Qëndrimi i mëtutjeshëm i Isa Mustafës në krye të LDK-së e merr në qafë LDK-në. Atë nuk e duan aleatët e Kosovës, as evropianët as amerikanët.
Nga Nexhmedin Spahiu
Kur lideri i një partie politike në pushtet humbë zgjedhjet ai jep dorëheqje. Përse do të duhej që Isa Mustafa që kishte pushtetin 2 mandate në Prishtinë, të bënte përjashtim nga ky rregull?
Rritja e LDK-së nuk është meritë e Isa Mustafës
Arsyetimi i tij është se LDK në nivel vendi është rritur. Por përse kjo na qenka meritë e Isa Mustafës e jo e Lutfi Hazirit, Muharrem Sfarçës, Sokol Halitit, Imri Ahmetit, Agim Veliut, Gazmend Muhaxherit, Sali Asllanajt, Burim Berishës, Haki Rugovës etj?
E kujt qenka përgjegjësia për humbjen e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Vushtrrisë, Obiliqit, Kamenicës, Novo Bërdos etj, të cilat fare lehtë kanë mundur të fitohen nga LDK, sikur mos t’ishin teket e Isa Mustafës?
Pas dy mandateve të PDK-së, ka qenë e pritshme që LDK të rikthehet shumë më fuqishëm.
Kush do t’u kërkojë llogari dështakëve të LDK-së nëse vetë lideri është dështak
Kush do të jep përgjegjësi që LDK nuk u rikthye ashtu si u prit? Si do t’i kërkohet përgjegjësi Eqrem Kryeziut apo Sadri Feratit nëse vetë Isa Mustafa nuk jep përgjegjësi?
Nëse në nivel kombëtar, përsëritet rezultati i treguar ne zgjedhjet lokale, atëherë kjo nuk do t’i mjaftojë LDK-së për të qenë parti e parë.
Pa shku Isa Mustafa nuk do të ketë prurje në LDK
Për t’u bërë parti e parë duhet që dështakët t’ua lëshojnë vendin të tjerëve. Vetëm kjo mundëson ardhjen e energjive të reja. Çdo parti që synon pushtetin duhet të ketë ardhje aktivistësh edhe nga partitë tjera por edhe nga shoqëria civile. Po kush do t’i bashkëngjitet LDK-së nga shoqëria civile nëse kjo nuk ka ndodhur në kohën kur Isa Mustafa ishte në kulminacionin e vet politik? Si do të ndodhë tani kur LDK ka një lider dështak? Njerëzit nuk duan të rreshtohen pas humbësit.
Thaçi, Haradinaj, Kurti e Pacolli u treguan më zotni se Isa Mustafa
Arsyetimi tjetër i Isa Mustafës është se edhe Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Albin Kurti e Behxhet Pacolli pësuan humbje dhe nuk po japin dorëheqje. Këtu ka 2 dallime thelbësore.
E para. As Hashim Thaçi, as Ramush Haradinaj, as Albin Kurti e as Behxhet Pacolli nuk morën rrezikun që të sfidohen personalisht në garë zgjedhore lokale. Isa Mustafa e mori këtë rrezik krye në vete duke u thirrur në faktin se ai si lider partie do të duhej të jepte dorëheqje nëse kandidati i LDK-së për Prishtinën nuk do t’i fitonte zgjedhjet.
Thaçi, Haradinaj, Kurti e Pacolli janë themelues të partive të tyre – Isa Mustafa nuk është themelues i LDK-së
E dyta. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Albin Kurti e Behxhet Pacolli janë themelues të partive të tyre. Isa Mustafa nuk është themelues i LDK-së. Ai ka ardhur në krye të LDK-së pas një procesi demokratik në bazë të premtimeve të cilat nuk i realizoi.
Nuk e realizoi premtimin se do ta bashkonte ish anëtarësinë e LDK-së. Nuk e mbajti fjalën se nuk do të flirtojë me PDK-në.
Pas marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentes ai tha se me këtë marrëveshje Qeverisë Thaçi iu shkurtua mandati për një vit. Por votuesit e LDK-së panë se kjo nuk ndodhi.
Isa Mustafa nuk merr erë në politikë të jashtme
Votuesit e LDK-së panë se Isa Mustafa nuk merr erë në politikë të jashtme, gjë kjo e domosdoshme për një lider partie që synon pushtetin. Ata panë qëndrimin e tij poshtërues karshi dialogut me Beogradin: në fillim kundër dialogut në fund pranon rezultatet e dialogut në vend se të ishte e anasjella duke u nisur nga pozita e tij si lider opozite.
Votuesit e LDK-së panë se Isa Mustafa është në gjendje t’ia falë gjitha komunat Hashim Thaçit vetëm e vetëm që të mbetet kryetar i Prishtinës. Këtë nuk ia falën votuesit e LDK-së në Prishtinë.
Duke e parë këtë ambicie të ulët të liderit të tyre, votuesit e LDK-së vendosën që mos ta votojnë as për kryetar të Prishtinës.
Arsyetimi se PDK ndihmoi Shpend Ahmetin është qesharak. Më 2007, gjithë spektri politik bëri koalicion të hapur kundër Isa Mustafës, por Isa prapë se prapë ftoi. Pse nuk fitoi tani?
Gjesti fisnik i Adem Salihajt duhet të jetë shembull për Isa Mustafën
Votuesit e LDK-së dëshmuan se LDK është parti e Ibrahim Rugovës dhe jo e Isa Mustafës, prandaj Isa Mustafa nuk e ka të drejtën morale ta mbajë peng LDK-në për hir të egos së tij.
Isa Mustafa duhet të merr leksione morali nga Adem Salihaj, i cili edhe pse degën e Ferizajt e ngriti nga 2000 vota në 10000 vota, dha dorëheqje në momentin që nuk fitoi për kryetar të Ferizajt. Rezultat i këtij gjesti fisnik të Adem Salihajt është që tani LDK e Ferizajt u rrit edhe më shumë, dhe pasardhësi i tij Muharrem Sfarça e fitoi Ferizajn.
Isa Mustafën nuk e duan amerikanët
Arsyetimi tjetër i Isa Mustafës është se edhe Edi Rama humbi Tiranën, por u bë kryeministër. Isa po harron se rezultati zgjedhor në Tiranë ishe diskutabil. Premtimi i ambasadorit amerikan në Tiranë se do ta ndihmonte në zgjedhjet kombëtare, bëri që Edi Rama ta pranonte rezultatin për Tiranën.
Kur është fjala për Prishtinën, Ambasadorja Jacobson u nxitua t’ia uronte fitoren Shpend Ahmetit. Kjo tregon jo edhe aq simpati për Shpendin e Vetëvendosjen sa kënaqësinë e saj për humbjen e Isa Mustafës.
Por, nuk janë vetëm amerikanët ata që nuk e duan Isa Mustafën. Pothuaj të gjitha ambasadat e vendeve të Perëndimit nuk e duan atë, dhe është opinion i përgjithshëm i tyre se Isa Mustafa është pengesë për rritjen e LDK-së dhe për ndryshimin e domosdoshëm të pushtetit pas dy mandateve të PDK-së.
Isa Mustafa nuk ka gjasë të bëhet kryeministër
Në një situatë të tillë Isa mbetet i pashpresë për tu bërë kryeministër. Në kohën kur LDK-istë të shquar ftohen nëpër ambasada dhe inkurajohen si “e ardhmja e Kosovës”, Isa Mustafa e ka të vështirë të mbijetojë deri në zgjedhjet kombëtare të Kosovës. Kësisoj anija e Isa Mustafës fundoset gjithnjë e më tepër. Nëse ai jep dorëheqje tani, timonin mund ta merr dikush qe është pranë tij.
Sa më vonë që Isa jep dorëheqje, aq më keq për ata që i rrinë pranë
Sa më shumë që vonohet në dhënien e dorëheqjes do të pësojnë më keq ata që i qëndrojnë pranë. Nëse nuk dorëzohet, do të nisën aferat rreth tij, e kjo mund ta çojë edhe në burg.
Për më keq, nëse mbijeton deri në zgjedhjet kombëtare, atëherë LDK nuk do të mund ta marrë kryeministrinë, por ky do të jetë shansi i Ramush Haradinajt, Albin Kurtit apo ndonjë tjetri për të ardhur të vendi, falë ndonjë kombinatorike që do të propozohet nga vendet mike të Kosovës.
Meta per Enverin
http://dielli.al/lajme.php?id=35613&k=71
Balla me Meron perseri ne bulevard tashme jo si pucista
http://dielli.al/lajme.php?id=35620&k=71
Nerxhmedin,në radhë të parë duhet të kishe vënë një foto më të mirë për veten./Me ketë prezencë që i bën publikut thua se je një pijanec.Ose një i dëshpëruar .Gjithsesi një psiqik që ke nevojë për ndihmë mjekësore me anti psikotikë që të rregullojnë humorin.Përshtypja e parë ka rëndësi o Nexho.Pra hiqe atë fotografi dhe vër një tjetër që mos të lërë përshtypjen e njeriut të kompleksuar.Pastaj do ta lexojmë atë që shkruan.Një mik që të do të mirën.