Fico: Shqipëria e meritonte statusin në Dhjetor. Rama: Kufijtë e Europës i vendosin vlerat

24 Janar 2014, 19:48Politika TEMA

Shqipëria mund të mësojë shumë nga eksperienca dhe rruga që ka ndjekur Sllovakia për anëtarësim në Bashkimin Europian. Dhe po citoj komisionerin Olli Rehn në fjalën e mbajtur në zgjerimin e BE-së në vitin 2004: Gjeografia vendos kornizën, por pa asnjë dyshim janë vlerat që vendosin kufijtë e Europës. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun sllovak Robert Fico, i cili po zhvillon të parën vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kolegu Fico është një prej kryeministrave Europianë tek të cilët unë gjej një shembull për t’u ndjekur për qeverisjen e mirë, për politikat zhvillimore dhe nxitëse për ekonominë dhe për sipërmarrjen e mirë”, tha Rama. Në këtë kuadër ai shtoi se “janë vlerat ato që na bashkojnë edhe sonte, por që na bashkojnë edhe në një rrugë të përbashkët me Sllovakinë që ndër vendet e anëtarësuara në BE pas shembjes së Perandorisë komuniste mbetet një rast shembullor për ecjen e shpejtë drejt anëtarësimit dhe për suksesin modernizues në rrugën drejt integrimit”.

“Shqipëria ka pasur fatin të ketë të përhershme dhe të palëkundshme mbështetjen e këtij vendi  në rrugën dret integrimt. E këtij vendi që është edhe një referencë e qartë për në Europën Qendrore për zhvillimin e qëndrueshëm jo vetëm të ekonomisë por edhe të demoracisë”, theksoi Rama, ndërsa falenderoi homologun  sllovak për inkurajimin e vazhdueshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja e të cilave është një nga ngjarjet e mëdha në funksion të një kohe të re për rajonin tonë.

“Në kuadër të kësaj qasjeje të Sllovakisë, që përfshin dhe mbështetjen për integrimin e Kosovës në BE, ne shpresojmë në bashkëpunimin e mëtejshëm të Sllovakisë në njohjen e Kosovës, si një rast Pavarësie që nuk ka paralel në të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh Rama. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria është shumë e interesuar dhe e angazhuar të intensifikojë dialogun me Sllovakinë. Në këtë kuadër ai sqaroi se është rënë dakord me Kryeministrin sllovak që të ngrihet një grup i përbashkët me asistencën financiare të Qeverisë sllovake, për të verifikuar fushat ku eksperienca e mirënjohur e Sllovakisë mund të vlejë për rrugën tonë të reformave dhe të modernizimit të mekanizmave të sistemit të qeverisjes. “Kemi rënë dakord që të angazhohemi bashkarisht për të ndërtuar një urë komunikimi për sipërmarrjen, investimet dhe  posaçërisht për njohjen nga biznesi sllovak i potencialeve të Shqipërisë dhe të potencialeve turistike në mënyrë të veçantë. Jemi të bindur  se ka një potencial për të tërhequr turistët sllovakë drejt Adriatikut dhe Jonit”, vijoi Rama.

Ndërsa garantoi mbështetjen e Sllovakisë për integrimin e Shqipërisë në bashkimin Europian, Kryeministri Fico shprehu bindjen se statusi i vendit kandidat do ti jepet Shqipërisë në Qershor 2014.

“Në qershor jemi të bindur se çdo gjë do të shkojë aty ku duhet të ishte në dhjetor. Sllovakia mbështet integrimin e shqipërisë në BE. Ne jemi të gatshëm në kuadër të asistenvës që i ofrohet vendeve, për të ngritur një grup ekspertësh për të qenë në dispozicionin tuaj, për të ndarë përvojat.  Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet t’i përmirësojmë, të zhvillojmë bashkëpunimin ekonomik. Ftoj kryeministrin Rama të vizitojë Sllovakinë, i shoqëruar edhe nga një grup sipërmarrësish, për të zhvilluar një forum biznesi. Folëm me kryeministrin Rama për nënshkrimin e disa dokumenteve ligjore për shmangien e taksimit të dyfishtë, dhe një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve”, tha Fico.

Ndërkohë në lidhje me Kosovën, kreu i qeverisë sllovake tha se qëndrimi i Sllovakisë do të jetë në përputhje me rezultatet e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Për momentin, Sllovakia nuk sheh arsye përse të ndryshojë pozitën e saj ndaj Kosovës. Kjo ndikohet nga domethënia e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, që ne e mbështesim. Ne e kemi mirëpritur dhe do ishim të lumtur nëse ky dialog do të sillte rezultate pozitive. Do të respektojmë çdo rezultat që del nga këto bisedime. Ka një pozicion politik të qeverisë sllovake, por është edhe një çështje e jetës së përditshme. Po ndjekim zhvillimet dhe do të ishim mjaft të lumtur nëse situata do të përmbyllej me një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Fico.

4 komente në “Fico: Shqipëria e meritonte statusin në Dhjetor. Rama: Kufijtë e Europës i vendosin vlerat”

  1. Bregdetar says:

    Ka te drejte ky Ficua se pronat e stergjysherve nuk ja ka vjedhe ndonje qeveritar andej nga eshte, ose ka vjedhur prona dhe ky si keta tanrt. Si mund te pranohet Shqiperia ne Evrope ne nje kohe qe akoma nuk jane dhene tituj pronesie ne Bregdetin Shqipetar? Me ke do i bejne pazaret bizmesmenet qe duan te investojne ne bregdet, me pronaret e tokave apo me Edvinin dhe ate kokemadhin e Skraparit. Nuk duhet te futet Shqiperia ne Evrope pa dhenur tokat te pronaret e vjeter.

  2. JJ says:

    E kam vizituar Sllovakine ne fillim te viteve 90 e disa here me pas dhe perseri veren e kaluar per pak ore ne Bratisllave.
    Ka zhvilluar infrastrukturen e ndoshta shume te tjera nga zhvillimi ekonomik, por ngelet vendi qe ka kryeqytetin me pak terheqes ose aspak, shume ulet edhe nga Tirana. Te shkosh ne Bratisllave duhet te kesh patjeter nje pune per te bere. Per sllovaket Shqiperia ka shume me teper per te treguar. Njerezit ne shumice i ka te cuditshem, mos ndoshta kjo eshte nje nga arsyet per kete vend qe nuk e njeh Kosoven.

  3. Latif Dreqi says:

    Robert Fico eshte nje prej kryeministrave me filo-ruse te Europes, madje edhe te vete Sllovakise. Nejse..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje