Për grevat e shërbimit urban

30 Janar 2014, 19:55Blog TEMA

Nga Dilaver Baxhaku

 

Në një vend demokratik, parimisht ka të drejtë e grevës cilido individ apo grup. Natyrisht pa cenuar përditshmërinë e pjesës tjetër të shoqërisë. Fjala vjen, një person nuk mund të bëjë grevë ndaj shërbimit të inspektoratit rrugor duke e ndalur makinën e tij skiç në mes të rrugës dhe të ndërpresë kësisoj lëvizjen e mjeteve të tjera, sado të drejtë që mund të ketë ai për ndonjë gjobë apo trajtim të paligjshëm, që, sipas tij, mund të jetë marrë ndaj tij nga ky shërbim.

Të mos shkojmë më larg, edhe sindikata apo drejtoria e shërbimit urban nuk mund të bëjnë një grevë paralizuese të këtij shërbimi, edhe sikur të kenë plotësisht të drejtë për problemet që ngrenë. Ky shërbim është i një rëndësie dhe lloji të veçantë në jetën e përditshme të qytetarëve. Është si buka, si uji, si energjia elektrike dhe disa shërbime të tjera të këtij lloji, pa të cilat shoqëria nuk mund të bëjë.

Çdo të ndodhte po të hidheshin në grevë totale furrat e bukës? Ujësjellësit? CEZ-i? Spitalet?…

Nuk ka nevojë të kërkojmë më shumë shembuj për ta ilustruar, mjafton të themi se shërbimi urban është një shërbim me kontratë. Nuk e kam fjalën për kontratën me Bashkinë apo me KRT-në. Flas për atë kontratë me anë të së cilës shoqëria e shërbimit i ka dalë për zot t’i ofrojë publikut shërbimin e lëvizjes drejt vendeve që ata kanë nevojë, në këmbim të një pagese, natyrisht.

Ta ndërpresësh papritur dhe me një vendim të njëanshëm këtë shërbim do të thotë t’i krijosh çrregullime të mëdha qytetarëve. Njëri nuk kap orarin e punës, tjetri nuk vete dot në kohë në aeroport, një i sëmurë nuk mbërrin në spital, nxënësit e mësuesit nuk zënë orarin e mësimit…

Marr të shkruaj këto radhë kur shohim dhe dëgjojmë çdo natë në emisionet televizive presionin dhe paralajmërimet e çuditshme të shoqatës, por edhe të sindikatës së shërbimit urban, se nëse nuk do të plotësohen kushtet e tyre (?) do të pezullojnë lëvizjen e autobusëve, pra do të paralizojnë menjëherë lëvizjen e publike.

Shembulli i grevës së ditës së enjte tregoi se ky shërbim nuk po bën shaka. Me publikun, ama.

Së pari, greva është një institucion apo mjet paqësor, me anë të të cilit bëhet presion për zgjidhjen e një situate që nuk ka gjetur zgjidhje me mjetet e tjera të dialogut. Ajo ushtrohet për të tërhequr vëmendjen e përgjithshme të shoqërisë, po edhe të pushtetit, dhe nuk ka assesi qëllim ndëshkues. Aq më shumë, “ndëshkimi” nuk mund të bjerë mbi konsumatorin, mbi shoqërinë, e cila nuk është as palë, as fajtore dhe as faktor vendimmarrës për problemet që mund të ketë iks shërbim. Sindikata e punonjësve të urbanëve, nëse ata nuk janë paguar, duhet t’i bëjë grevë drejtorisë së tyre, jo publikut.

Nëse ky shërbim apo biznes që nuk i ka paguar ka probleme me Bashkinë apo me Qeverinë për punë të çmimit të biletës, siç mëton, duhet t’i bëjë grevë atyre institucioneve, jo publikut. As sindikata e as drejtoria shërbimit urban nuk mund t’u bëjnë presion institucioneve shtetërore  duke marrë peng qytetarët, publikun.

Sepse greva e fundit ishte projektuar dhe u ushtrua mbi udhëtarët, mbi publikun.

Në përgjithësi grevë bëjnë punëtorët, nëpunësit apo kategori të ndryshme sociale të cilat mendojnë se u janë mohuar të drejta të ndryshme nga punëdhënësit apo edhe nga shteti e shoqëria. Kurse në rastin tonë kemi grevë nga sindikata e këtij shërbimi ndaj… ndaj kujt? Ndaj udhëtarëve!

Natyrisht, edhe ky lloj shërbimi, punonjësit me punëtorët e tij, kanë të drejtën kushtetuese për grevë, por pa shkaktuar çrregullime te përdoruesi i gjerë. Kjo bëhet duke hedhur në grevë vetëm një pjesë të atij shërbimi. Fjala vjen, nëse shërbimi urban gjykon se duhet të bëjë grevë, mund të nxjerrë nga qarkullimi aq mjete sa mungesa e tyre nuk do të paralizonte shërbimin. Do ta vështirësonte, por jo ta paralizonte. Për këtë do të duhej që qytetarët të njoftoheshin detyrimisht disa ditë më parë, duke cilësuar në mënyrë të detajuar se cilët mjete do të mungonin dhe në cilat segmente do të ushtrohej greva, nga cila orë deri në cilën orë dhe duke ofruar një shërbim alternativ. Në këtë mënyrë udhëtarët do të merrnin masat që të zbusnin dëmet që do t’u sillte mungesa e pjesshme e këtij shërbimi.

Nuk e di se çfarë parashikon ligji i grevës në Shqipëri, nëse ka një ligj të tillë, por këto argumente po i paraqis sipas logjikës së një shoqërie demokratike dhe sipas përvojës në vendet e tjera europiane, ku greva ka një histori dhe përvojë. Kur sindikata e metrosë së Milanos, për shembull, vendos të bëjë një grevë, ajo njofton me saktësi kohën e zhvillimit dhe sektorët e segmentet që do të preken nga kjo grevë, ndërsa drejtoria e metrosë siguron një shërbim paralel me autobusë apo mjete të tjera, që udhëtarëve të mos u mungojë ky lloj shërbimi. Këtë duhet ta bëjë detyrimisht edhe qendra e shërbimit urban në Tiranë a gjetiu ku organizon grevën.

Me grevën e ditës së enjte lindin shumë pyetje, si për drejtorinë e shërbimit urban, ashtu edhe për pushtetin lokal e atë qendror.

A ishte dhënë leja për këtë grevë?

Çfarë përcaktonte leja e grevës?

Ç’masa ishin marrë që të mos ndërpritej e paralizohej shërbimi urban?

Si do të veprohet në ditët që vinë? A do të lihet publiku në mëshirën dhe mendësinë e këtyre “grevave” pa kriter, i pambrojtur nën kërcënimin për një pezullim të plotë të këtij shërbimi, i bërë nga kryetari i sindikatës në mëngjesin e ditës së enjte?

Ç’po bëjnë Avokati i Popullit?.. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, ministritë e interesuara, si ajo Komunikacionit, e Punëve Sociale e të tjera?..

Se shumë institucione e ministri e përfaqësi e OJF që duhet të merren me problemet sociale kemi, por asnjëra syresh nuk po duket ta luaj gishtin për këtë problem mëse social.

3 komente në “Për grevat e shërbimit urban”

  1. Alqi says:

    Një arsyetim shumë i qartë dhe mbi të gjitha shumë social i artikullshkruesit për vlerat dhe pasojat e grevës së transportit urban.Ajo që do të shtoja , është se do të duhet të verifikohet nga organet përkatëse se si është zbatuar kontrata midis kompanive të transportit dhe pushtetit vendor .Së dyti dhe që është shumë e rëndësishme ,organizmat e shumta që mbrojnë interesat e njerëzve dhe të konsumatorëve do të duhej të kërkonin ,në rastin konkret ,ndoshta edhe falimentin ekonomik të shoqërive tëtransportit. Në qoftë se situata financiare e tyre është e falimentuar , këto shoqëri do të duhej të mbanin përgjegjësitë e tyre administrative dhe financiare dhe do të duhej të përjashtoheshin për disa vite nga e drejta e konkurimit për këtë shërbim.

  2. Partizani Meke says:

    QEVERIA TE HEQE MONOPOLIN NE TRANSPORTIN URBAN URGJENTISHT!!!
    Kercenimet e ketyre kompanive,qe fitojne MILIARDA LEKE NE MUAJ,me shume se TRAFIKANTET E DROGES , QENIEVE NJEREZORE DHE ARMEVE,duhet te marrin fund nje here e mire!!!
    NUK KA RILINDJE MIDIS KERMAVE,QE PO NA HANE BUKEN E GOJES!!!
    Kaq pa shpirt jane pronaret e URBANEVE,sa duan te bejne bileten e urbanit 140 leke vajtje atdhje baraz me BUKEN E DY DITEVE TE NJE FAMILJE!!!
    I bie keshtu,qe me mire te mos shkoje ne pune se del me i fituar!!!
    KRYEMINISTER!!!
    Cfare te ka penguar deri me sot,qe te heqesh MONOPOLIN NE TRANSPORTIN URBAN,ndersa ata qe nuk e shijojne fitimin kolosal,le te FALIMENTOJNE!!!
    KONTROLLONI,QEFTE EDHE NJE DITE TE VETME LEVIZJEN E UDHEWTAREVE NEPER TE GJITHA LINJAT DHE DO KONSTATONI VJEDHJEN ME KRIMINALE SE AJO E KAZINOVE!!!

  3. q says:

    Cfare ofron sot sherbimi jone i transportit publik,dhe qe do ta permiresoje neser,nese rrit bileten me 50 apo 70 leke??

    A ofron korrektesi?
    A ofron sherbim cilesor?
    Kondicioner?
    Bileta prerese ne cdo bus?
    Pika shitjesh te biletave?
    Tabela me oraret e autobuseve neper stacione?
    Pasterti neper autobusa?
    Sherbim deri ne 18 ore te pakten,si kryeqytet i vendit.

    Dite te them vetem se,asnje nga ato te siperpermendurat ofrohet nga sherbimi jon i transportit publik.Une smund te shkoj ne pune me autobus,sepse nisem i parfumosur dhe shkoj ne zyre era djerse.Pervec kesaj,shkoj 1 ore me vonese.

    A ja vlen te diskutosh me tej per kete teme? Nuk besoj! Prandaj shum i keni dhe ato 25 apo 30 leke!! Dhe blini nga nje aromatizues per autobusat te pakten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje