Valdet Rama shënoi një gol historik në kampionatin spanjoll, duke u bërë i pari futbollist shqiptar që jo vetëm aktivizohet në Premiera Division, por edhe realizon.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka dhuruar spektakël dje në mbrëmje, në takimin Atletiko Bilbao-Valadolid, që përfundoi 4-2. Pasi merr një top afër mesfushës në minutën e 90-të, kur ndeshja ishte 4-1 për vendësit, kosovari arrin të driblojë radhazi plotë pesë kundërshtarë, e më pas edhe portierin, duke realizuar një eurogol.
Me siguri ky gol do të shpallet si më i miri i javës në kampionatin spanjoll, sepse i kishte të gjitha brenda: teknikë, shpejtësi, zgjuarsi dhe forcë. Mënyra e realizimit i ka mahnitur të gjithë të pranishmit në stadiumin “San Mames” të Bilbaos, aq sa tifozët e Atletikos e kanë duartrokitur Ramën.
Pa frikë goli mund të krahasohet me atë të Mesit ndaj Levantes. Mesfushori e nisi ndeshjen nga stoli, për t’u futur në fushë në minutën e 77-të. Gjatë këtij kampionati ai është aktivizuar në 16 ndeshje nga 20 të luajtura deri më tani. 14 prej tyre i ka nisur nga stoli dhe në vetëm 2 ka luajtur si titullar. Pas këtij goli mbetet për t’u parë nëse trajneri Juan Martinez do ta aktivizojë nga minuta e parë në ndeshjet e ardhshme.
Gjatë vitit të kaluar kosovari ka shkëlqyer me fanellën e përfaqësueses, duke u bërë golashënues, edhe pse nuk është një sulmues i mirëfilltë, por më së shumti luan në krahun e majtë të mesfushës. 26-vjeçari u shndërrua shumë shpejt në një idhull për tifozët kuqezinj, nisur edhe nga teknika e lartë që zotëron dhe spektakli që jep në fushë. Driblimet janë arma e tij më e fortë, por sigurisht edhe shpejtësia që ka.