Etrit Berisha drejt konfirmimit si portier i parë tek Lacio/ Marketi drejt largimit te Milani

20 Janar 2014, 15:21Sport TEMA

Etrit Berisha po fiton gjithnjë e më shumë terren në formacionin titullar të Lacios. Edhe në transfertën e djeshme, pavarësisht se u parashikua nga mediat italiane se në qendër të katërkëndorit do të rikthehej portieri Federiko Marketi, në fushë faktikisht nga minuta e parë zbriti Etrit Berisha.

Portieri shqiptar i Lacios duket qartazi se ka fituar besimin e trajnerit Edi Reja, por jo vetëm. Edhe presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, është në krah të këtij të fundit, teksa indirekt në përfundim të ndeshjes së djeshme ndaj Udinezes, për “skay calcio” konfirmoi largimin e Marketit.

“Ai nuk luajti për arsye teknike”, – tha Lotito, teksa mediat italiane e shohin gjithnjë e më shumë Marketin me fanellën e Milanit. “I lënë në tribunë për ndeshjen ndaj Udinezes nga Reja, portieri i Lacios ua ka shtuar më shumë oreksin kuqezinjve, të cilët me shumë gjasa do të provojnë që ta bëjnë pjesë të tyre që në merkaton e këtij muaji”, – shkruante dje “sport.virgilio.it”. Kjo do e bënte Berishën titullar të padiskutueshëm te Lacio, natyrisht edhe për faktin se në të gjitha ndeshjet ku është aktivizuar deri tani, lacialët nuk kanë humbur asnjëherë.

Madje edhe dje, kur po dukej sikur takimi po shkonte në favor të friulianëve, pasi ishin dy herë në avantazh, lacialët arritën që të barazonin dhe ta përmbysnin rezultatin duke dalë me tri pikë të arta nga Udine. Berisha, pavarësisht se pësoi dy gola (njërin me penallti), bëri një ndeshje të mirë, duke u vlerësuar me notën 6. “Pas vetëm pak minutash grushton me instinkt një tentativë autogoli të Biavës. Më pas nuk ka ç’të bëjë te penalltia e Di Natales. Rrezikon paksa në një moment kur gjuan keq një top me këmbë që mund t’i kushtonte golin e dytë, i cili vjen në fakt në pjesën e dytë, kur Badu doli ballë për ballë me portierin”, – shkruan media italiane në vlerësimin ndaj portierit shqiptar. Sakaq, vetë ky i fundit, në përfundim të takimit pohoi: “Është e jashtëzakonshme të fitosh në këtë mënyrë. Faleminderit të gjithëve për fjalët e mira për mua!”.

Ndërkohë në ndeshjen e djeshme të Lacios luajti nga minuta e 86-të edhe Lorik Cana, i cili sapo është kthyer nga një dëmtim i lehtë muskulor. Pas kësaj fitoreje, Lacio është në vendin e 9-të me 27 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje