FMN miraton në fund të muajit kredinë 300 milionëshe për Shqipërinë

19 Shkurt 2014, 19:05Ekonomia TEMA
FMN miraton në fund të muajit kredinë 300 milionëshe

Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të miratojë në fund të këtij muaji marrëveshjen e kredisë me Qeverinë shqiptare duke i hapur rrugë nisjes së procesit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se, në mbledhjen e programuar në fund të muajit, bordi i drejtorëve të Fondit Ndërkombëtar Monetar pritet të shqyrtojë dhe miratojë paketën e kredisë prej 300 milionë dollarësh për Shqipërinë, nga të cilat 100 milionë do të lëvrohen këtë vit.

Sipas të njëjtave burime, qeveria shpreson që kredia të jetë e disponueshme që nga muaji mars për të filluar me pagesën e faturave të prapambetura.

Parimi i shlyerjes do të jetë ai i kohës, sipas të cilit faturat më të vjetra do të likuidohen më parë.

Ministria e Financave është sakaq duke përgatitur edhe kalendarin e detyrimeve sipas kohës në të cilën janë krijuar.

Burime nga Ministria e Financave thonë se shlyerja e faturave të para pritet të fillojë gjatë muajit mars.

Gjatë muajve të fundit, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë zhvilluar një sërë takimesh me grupet e interesuara në këtë proces, me bizneset, por edhe me bankat.

Ndërkohë detyrimet e prapambetura ndaj biznesit do të shlyhen me tre këste.

Përmes kësaj strategjie Ministria e Financave pret që të zgjidhë përfundimisht ngërçin e borxheve të prapambetura, duke shlyer detyrimet ekzistuese dhe duke parandaluar krijimin e borxheve të reja.

Burime nga Ministria e Financave, bëjnë të ditur se borxhet e prapambetura të shtetit ndaj sipërmarrjes janë në total rreth 72.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Sipas të njëjtave burime, detyrimet janë të klasifikuara në 5 zëra.

Dy të parat janë kontratat e papaguara të punëve publike dhe pagesat për mallra e shërbime, respektivisht me 24.6 miliardë lekë dhe 5 miliardë lekë.

Këtyre u shtohen 22.8 miliardë lekë detyrime të tjera që rrjedhin nga tatimet, përkatësisht 12.8 miliardë lekë TVSH e parimbursuar dhe 10 miliardë lekë tatim mbi fitimin që duhej t’i ishte kthyer biznesit.

Në zërin e fundit Ministria e Financave klasifikon detyrimet e tjera, të cilat i vlerëson 20.1 miliardë lekë dhe ku përfshihen vendimet gjyqësore kundër shtetit, detyrimet për shpronësimet publike, por edhe pagesat e prapambetura të personave me aftësi të kufizuar.

4 komente në “FMN miraton në fund të muajit kredinë 300 milionëshe për Shqipërinë”

  1. henri says:

    Me e bukura eshte se ne vitet e fundit , remitancat e emigranteve ishin :

    Viti 2004 = 774 miljone €, viti 2005 = 802miljone €, viti 2006=937miljone €, viti 2007 = 952miljone €, viti 2008 = 833miljone €, viti 2009 = 781miljone € dhe viti 2010 = 690miljone €.

    Krahasimin bejeni vete.

  2. Pelasgian says:

    borxhet lahen me borxhe …bravo qeveria shqipKARE !

  3. henri says:

    Pelasgian,
    Mos harro mik : Borxhet e sotme jane taksa per neser.

  4. popolo di paskuqani says:

    Po per vajzat e volejbollit te Fullanit a do merrni lek borxh apo jo se dava 100 mije dollare jane. Se per pak harrova, nuk e kam degjuar me Braçen te bertasi par ato 100 mije dollaret e vajzave te volejbollit te Bankes se Shqiperise!!!!!!Çudi…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje