Poste, ofiqe dhe çifliqe për trafiqe...

30 Janar 2014, 20:08Blog TEMA

Nga Agim Jazaj

 

Më tromksi gjumin një mik i hershëm, i njohur i publicistikës, më dërgoi në orët e vona të natës në celular “telegramin urgjent”: “Të lumtë o Jazo Dushkaraku, e ke qarë… Kjo është Shqipëria ende e “Qebirëve” në shtetin tonë, të zgjebosur nga pushtpushtetet… Le të shpresojmë”…

U befasova. Ku e kish marrë vesh? I rashë telefonit dhe nuk e hapi. Më pas mori vetë. Nuk mbahej nga të qeshurit. E kish lexuar në internet, pa dalë ende në treg, gazeta TemA…

Qebir ka dhe këtu në Tiranë, më tha…

Qebirë ka kudo/ Nuk mbarojnë këtu/ As me këto…

Hëëm…

Kishte shtrënguar nofullat dhe mësuesi i njohur në Vlorë R.Çaushi, (Anesti, Arsimi, Veroja, Dashoja) këndonjës i rregullt i shtypit, teksa kishte lexuar:

“Këta nuk dëgjojnë këto gjëmime nga lart, ndaj dhe u vënë kallëpin nga poshtë”…

Tek ne shënohet fenomeni i rrallë:

Shpërblehen “krijuesit”, abuzuesit, trafikantët e votave: Me poste, çifliqe dhe ofiqe- për trafiqe!…

Një grup të vegjlish, 11-12 vjeçarë, ishin ngjitur tek Obelisku i Pavarësisë dhe po këndonin një këngë, shoqëruar me çifteli:

Tek Sheshi, Flamuri,

Bëjmë roje ç’do natë,

Mos vjen i Paudhi,

Merr Malon për skrap…

 

ME TAKSËN ZERO

Biznesi më fitimprurës në tregun ekonomik të ditës, është biznes- trafiku i votës, me taksën zero! I përhapur me shpejtësi si një “kolerë” tjetër e rëndë, rënë mbi gjithë trupin e shoqërisë shqiptare, po çon në vorrezë një shoqëri të tërë.  “Zgjebja” e Votës” ka prekur rëndë “tufën”, sëmundja e shekullit dhe më e rralla në botë!

Pazaret e votës tashmë janë shumuar dhe shndërruar si dyqanet e “Gabit”!

Gjithsecili mund të shesë veten, të dalë në pazar me tabelën: “shitet”! Gjithkush del në sheshet “Omonia” të qyteteve dhe shesin krahun e tyre të punës. Çdo njeri ka të drejtë të bëjë pazare, të shesë veten dhe votën e tij. Kjo është çështje personale. Por kurrsesi nuk mund të shesë të tjerët, votën e atyre. Kjo nuk është çështje personale, por shoqërore!

Vota nuk është pronë e atij! Vota është pronë e zgjedhësve! Vota nuk trashëgohet, nuk dhurohet dhe nuk falet! Vota administrohet, nuk shpërdorohet dhe aspak të tjetërsohet! Ka misionin fondamental për t’i përfaqësuar votuesit dhe vetëm ata!

Kushdo ka të drejtën me vete të trafikojë veten, i zhveshur nga vota e votuesit si person dhe jo si i zgjedhur. Por të zgjedhurit gjejnë kohën “pik”, atëherë kur janë zgjedhur, dhe kryejnë aktin pervers të trafikimit, duke marrë me vete edhe votat, pushtetin e pamerituar, duke prerë në besë zgjedhësit, dhe gradohen për “merita”, pabesie! Ka besë i pabesi?! Pabesia, vesi dhe perversi më i ulët, veçmas për karakterin e  shqiptarëve, është instaluar dhe ka fituar status legal tashmë në sistem nga të zgjedhurit, “ajka” me bajga e politikës shqiptare- ore babam!

Kohë më parë opozita nga Korça me të drejtën e zotit klithi fortë për pazar-votën, blerje të votës. Mirëpo nuk u tha as me gjysmë zëri për (shit-blerje) shitjen e votës, asgjë për hatanë: Shitjen me gjithë votat, trafikun e votës… Tashmë pas kaq kohësh, u shqiptua edhe nga goja e kreut të demokratëve këto ditë: “Shitblerja e votës”. -Aferim!

E ndarë në tri kategori shit-blerja e votës tabelohet:

1-Shitja e votës.

2- Blerja e votës.

3- Shitje të vetes, trafik të vetes dhe të votave!

Edhe këtë radhë u duk sheshit se “filli i lëmshit” nuk kapet në fillim, për t’i gjetur anën, por kapet në mes, për të mos e shpleksur, po për të kokoleksur edhe më keq.

Në analizën kuturu rezulton:

-Fajtor është ai që blen votën.

-Pa faj, ai që e shet votën.

-Përfitues, madje gradohet ai që trafikon votat, me poste, ofiqe dhe çifliqe për trafiqe.

Me plot gojën e vuajnë dhe e thonë qytetarët fenomenin e ditës: “Zgjebja nuk bie vetëm mbi dhitë, dhe krimbi mbi patatet, por kolera e shekullit ka rënë për mëse 23 vjet edhe mbi votën e shqiptarëve”!

 

QEBIRI NË MAL ME DHITË E ZGJEBOSURA

*-Bariu i njohur për zarare, shkelje e ngrënie kullotash Qebir Lika (Qelbësi) në kufi me rrethinat e Skraparit, shkonte mot për mot për verim me kopenë e dhive, në mal. Shpesh krijonte edhe mosmarrëveshje, deri dhe në konflikte të hapura me kufitarët. Pas sherreve mes barinjve, kryepleqësitë nga të dy anët i tërhiqnin shpesh veshin. Kur u mbush kupa me “zullume”, u mblodhën të mençurit dhe e ndëshkuan të marrin. Si dëmshpërblim vendosën t’i jepte të dëmtuari të kullotës, 4 krerë dhi. Qebiri i bindur dhe i pa bindur përpara këtij “verdikti” të dyfishtë, pas 4- ditëve, vuri 4 dhitë përpara dhe ia behu në stanin e të dëmtuarit të kullotës.

“I prura dhitë.

T’i hash gëzuar!

Mi bëj hallall të gjitha”, i tha si me pendim.

Ata bën edhe adetin, si në stan. Rrëkëllyen nga një gotë raki, marka “Koçimare” dhe më pas kthyen nga një sapllak kos dhie.

I dhanë dorën njëri-tjetrit.

“U ndanë si miq, të mirëkuptuar”…

Ditët ia linin vendin njëra tjetrës.

Bariu, që iu shtua tufa me 4 dhitë e Qebirit, pas pak ditëve i gëzuar, vë re se disa dhi po ulnin kokën. Numri i dhive kokëvarura po shtohej, por edhe meraku gjithashtu rritej. Mori rrugën një ditë dhe zbriti nga mali në komunë, i alarmuar. Shqetësimin e ndau së pari me drejtuesit e komunës, po llafin e fundit e tha specialisti, veterineri.

“Do t’i shohim në vend”, shtoi ai. Ditën tjetër u nisën në mal, të dy me veterinerin.

Veterineri vizitoi tufën dhe… mblodhi buzët. Me gjysmë zëri i thotë: “Dhitë i ka prekur zgjebja”.

Bariu i revoltuar, i hidhëruar deri në palcë, ulëriti me të fortë: “Qebir ç’më bëre? -Më fute zgjeben”!

4 dhitë e zgjebosura, zgjebosën të gjithë tufën!

Por… Nuk ishte kaq e thjeshtë. Edhe stalla, vatha e kullota ishin zgjebosur.

Zarar i madh: Të nxjerrësh vetëm dhitë jashtë, brenda mbetet zgjebja! Duhen pastruar e dezinfektuar tufa dhe vatha…

Veterineri, teksa dëgjoi klithmën e bariut të dhive të zgjebosura: Qebir, ç’më bëre, shqeu sytë: Edhe këtu në mal ishte ngjitur Qebiri?!

 

QEBIRI NË FUSHË ME PATATET E KRIMBURA

*-Qebir (Qelbësi) Lika ishte njohur për bëmat dhe gjëmat në fshatin e tij e më tej.

Veterinerit ju kujtua në mal, i doli përpara Qebiri, në fushë:

Në bahçen me patate të mbjella, kishte shkulur disa gropa, duke shkelur sinorin, futur brenda kufirit të parcelës së vëllait të tij. I shkuli kokrrat në disa gropa dhe gjethet ua la në vend, për të mos u dalluar! Pas pak ditësh, gjethet e parrënjë, u zverdhën, e më pas u thanë.

Fisi i njihte mirë bëmat e tij dhe i vuri detyrë Qebirit: “Kthe patatet e shkulura, kur të shkulësh të tuat”.

Si dëmshpërblim i caktuan 4 shporta të mbushura!

Urdhër i prerë.

U tha dhe u bë…

Qebiri, kur shkuli patatet me të “përzgjedhura” , mbushi 4 shportat dhe ia ktheu të dëmtuarit si dëmshpërblim. I vëllai pa i rënë fare hiles, i hodhi patatet pa merak, në koshat e mbushur dhe i vendosi në bincë, vendi ku ruante zairet e dimrit.

Kaloi gati një muaj dhe i zoti i shtëpisë, vëllai i Qebirit, u bëri kontrollin e parë patateve. Mënjanoi kashtën e hedhur dhe vuri dorën sipër tyre.

U hodh përpjetë.

Koshat gati ishin kalbur.

Bërtiti me të madhe, duke i rënë kokës me grushte: Qebir! Ç’më bëre?! Më kalbe patatet!

Vonë e mblodhi: “Një kokërr kripë, prish një thes me sheqer!

“Një kokërr patate  e prishur, kalb një kosh të tërë”!

“Një dhi e zgjebosur, zgjebos gjithë tufën”!

Kish dëgjuar, po s’e kishte pësuar!

Gaboi apo dështoi i zoti i tufës me 4 krerët e dhive të zgjebosura, apo dhe i vëllai tij me 4 shportat me patatet e kalbura?!

 

KOLERË-VOTA

*-Por zgjebja nuk ka rënë vetëm mbi dhitë dhe patatet. Zgjebja ka prekur rëndë edhe votën e shqiptarëve. Gjithashtu trafiku, korrupsioni i votës rezulton dhe aplikohet si biznesi më fitimprurës në tregun politik dhe ekonomik të ditës, me taksën zero! I përhapur me shpejtësi si një “Kolerë” e rëndë, rënë mbi gjithë trupin e shoqërisë shqiptare, po vret pa krisma dhe po çon në vorrezë një shoqëri të tërë. “Kolera e Votës” ka prekur rëndë “tufën”, sëmundja e shekullit dhe më e rralla në botë. “Ore Babam”- më thotë miku im atje lartë mes Golikut dhe Trebeshinës!

“Kini dëgjuar nga këto bëma- gjëma të sotme”: Sëmundje të rënda, të rëna këto vite: Kolera mbi votën, zgjebja mbi dhitë, krimbi mbi pataten, shënohen edhe në tabelat e OBSH-së.

Të zgjedhurit le të bëjnë zgjedhjen e tyre, të trafikohen, por nuk mund të trafikojnë, të shesin votën e zgjedhësve. Ajo nuk është pronë personale, por është pronë e zgjedhësve dhe i përcaktuar destinacioni i saj, për subjektin dhe përfaqësimin real, pa parashikuar devijimin dhe trafikimin e votës. Thjesht dhe shqeto: Shit veten, po nuk mund të shesësh votën, e drejta e njerëzve të cilën e vuajnë dhe e thonë: Ai që shet, shet votën e tij personale. Ai që blen, blen po votën e atij që e nxjerr në treg dhe ai që shitet, pra i zgjedhuri-ra, këshilltari i çdo niveli, deputeti që shitet në pazar, nuk shet veten, po shet votën e atyre që e kanë zgjedhur, votën e votuesit.

Ai që shet. Ai që blen. Dhe ai që shitet.

Askush nuk thotë deri më tani as me gjysëm zëri, madje të ligjërohet, ta zhveshi abuzuesin, trafikantin nga votat e votuesve. Ai ka kandiduar nën siglën e subjektit. Ndryshe kur mund të kandidonte në mënyrë të pavarur! Edhe në këtë rast kur do të merrte ok nga zgjedhësit! Kushdo i votuar të trafikohet vet, me votën e tij, si person dhe jo si i zgjedhur!

*-Për këtë sëmundje- kolerë që ka prekur rëndë shoqërinë shqiptare, trafik deputetësh, trafik këshilltarësh, pazare të ndyra, me votën e zgjedhësit, nuk është asgjë zgjebja e dhive dhe kolera e patateve të Qebir Qelbësit.

Kjo sëmundje ka rënë dhe po përhapet edhe në Vlorë, thonë açik, edhe nga brenda selisë lokale të PS, madje dhe socialistë 24 karat, të certifikuar. Drejtues institucionesh, nëpunës të administratës, i kanë kthyer xhaketat dhe po zënë radhët të anëtarësohen veçmas në LSI, për të mbrojtur pozitat- pazaret e tyre. Prej tyre kanë qenë në pozita në qeverisjen me PD-në. Kanë bërë fushatë edhe në datën 23 qershor për opozitën e përmbysur me votën e 23 qershorit të Rilindjes!!! Tashmë i zgjedhin sërish në krye të institucioneve, të propozuar dhe përfaqësuar nga pozita e sotme! Pra këta janë zyrtarë dhe drejtues institucionesh me “performancë bashkëkohore”: Trafikojnë veten dhe votat, gradohen dhe përfitojnë ofiqe, poste, për të mbuluar zullumet. Ky është sistemi- politik allashqiptarçe! Ec e mos e quaj këtë demokraci europiane!!!

Njerëzit bëjnë shpesh fët e fët aritmetikë, i bien lapsit, po harrojnë të bëjnë edhe gramatikën! Nuk e di ore lum miku- kë mëson së pari njeriu qysh kur lind: Aritmetikën, apo gramatikën”?!

Çirren, ngrenë zërin deri në kupë të qiellit, edhe brenda në tempull, politikbërës e shtetdrejtues, në analiza e me statistika, për trafiqe gjithëllojësh, për suksese në ngjitje, dhe ndëshkim të pa mëshirshëm, deri duke iu drejtuar edhe njërit-tjetrit këto ditë: “Ik ore Qebir”!!!

Ndëshkohet me ligj trafiku i narkotikëve, i qenieve njerëzore, trafiku i ikonave, etj… Por deri më tani, për mëse 23 vjet nuk thuhet, as analizohet, le më të parandalohet apo të penalizohet trafiku i shpirtit, i aspiratës shqiptare, trafiku i votës, përkundrazi gradohet abuzuesi. Trafikantët dhe korrupsioni i votave të shqiptarëve, në gjithë nivelet e pushtetit, si në asnjë vend të botës, shpërblehet me poste, ofiqe dhe çifliqe…

PËRPARA OBELISKUT

*-Kalimtarët e rastit pardje, mbajtën këmbët përballë koncertit tek Obelisku i Pavarësisë. Duke dëgjuar këngën, shoqëruar me çifteli, ndjekësit e rastit duartrokitën fortë dhe brohoritën: “BIZ, BIIIZË”!

Grupi i 11-12 vjeçarëve, duke iu përgjigjur kërkesës, u rikthyen në skenë, me këngën:

Trafikant’i drogës,

Me burgim dënohet,

Trafikant’i VOTËS,

Gjeneral gradohet…

-Po këta?! Me ne e kanë- thanë Kutua, Kaçua, Kasua e Kapua, duke u tundur me spaletat e trafik-votës!…

3 komente në “Poste, ofiqe dhe çifliqe për trafiqe…”

  1. Pelasgian says:

    TE LUMTE PER SHKRIMIN ! 1 BRAVO TE MADHE ! Ky eshte realiteti shqiptar ….ky eshte mentaliteti i shumices dhe sa te ket jet ky mentalitet shqiptaret s’do bejne perpara !

    1. MAJA says:

      A e dini se kush eshte
      Posti me i preferuar i Rinise Shqiptare?

      Jua them une:
      http://goo.gl/kA5CR6

  2. H.Vlore says:

    Te lumte o Agim e ke qare shkrimin.
    Respekte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje