Ç’na bëre Qebir?!

25 Janar 2014, 19:20Blog TEMA

Nga Agim Jazaj

 

Miq të mi të vjetër dhe të rinj, lexues e dashamirës të dyfishtë, shprehën konsideratën e tyre rreth një opinioni publikuar ditë më parë. Madje disa lexues të vëmendshëm, brenda e jashtë vendit, në rrjetet sociale, kërkonin të korrigjohej një pasaktësi: Personazhi i njohur, Qebir Lika, ka ndërruar vendbanimin e mëparshëm dhe ka mbërritur tashmë në Vlorë. Ka zbritur nga lartësitë dhe është vendosur në buzëdetin. Ka marrë me vete edhe tufën e zgjebosur të dhive dhe qentë për zinxhiri. Ata bëjnë me dije, me koordinata të sakta, edhe stanin me tufën e tij, të ngritur në lagjen “Çole” të qytetit. Mirëpo një lexues tjetër sqaronte më shkoqur: Qebiri e ka shitur tek Beqiri tufën e zgjebosur të dhive. Duke e shtrirë arsyetimin e tij të përligjur: Tani zgjebja e dhive do të zërë edhe njerëzit. Dhe këmbëngulte se kishte parë një moment një zonjë, e cila e kishte hedhur në shesh mishin nga të kruarit dhe mjekja e lagjes nuk po i bënte dot derman. Na mungon vaksina e zgjebes së njerëzve- ore babam! Institucionet shëndetësore nuk kanë vaksinën as për malarien e tashmë duhet dhe vaksina e zgjebes së dhive –rënë mbi njerëzit. Ai jepte të dhëna të rrepta, me koordinata, edhe stallën e ngritur brenda lagjes, kullotën e tufës: lulishtet, barin e mbjellë dhe pemët nga ndërmarrja përkatëse, në qytet… Dhitë e dhentë me kakërdhitë “bëjnë spërkatjen“ e udhëve!

Nuk u zura besë dhe nuk dua t‘u besojë zërave të tillë. Meazallah! Nuk ka mundësi. Kur shoqëria shqiptare kërkon të hyjë në Europë! Me dhentë e dhitë e vërshuara nëpër sokaqet e qyteteve! Do futemi me “traditën, identitetin“ tonë! Po e vërteta është kokëkrisur, kokëforte. Madje dhe kur e thonë njerëz të besueshëm, që nuk e kanë dëgjuar, po e kanë parë me sy, nuk mund të dyshohet.

Këta e njohin nga afër Qebirin, po dhe të birin…

Zëra të besueshëm edhe brenda politikëbërjes qeveritare bëjnë me dije se së shpejti edhe për tufat e dhive, dhenve e qenve do të ngrihet një TACK-FORCË e serisë!

Burime të afërta dhe të besueshme lokale thonë se: Qebir Lika, i njohur për bëmat dhe gjëmat e tij, në mal dhe në fushë, edhe gjatë kohës së tranzicionit të pushtetit, në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit ndërmori shumë aksione të guximshme dhe të leverdishme edhe në qytetin e Vlorës:

-Ndërtoi pa leje një shtëpi dykatëshe. Thonë se e legalizoi fët e fët, apo e ka në proces.

-Zaptoi me leje një institucion shtetëror -shëndetësor, dhe po rri brenda pa u qederosur për 7 palë qejfe.

-Shiti tufën e dhive të zgjebosura dhe bëri prokopi.

-Bleu një vend pune në CEZ, elektricist e po kapardiset.

Për besueshmëri ndaj eprorëve dhe për të zbutur faturën e kripur të blerjes së vendit të punës, u fuste poshtë dyerve fatura të panumërta afrofe, me disa zero nga pas, edhe aty ku nuk banonte njeri e nuk kishte fare energji! Thonë se me yryshin e tij ka futur edhe nëpër kasolle dhe shpella. Tashmë faturat afrofe të Qebirit janë futur në sistemin, allaqebir lika, sistemin allshqiptarçe…

Fatura e CEZ-ÇEKUT për qytetarët shqiptar është: “Titull Ekzekutiv”.

Njerëzit e thjeshtë dhe me mendje minimum, deri dhe të fushës së (pa)‘drejtësisë mbeten të shokuar nga absurdet shqiptare: Shteti nuk përfill deri më tani as Gjykatën Europiane të Strasburgut, qytetari duhet të zbatojë gjobat afrofe të Qebir, CEZ-it?!

Bekçinjtë, bashkë me batakçinjtë do të trokasin me faturat tallava- alla qebirëve në dyert e barkboshëve! Nga një llogari më këmbë, vetëm “borxhet”, gjobat e faturave afrofe të tipit Qebir Lika, thonë nga administrata e ditës në filialin rajonal, janë të listuar mijëra e mijëra debitorë shqiptarë, pa përfillur pallatet e ngritura përgjatë 23 vjetëve, të palidhur kontratat e ndërsjella! Kjo shifër bën të pamundur shlyerjen e tyre. Njerëzit e thjeshtë në bisedat e ditës llogarisin pamundësinë e shlyerjes dhe padrejtësinë, madje duke dhe përzgjedhur konvertimin me burg të faturave afrofe shumëzerore! Vendit do t‘i duhet ndërtimi i deri në 20- fishin e ngritjes së burgjeve! Të shlyejnë faturat e Qebirëve!

I dëgjuar dhe njohur për këto ynere, “mos të dalte nami se të del edhe syri”, Qebirit i faturojnë edhe ngjarjen taze, të këtyre ditëve:

 

AMANET, KRYEMINISTRIT- FATURËN AFROFE TË QEBIRIT

I moshuari, i shtrirë gati pa frymë në shtratin e urgjencës së qytetit, mbante shtrënguar fort në dorë një copë letër- ferman. Me gjysmë zëri thoshte: “Do më mbetet deramet. Nuk e takova dot një ditë kur shkonte më këmbë, rrugëve të Vlorës: Nuk do më gjej rehat shpirti. T’ia dorëzojnë sekretarkat- taka lartë!

“Ç’na bëre Qebir … Qebiiiir“!- mërmëriste i moshuari, shtrirë në shtratin e urgjencës.

Këto ishin dhe fjalët e xha Rrahmanit para se të ndahej nga jeta e të gjallëve…

Pensionisti Rrahman Haxhiaj, qytetar i vjetër i Vlorës, po dhe i apartamentit, ishte i larguar nga vendi mbi 15 vjet, i ndodhur si emigrant, në Itali. Vinte rrallë, shkonte dhe shikonte shtëpinë e katandinë, e merrte malli dhe për gurët. Shprehej me keqardhje në ambiente të ngushta: “Gjendemi më mirë në vendin e botës dhe më të dhunuar në vendin tonë“. Plaga e plumbit gjen kurim, po plaga e shpirtit s‘ka shërim. Xha Rrahmani erdhi më 23 qershor 2013 për të hedhur votën e tij të njohur publikisht për RILINDJEN. U rropat disa ditë sa gjeti vend votimin. Shpresonte të RILINDTE Shqipëria. Harmoni mbi tokë dhe rehati nën tokë- uronte i moshuar. Ato ditë me bastun në dorë, mbi peshën e moshës u ngjit për te apartamenti. Sa hapi derën e shtëpisë, e zuri shtëpia nën vete dhe ra përmbys. Gjeti poshtë derës mandatën: Faturën e dritave. me 200 mijë lekë, e formuluar: “KËRKESË PËRFUNDIMTARE PËR SHLYERJE DETYRIMESH” deri në 31 mars, kur jemi në qershor!

-Sikur të kem ndezur në shtëpinë bosh, pa asnjë pajisje brenda edhe ndonjë furrë gëlqere si ato në Krujë, nuk do të konsumoja kaq energji!

Me faturën në dorë, i ra damllaja në derë!

Gjitoni i tij, i ndodhur atë çast, bërtiti me të madhe: “Ndihmë”, “ndihmë”! Drejt pallatit u ngjitën edhe banorë të tjerë. Por edhe druheshin ta zinin me dorë, t‘i jepnin ndihmë. Bela kjo punë. Sepse mund të vinte policia dhe të dallonte shenjat e gishtave në trupin e tij dhe të konkludonte: “Vrasje me paramendim, ose tentativë për grabitje“!

Dhe do të përfundoje pas hekurave!

Dikush e mori guximin. Ndaluan një makinë në rrugë dhe e çuan krahë e kofshë në urgjencë, pa ndjenja.

-Tension i lartë- thanë personeli.

-I sëmuri mbante shtrënguar në dorë një copë letër. Dikush i‘a bëri me shenjë mjekut! Mendonte se mund të kishte ndonjë dhjeçe, “amanetin e fundit”- apo testamentin për pasardhësit. .

Mjeku e goditi lehtë në gishtat e dorës.

I hapi dorën dhe i mori letrën për ta lexuar!

Nuk kishte asgjë të shkruar…

Ishte faturë- gjoba me 200 mijë lekë!…

“Ç’na bërë Qebir! Qebiiir”…

Këto ishin fjalët e fundit të xha Rrahmënit.

Amanet kryeministrit të Rilindjes- Faturën afrofe të Qebirit…

2 komente në “Ç’na bëre Qebir?!”

  1. rezart says:

    Sapo kam blere shtepi ne Yzberisht,Tirane!!!
    Thame shyqyr,qe jane cmimet e lira te shtepive,por tani pas 8 muajsh jemi bere pishman!!!
    Kurre nuk do ta bleja kete shtepi,ne se do ta dija,qe nga QERSHORI e deri me JANAR 2014 ne CEZMEN e shtepise nuk do me rridhte asnje PIKE UJI!!!
    Epo te blesh uje tel privati 30 fish me shtrnjte edhe per te lare WC-ne,nuk me kishte shkuar mendja kurre!!!
    Pale rruget gjithe balte,gropa dhe hajdutet te bejne kerdine,se policet bejne sikur nuk shikojne!!!
    Desh me vodhen nga ballkoni nje nate,por siduket do jene trembur dhe ,pasi lane gjurmet me balte te atleteve,ia mbathen!!!
    Policia nuk mori persiper te verifikoje gjurmet ,por vetem me keshilloi,qe nese do kishja ndonje te dhene se kush ka qene hajduti, t’i njoftoja ata!!!!
    Pas nje muaji tentuan te me SHQYEJNE DEREN,GJOJA METALIKE KINEZE(ne fakt prej tallashi te presuar e te veshur me letra te ngjyrosura),por prap ishin trembur nga ndonje levizje neper koridore!!!

    Sodoqodte, nderrova deren,pra harxhova edhe 600 mije leke te tjera dhe policia prap ngriti supet!!!
    Paguaja rregullisht nga 25-30 mije leke te vjetra ne muaj drita,por TAK-FAP ia beri fatura e dhjetorit:
    -DO PAGUAJA 120 mije leke!!!!!
    M’u kujtua edhe nje rast tjeter,kur ishja me qira diku tjeter,qe fatura e nje muaji me erdhi 1 milion e 200 mije leke te reja!!!!
    Vetem AVOKATI I POPULLIT ma zgjidhi problemin!!!
    Nuk e kuptoj:
    Ne se faturistja ben gabim dhe une ankohem,perse pas verifikimit ne vend,NUK ANULLOHET PAGESA MARRAMENDASE,por te thone “OPAGUAJE NJEHERE,pastaj nuk te veme leke deri sa ta shlyesh”!!!
    Po une po te kisha nga 120 mije leke cdo muaj per drita,kur pensionin e kam 150 mije leke,ku t’i gjej leket???
    O SHTET!
    VER DORE NE CEZ,ose thuaj se meqe nuk je i zoti te VJELESH LEKET E PAPAGUASRA PER 20 VJERT NGA HAJDUTET,NA E FUT NEVE 4-5 FISH!!!
    MOS U BENI TRIMA ME NE QE PAGUAJME!!!
    TRIMERINE TREGOJUANI ATYRE QE NUK E KANE PAGUAR KURRE KORENTIN!!!

  2. mirel says:

    Ky po qe eshte shkrim.
    Shume satirik dhe domethenes.
    Nje plage shoqerore qe njerezit nuk arrijte ta ngrene si problem te dites.
    Me fletat e votes ne dore harruan faturat e “qebirit”
    Per mua ky eshte shkrimi i muajit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje