Strategjia e Qeverisë/ Si do të shlyhen detyrimet e prapambetura ndaj biznesit

22 Shkurt 2014, 19:29Ekonomia TEMA

Shlyerja e borxheve që shteti ka ndaj bizneseve do të fillojë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të rejat sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/ shërbimeve/ dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSH-së, tatim-fitimit. Radha e pagesës do të ndryshojë vetëm nëse ka parregullsi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme. Kjo përcaktohet në strategjinë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të planit të veprimit, që tashmë ka hyrë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare. Parimet në të cilat do të mbështeten këto pagesa do të jenë në mënyrë transparente, proporcionale, të besueshme, realiste dhe të drejtë. Në strategjinë e qeverisë përcaktohet se radha e pagesave për secilën kategori të detyrimeve të papaguara do të ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar edhe sipas sektorëve. Dokumenti qeveritar parashikon që radha e pagesës do të ndryshojë vetëm nëse ka parregullsi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme. Gjithashtu dokumenti parashikon që rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin do të fillojnë gjatë vitit 2014. “Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit, do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor) pavarësisht se kur është vlerësuar dhe miratuar nga ky i fundit”, përcaktohet në strategjinë e qeverisë

Procesi i verifikimit

Dokumenti parashikon që i gjithë procesi të kalojë përmes një filtri verifikimi, i cili do të realizohet nga drejtuesit e institucioneve vendore apo qendrore. Kështu strategjia e Qeverisë përcakton që titullarët e njësive të qeverisjes qendrore sigurohen që të gjitha detyrimet financiare të prapambetura të jenë vlerësuar dhe verifikuar plotësisht përpara dërgimit të dokumentacionit për pagesë. Verifikimet bëhen duke respektuar radhën kohore të lindjes së detyrimit. Dokumentacioni i plotë duhet t’i paraqitet degës së thesarit nga nëpunësit autorizues për kontroll për çdo urdhër pagese, për t’u shqyrtuar më pas nga Komiteti i Detyrimeve të Prapambetura (KDP), siç shpjegohet më poshtë.  Stragejia gjithashtu parashikon që detyrimet e lindura në qeverisjen vendore për punimet e papaguara për projektet e infrastrukturës vendore të financuara nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, do të verifikohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përpara se nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes vendore të dërgojnë urdhërpagesën me dokumentacionin shoqërues pranë degës së thesarit. Detyrimet e prapambetura në lidhje me pretendimet e përfitimit për personat me aftësi të kufizuar do të trajtohen pas auditimit të borxhit nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe do të paguhen duke respektuar parimin që detyrimet më të vjetra financiare do të marrin prioritetin më të lartë. Në procesin e verifikimit përfshihet edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila do të verifikojë, para se të bëhen pagesat, që pretendimet e rimbursimit të TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin janë të vlefshme. Verifikimi dhe kontrolli do të kryhen bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor). Një grup ekspertësh i dedikuar do të ngrihet pranë Ministrisë së Financave për të siguruar minimizimin e riskut të abuzimeve në procesin e rimbursimit të TVSH-së. Përveç kontrolleve të sistemit të thesarit, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të verifikojë dokumentacionin mbështetës të një pjese të pretendimeve para pagesës në bazë të parimit të materialitetit dhe mënyrës së miratuar në memorandumin e nënshkruar midis Ministrisë së Financave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Stragejia gjithashtu parashikon që Ministria e Financave mund të kontraktojë një auditor të jashtëm për të verifikuar pretendimet për detyrimet financiare, të cilat nuk janë miratuar për shkak të mospërputhjes së dokumentacionit. Pas verifikimit të këtyre detyrimeve ato përfshihen në listën e detyrimeve financiare për t’u shlyer dhe do t’u nënshtrohen të njëjtave procedura të miratimit dhe pagesës si me detyrimet e raportuara sipas pikës 15 të strategjisë.

Përmbajtja e dokumentit

Kjo strategji përcakton rrugën që do të ndjekë qeveria shqiptare për të paguar detyrimet financiare të prapambetura të njësive të qeverisjes qendrore, si dhe masat që do të  ndërmerren për të parandaluar krijimin e detyrimeve financiare të prapambetura në të ardhmen për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme.

Objektivat e strategjisë

Objektivi  kryesor i strategjisë është shlyerja e detyrimeve të prapambetura në mënyrë të saktë, transparente dhe të besueshme. Ndërsa një tjetër objektiv është forcimi i disiplinës financiare për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen.

1 komente në “Strategjia e Qeverisë/ Si do të shlyhen detyrimet e prapambetura ndaj biznesit”

  1. plaku says:

    Mos valle qeveria duhet te bashkepunoje me bankat dhe tju ktheje borxhin atyre bisneseve, qe kane krijaur kredite e semura dhe pastaj bisneset e tjera, qe ndoshta nuk kane shume probleme me likuiditetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje