Shqipëria dhe Rumania kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe tradicionale, por ekzistojnë mundësitë dhe hapësirat për thellimin e bashkëpunimit. Kjo u vlerësua në takimin që Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi me Kryeministrin rumun Victor Ponta, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Pasi vlerësoi marrëdhëniet solide mes Shqipërisë dhe Rumanisë, Meta shprehu vullnetin për intensifikimin e tyre në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër ai shprehu bindjen se vizita e Kryeministrit Ponta do t’i shërbejë thellimit konkret të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve tregtare.
Kryeministri i Rumanisë shprehu kënaqësinë për këtë vizitë zyrtare në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria mund të mbështetet në përkrahjen e Rumanisë në të gjitha çështjet e rëndësishme. Ponta shprehu përkushtimin e Rumanisë ndaj avancimit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke vënë në dukje se integrimi i plotë në BE është një qëllim i shkëlqyer strategjik për Shqipërinë dhe rajonin.
Meta dhe Ponta ndanë bindjen se forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare i shërben jo vetëm forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe axhendës evropiane të Shqipërisë. Meta në këtë kuadër konfirmoi krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Rumani, i cili do të drejtohet nga deputeti me origjinë arumune Pirro Kapurani.
Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri rumun diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet në rajon, duke vlerësuar se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Rumanisë i shërben forcimit të stabilitetit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit dhe duke theksuar njëkohësisht se të dy vendet mbeten të përkushtuara për perspektivën euro-atlantike të të gjithë vendeve të rajonit.
Në këtë kuadër, Kryeministri Ponta dhe Kryetari Meta ndanë bindjen se rajoni i Ballkanit do të stabilizohet plotësisht, atëhere kur të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë dhe Kosovën, të jenë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
…edhe formën e kokës si kameleon e ka ky fshatari hajdut nga Skrapari…