Për një dokument efikas të sigurisë kombëtare

25 Janar 2014, 19:42Blog TEMA

Nga Robert Kodra

 

Ka kohë që flitet për hartimin e një dokumenti të sigurisë. Dokumenti ekzistues i sigurisë, ose siç quhet Strategjia e Sigurisë Kombëtare, është miratuar në vitin 2004 dhe prej asaj kohe ka rrjedhur shumë ujë, duke e kthyer këtë dokument në një letër të dalë kohe.

Fakti që Strategjia e Sigurisë Kombëtare nuk është përmirësuar, përshtatur me kohën e situatat, apo ndryshuar plotësisht, tregon se ky dokument praktikisht nuk ka pasur efikasitetin e duhur.

Do të përpiqem të rendis disa cilësi që meriton të ketë një dokument i tillë.

Cilësia më e rëndësishme e dokumentit të sigurisë është karakteri kombëtar. Qëllimi kryesor i një dokumenti të tillë është t’i bëjë shqiptarët të ndihen sa më të sigurt, kudo ku ata ndodhen. Ne nuk kemi të njëjtat rreziqe dhe kërcënime që kanë SHBA, apo ndonjë shtet europian. Analizimi me vërtetësi i rreziqeve dhe kërcënimeve që shfaqen tek ne, kërkon jo vetëm dije dhe profesionalizëm, por edhe kurajo qytetare. Sot, në pafundësinë e informacionit, është komode të bësh politikë ndërkombëtare, gjeostrategji, por është e vështirë të bësh analizë për detajet ku flenë djajtë, në aspektin kombëtar shqiptar dhe veçanërisht në pasiguritë e individit të thjeshtë.

Një cilësi tjetër që meriton ta karakterizojë dokumentin e sigurisë është efikasiteti i tij, pra sa i dobishëm dhe mbrojtës do të jetë ky dokument, duke filluar nga niveli individual e deri në nivel shtetëror e më gjerë. Ky dokument lipset të shërbejë si një ligj i plotë dhe referues, ku subjekte të ndryshme, individuale, kolektive dhe shtetërore të gjejnë të drejtën për të pasur siguri. Pra, me fjalë të tjera, ky dokument nevojitet të shërbejë edhe si një kontratë sociale ndërmjet shtetit dhe shoqërisë në sferën e sigurisë.

Fokusi i sigurisë, gjithnjë e më tepër, po përqendrohet te siguria njerëzore, te individi i thjeshtë. Sot njerëzit meritojnë të jetojnë të lirë nga frika, të lirë nga varfëria dhe me dinjitet. Pikërisht, në dokumentin e sigurisë nevojitet të pasqyrohet se si do t’i sigurohet individit jeta dhe e ardhmja, mirëqenia ekonomike dhe dinjiteti njerëzor.

Një cilësi tjetër e dokumentit të sigurisë është gjithëpërfshirja. Në të nevojiten të përfshihen raporte në nivele të ndryshme, raporti midis individëve, individit dhe shtetit, pakicës dhe shumicës, e deri te raportet midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, nga siguria njerëzore e deri te siguria globale. Në këtë aspekt, hartimi i këtij dokumenti kërkon domosdoshmërisht specialistë të fushave dhe sektorëve të ndryshëm. Një dokument i tillë nuk mund të hartohet vetëm nga specialistë të Ministrisë së Jashtme apo të institucioneve të sigurisë. Krijimi i një grupi funksional nga shumë institucione, mbase praktikisht mund të jetë ana më e vështirë, por gjithsesi përbën një domosdoshmëri. Vetëm trajtimi i sigurisë njerëzore, e cila përbëhet nga siguria ekonomike, ushqimore, shëndetësore, e mjedisit, personale, e komunitetit dhe politike, kërkon mendim kompetent nga specialistë të shtatë këtyre fushave. Mbase do të ishte mirë që në hartimin e një dokumenti të tillë të përfshihen edhe grupe interesi, të cilat kanë të drejtën të kërkojnë siguri.

Element tjetër i rëndësishëm, që meriton shkruhet në këtë dokument dhe të gjejë zbatim është përgjegjësia për të mbrojtur, (R2P). Në dokumentin e sigurisë nevojitet të pasqyrohet se kush ka përgjegjësinë për të mbrojtur, përballë rreziqeve dhe kërcënimeve aktuale dhe të së ardhmes, në nivele dhe raporte të ndryshme. Pra është e nevojshme të shkruhet qartë se kush dhe si është përgjegjës për të siguruar mirëqenien ekonomike, duke filluar nga minimumi jetik i saj e deri në aspektin makroekonomik; kush dhe si është përgjegjës për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e njeriut; kush dhe si është përgjegjës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, për sigurinë e çdo individi shqiptar kudo ku ndodhet e kështu me radhë.

Dokumenti i sigurisë nevojitet të japë përgjigje se cilat vlera duhen siguruar, si në aspektin individual, në aspektin kombëtar shqiptar, ashtu dhe në aspektin ndërkombëtar. Sot është vështirë të dallohet ku mbaron e drejta dhe ku fillon siguria. Përvoja jonë tregon se vlerat tona, kulturore, historike, natyrore, ekonomike etj, janë aq shumë organikisht të lidhura mes tyre, sa nëse cenohet njëra, dëmtohen të gjitha të tjerat dhe për pasojë dëmtohet edhe siguria kombëtare. Pranimi i kërkesës, në dukje të parëndësishme, për ndërtimin e disa objekteve të kultit mund të rrezikojë integritetin territorial. Dëshira për devijimi i një lumi, në dukje për nevoja hidrike, mund të çojë në spastrim etnik.

Një pikë e rëndësishme për trajtim janë marrëdhëniet në fushën e sigurisë me shtete dhe organizata të huaja, në të cilën lipset të theksohen jo vetëm përgjegjësitë tona ndaj të huajve, por edhe si, sa dhe kur përfitojmë ne nga këto bashkëpunime. Përafrimi me parimet dhe doktrinat e vendeve dhe organizatave ndërkombëtare është një element i domosdoshëm, i cili nevojitet të merret në konsideratë. Shpesh thuhet se kemi ligje të mira, por që nuk zbatohen. Mendoj se një ligj vërtet i mirë është ai që krijon mundësi edhe për t’u zbatuar mirë. Një ligj vërtet i mirë nuk është ai që është përkthyer mirë, por ai që është përshtatur mirë me kushtet tona.

Gjithashtu, mirë është të bëhet kujdes edhe me emërtimin e sigurisë; kombëtare, shtetërore apo ndonjë emërtim tjetër. Në Kushtetutë theksohet se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.” Nisur nga ky cilësim kushtetues, mendoj se siguria është mirë të ruajë emërtimin si siguri kombëtare. Edhe pse kemi dy shtete shqiptare, dokumenti i sigurisë kombëtare është mirë të marrë në konsideratë të gjithë shqiptarët, kudo ku janë.

Këto janë disa mendime modeste, me dëshirën e mirë për të theksuar se hartimi i dokumentit të sigurisë kombëtare ka rëndësi të veçantë për të gjithë ne.

2 komente në “Për një dokument efikas të sigurisë kombëtare”

  1. feniks says:

    Nuk mund te hartohet STRATEGJIA E SIGURISE KOMBETARE,pa u hartuar me pare “STRATEGJIA E ZHVILLIMIT KOMBETAR”!!!
    Kemi 23 vjet shtet demokratik,por ne fakt kemi ndertuar nje PROVINCE MESJETARE!!!
    Cdo qeveri,qe ka ardhur ne pushtet ka ndjakur POLITIKA EKONOMIKE,ARSIMORE,SHENDETESORE,TE SIGURISE SE RENDIT,etj sipas interesave te saj ne perputhje me qellimet e veta per SUNDIM!!!
    Klikat qeverisese kane shperdoruar BUXHETET vjetore jo per zhvillimin evendit dhe mireqenien e popullit,por per SHPERDORIMIN E TIJ DHE MBUSHJEN E LLOGARIVE TE TYRE BANKARE!!!
    KLIKA E BERISHES ka ndertuar RRUGE,AUTOSTRADA,TUNELE etj jo se ato ishin NEVOJA TE DORES SE PARE APO SE NXISNIN ZHVILLIMIN E METEJSHEM,por vetem per PROPAGANDE FOLKLORIKE GJOJA PATRIOTIKE DUKE GRABITUR MILIONA EURO PER VETE,ndersa NDERTIMET E BERA KANE QENE SKANDALOZE!!!
    ASNJE NDERTIM I BERE NE KETO 23 VJET NE SHQIPERI NUK ESHTE I MBARUAR PLOTESISHT,PER ME TEPER JANE JASHTE STANDARTEVE TE KERKUARA!!!
    Per te vene ne MENGENE TE GJITHA QEVERITE 4-8 VJECARE duhet hartuar nje STRATEGJI E ZHVILLIMIT KOMBETASR e vlefshme dhe e detyrueshme njelloj sa edhe KUSHTETUTA!!!

  2. xhema says:

    Me vjen mire qe hidhet ne diskutim kjo ceshteje e cila deri tani eshte lene ne harese ose eshte plotesuar si nje lloj dokumenti “Strategjik”i cili asnjehere nuk ka qene pjese organike e shtetit si qellim me vete dhe jo vetem normalisht keto kane funksionuar me grupe pune te cilet jane mbledhur kane shkruar kane dorezuar dhe jane miratuar nga parlamenti dhe pastaj ato i kazene pluhuri per shkak se deri tani ai dokument as ka ndaluar dhe as ka lejuar asnje institucionqe te veproje ose jo ne perputhje me ATE.Kjo ka ndoshur dhe do te ndodh per aq kohe sa KY dokument nuk do te shprehet qart dhe preras per cdo fushe KU FILLON TE PREKET SIGURIA KOMBETARE pa qartesuar keto fusha dhe keto momente shume te rendesishme asnje here te mos pretendohet se ndonje dite do te mund te hartohet dhe aq me pak AJO do te jet funksionale Ky argument eshte vetem fillimi te tjera dhe jo pak jane percaktimi i konceptit themelor SIGURIA KOMBETARE ,INSTITUCIONET QENDRORE DHE LOKALE qe do te monitorojne kete misjon dhe do te realizojne mos cenimin e sigurise kombetare per cdo fushe etj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje