Një panoramë e çështjes dhe skenat dhe prapaskenat mes qeverisë së Maqedonisë dhe Shqipërisë? A do t’i merret ujërat Radikës dhe nëse ndodh, sa ujë do t’i merret dhe cilat janë ndikimet në mjedis? Një vështrim “Pro” dhe “Kundër” që nga nisja e kësaj historie deri më sot.
Nga Bujar Karoshi*
Çështja e ujërave të Radikës po gjen sot një vend të gjerë ne mjedisin mediatik dhe politik në Maqedoni dhe Shqipëri. Gazeta “Rruga e Arbrit” i ka kushtuar një vend të rëndësishëm kësaj çështje. Në nëntor të vitit 2011, Bardhyl Marku, një aktivist i shoqërisë civile në Maqedoni bëri një ftesë publike për sensibilizimin e opinionit, lidhur me devijimin e ujërave të Radikës. Gazmend Cami, kryetari i shoqatës mjedisore “Deshat” në Dibër të Madhe, i tha korrespondentit tonë hollësi për projektin e ELEM, për dy hidrocentrale që do të bënin të mundur devijimin e ujërave të Radikës dhe, në këtë mënyrë, do të kishte pasoja për ekosistemin në Parkun e Mavrovës dhe dëme të pallogaritshme për Dibrën dhe Drinin e Zi. Katër muaj më vonë, në mars 2012, Prof. dr. ing. Abdyl Koleci botoi në gazetë një analizë të gjithë dëmeve që vijnë nga devijimi i ujërave. Si anëtarët e shoqërisë civile, ashtu edhe Prof. Abdyl Koleci, bënin thirrje për reagim institucional lidhur me çështjen. Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e çështjes, të dy shkrimet ua nisëm disa gazetave në Tiranë, por asnjëra prej tyre nuk i ribotuan shkrimet, pasi trajtonin “çështje periferike”. Ndërsa nga institucionet nuk pati asnjë reagim.
Vetëm gjatë verës së kaluar, disa qytetarë dhe organizata ekologjike filluan të kërkonin reagime publike lidhur me çështjen dhe në gusht 2013, institucionet vendore në Komunën e Dibrës së Madhe reaguan kundër projektit, për të ardhur në këtë fillim viti, si një çështje themelore dhe e paszgjidhur mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Po si kanë rrjedhur ngjarjet rreth devijimit të ujërave të Radikës?
INICIATIVA
Në vitin 2011 ELEM nënshkroi kontratë me kompaninë gjermane “Consulting Company Poyry infra” për hartimin e studimit për vlerësimin e ndikimit në mjedis nga realizimi i projektit “Fusha e Llukovës”. Përpunimi i studimit është 272,000 euro dhe do të financohej me një kredi të Bankës Botërore.
Një video që mund te shihej në YouTube, e hedhur nga shoqëria energjetike ELEM në qershor 2011, tregon se si do të jetë hidrocentrali në Urë të Boshkut. Në video shikohet një projekt ide e hidrocentralit që merr ujërat e Radikës. Sipas saj, ujërat që do të derdhen në hidrocentralin e ri do të kenë një prurje prej 5.64 m2 në sekondë, diga do të jetë e lartë 33 metra, dhe kapaciteti ujëmbledhës i saj do të jetë 160 mijë metër kub ujë.
Ujërat që do të furnizojnë hidrocentralin do të kalojnë me anë të një tuneli të gjatë 8742 m dhe tunelet do të jenë me një diametër 3 m. Kapaciteti instalues i hidrocentralit do të jetë 68 MW dhe do të prodhojë elektricitet prej 117 GWh. Investimi parashikohet të jetë 80 milionë euro.
Ndërsa diga që do të ndërtohet në fushën e Lukovës do të jetë e lartë 71 m dhe do të ketë një kapacitet mbledhë ujor prej 39 milionë m3 ujë. Investimi do të kushtojë 62 milionë euro. Në këtë linjë do të ndërtohen hidrocentrale me një prodhim prej 159 GWh energji.
Videot janë interesante. Tregojnë malet e zhveshura dhe ca pulëbardha që fluturojnë mbi digë. E bukur si video. Po në terren, çfarë do të ndodhë në të vërtetë?
REAGIMI I PUSHTETIT LOKAL DHE SHOQËRISË CIVILE
Që nga mesi i vitit 2013 e në vazhdim, disa organizata joqeveritare në Dibër të Madhe kërkuan reagimin publik në lidhje me devijimin e ujërave. Qeveria maqedonase nuk jepte informacion lidhur me çështjen dhe po ashtu as kompania energjetike ELEM. Gjithashtu, edhe zyrtarët lokalë nuk kishin informacione mbi projektin.
Këshilli i Komunës në Dibër të Madhe, në një mbledhje të saj gjatë muajit Gusht mori në analizë problemin dhe vendosi të marrë përgjegjësi lidhur me atë që po ndodhte. Duke parë se projekti nuk sjell të mira për Dibrën, pushteti vendor vendosi ti shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat ligjorë në mënyrë që “qeveria maqedonase të heqë dorë nga grabitja e paligjshme e ujërave të Radikës. Për ndryshe dibranët do të jenë të detyruar ti drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg”.
Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, Rruzhdi Lata, i tha korrespondentit të gazetës atje, se “një grup prej 20 personash nga ELEM, Banka Botërore dhe një shoqatë ndërkombëtare ekologjike, mes të cilëve asnjë shqiptar, u takuan me ne në komunë dhe parashtruan projektin”.
Por, theksoi ai, nga pushteti vendor u argumentua se “kjo sasi e ujit që do të devijohet për Vardar për prodhimin e energjisë elektrike, po përdoret edhe tani për prodhimin e energjisë elektrike duke u derdhur në Liqenin e HC të Spiles. Po ashtu, pyetjes se a ka marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë për këtë problem, ata iu referuan një marrëveshje të vitit 1963 mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë”.
Kryetari i Komunës u tha atyre qëndrimin zyrtar se “historikisht Radika është e Dibrës dhe duhet të derdhet në Drinin e Zi dhe të vazhdojë rrugën e mëtejshme për në Detin Adriatik”.
Po ashtu, Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit Komunal në Dibër të Madhe, kërkoi ndërhyrjen e qeverisë shqiptare në lidhje me këtë problem. “Ne shpresojmë se Qeveria e Shqipërisë do të ndalojë realizimin e këtij projekti, sepse edhe me konventat ndërkombëtare rrjedhjet natyrore të lumenjve nuk mund të ndryshohet… Shpresojmë se edhe Bashkia e Peshkopisë do të ndikojë te qeveria e Shqipërisë që ky projekt i dëmshëm i Maqedonisë të mos realizohet”.
Gjatë muajit nëntor disa shoqata në qytetin e Dibrës së Madhe bënë thirrje për një protestë publike në sheshin kryesor të qytetit dhe me këtë rast iniciuan një peticion drejtuar qeverisë maqedonase. Shumë shpejt u mblodhën rreth 7 mijë firma dhe disa media në Shkup dhe Tiranë e përcollën lajmin.
Po ashtu, protesta janë zhvilluar në mjedise publike, shkolla etj. Ndërsa dibranët e Amerikës organizuan një protestë përpara OKB më 20 Dhjetor 2013 dhe kërkuan ndihmën e organizatës për të mbrojtur ujërat e Radikës. Një faqe në WEB është ndërtuar me këtë rast dhe informacioni për mbrojtjen e Radikës duket se po kryen fuqishëm ndikimin e vet. Ndërkohë, pasi këtyre ngjarjeve ELEM i fshihu videot e projektit nga YouTube, ndërsa pak ditë më parë, faqja e ngritur me këtë rast www.saveriverradika.com u sulmua nga hakerat. Administratori i faqes tha për gazetën se “sulmi erdhi nga një IP e një biznesi privat në Shkup”.
A JANË TË SINQERTË MINISTRAT SHQIPTARË NË QEVERINË E SHKUPIT?
Pas protestës së 30 nëntorit, përfaqësuesit e shoqatave joqeveritare në Dibër udhëtuan drejt Shkupit për të dorëzuar peticionin. Menjëherë pas kësaj, ministrat shqiptare të qeverisë së Maqedonisë udhëtuan drejt Dibrës së Madhe për t’u takuar me pushtetarët vendore. Ministrat Abdylaqim Ademi dhe Valon Saraçini morëm me vete edhe përfaqësuesin e ELEM, Fatmir Limani. Në takim me Kryetarin e Komunës, Kryetarin e Këshillit Komunal dhe deputeten e Dibrës Julieta Marku, ata deklaruan njëzëri se ishin në mbështetje të banorëve. Madje firmosën publikisht edhe peticionin.
“Ardhja jonë në Dibër është shkas që tu tregojë dibranëve që janë në anën e tyre, që të mos ketë spekulime, dhe t’ju bëjmë me dije që ata do të jenë të fundit, të cilët do t’i thonë “PO” apo “JO” këtij projekti”, tha në këtë takim Valon Saraçini, ministër i ekonomisë në Republikën e Maqedonisë.
Por nga ana tjetër, në parlamentin e Shqipërisë, Komisioni i Politikave të Jashtme po zhvillonte një mbledhje me dyer të mbyllura. Media e Tiranës bëri publike procesverbalin e takimit dhe sipas saj, ka qenë ministri Saraçini që i ka propozuar marrëveshjen homologut shqiptar Gjiknuri, për devijimin e 2 metra kub në sekondë nga 17 metra që ka Radika.
Sipas të dhënave që ofron media, ose Saraçini është i pasinqertë me dibranët ose procesverbali i takimit i botuar në mediat e Tiranës është i rrejshëm.
REAGIMI I QEVERISË SHQIPTARE
Protestuesit e këtyre ditëve po kërkojnë një qëndrim zyrtar të qeverisë shqiptare, pasi po kuptojnë se nuk mjafton reagimi i partnerit shqiptar në koalicionin qeverisës në Maqedoni. Në emisionin “SHQIP” në Top Channel në dhjetor 2013, ministri i energjisë dhe industrisë, z. Damian Gjiknuri, i shkuan shumë pyetje në lidhje me Radikën dhe ai dha një përgjigje shpresëdhënëse se problemi do trajtohej me seriozitet: “Jam i kënaqur që ka një shqetësim për këtë çështje. Një arsye e vizitës time në Maqedoni ishte edhe kjo çështje. Krahas bashkëpunimit për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ka një projekt nga pala maqedonase, që bëhet fjalë për devijimin e vogël të ujit. Ne kemi patur një marrëveshje me ish-Jugosllavinë për ujërat, detyrimet e marrëveshjes besoj rrjedhin edhe sot. Kemi kërkuar që të ngremë një komision të përbashkët që të bindemi që ky projekt nuk ka ndikim tek siguria energjetike e Shqipërisë. Shqipëria është e shqetësuar për këtë çështje, ndaj duhet të flasim. Ne nuk duhet t’u lëmë vend spekulimeve, duhet të jemi transparentë me njëri-tjetrin dhe të mbajmë qëndrimet tona bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe menaxhimin e ujërave. E shohim me shqetësim këtë gjë. Është një problem serioz. Shteti shqiptar niset në këtë rast nga interesat e veta strategjike në gjetjen e një mekanizmi të përbashkët që të ruajmë regjimin e ujërave që kemi historikisht”.
Ç’DO TË NDODHË ME RADIKËN?
Sa metër kub ujë do t’i ikin Radikës? Asnjë cm kub? 2 metër kub? 6 metër kub? 8 metër kub apo do t’ia marrin të gjithë ujin?
Radikës tanimë i janë marrë 10 m3 ujë në sekondë, sipas marrëveshjes së vitit 1963, gjatë ndërtimit të liqenit të Mavrovës, nga 30m3 ujë në sekondë që ka patur asokohe Radika. Pra, i janë marrë rreth 33% e ujit, 3% më shumë se sa lejojnë ligjet ndërkombëtare, siç thonë ambientalistët. Kjo do të thotë se kanë ngelë edhe 20 m3 ujë në sekondë. Ndërkohë, ELEM thotë se janë 15 m3 ujë në sekondë. Kështu, 5 m3 ujë të cilat nuk figurojnë në statistika janë vjedhje direkte, thotë një përfaqësues i një shoqatë joqeveritare në Dibër.
Gazeta “Dnevnik” boton një shkrim më 24 dhjetor dhe nxjerr përfitimet e ndërtimit të hidrocentralit të “Fushës së Llukovës”. Sipas gazetës, “Maqedonia do të marrë prodhimin shtesë prej gati 160 gigavatë – orë energji elektrike në vit, e cila do të sigurohet nga hidrocentralet e “Vrben”, “Vrutok” dhe “Raven” dhe hidrocentralet i ri “Guri i Zi”, dhe në këtë mënyrë rritet energjia elektrike e rinovueshme e prodhimit të përgjithshëm në Maqedoni”.
Gazeta thotë se do të zbatohen të gjitha standardet mjedisore dhe protestat në Dibër i quan si kundërshtime të autoriteteve lokale dhe OJQ-ve lokale, të mbështetura nga diasporat e tyre jashtë vendit. Gazeta e quan fakt të kryer projektin dhe se Radikës do t’i merren 2.2 metër kub deri në 7.2 metër kub, nga 8 metra kub në sekondë, siç lejohet nga marrëveshjet ndërkombëtare…
Po se cilës marrëveshje i referohet gazeta? Marrëveshja e ish-Jugosllavisë i ka dhënë rezultatet e veta dhe ajo nuk mund të vlejë për çdo rast që Maqedonisë i lind e drejta të përdorë ujërat.
VËSHTRIM I SHOQATAVE MJEDISORE EUROPIANE
Petr Hlobil, drejtor i çështjeve ndërkombëtare në “CEE Bankwatch Network”, një organizatë që punon në të gjithë rajonin e Europës qendrore e lindore për të monitoruar aktivitetet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe që merret me propozimet e alternativave konstruktive mjedisore dhe sociale të politikave dhe projekteve që ata mbështesin, vizitoi në mesin e vitit 2012 Maqedoninë. Ai kërkoi të vizitonte zonën ku do të ndërtohej hidrocentrali i Llukovës, por “në mënyrë ironike, kur kërkuam leje për të vizituar zonën e “Fusha e Llukovës” jo vetëm që na u mohua leja por autoritetet kërkuan që të ishte e nevojshme që disa prej stafit të tyre të mbikëqyrnin praninë tonë”.
“Ne besojmë që disa prej zonave duhet të jenë dukshëm zona të ndaluara, shkruan ai opinionin e tij në bankwatch.org, por kjo duhet të aplikohet si për buldozerët ashtu edhe për ambientalistët.”
Në fillim të vitit, ENDECOCIDE, një organizatë që është kundër dëmeve të mëdha apo të shkatërrimeve të ekosistemeve në Europë, është kundër ndërtimit në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Për këtë, ajo ka hapur një peticion online. Peticioni po mbështetet nga “Iniciativa e Qytetareve Europiane”, një organizëm i krijuar nga Traktati i Lisbonës për të promovuar demokracinë pjesëmarrëse dhe të drejtpërdrejtë. Peticioni është i vlefshëm në 28 vendet e Bashkimit Europian. Që nisma të shkojë në Parlamentin Europian, duhet të mblidhet së paku 1 milion vota nga një minimum prej 7 vendeve të ndryshme në mënyrë që ajo të të konsiderohet nga Komisioni Evropian. Kur kjo arrihet, Komisioni Evropian do të shqyrtojë propozimin me organizatorët dhe për t’u dhënë atyre një shans për të folur në një dëgjim publik në Parlamentin Evropian.
Por ndërkohë, Gabriel Schwaderer, president i EURONATUR Foundation dhe dhe Ulrich Eichelmann, president i River Watch, i kanë shkruar një letër z.Suma Chakrabarti, president i EBRD dhe Dr. Jim Young Kim, president i World Bank, dy financuesit e projektit “Fusha e Llukovës”.
Letra e tyre është nënshkruar nga 119 personalitete dhe shkencëtare të mjedisit dhe natyrës dhe u kërkojnë atyre që EBRD dhe Banka Botërore të mos e financojnë projektin. Por, pikërisht pasi publikimit të letrës së tyre, zëdhënësi i qeverisë maqedonase theksoi se “Maqedonia është e vendosur për ta vazhduar projektin”.
Gazetari Philip Bethge i revistës gjermane “Spiegel” vizitoi Vjosën dhe Radikën për të parë në realitet shqetësimin e ambientalistëve europianë. “Luftë për hidrocentralet: digat kërcënojnë lumenjtë e fundit të egër në Europë”, ishte titulli i tij te Spiegel Online. Ai bën një pasqyrë të veprave hidroenergjetike në Shqipëri dhe Maqedoni, dhe thekson se në nevojën për energji në rritje, efektet mjedisore janë një hap pas.
REAGIMI INTELEKTUAL DHE DISA MËNYRA PËR TA MBROJTUR RADIKËN
Kim Mehmeti, shkrimtar, i njohur në publik edhe si një publicist në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, thotë në një postim të tij në rrjetet sociale se “siç duket regjimi aktual i Maqedonisë është i vendosur që ujërave të lumit Radikë t’ua ndryshojë rrjedhën dhe, në vend se në Adriatik, ato të derdhen në detin Egje. E ne ndërkohë, pushtetarët e këtushëm shqiptarë heshtin dhe mbase si gjithmonë, do paraqiten me shpjegime pasi çdo gjë të ketë përfunduar. Pra pasi të thahet shtrati i Radikës. Por kësaj radhe do gabojnë rëndë pasi që të gjithë shqiptarët, kudo që janë, ndjehen dibranë dhe do mund të ndodh që më parë të thahet shtrati i iluzioneve të mbrapshta të këtij regjimi, se sa ai i Radiksë, nga ka rrjedhë jeta e dikurshme dhe nga doemos duhet të rrjedhë ajo e ardhmja e tokave shqiptare që ky lum i lagë me ujërat e veta!”
Artan Fuga, sociolog i njohur, në një postim të tij të para pak ditëve shkruan se “nuk matet vlera e lumenjve me sasinë e sotme të prurjeve. Matet me dëmin në mikroklimë, me nevojat e nesërme të brezave shqiptare, me energjinë elektrike që një prurje e madhe jep shumë më tepër, me prurjet në kohë thatësire, me aftësitë ujitëse dhe rendimentet në bujqësi, me strategjinë në marrëdhëniet me fqinjët, etj. Po ashtu, Për ujërat e lumenjve kombet hidhen në zjarr”.
Por, intelektualët dibranë në Maqedoni, thonë se na duhet të bëjmë përpjekje për mbajtjen gjallë të opinionit dhe për të kërkuar vëmendjen e qeverisë shqiptare, për të gjetur rrugët dhe mënyrat për ta shpëtuar Radikën. Bardhyl Marku, njëri prej tyre, thotë se është koha që të bëhemi të gjithë bashkë. “Duhet të krijojmë një qendër të ideve, në mënyrë që të shohim se çfarë duhet të bëjmë për të shpëtuar lumin Radika e me të edhe liqenin e Dibrës dhe stopim të realizimit të projektit “Fusha e Llukovës””.
Ai shton se është e nevojshme që “duhet të formohet një grup pune i legjitimuar në seancë të Këshillit Komunal, në përbërje profesioniste të cilët kanë informata, përgatitje dhe dëshirë t’i bashkohen kësaj iniciative. Ky grup pune të merret seriozisht dhe të informohet përmes të gjitha materialeve, të cilat janë siguruar deri tani për këtë çështje në forma të ndryshme dhe materialet të cilat ka siguruar komuna. Gjithashtu, t’i kërkohen ELEM-it dhe Bankës Botërore të gjitha materialet që kanë lidhje me këtë çështje, si p.sh: projekti, kontratat, të cilat kanë mundësuar nisjen e kësaj iniciative; raportin e plotësuar të firmës gjermane e cila bën analizë të ndikimit social dhe mjedisor të këtij projekti, jo vetëm në brezin e kapjes së ujërave të Radikës, por edhe përgjatë rrjedhës së saj deri në liqenin e Dibrës”.
“T’i kërkohet ELEM-it të japë informata të sakta për sasinë reale të ujit që planifikojnë të marrin. Gjithashtu duhet që të organizohen takime me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, të mbahen kontakte me ministrat shqiptarë të qeverisë së Maqedonisë si dhe të punohet për përgatitjen e materiali profesional, nga specialistë dhe profesorë, për ndikimet sociale dhe ekologjike në rajonin e Dibrës dhe me gjerë”.
“Politikanët duhet t’i lënë mënjanë ngjyrimet politike dhe të bashkohen për Dibrën, pasi bëhet fjalë për diçka jetike”.
“Nga qeveria e Shqipërisë ne presin një vendim kundër këtij projekti”, thonë përfaqësuesit e shoqatave mjedisore në Dibër. “Ato gigavat energji që do t’i fitojë Maqedonia, do t;i mungojnë Shqipërisë”.
Reagimet mbi ujërat e Radikës i kanë bërë njerëzit aktivë në rrjetet sociale, pse jo dhe nostalgjikë. Foto të Radikës së bukur, por edhe liqenit pa ujë, krijojnë një kontrast të menjëhershëm mes asaj që shfaqet sot dhe asaj që mund të jetë përgjithmonë në Dibër. Dhe duket se protestuesit e vërtetë, dibranët në dy anët e kufirit, përpara thirrjeve patriotike dhe dumdumeve nacionaliste, kërkojnë zgjidhjen e çështjes, me urti dhe maturi. Sepse e duam Jetën, por Jetë pa Ujë nuk ka!
*Gazetar i gazetës rajonale “Rruga e Arbërit” www.rrugaearberit.com
bujar karoshi te lumte. ky artikull eshte sa te gjithe bashke te publikuar deri tani.
nuk duhet lejuar as nje pike uje dhe duhet te goditet qysh ne ide.
Nuk do te ket dem me te madh per shqiptaret.Pse jemi pjesmares ne organizata nderkomebtare per kot.
Nese ne ulemi dhe leshojme qofshiun keto edhe ide te kqija per vendin tone , me mire te ikim nga shqiperija se nuk jemi te zote ta mbrojme ate qw na ka lene Ismail Qemali
Ky lum e ka burimin ne Kosove,dhe me nji investim te vogel,i ndrrohet kahja,po problemi eshte,qe ky lum kalon neper teritore ku ka shqiptar.
cfar kosovë ka burimin ky uij a i ke pa sa male janê rreth Dibrës.mediat kosovare edhe nje koment te vogel nuk kan dhene per ket çeshtje