Miqësorja e 5 marsit me Haitin, Shkëlzen Gashi dhe Burim Kukeli refuzojnë Kosovën

20 Shkurt 2014, 14:59Sport TEMA

Shkëlzen Gashi dhe Burim Kukeli nuk do të jenë pjesë e miqësores së parë të përfaqësueses së Kosovës kundër Haitit, që do të luhet më 5 mars në stadiumin e Mitrovicës.

Të dy futbollistët kanë preferuar të vazhdojnë me Kombëtaren shqiptare, të paktën deri në pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA e UEFA me të drejta të plota.

“Gashi dhe Kukeli vendosën të vazhdojnë me Shqipërinë. Ata nuk duan të vijnë për miqësore dhe mund të ndërrojnë mendje vetëm pas pranimit të Kosovës në FIFA”, – tregojnë burime të gazetës kosovare “Sport Plus” pranë FFK-së.

Kujtojmë që trajneri Xhani de Biazi ka grumbulluar mesfushorin Kukeli që në debutimin e tij në pankinën kuqezi, pikërisht në ndeshjen e parë eliminatore kundër Qipros. Gjatë vitit të kaluar, mesfushori i Zyrihut ka vuajtur një dëmtim të rëndë, i cili e ka lënë jashtë fushe për një periudhë të gjatë. Gjithsesi, kosovari është në planet e italianit, ashtu si edhe sulmuesi i Grasshopersit, Gashi.

Ky i fundit po kalon një formë të shkëlqyer dhe në testin e parë për këtë vit, që Shqipëria ka kundër Maltës, pritet të jetë titullar. Ndërkohë, deri më tani i vetmi futbollist kosovar i Kombëtares shqiptare që ka zgjedhur të largohet është portieri Samir Ujkani. “Panorama Sport” ka arritur të zbulojë detajet e fundit të komunikimit mes portierit kosovar të Palermos dhe trajnerit Xhani de Biazi. Të martën, Ujkani i ka dërguar një mesazh në telefon italianit, ku i kërkonte që të mos grumbullohej më nga Shqipëria. “Mirëmbrëma! Kam vendosur që të mos vij më në Kombëtare. Paçi fat…!”, – i ka shkruar portieri teknikut kuqezi. Ujkani është mjaftuar me një mesazh të shkurtër, duke zhgënjyer dhe nervozuar De Biazin, por gjithashtu edhe drejtuesit e FSHF-së. Gjithsesi, në ndryshim nga portieri, lojtarët e tjerë kosovarë të Shqipërisë janë shprehur të vendosur për të vazhduar me Kombëtaren kuqezi.

Kjo çështje pritet të komplikohet vetëm atëherë kur Federata e Futbollit të Kosovës të ketë të drejta të plota në FIFA e UEFA. Kombëtarja e Kosovës ka të drejtë të luajë vetëm miqësore ndërkombëtare, jo eliminatore.

2 komente në “Miqësorja e 5 marsit me Haitin, Shkëlzen Gashi dhe Burim Kukeli refuzojnë Kosovën”

  1. Blendi says:

    Bravo djema!! Ashtu duhet. Vetem me Shqiperine.

  2. Kosovari dardan says:

    Shqiperia eshte nena jone,ate do ta mbrojme,jo vetem me futbolliste,por me te gjitha mjetet dhe rruget demokratike te mundshme.Uroi qe vendi i shqiponjave te arrije perparime ne te gjitha fushat e jetes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje