INTERVISTA/ Bel: Franca kërkoi t’i lihet kohë qeverisë së re për statusin

14 Mars 2014, 09:26Politika TEMA

Intervistë e Presidentit të Senatit të Francës z. Jean-Pierre Bel

Bisedoi: Sokol Balla

 

Nuk mbaj mend një vizitë të këtij niveli kaq të lartë në Shqipëri. Përse tani dhe përse kaq vonë?

Unë jam shumë i lumtur që munda të vij. Kam folur edhe me Presidentin Hollande për këtë vizitë. Unë kam pasur rastin të pres kolegun tim, Kryetarin e Parlamentit shqiptar, zotin Meta, në Senatin francez, e kam takuar në Francë disa herë, në Paris, por edhe në Marsejë, me rastin e një takimi të parlamentarëve të vendeve të Mesdheut, që ishim mbledhur për të reflektuar në lidhje me disa tema mjaft të rëndësishme aktuale. Unë di gjithashtu se ka pasur kontakte të shumta, shumë ministra shqiptarë kanë ardhur në Francë për të vijuar këto shkëmbime që po vendosen mes nesh. Ministri francez i Bujqësisë dhe Ushqimit Guillaume Garot do të vijë së shpejti në Tiranë. Sektori agro-ushqimor është një sektor në të cilin ne mund të kontribuojmë dhe të mbështesim Shqipërinë. Këtu do të organizohet një panair që do t´i kushtohet këtij sektori. Dua ta theksoj se në të ardhmen e afërt do të shikoni të vijnë në Shqipëri shumë autoritete franceze, sepse, e përsëris, ne duam të ndërtojmë lidhje mes mesh, lidhje të cilat njëkohësisht lidhje shpirtërore dhe lidhje që na bashkojnë në fushën e zhvillimit ekonomik, e gjitha kjo në frymën e reciprocitetit, sepse ju keni nevojë për ne, dhe ne kemi nevojë për ju.

 

Përse?

Sepse kjo është mënyra se si Franca ndërton marrëdhëniet e saja ndërkombëtare me vendet e ndryshme. Është një ndjenjë që e ndeshim kudo, dhe unë e kam ndjerë edhe këtu në Tiranë, në të gjitha takimet që kam pasur me bashkëbiseduesit shqiptar. Kam ndjerë se për ta Franca kishke një kuptim mjaft domethënës, se ekzistonte një lidhje me Francën. Pikërisht, duke ju dëgjuar ju të flisni frëngjisht, kjo gjë më gëzon shumë, sepse ju e zotëroni këtë gjuhë shumë mirë. Siç e dini, frankofonia nuk është një dëshirë për t´u imponuar kudo; frankofonia është një mesazh paqe, është një mesazh që mbart vlerat e Republikës franceze, vlera që janë universale: liri, barazi, vëllazëri. Pra mendoj se kjo gjë është mjaft e mirë dhe tregon se sa shumë duam t´ju qëndrojmë pranë.

 

Si e shikoni ndryshimin politik te 2013?

Së pari konstatoj se Shqipëria ka dhënë një provë të pjekurisë të saj, pra unë kam një mendim jashtëzakonisht pozitiv në lidhje me zgjedhjet që u zhvilluan në kushte shumë të mira. Nuk dua të ndërhyj në jetën politike shqiptare, por dua thjesht të them se sot ju jeni në një situatë të njëjtë me të gjitha vendet demokratike, me një shumicë e cila zotëron mjetet e nevojshme për të realizuar programin e saj politik, dhe një opozitë. Ky është një faktor shumë pozitiv dhe duhet që kjo gjë të vazhdojë dhe ky ballafaqim mes shumicës dhe pakicës të mund të zhvillohet në kushtet më të mira

 

Përse ai refuzim në dhjetor?

Unë nuk kam këtë lloj interpretimi të situatës, dhe kam pasur rastin ta theksoj disa herë se duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj asaj që u tha në dhjetor 2013. Aty nuk u vendos një “JO” për Shqipërinë, por përkundrazi ndoshta, aty u dha mundësia për të vazhduar dialogun e filluar prej shumë kohësh. Unë e kuptoj padurimin e shqiptarëve, e kuptoj gjithashtu zhgënjimin që kjo gjë mund të ketë shkaktuar, por nëse e lexoni tekstin e miratuar nga Këshilli i Evropës në dhjetor 2013, do të shikoni se aty bëhen konstatime në lidhje me vazhdimin e punës, dhe Franca do të japë ndihmën e saj, që të jepet një imazh pozitiv. Nuk bëhet fjalë për një fillim nga e para, por thuhet se Shqipëria ka përparuar shumë mirë dhe se ka akoma disa çështje, për të cilat duhet punuar: lufta kundër krimit dhe korrupsionit, për shembull. Por ju keni ndërmarrë një proces shumë pozitiv në këtë drejtim. Vendi kishte ngelur pak prapa për arsye të ndryshme, dhe nuk dëshiroj të ndalem në përgjegjësitë e njërit apo tjetrit, por në përgjigjen që i është dhënë Shqipërisë, është pikërisht perspektiva e qershorit 2014, e cila tregon se Shqipëria, në sajë të dinamikës pozitive që ka treguar, është në kushte të mira, mendoj unë që të mund të jetë vend kandidat në qershor 2014

 

Përse Franca u rreshtua tek grupi Jo? Cili ishte argumenti specifik francez?

Siç e dini, kur Franca kryesonte Bashkimin Evropian në vitin 2000, ajo bëri të mundur që Shqipërisë t´i hapej perspektiva evropiane. Franca nuk do të ndryshojë qëndrim. Së bashku me partneret e saj evropianë, Franca është kujdesur që diskutimet të bazohet tek besueshmëria, në mënyrë që të mos ketë më vonë zhgënjime. Franca nuk ka thënë “JO”? Franca ka shprehur dëshirën që t´i lihej qeverisë një periudhë e caktuar, sepse qeveria sapo ishte krijuar në shtator 2013, për të ndërmarrë reformat e thella të programuara dhe që të konfirmonte këtë vullnet të saj. Gjatë takimit që kam zhvilluar dje me komunitetin francez, kam përdorur një imazh të tillë: ka disa mënyra sjelljeje me miqtë. Ka disa që i hapin krahët por nuk i mbyllin për të shtrënguar mikun e tyre. Kjo mund të shkaktojë probleme më vonë dhe tregon se miqësia nuk mund të vazhdojë gjatë. Por ka nga ata që i hapin krahët dhe e shtrëngojnë fort mikun, duke i shprehur ngrohtësinë e miqësisë që mbështetet tek besimi dhe kredibiliteti. Këtë gjë ka dashur të thotë Franca, dhe unë kam shumë besim dhe mund t´ju them se Franca do t´i qëndrojë pranë Shqipërisë një periudhën në vijim për ta ndihmuar që ku vend të ketë një të ardhme të mbështetur në idealet e mëdha të Bashkimit Evropian, ideale që do të ndihmojnë të jetë anëtare e kësaj familje të madhe, në të cilën ajo bën pjesë dhe për këtë jam i bindur.

 

Shqipëria dhe qëndrimi i Francës për statusit  e vendit kandidat në BE. Faktori Le Pen?

Një personazh si Le Pen, me të kaluarën e tij, me intolerancën, racizmin, ksenofobinë e tij, për ne ka një rëndësi që nuk do të thosha të papërfillshme, por që nuk ndikon në politikën franceze…

 

Vajza e zotit Le Pen…

Ne jemi të vëmendshëm ndaj elektoratit të këtyre partive ekstremiste, sepse shpesh bëhet fjalë për persona në vështirësi. Ky është aspekti me të cilin merremi, dhe përpiqemi t´u tregojmë se nuk ka asnjë rrugë tjetër të mundshme dhe se është rrugë pa krye të rendësh drejt partive që shkaktojnë katastrofa në vendin tonë, siç ka pasur katastrofa kur përfaqësuesit e tyre janë zgjedhur në komuna dhe në bashki. Dhe kjo ka qenë diçka e tmerrshme për banorët e këtyre njësive vendore. Pra ekstremizmi dhe ajo që na kthen prapa në një periudhë të errët të historisë sonë nuk janë udhërrëfyese për ne dhe nuk kanë ndikuar aspak. Por nga ana tjetër, mendoj se ju e keni gjithashtu fjalën për euroskeptikët dhe euroskepticizmim, për dyshimet e tyre mbi Evropën që po bëhen gjithnjë dhe më të pranishme në opinionin e popujve evropianë. Na përket neve të tregojmë se Evropa nuk do të thotë masa shtrënguese që u shtohen masa shtrënguese ekzistuese, por që në saj të Evropës mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës këmbëngul në zbatimin e politikave në favor të punësimit, në favor të aktivitetit ekonomik, pra në favor të rritjes ekonomike.

 

Si i shikoni zhvillimet politike në Shqipëri?

Edhe një herë nuk dua të ndërhyj në debatet politike shqiptare, por mendoj se kemi të bëjmë me një situatë konform me vende demokratike, ku kemi një shumicë me mjete të mjaftueshme për të ndërmarrë reformat, dhe një opozitë që duhet të luajë rolin e saj si opozitë. Në sistemin demokratik, kjo gjë është shumë e natyrshme. Ajo që duhet është që në këtë jetë politike të brendshme të Shqipërisë, njerëzit të kenë përshtypjen, e përsëris pa dashur të jap leksione dhe duke e parë situatën nga jashtë, se institucionet funksionojnë. Në demokraci ka vend për opozitën dhe ka vend për shumicën, e cila ka përgjegjësinë që ia kanë ngarkuar zgjedhësit, atë të drejtimit të vendit. Duhet që institucionet të funksionojnë dhe që shqiptarët të kuptojnë se cilat janë sfidat e mëdha, në mënyrë që më pas të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë demokratike.

 

Opozita akuzon qeverinë se po sulmon pavarësinë e institucioneve, por institucionet si ai i deklarimit të pasurive apo shërbimet sekrete, dukshëm kanë një varësi nga ish- qeveria e djeshme…

Ky është një debat që ekziston në shumë vende. Nga një anë është sistemi amerikan, në të cilin kur ndryshon qeveria, ndryshon e gjithë administrata, dhe vjen një administratë e re. Në Francë nuk ndodh kështu. Ne kemi atë që e quajmë vazhdimësia republikane dhe që nënkupton ndarjen e përgjegjësive mes opozitës, e cila ishte në pushtet para zgjedhjeve, dhe shumicës. Pikërisht këtë gjë kam bërë pas u zgjodha Kryetar i Senatit, duke i vënë në krye të komisionit të financave një përfaqësues të opozitës. Por mendoj se çdo vend duhet të gjejë zgjidhjen që i përket. Besoj se më e rëndësishmja është të kuptohet se konfrontimi demokratik është një ballafaqim idesh, programesh, projektesh, dhe se është normale që të kemi linja politike të ndryshme. Por ka disa tema mbi të cilat duhet të jemi të një mendjeje. E kam fjalën për rastet kur duhet të dëgjohet zëri i vendit tuaj jashtë tij. Duhet të ketë një konsensus, ose më mirë një qëndrim i përbashkët sa më i gjere i mundshëm, në mënyrë që zëri i Shqipërisë të jetë edhe më i fortë.

 

Korrupsioni dhe drejtësia. Çfarë duhet të bëjmë për të luftuar këtë kancer? Ndonjë sugjerim për qeverinë e re?

Po, kjo është një çështje mjaft e vështirë dhe ajo u shtrua që në fillim të zgjerimit me vende të tjera. Bëhet fjalë për disa masa që duhen marrë dhe që shpesh janë masa afatgjata ose, të paktën, afatmesme. Besoj se qeveria shqiptare e ka kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje meqë bën pjesë në gjërat që priten nga Shqipëria. Ju niseni nga një situatë që nuk ka qenë e lehtë, por sugjerimi im është që të garantoni pavarësinë e drejtësisë, gjë që krijon mundësi për hetime dhe procese të drejta. Do t´ju sugjeroja gjithashtu të keni asistencë ndërkombëtare dhe, në këtë drejtim, Franca është e gatshme t´ju vërë në dispozicion juristët dhe ekspertët e saj. Por edhe këtu ne nuk duam të luajmë rolin e “Kalorësit të Bardhë”, siç thuhet në Francë, të atij që jep leksione. Qëllimi është të përcaktohen parimet drejtuese dhe të krijohet një administratë gjyqësore, e cila të jetë e pakontestueshme.

 

Në fund një pyetje prej 2 milion eurosh. A është qershori një afat i mundshëm kësaj radhe?

Mendoj se është e mundshme. Mendoj se kjo gjë pritet në vend. Mendoj se duke parë vendimet e marra në dhjetor 2013, unë kam besim. Siç e dini, Shqipëria ka shumë miq në Francë, në Parlamentin francez. Ne jemi aty dhe kjo përbën atë që quhet diplomaci parlamentare dhe që shërben për të treguar se sa afërt janë dy vendet tona me njëri-tjetrin. Ndoshta popujt evropianë nuk janë shumë të ndërgjegjshëm në lidhje me këtë fakt. Por besoj se qëndrimi serioz i të gjithë bashkëbiseduesve të mi që kam takuar dje, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, vullneti që kanë treguar përbëjnë bazën e optimizmi, ndjenjë me të cilën po largohen nga Shqipëria. Pra mendoj se është plotësisht e mundur dhe dëshiroj t´u përcjell miqve të mi shqiptarë një mesazh shprese.

2 komente në “INTERVISTA/ Bel: Franca kërkoi t’i lihet kohë qeverisë së re për statusin”

  1. Stef Staku says:

    ANALIZE : Po si eshte e mundur qe ne nje interviste kaq te gjate te mos thuash asnje te vertete ?
    Po Statusi i jepet Shqiperise e Shqiptareve apo Qeverive ???
    Keto jane kaq konfuze ne genjeshtrat e tyre sa njeri thote se Statusi i jepet Shqiperise e tjetri thote i jepet Qeverise.
    Pasi te kete mbaru kohen qe i dhane qeverise tesh kerkon kohen e vet edhe opozita e keshtu me radhe.
    Por gallata me e madhe eshte tek Jo i Frances. Nuk i thame JO Statusit per Shqiperine por i thame Po Shqiperise e Jo Statusit. Pra sipas ketij Statusi eshte dicka e keqe e prendaj thame Jo, ndersa Shqiperise i thona Po deri ne Qershore. Natyrisht pastaj nderrojne mendje vetem per 2 a 3 dite kur vendoset e thone perseri Jo pasi kalon vendimi negativ thone po perseri. Paliacio.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje