Policia e Gjirokastrës dhe ajo e Sarandës sekuestrojnë një sasi prej 210 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë.
Burime policore bënë të ditur se gjatë operacionit policor ‘Mëngjesi’ në një automjet që udhëtonte në aksin Kordhoc-Gjirokastër, policia sekuestroi 140 kg marijuanë.
Sipas policisë, lënda narkotike e dalë nga Lazarati po transportohej në një tip Alfa Romeo me targa greke YZZ 4168 me destinacion Durrësin, ndërkohë që drejtuesi i saj ka mundur ti ikë policisë, duke braktisur mjetin së bashku me lëndën narkotike.
Në një tjetër aksion, të ndërmarrë nga Policia e Sarandës u sekuestruan 70 kg marijuanë. Sipas policisë, sasia e marijuanës e paketuar po transportohej me varkë pranë Ksamilit nga dy persona. Këta të fundit ishin drejtuar drejt Korfuzit, por sapo kanë zbuluar policinë kanë hedhur thasët e drogës në det dhe janë larguar menjëherë në drejtim të paditur me varkën që udhëtonin.