kështu më tha Amos Oz në fund të asaj bisede në shkretëtirë.

Mund të na rrëfeni ndonjë episod tjetër në prapaskenë?

Është një episod që më ka shënjuar këtë libër. Është një njeri që në fakt i mungon këtij libri. Ai është Jose Saramago. Bashkë me Arlinda Dudajn, botuesen e veprave të Saramagos në shqip, kishim kohë që bënim përpjekje për ta intervistuar. Më në fund na erdhi dhe përgjigjja pozitive dhe na caktuan një datë për intervistën me të. Deri atëherë duhej të gjenim paratë për të shkuar te Saramago. Ishte një rrugë e gjatë që kushtonte. Përgjithësisht financimin për realizimin e këtyre intervistave, e kam siguruar vetë. Unë nuk kam pasur asnjë mbështetje financiare nga ndonjë institucion shtetëror. Udhëtimet janë mbuluar nga Top Channel dhe sponsorizime private. Për te Saramago shpenzimet ishin të mëdha, sepse duhej të shkonim në ishujt Kanarie. U munduam të merrnim rrugën me më pak shpenzime, që ishte edhe rruga më e gjatë, me pak fjalë po bëheshim gati për udhëtimin, duke vazhduar të tentojmë për sponsorizimin e tij, për fat të keq, kryesisht me njerëz që nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për shkrimtarin. Pas shumë peripecish, kur vendosëm që do shkojmë, sikur edhe në këmbë, Saramago vdiq. Unë u trondita jashtëzakonisht dhe më vinte shumë inat që kishim qenë kaq afër dhe humbëm rastin e intervistës me një ikonë të letrave. Vështirësitë financiare, gjithsesi nuk më kanë ndaluar të pranoj intervista. Nëse merrja një PO për intervistën, unë do të bëja gjithçka që ajo të realizohej.

“Shqip” me Rudina Xhungën nisi si emision politik, por rrugës gjërat ndryshuan. E kishit menduar që në fillim se kështu do ndodhte ?

Jo, në fillim ishte një emision politik, por në momentin që çdo gazetar politik në Shqipëri bën një emision politik dhe çdo politikan në Shqipëri del në çdo emision politik, atëherë m’u duk e padrejtë që shikuesin tim, shikues besnik i emisionit, qysh prej vitit 1998, ta trajtoja si shikues të zakonshëm. Si detyrim ndaj tij, m’u duk e drejtë që duhet të kërkoja përtej. Dhe përtej janë shkrimtarët bashkëkohorë, artistët dhe filozofët bashkëkohorë. Janë njerëzit që i japin kuptim këtij shekulli. Ndaj u përpoqa të shkoj tek ata dhe t’i jap tjetër pamje përmbajtjes së emisionit, jo thjesht titrave, strishave, tavolinës, karrigeve, që meqë ra fjala, nuk i ndryshoj prej kohësh.

Ka qenë e qëllimshme apo rastësi që shumë prej shkrimtarëve janë intervistuar në momente të ndryshme debatesh që zhvilloheshin në Shqipëri. Amos Oz, për shembull, intervistohej ndërkohë që shpallej fituesi i çmimit “Nobel”, Atiq Rahimi, kur dhuna ndaj grave ishte bërë një shqetësim i madh social; Orhan Pamuk në kohën që ishte hapur një debat i madh për neo-osmanizmin. Shembuj të tillë ka shumë?

Janë ca rastësi të bukura që bëjnë atë që quhet e qëllimshme. Shumë rastësi bëjnë një qëllim. Por e vërteta është se, si gazetar nuk ngacmohesh ashtu befas, thjesht sepse e di që është një shkrimtar diku, e ai quhet Atiq Rahim, Orhan Pamuk, apo Amos Oz. Ti ngacmohesh prej tyre sepse kërkon të mësosh diçka më shumë për atë që ndodh në vendin tënd. Dhuna ndaj grave, për shembull, është një plagë që mua më vret. Çdo ditë që vritet një grua unë mendoj për fatin tim, për fatin e nënës time dhe vajzës time. Dhe mundohem të kuptoj sesi i kanë zgjidhur këto probleme sociale vendet e tjera. Kjo qasje më ka shtyrë të intervistoj në kohën e duhur, njerëzit e duhur për të marrë përvojë dhe për të ndarë përvoja për probleme që të tjerët i kanë zgjidhur. Ne mund të mësojmë nga njëri-tjetri duke ndarë eksperiencat tona. Sa veshë ka që më dëgjojnë kur unë përpiqem të bëj këtë, sikur edhe një njeri ta kuptojë qëllimin e asaj çfarë dëgjojnë, më mjafton. Secila nga intervistat në libër është e publikut, e njerëzve që e kanë shijuar dhe e atyre që e kanë kritikuar. Jam përpjekur që të jem një urë midis shkrimtarit dhe publikut.

E vetmja femër, fituese e çmimit “Nobel” që ju keni intervistuar, është Doris Lessing. Si ishte takimi me të?

Gjatë intervistës me të nuk është se u krijua ndonjë lidhje e veçantë. Por mbaj mend se kur përfundoi intervista, në kohën që po largoheshim, duke zbritur nëpër shkallët e drunjta të një shtëpie londineze me dy kate, ajo grua me flokë të bardha, autoritare dhe që të shikonte gjithë kohës me mosbesim, pasi i kisha thënë mirupafshim më tha: Mos do të pish një kafe? Më rrëfeu mosbesimin që kishte ndaj gazetareve: “Nuk e kuptoj atë gjendjen që krijon intervista me gazetarët. Vijnë p.sh. gazetarët e BBC në shtëpinë time. Ma mbushin shtëpinë me çadra të bardha, për të cilat më thonë se duhen për ndriçimin, më vënë prozhektorë në fytyrë. Rrinë dy orë duke bërë gati dhomën dhe në fund pasi kanë mbaruar me këtë, mua një gruaje të lodhur tashmë, që rri si e mpakur në divan më thonë: Tani fol. E ç’të flasësh më!… Në atë moment më vjen t’u them: Ikni”. Atë ditë me Doris Lessing folëm për feminizmin sipas saj. “The Golden Notebook” është libri i saj më i rëndësishëm, por nuk është ky libri që më shtyu për ta takuar dhe intervistuar. Ishte libri “Alfred dhe Emili” (Alfred and Emily), i cili  nuk ka ardhur ende në shqip nga Flutura Açka, që ka të drejtat e Lessing. Në këtë libër ajo flet për prindërit e saj. Flet për jetën që Lessing do të donte që ata të kishin jetuar. Ajo kishte bindjen se nëse njerëzit do jetonin siç do donin, të martoheshin me njerëzit që donin, bota do qe ideale. Ky libër më shtyu mua të kërkoj Doris Lessing dhe e gjeta.

Pra, është gjithmonë një libër që ju çon drejt tyre, dhe jo emri?

Po, është libri. Amos Oz-in e kërkova deri në shkretëtirë pasi lexova “Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën”. Orhan Pamuk-un e kërkova sepse ishte Orhan Pamuk. Intervista me të ishte e para që hapi dhe serinë e intervistave me shkrimtarët. Ishte e para dhe më e vështira. Jo më e mira, por gjithsesi ajo intervistë më hapi derën për të vazhduar.

Sepse ishte e para ishte më e vështira?

Ishte e vështirë se realisht nuk e dija sesi duhej të sillesha. Unë kisha menduar se shkrimtari kur pranonte të intervistohej, do ta kalonte gjithë ditën me ty, ndërkohë që nuk ishte kështu. Ai mund të kishte planifikuar dhe shumë intervista të tjera atë ditë. Mbaj mend se ditën që intervistova Orhan Pamuk-un, arritëm të realizonim vetëm 30 minuta pyetje-përgjigje. Ai ngrihet dhe më thotë: tani mbaruam. Unë e shoh e çuditur, sepse kuptohej që unë nuk kisha mbaruar, ndërsa ai po. Kur u ngrit të sillte kafet, më kujtohet fytyra ime dhe qëndrimi im që ishte si ajo e një fëmije të zemëruar që duan t’i marrin lodrën. Dalëngadalë mësova të ndryshoj; nga fëmija i zemëruar që kujtonte se koha ishte e gjitha e saj, u bëra një intervistuese më profesionale. Mendoj se një prej intervistave më profesionale që kam realizuar është ajo me Salman Rushdie-n. Intervista me të u realizua në Londër. Ishte botuesja, Arlinda Dudaj e cila kërkoi që Shqipëria të ishte pjesë e intervistuesve të Salman Rushdie-s në ditën që libri i tij, doli në treg në të njëjtën kohë në të gjithë botën. Atë ditë ai dha disa intervista me media të ndryshme si BBC, CCN etj. Nga Ballkani ishte vetëm Shqipëria.

Do të vazhdojnë intervistat me shkrimtarët?

Jam në kontakt me shumë prej tyre për t’i intervistuar. Kjo tashmë është kthyer në një agjendë për mua dhe emisionin “Shqip” në Top Channel. Kam një kalendar takimesh të përcaktuara me disa filozofë shumë të njohur si dhe me politikanë të njohur.

Po e ndërkombëtarizon emisionin në njëfarë mënyre?

Ky është qëllimi im, aspak për snobizëm apo vanitet, por vetëm për t’u krahasuar dhe për tu përballur edhe me njerëz që janë rreth nesh. Tashmë nuk mjafton të krahasohemi me veten apo me fqinjin përballë. Ne jetojmë në një botë globale. Përtej çdo statusi të pamarrë, Shqipëria tashmë është në Evropë dhe ne duhet të përballemi me Evropën jashtë këtij gardhi.

Përse i nevojitej këtij libri një parathënie e shkruar nga kryeministri Edi Rama?

Jo nga Kryeministri, por nga Edi Rama. Do të doja t’i ndaja njërin nga tjetri. Edi Rama për mua është një prej njerëzve që ka nxitur intervistat e mia me personalitetet bashkëkohore, ballafaqimet e mia si gazetare me ta, duke më thënë që në krye të herës se ia vlente të hapja emisionin dhe veten ndaj tyre. Shpesh më ka ndihmuar që të hyj në kontakt me shumë prej tyre. Nuk besoj se do të ishte dikush tjetër, që mund ta shkruante më mirë këtë parathënie.

Dy emra që i paraprijnë suksesit të garantuar të këtij libri; Ju si gazetare e njohur dhe e dashur për publikun, dhe ajo e Edi Ramës për ju, por Kryeministri për lexuesin. Është bërë qëllimisht për marketing kjo zgjedhje?

Harrojmë një çast që këtë libër e kam bërë unë dhe më beso, kur të flas si një lexuese. Në fakt unë lexuese jam në këtë libër, lexuese e mirë, ama. Si e tillë dua të ndaj me lexues të tjerë, bindjen time, se këto intervista të bëra bashkë në një libër, nuk duhen humbur. Lexuesit që i kanë parë ose jo në ekran, duhet ta kenë këtë libër, që të bind se je pjesë e një bote bërë me njerëz të ngjashëm dhe ëndrra të njëjta. Disa ia dalin, disa jo, por më mirë se të lexosh horoskopin në fillim të vitit, lexo shkrimtarët e shekullit.

Cilat janë pritshmëritë tuaja si autore për këtë libër?

Pritshmëritë janë të mëdha dhe nuk janë të miat por të lexuesve, sepse shoh që lexuesi e kërkon librin. Unë jam e lumtur për këtë, sepse do doja që çdo njeri ta kishte këtë libër në bibliotekën personale. Është si t’i referohesh përditë një njeriu të mençur dhe të marrësh përgjigje për pyetjet, dilemat dhe dyshimet e çdo dite.

Çfarë do shkruash pas kësaj?

Kam një premtim të pambajtur për të shkruar “Përralla për time bijë”. Kisha menduar se dija të tregoja përralla por në fakt nuk di. Përrallat që po shkruaj janë krijuar për time bijë, Alanën, për nipërit e mi Johanin dhe Edin dhe për mbesën e preferuar Emin. Janë përralla që rrëfejnë përditshmërinë me ta.

Marrë nga Mapo

6 komente në “Rudina Xhunga, një rrëfim për shkrimtarët e shekullit, takimet me ta dhe dhe bisedat pas kameras”

  1. specialisti says:

    Kesaj zonje te nderuar meriton t`i lexohet cdo liber sepse ka nje stil te vecante-muzike per veshin tim
    Tung nga Vlora

    1. qerratai says:

      Rudina, mos e bëj pis emisionin tënd të mirë me figurat e neveritëshme si H.Çili, G.Duma, A.Zhei, etj.Ata thjesht na e shpifin dhe sinqerisht kur i shikoj ato në panel unë e ndërroj stacionin dhe sikur tema që trajton ti të jetë yll.

  2. Joni says:

    Sikur ti kishit vene dhe nga nje emer SHQIP vajzes dhe niperve dhe mbeses,ndoshta do ishte nje shembull me i mire

  3. 08 says:

    Pse s thu më mir ti qe ti kishte pjerdhur SHQIP ata….

  4. mirel says:

    Sepse me duket si deformim ky emri Alana..
    alaaaaaaaaaaa
    alana..
    si per njerez qe kane pak artikuli fonetik
    Mund te ishte Alena, Elena..Alen Ajlin…, po Alaaanaa
    Modernizem i mefshet dhe budalla

  5. shqiptari says:

    Kur do te shkruash ndonje liber vete zonja Rudina? Me sa kuptojme, vetem pyetjet jane te tuat dhe pergjigjet jane vete libri?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje